Një monument kulture në degradim

August 7, 2018 08:44

Një monument kulture në degradim

Nga Aleksandër Papa

Zoti Adrian, jam Aleksandër Papa, gazetar tani në pension. Kam punuar shumë vite në gazetën “Bashkimi” e “Puna”, si dhe jam marrë shumë vite edhe me botime librash e revistash në shtëpi botuese, apo Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Është hera e parë që po i shkruaj një organi shtypi qysh kur dola në pension, duke thyer premtimin që i kisha bërë vetes se nuk do të bashkëpunoja më me shtypin e shkruar. Dhe kjo për dy arsye:

E para, po ju shkruaj për herë të parë Juve, sepse kam pasur, kam dhe do të ruaj opinionin më të mirë (ndonëse kjo fjalë nuk e jep tamam mendimin e saktë e të plotë) për gazetën DITA; qysh kur doli numri i parë i saj kam vlerësuar qëndrimin tuaj që bashkohet plotësisht me mendimin dhe idetë e mia, duke vlerësuar mjaft materialet redaksionale apo të Viktor Malaj, të ndjerit Andrea Stefani, të Bedri Islamit (me të cilin kemi bashkëpunim të vjetër kur isha redaktor në gazetën “Bashkimi”), pa harruar frymëzimin me të cilin të ngarkojnë emocionalisht materialet e Moikom Zeqos e Arben Dukës apo artikujt seriozë të bashkëpunëtorëve të tjerë të shumtë të gazetës DITA;

E dyta, ka lidhje me vizitën që bëmë në Kishën Fjetja e Shën Mërisë në Bishqethëm të Lushnjës së bashku me disa miq, që kishin dëshirë të njiheshin me varret e të parëve të tyre në Gorre dhe Bishqethëm. Sa na impresionoi pasuria në vepra arti e kësaj kishe, aq edhe na revoltoi indiferentizmi për gjendjen në të cilin është lënë dhe rrezikun që i kanoset kaq e kaq vlerave artistike e kulturore të kombit tonë. Një pasuri e jashtëzakonshme po degjeneron e shkatërrohet nga dita në ditë. E turpshme për Institutin e Monumenteve!

Ja, pra, përse e ndjeva për detyrim qytetar dhe atdhetar që t’u drejtohesha me shkrimin “Një monument kulture në degradim e shkatërrim”.  Kam bindjen se do të vlerësohet nga ana Juaj dhe ju kërkoj ndjesë për cilësinë e dobët të fotove, pasi kaq mund të bënim me celularët tanë.

 

******

Vepra të artit ikonografik të shekullit të 18-të janë lënë në harresë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Fresket dhe pikturat murale e të ikonografisë në Kishën “Fjetja e Shën Mërisë” të fshatit Bishqethëm në Lushnje, vepër e piktorëve grabovarë të familjes Katro (Çetiri), që punuan në gjysmën e dytë të shekullit 18-të, me një veprimtari që shkon deri në gjysmën e shek XIX, po dëmtohen e shkatërrohen dhe asnjë nuk po kujtohet të vërë dorë për mbrojtjen e tyre.

Kjo që shihni në këtë fotografi është Kisha Fjetja e Shën Mërisë në fshatin Bishqethëm të Lushnjes e shpallur Monument Kulture qysh në vitin 1963 dhe mban numrin 166 në Listën e objekteve fetare monument kulture në Shqipëri. Në sajtin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, për këtë kishë thuhet: “Kjo kishë është një objekt kulti tipik i ndërtimeve të shek. XVIII. Pikturat janë realizuar nga Johani, që i përket familjes së Çetirëve nga Grabova, në vitin 1798. Disa prej tyre ruhen në gjendje të mirë dhe përbëjnë një faktor të rëndësishëm kulturor për t’u vizituar. Frekuentohet gjerësisht nga besimtarët. Fakti se gjendet në afërsi të rrugës automobilistike Fier-Lushnje, në pjesën lindore të saj dhe 500 m. nga autostrada Fier-Lushnje, është një mundësi e mirë për t’u vizituar.”

