Një përmbledhje e shtypit të huaj rreth zgjedhjeve të 26 majit 1996 në Shqipëri

May 28, 2018 10:54

Një përmbledhje e shtypit të huaj rreth zgjedhjeve të 26 majit 1996 në Shqipëri

Hutim, dëshpërim, konfuzion,- me këto fjalë mund të karakterizohet atmosfera që mbretëron në institucionet e Bashkimit Europian pas deklaratave të vëzhguesve të huaj se zgjedhjet parlamentare të 26 majit në Shqipëri u karakterizuan nga parregullsi të shumta si dhe u zhvilluan nën nje klimë terrori psikologjik.

Aq e vërtetë është kjo saqë ende deri më sot Bashkimi Europian nuk po di si të prononcohet ndaj tyre. Dilema me të cilën ai po ndeshet është tipike shqiptare: Si të bëhet që edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet?!

Shumë vëzhgues europianë që i ndoqën zgjedhjet në Shqipëri i kanë kërkuar Bashkimit Europian që t’i konsiderojë si të paqëna ato, dhe të kujdeset që të organizohen zgjedhje të reja, të lira dhe demokratike. Por për shkak të qëndrimit të matur të shtetit shqiptar gjatë këtyre 4 viteve luftë në Jugosllavi, që pengoi shtrirjen e konfliktit nga Bosnja në Kosovë, Perëndimi i është mirënjohës Berishës, aq sa shpesh herë i ka mbyllur sytë ndaj regjimit të tij autokratik dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri,-vënë në dukje analistët europianë.

Në rast se tani Europa ia heq këtë mbështetje, ngjarjet atje mund të marrin një rrjedhë të paparashikuar. Por në rast se do të përligjë nje pushtet të mbështetur në një parlament njëpartiak, atëhere i duhet të pranojë se po përkrah një regjim që po shkel principet demokratike që vetë Europa i ka proklamuar…

“Po vazhdojnë këshillimet me qeveritë e 15 vendeve anëtare, që të dalim me një qëndrim të përbashkët,dhe ndofta është çështje orësh edhe botimi i një deklarate zyrtare për t’i gjetur një rrugëdalje këtij problemi”- përsëriti sot në selinë e Komisionit Europian në Bruksel, zëdhënësi Nikolaes Wegter.

Bruksel – 30/5/1996   

*****

Demokracia e tradhëtuar

Foto ku shihen njerëz të përgjakur, policë të pajisur me kaska dhe shkopinj gome që rrahin me egërsi njerëz të shtrirë përdhe, reportazhe dramatike të gazetarëve të huaj që ndiqnin zgjedhjet të shoqëruar me tituj tronditës:-kjo është tabloja e shtypit europian ndaj zhvillimeve më të fundit në Shqipëri.

“Demokracia u tradhtua në Shqipëri”,-kështu shkruan me gërma të mëdha në numrin e sotëm e përditshmja e njohur britanike “The Independent”. Me ngjarjet e fundit u zhduk çdo iluzion që mund të kishte mbetur rreth së ashtuquajturës demokraci në Shqipëri, thekson në këtë gazetë i dërguari i saj në Tiranë, Andrew Gumbel.

“Shqipëria përballë një diktature të re”,-është ky titulli i një tjetër të përditshmeje londineze me reputacion:”The Guardian”. Skenat e djeshme, shkruan në këtë gazetë Helena Smith, na sollën ndërmend ato të 6 viteve më parë, kur populli ishte ngritur për të përmbysur diktaturën staliniane.

Në qendrën e votimit me kobure në brez

“Në Shqipëri zgjedhjet ishin të rreme”,- ishte ky titulli i gazetës italiane “La Republica” e datës 30 maj. Raporti zyrtar i vëzhguesve europianë akuzon Berishën,- nënvizon Piero Benetazzo, i cili më poshtë shton se 53 vëzhguesit europianë të OSBE-së e thyen heshtjen dhe po tregojne hapur se çfarë kanë parë.

