Një monografi e veçantë etno-gjuhësore për Labërinë

April 26, 2018 09:42

Një monografi e veçantë etno-gjuhësore për Labërinë

Izet S.Çulli

Kohët e fundit është botuar një libër i veçantë “PASURI DHE VLERA ETNOGJUHËSORE TË LABËRISË”(2017) i dr. Zamira Metaj (Alimemaj). Në vargun e publikimeve të  këtyre tre-katër dekadave të mjaft studimeve të prof. Ismet Elezit, akademik Shaban Demirajt, prof. Pëllumb Xhufit, prof. Rami Memushajt, akademik Gjovalin Shkurtaj, studiuesit Ibrahim D.Bejdeshatit, prof. Bardhosh Gaçes, Foto Bixhilit, Rebi Alikajt, dr.Tasim Gjokutajt, Fitim Çaushit, Janko Palit dhe Natasha Sotirit, kanë zbuluar në sytë e lexuesve vlera të rralla etnografike, historike, folklorike dhe gjuhësore të trevës së lashtë të Labërisë, e cila është një zë i fuqishëm në etnokulturën e sotme mbarëkombëtare.

Doktorja e shkencave Zamira Metaj (Alimemaj) me botimin e këtij libri monografik na jep një shembull të qartë të brezit të ri të shkencëtarëve tanë, të cilët duke ndjekur traditën e mëparshme të mjaft gjuhëtarëve dhe etnologëve të vendit tonë si Rrok Zojzi, Qemal Haxhihasani, Beniamin Kruta, Ali Dhrimo, Rami Memushaj, Afërdita Onuzi, Spiro Shituni, për vite me radhë ka gjurmuar në terren të ashpër, në trevën e Labërisë, pasuritë kulturore dhe shpirtërore të banorëve të saj.

Në këtë libër autorja ka përmbledhur një material të gjera etnokulturor dhe gjuhësor, duke i pasuruar më tej studimet e sotme të kësaj fushe kaq të rëndësishme. Ajo duke u zhytur në thellinat e shekujve ka bërë përpjekje sistemore për ta këndvështruar gjuhën dhe kulturën e Labërisë edhe nga dëshmitë që  na kanë ardhur prej studiuesve të huaj seriozë, sidomos atyre austro-hungarezë, gjermanë, italianë, francezë dhe anglezë.

Në vëmendjen e hulumtueses së matur, atlasi gjuhësor dhe etnografik përmban një pasuri të jashtëzakonshme të traditave e ta zakoneve, si edhe të botës shpirtërore aq të pasur të aerealit lab. Trajtimi i labëve, këtyre pasardhës të Kaonëve, jepet në faqet e mëtutjeshme të monografisë nëpërmjet mjaft  të dhënave historike, arkeologjike dhe etnografike, duke e shtyrë atë në shekujt e kahershëm të jetës ilirike. Vlera të tilla si Shpella e shkruar e Lepenicës, vendbanimi prehistorik i Shpellave të Velçës, Shpella  homerike e Ciklopit në Himarë, Mozaiku i Mesaplikut e ndonjë tjetër, dëshmojnë mirëfilli për përparimin e jetës njerëzore në moçmëri dhe vazhdimësinë e tyre në kohën e sotme.

Në këtë mënyrë në gjurmimet dhe hulumtimet e veta, autorja ka prekur edhe shumë objekte të tjera të Labërisë, të cilat na përcjellin vërtetesën e vendbanimeve parahistorike të kësaj krahine të stërlashtë. Me interes na shpërfaqen edhe kërkimet mbi ndarjen administrative të Labërisë. Në periudha kohore të caktuara historike,ngritja e vendbanimeve , u është përshtatur kushteve natyrore të jetës blegtorale dhe bujqësore, se siç dihet kjo trevë përbëhet nga zona si Kurveleshi, Lopësi, Bregu i Detit (Himara), Rrëza e Tepelenës, Lumi i Vlorës dhe Dukati.

Në ndarjen  e mësipërme, ky proces kaloi në disa faza që janë  të lidhura me kohët bizantine, me pushtimin otoman dhe atë  të pas Luftës së Dytë Botërore. Shënojmë se edhe me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), qeveria e Ismail Qemalit ruajti të paprekur të njëjtat emërtime të ndarjes territoriale, pavarësisht se Labëria varej nga Prefektura e Vlorës dhe e Gjirokastrës. Një vend të posaçëm asokohe kishin edhe nënprefekturat, si ajo e Himarës, e Kurveleshit të Sipërm, e Tepelenës, Delvinës dhe Vlorës, të cilat i bashkonte dhe i përafronte më shumë fshatrat e kësaj treve me njëra-tjetrën.