Me këtë informacion të pakët për këtë monument kulture, ne disa qytetarë nga Tirana realizuam një vizitë turistike për t’u njohur nga afër me vlerat artistike e kulturore të artit mesjetar që ruhen në këtë kishë. Ajo që pamë dhe zhgënjimi që pësuam nga gjendja e saj, na detyroi t’i drejtohemi gazetës DITA me këtë material si një thirrje për Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve: dilni nga zyrat dhe shikoni gjendjen poshtë, mjaft rendët pas fjalëve dhe gjoja verifikimeve që kini bërë.

Kisha Fjetja e Shën Mërisë në fshatin Bishqethëm është lënë në harresë totale dhe çdo ditë po shkatërrohet: mure gati të bien, trarë të kalbur e gjysmë të rënë që mbahen me shtylla provizore, çatia vende-vende e hapur dhe reshjet e shiut bien në brendësi. Para syve tanë, po humbasin vlera të jashtëzakonshme të kulturës sonë kombëtare, të pikturave murale e freskave të jashtëzakonshme që zënë krejt sipërfaqet e mureve, deri edhe tavanet e punuar nga duart e mjeshtërve gdhendës të drurit e që mbulojnë me zbukurime marramendëse e plot ngjyra çdo centimetër që të kap vështrimi. “Fresket, pikturat murale dhe të ikonografisë janë vepër e piktorëve grabovarë të familjes Katro (Çetiri), Gjergji Çetiri dhe Jani Çetiri me bijtë dhe nipat, që kanë punuar në gjysmën e dytë të shekullit 18-të dhe patën një veprimtari të gjatë deri nga gjysma e shek XIX” – shkruan Th. Popa në “Mbishkrimet e kishave të Shqipërisë”, Tiranë, 1998.

Kam shëtitur e parë shumë kisha në Shqipëri e jashtë vendit, por askund deri tani nuk më ka zënë syri një objekt kulti ku çdo pëllëmbë e mureve të brendshme të jetë e mbuluar me freska dhe piktura murale si në Kishën Fjetja e Shën Mërisë në Bishqethëm. Unike! E jashtëzakonshme!

Këto mure tanimë po degradojnë në mënyrë të skajshme: po u bie suvaja, që në shumë raste nga lagështia është fryrë e shkëputur nga muri, gati të bjerë e të marrë me vete pjesë të pikturave që nuk do mund të zëvendësohen më. Dëmtimi tashmë shprehet mjaft qartë në zbehjen e ngjyrave që vende–vende po bëhen të padukshme e, në pak kohë, pritet të humbasin vlera artistike e kulturore që, edhe pse në këtë gjendje të mjerë, kur i sheh akoma të lënë me gojë hapur. Çdo vizitor i vendit dhe i huaj do habitej me një pamje të tillë, në vend që ajo të ishte objekt nga më tërheqësit për turistët e huaj dhe vendës e që, me një publicitet të plotë e të saktë, mund t’i siguronte të ardhura këtij institucioni jo vetëm për mbijetesë, por edhe për mirëmbajtje e restaurim.

Një kujdestar – pensionist Petraq Stavre, që nuk paguhej nga askush, ishte aty dhe të shpjegonte, po më shumë ta qante hallin e kësaj gjendjeje të pashpresë! “Të vetmin shërbim kësaj kishe ia bëri futja në listën e objekteve të mbrojtura, – thotë z. Stavre, – se ndryshe edhe kjo do të kishte përfunduar si shumë simotra e do të ishte shkatërruar”.