“Kur arritëm në qendrën 76 të zonës së Lushnjës, shprehet njëri nga vëzhguesit italianë,  ishte ora 10 e mëngjezit, por qendra e votimit ishte mbyllur, sepse sipas thënieve të drejtuesve demokratë të gjithë kishin votuar. Por jashtë qendrës një grup njerëzish po protestonin. Atëhere e ndërruan gënjeshtrën  dhe na thanë se formularët e votimit mungonin pasi ishin vjedhur dhe hajduti kishte ikur nga dritarja. Por dritarja ishte e zënë me hekura?! Atëhere drejtuesit e qendres vajtën dhe u ankuan për ne te kryetari i zonës zgjedhore. Ai na u afrua, hapi ngadalë xhaketën për të na treguar pistoletën që mbante në brez dhe pastaj na “spjegoi” se ne të huajt duhet të ia dimë për nder Berishës që po na mbron nga vërshimet e klandestinëve nga Shqipëria !

Në një tjetër të përditshme italiane “Il Sole 24 ore”, Elena Raguza tregon se çfarë ajo ka parë të dielën më 26 maj në Tiranë:”Kuti votimi që ishin mbushur që në ora 7 të mëngjesit, ende pa filluar votimet, me skeda në favor të Partisë Demokratike. Zgjedhës që hidhnin në kutitë e votimit, jo një, por dhjetëra skeda të parapërgatitura, qendra votimi të ngritura në shtëpitë e anëtarëve të partisë demokratike e të tjera. Këto ishin zgjedhjet e 26 majit në Shqipëri”…

Ndërsa gazeta më e madhe italiane,”Corriere della Sera” duke komentuar zgjedhjet e së dielës në Shqipëri shkruan me gërma të mëdha:”Në qëndrën e votimit me kobure në brez”. “Simboli i këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet sekretari demokrat i zonës së votimit nr 74 që sillej nëpër qendrat e votimit me kobure në brez, e mjaftueshme kjo per t’i ndërruar mëndjen kujtdo që do të vinte në dyshim ligjshmërinë e këtyre votimeve”,- vinte në dukje me qesëndi Luigji Ipolito në këtë gazetë. Ndërsa një tjetër vëzhgues italian, Xhani Zampariolo, pohon po te  “Corriere della Sera” se në disa raste pranë qendrave të votimit vëzhgonte policia, ndërsa kryetarët dhe sekretarët e Partisë Demokratike pranë komisioneve elektorale të qendrave të votimit u paraqisnin vëzhguesve të huaj anëtarë të Partisë Demokratike që hiqeshin si përfaqësues të partive të opozitës!

“Zgjedhjet në Shqipëri mund të konsiderohen çdo gjë, por vetëm zgjedhje të lira jo”,- thekson me indinjatë në të përditshmen tjetër italiane “La Stampa”  njëri nga 54 vëzhguesit e OSBE-së.

Në tribunë si në ring

Ndërsa shtypi francez duket se merret më shumë me rolin dhe karakterin e Berishës gjatë këtyre zgjedhjeve:-“Berisha ngjitet në tribunë si boksieri në ring. Ai çirret, ulërin, bërtet, derisa i ngjirret zëri, ngre duart drejt qiellit dhe u drejtohet perkrahësve të tij me fjalët:”Ju dua kaq shumë të gjithëve”,- nënvizon e përditshmja franceze  “Le Figaro”.

Një tjetër e përditshme e njohur franceze,”Liberation”, duke analizuar rolin e Berishës gjatë kësaj fushate vë në dukje:”Berisha është rritur dhe formuar nën një sistem autoritar, i bazuar në pushtetin e një njeriu. Dhe ai tani po sillet njëlloj si paraardhësit e tij. Por Berisha i mbush mendjen vetes se është demokrat, pasi lejon disa gazeta opozitare ta kritikojnë. Ky është koncepti i tij për demokracinë”.

Mendimi i analistëve dhe gazetarëve të huaj që po shkruajnë rreth ngjarjeve të fundit në Shqipëri është i prerë: “Pas 50 vjet sundimi të një nga diktaturave më të egra, Shqipëria po rrezikon të bjerë përsëri nën një diktaturë të re”.

Dëmtoi veten, Shqipërinë dhe Perëndimin

“Keq për Berishen, keq për Perëndimin”,-ky është përfundimi i arritur nga e përjavshmja e njohur britanike “The economist”  pas përfundimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Duke dëmtuar zgjedhjet në Shqipëri, Berisha nuk goditi vetëm vendin e tij, por gjithashtu edhe Perëndimin, i cili kishte investuar shumë besim te ai.