Një vend të rëndësishëm në krejt studimin zë edhe pasuria gjuhësore e kësaj zone, si pjesë e leksikut të begatshëm të shqipes. Në këtë hulli, autorja Zamira Metaj (Alimemaj) ndalet gjatë në tiparet e qenësishme të sistemit leksikor, ndikesat e huaja të fjalësit(sidomos të atyre nga fusha e blegtorisë, i veshjeve, i llojit të kafshëve dhe shpendëve e i veglave të punës).

Në libër preken edhe ceremoninë martesore dhe etnografinë e ligjërimit dasmor të saj.

Po ashtu  të pasur na duken edhe elementët etnografikë të ligjërimit në ceremoninë mortore në Labëri. Studiuesja pasionante dr.Zamira Metaj (Alimemaj) duke gjurmuar nëpër ato fshatra për vite të tëra, me një material të bollshëm burimor, i është përqasur traditës historike e kulturore të Labërisë me ceremonitë dhe mitet për të vdekurit si dhe për jetën e ashtuquajtur të përtejme. Aq e përplotësuar na shfaqet kjo ceremoni, saqë në përfytyrimin lab, të duket sikur ka një lidhje organike të botës së të gjallëve me të vdekurit.

Një kontribut të veçantë në këtë monografi vlen të përmendim pasqyrimin e bejtexhinjve, rapsodëve dhe poetëve popullorë, që me artin e tyre poetik, kanë krijuar një trashëgimi të madhe gojore kulturore. Është me vend të cekim këtu bardët e shquar popullorë: Ali Dinon në Gusmar,Tartar Zekën në Kuç, Xhebro Gjikën në Tërbaç, Qazim A.Rukën në Smokthinë, Ali Mesaplikun në Ramicë, Mato dhe Selim Hasanin në Brataj, Neço Mukën dhe Nase Benin në Himarë, Lefter Çipën e gjithkundshëm, me vargjet e tyre të latuar poetikë. Ato tanimë anë përndarë si këngë polifonike aq të shpirtëzuara në tërë Labërinë(si pasuri  e saj e më gjerë),duke pasqyruar njëherësh jetën me hallet, brengat, rëngat, si dhe historinë e banorëve të këtyre anëve,duke u përcjellë kësisoj gojë më gojë.

Në monografi paraqiten edhe një  numër fjalorthësh të vjelë nga “Kanuni i Labërisë”, një tjetër me fjalë e shprehje zanafillore labe, si dhe një vijues për zeje të veçanta p.sh. blegtorinë, etj., të cilat ia shumojnë vlerat këtij libri edhe për faktin se mjaft  prej tyre pasqyrohen për herë të parë në Shqipëri.

Bibliografia me autorë shqiptarë e të huaj është e admirueshme: mbi 240 të tillë. Përmbyllja me një përgjithësim përmbledhës në anglisht prej 12 faqesh është një shtesë tjetër e vyeshme në këtë botim kaq të plotë dhe me paraqitje grafike  e pamore  tepër luksoze.

Pedagogia e re Zamira Metaj(Alimemaj) ka ditur të përftojë nga udhëheqësi  shkencor, akademiku Gjovalin Shkurtaj dhe dy konsulentët, profesorët Bardhosh Gaçe e Thanas Feka. Ajo na ka sjellë larushi të tëranëshme etnokulturore, duke dëshmuar përkushtesën e saj në punë, skrupulozitetin në studime dhe dashurinë e motivuar për Labërinë.

 

April 26, 2018 09:42
Komento

1 Koment

  1. Guri Naimit D. April 27, 19:01

    Pergezime “ARES”dhe “FARAVE”qe na sjellin keto te dhena te shkelqyera per ate krahine,BALLORE e ATDHETARIZMIT SHQIPTAR. Felenderimet jane pake..
    Sa do te doja te tilla PENA te na SILLNIN me krijimet e tyre-“DANGELLINE NAIMJANE”;mbetur me NAIMIN..

    Tirane 27-04-2018 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*