Kishën e Bishqethmit mund ta quash pa frikë si një qendër muzeale, përfaqësuese të artit e të kulturës kishtare mesjetare të brezave të tërë piktorësh të familjes Çetiri, ku dallojnë për artin e tyre freskat me emrin e më të shquarit, piktor Johan Çetiri. Nga një mbishkrim mbi portën perëndimore të kësaj kishe, që mban datën 1798 tetor 20, lexohet: “Me dorën e Joan Çetirit nga qyteti Grabovë”, që tregon se këto punime janë kryer nga dora e Joan Çetirit. Po kështu, duke iu referuar të dhënave që na jep studiuesi i nderuar Theofan Popa, nga një mbishkrim në ikonat e kësaj kishe, që mban datën 1829, rezulton se këto punë janë të Naumit, djalit të Johan Çetirit. Ndërsa një mbishkrim tjetër mbi kolonën e anvonit të kishës, që mban datën 1849 dhe që flet mbi pikturimin e pjesës së sipërme (shtojcë të kësaj kishe), si dhe nga një mbishkrim tjetër mbi qoshen jugore të facadës perëndimore, ku flitet për pikturimin e pjesës së sipërme të skenës “Gjyqi i fundit”, më datë 1853 qershor 23, lexohet: “Me dorën e Gjergj Nikoll Çetirit dhe të nipit të tij Ndinit prej qytetit Grabovë”, që tregon se në këtë kishë kanë punuar edhe të tjerë vazhdues të traditës së pikturimit nga familja Çetiri, me emrin Ndini, nip dhe bashkëpunëtor i Gjergj Nikoll Çetirit. Janë një pasuri e tërë me vepra arti, freskash dhe ikonash interesante, si për kohën kur janë krijuar, ashtu dhe për historinë e artit e kulturës kombëtare.

Kisha “Fjetja e shën Mërisë” e fshatit Bishqethëm është një muze i gjallë edhe sepse në të janë ende si një pasuri e rrallë të gjithë ato elemente karakteristike që përbënin pajisjet e brendshme qysh nga koha e ndërtimit të saj në shekullin e 18-të (Ndërtimi i këtij objekti kulti daton në vitin 1775). Veç ikonave të vjetra, freskave e pikturave murale, tavanit prej druri të gdhendur me ngjyra, kjo Kishë “Monument kulture” ka edhe anvonin (ndërtuar prej druri të gdhendur mbi një kolonë të kishës, ku lexohet ungjilli dhe predikimet) dhe po kështu edhe vend ulëset e besimtareve qysh nga koha e ndërtimit, apo ballkonin prej druri me ngjyra, të restauruar në vitin 1951 nga dy besimtarë vendës, që sipas traditës kanë lënë edhe shënimin e tyre.

Kur e sheh nga jashtë, bashkë me territorin e gjerë të varrezave, ku prehen eshtrat e të parëve të disa fshatrave si Bishqethëm, Gorre, Rrapëz, Pirrë etj. ngelesh paksa i habitur nga kujdesi i treguar prej banorëve të kulturuar të kësaj treve për rivitalizimin e varreve të të parëve. Por vetëm deri këtu mund të shkojë interesimi i banorëve sepse për mbrojtjen e vlerave që mbart vetë kjo qendër kulti ortodokse askush nuk lejohet të vërë dorë: banorët jo se jo, po as Kisha Ortodokse, nuk mund të ndërhyjë, – na thotë kujdestari i kishës Petraqi, – sepse i ka dalë për zot Shteti që kur e vlerësoi si “Monument Kulture”. Kësaj i thonë: “Dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë”, edhe vet s’jam i zoti, po edhe të tjerët të mos venë dorë. Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje?

Instituti i Monumenteve të Kulturës, e quan se e ka kryer detyrën kur mjaftohet me publikimin në sajtin e tij në internet se “Në vitin 2014 ka realizuar evidentimin e gjendjes në terren dhe inventarizimin e rreth 2134 objekteve monument kulture, përfshirë 235 objektet e kultit”. Por mjafton të kujtojmë se qysh në vitin e largët 1963 është hartuar kjo listë nga shteti shqiptar pas një ekspedite që ish-Instituti i Shkencave kishte organizuar në gusht të vitit 1955 për kërkime në të gjitha fshatrat e qytetet e Myzeqesë për zbulimin e veprave artistike mesjetare. Po tani, pas më shumë se 60 vjet, përsëri vetëm me listat do mburret ky Institut? Apo mendon se e ka aktualizuar kur ka thënë se “duke vlerësuar gjendjen e çdo objekti ka përgatitur edhe listën e objekteve me risk të lartë dëmtimi strukturor, sepse vendosja në këtë listë e objekteve në rrezik krijonte mundësinë për realizimin e ndërhyrjeve si dhe përcaktimin e nevojave për investime”. Me kaq i ka larë duart. S’ka trajtim më burokratik të një problemi! Në këtë listë bëjnë pjesë shumë kisha, por jo Fjetja e Shën Mërisë në Bishqethëm të Lushnjes, që po shkatërrohet nga dita në ditë, ndonëse është “objekt në ruajtje” e duhet të mbrohet e restaurohet nga shteti. Për këtë flet gjendja kritike të saj, që jo vetëm nuk i afron vizitorët, por bëhet edhe shembull i keq se si trajtohen veprat e artit mesjetar në Shqipëri. E pafalshme!

Mos u kujtoni kur të rrëzohen muret e të bjerë çatia, zotërinj të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve! Sa nuk është vonë, një grup pune me specialistë restaurues duhet të shkojnë në vend, të përcaktojnë detyra e të marrin masa të menjëhershme dhe ato në perspektivë për mbrojtjen e këtij monumenti të lashtë të kulturës sonë. Çdo ditë e javë vonesë kushton një vepër arti më pak! Brezat nuk do të na e falim shkatërrimin! Dhe për këtë dikush duhet të përgjigjet.

Jam i sigurt se bashkëpunimi i Shtetit (Institutit të Monumenteve të Kulturës) me Kishën Ortodokse të Shqipërisë, që janë njohësit më të mirë të vlerave antike kishtare e të kulturës mesjetare në vendin tonë, do të ishte mjaft i frytshëm. Kërkohet një kambanë alarmi sa nuk është rrënuar gjithçka.

Pikturat murale mbulojnë të gjithë sipërfaqen e brendshme të kishës

Pjesë nga tavani i Kishës krejtësisht i mbuluar nga ornamentet prej druri të gdhendur e me ngjyra

Kujdestari i Kishës Petraq Stavre duke u folur vizitorëve për vlerat e artit kishtar që po rrënohen e dëmtohen.

Një shtyllë druri mban tavanin gati të shembet dhe ku uji ka dëmtuar pikturën

Çdo pëllëmbë muri është e pikturuar, duke dëshmuar për një punë voluminoze të piktorëve grabovarë të familjes së madhe Çetiri

Dyshemeja e kishës vazhdon të ketë po ato pllaka shtrimi plot ornamente e ngjyra.

August 7, 2018 08:44
Komento

7 Komente

  1. Arturi August 6, 16:46

    Ti e thua,po kujt i ghua se?
    Qeveria Rama nuk qeveris por sundon di pushtues.
    Te qeverisesh do te thote te planifikosh nje per nje problemet qe jane,te caktosh prioritetet dhe te csktosh masat per ndreqjen e tyre.
    Por Rams eshte vete Ali e vete Kadi,pra diktator!
    A e degjoni mbrockullen e tij prej karagjozi se ka bere projektin e “100 fshatrave turistike”?!
    Pra me kete Rama do te thote qe nuk me interesojne monumentet e kultures mijra vjecare te vendit,as mrekullite e natyres di Syri i kalter ne Sarande qe nuk shtron as nje km rruge,as ujevaren madheshtore te Sotires ne Gramsh, qe vijne turistet nga Kosova etj dhe bejne ne kembe disa km rruge sfilitese,as pyllin e plazhin e Divjakes dhe kulmi fare ishullin e Sazanit!
    Rama eshte i pa afte si kryeminister,qe mban edhe nje kryebashkiak te Tiranes me sjellje dhe aftesi mediokre si vetja,prandaj PS duhet ta shporre nga partia dhe qeveria.

    Reply to this comment
  2. Besi August 7, 13:03

    Rrini PA merak e mer ne dore tika turke dhe e restauron dhe e kthen ne xhami

    Reply to this comment
  3. nje banor i Tiranes August 7, 13:40

    Sa mire do te ishte te shporreshe ti , o Artur , sebashku me Lulin , Noken , Paloken e mbi te gjitha sebashku me kryekriminelin Sali .

    Reply to this comment
    • Artur August 7, 14:42

      O banor i Tiranes i zbritur nga malet si coban dhish!
      Per mua te shporren Rama,Berisha,Meta,Basha etj,por edhe militante pa tru si puna jote o krric we vetem samari te mungon!

      Reply to this comment
  4. demo August 7, 19:12

    Uroj z.Alexander per shqetesimin qe ngre.Kisha e Janullatosit me parate e Greqise ngriti kisha te reja te stilit grek,atje ku ishin dhe atje ku jane te gjithe Mahmuta elham dyrrilah,si per shembull ne Peqin.
    Kishat tradicionale qindra vjecare shqiptare nuk do t`i shohe me sy,se besimtaret duhet te dine qe krishti ishte grek dhe Janullatosi mekembesi i tij.Prandaj i ka lene keto kisha te rrenohen.
    Kryeministri nuk ka 30 miljon euro te ndertoje teatrin ne mes te Tiranes.140 miljon euro i kishte kur Berisha ja la thesin bosh,por ato ja dhe Vilma Nushit per te bere shqiptaret analizat e shurres me chak-fap falas.
    Sikur kjo kishe te ishte ne mes te Tiranes,do ta gjinte nje PPP,qe ta ndertonte nga e para me kater kulla 20 kateshe ne vend te Kembanores,por eshte ne Bishqethem,10 km nga Lushnja dhe 20 nga Fieri,poshte manastirit te Ardenices.Atje as 400 leke per meter katror nuk te japin.Atje jeton Trifoni qe rrit lepuj bullgare.Eshte ay fshatari qe ka vene ate trungun e plepit per te mbajtur catine e kishes.Kaq i kishte mundesite.Ja do ndertohet aeroporti i NATOS ne Kucove dhe myzeqaret e Bishqethmit do behen afendikoj si greket,do ta ndertojne kishen e rrezuar,por pikturat e vellezerve Katro,nuk i bejne dot

    Reply to this comment
    • Shtet rrumpall ,nen komanden e te Hujave August 8, 09:19

      Ne Itali eshte nji Piktore Mjeshter
      qe ka restauruar pothuaj gjithe kishat e Italise Jugut
      qe jane te ngjashme me kto kishat shqiptare.
      Dikur ,para shume vitesh e ka dhene nji emision Tv
      Shqiptare qe Jeton prej viteve 90 ne Itali .
      Ai e ben Krishtin te ngjallet thonin italianet e sicilise e calabrise . Me duket se eshte nji Fierak rritur ne Tirane nji Mikelanxhelo i vertete . Perse nuk kontakton z.kryeminister dhe afroje ne Shqiperi ti restauroje
      te gjitha Afresket e kishave e duken sikur jane pikturuar sot !
      Jame i bindur qe kryeministri Rama e njeh shume mire
      Piktorin e Famshem ne itali sepse vijne nga e njejta shkolle e Piktures .
      Pra kuptohet qarte , se mungon vullneti i qeverrise ,
      ose kryeminitri jone eshte konvertuar ne musluman dhe sdo me dit me per Traditen e ruajtjen e saj.

      Reply to this comment
  5. Eno August 8, 05:42

    Shqiperia po shkaterohet me dashje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*