Por Berisha, pa asnjë dyshim, dëmtoi edhe të ardhmen e tij. Dhe e gjitha kjo se kërkonte një parlament ku të kishte 2/3 e votave, që të bënte një kushtetutë sipas midesë së tij, pasi populli ia kishte hedhur poshtë një të tillë, që ai e kishte përgatitur për veten rreth 2 vjet më parë. Me vendimin e tij ai ia futi vetes, por i krijoi edhe Perëndimit një problem më shumë në këtë rajon të trazuar ballkanik,-përfundon “The economist”.

“Zgjedhjet e manipuluara kërcënojnë për luftë civile në Shqipëri”,-theksonte në “Times”-in britanik, korrespondenti i saj në Shqipëri, Riçard Ouen.

Divergjenca amerikane – europiane lidhur me zgjedhjet në Shqipëri                                                  

“Shumë vende europiane si Italia, Gjermania dhe Britania e kanë mbështetur pa rezerva  pushtetin e Berishes gjatë këtyre 4 vjetëve, pavarësisht nga shenjat e dukshme të një autoritarizmi personal gjithnjë në rritje.

Diplomatët e huaj të akredituar në Tirane na e bënë të qartë se vendet e tyre, pasi të bënin pak naze, ishin më të predispozuara ta pranonin përfundimin e zgjedhjeve, për të siguruar interesat e tyre ekonomike dhe strategjike në Shqipëri, sesa të merreshin me zhvillimin e demokracise, apo të kritikonin shkeljet e të drejtave të njeriut dhe proceset e mbrapshta demokratike në këtë vend.

Por kjo tolerancë europiane nuk mbështetet më nga qeveria amerikane, e cila pasi kishte qënë një nga përkrahesit e tij të parë, me kalimin e kohës është tërhequr, aq sa javët e ardhshme ajo parashikon t’i fusë gërshërën edhe disa projekteve investimash dhe ndihmash në Shqipëri”- vëren te “The Independent”, analisti Andrew Gumbel.

Por e njëjta erë duket se ka filluar të fryjë edhe nga Brukseli. Megjithëse në Komisionin Europian vazhdon të mbretërojë një heshtje varri, burime zyrtare pohuan sot se Bashkimi Europian po parasheh nje përsëritje të pjesëshme të tyre. Italia që është edhe kryesuese e rradhës e Bashkimit Europian paralajmëron se marrëdhëniet e Shqipërise me 15 vendet anëtare të Bashkimit Europian mund të kenë pasoja të padëshirueshme në rast se procesi elektoral në Shqipëri i kundërvihet proceseve demokratike ndërkombëtare.

I të njëjtit mendim duket se është edhe Xhon Palmer, një nga njohësit më të mirë të politikës europiane. “Bashkimi Europian duket se po përgatitet të braktisë projektin e tij për lidhje më të ngushta me Shqipërinë, kur ministrat e jashtem të tij do të takohen më 10 qershor në Luksemburg. Bashkimi Europian me një marrëveshje “sui generis” dukej se po bëhej gati të shpërblente Berishën për rolin e tij frenues në krizën kosovare, por pas ngjarjeve të fundit mund të themi se përfundoi edhe “muaji i mjaltit” i Berishës me Perëndimin, mendon Xhon Palmer.

“The Guardian” – 29/5/1996

Fitore e hidhur dhe një rast tjetër i humbur për Shqipërinë

“Opozita i braktis zgjedhjet, pushteti thërret fitore, por në Shqipëri suksesi i demokratëve po kundërshtohet”- lajmëron me gërma të dukshme e përditshmja e njohur belge “Le Soir”.  I dërguari i posaçëm i kësaj gazete në Tiranë, Thierry Fiorilli, i cili i ndoqi nga afër zgjedhjet, në reportazhin e tij nga Tirana nënvizon ndër të tjera se:- ky është fundi logjik i një fushate të pistë elektorale”.

Në po të njëjtën gazetë, analisti i njohur belg i çështjeve ballkanike, Eduard van Velthem në shkrimin e titulluar:”Fitore e hidhur dhe një rast tjetër i humbur” komenton: “Ndërkohë që Partia Demokratike feston dhe presidenti Berisha thërret “fitore”, të vjen të qeshësh kur kujton atmosferën e rrëmujës së përgjithshme që shoqëroi këto zgjedhje si dhe parregullsitë e shumta që u vërejtën nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Fitore e hidhur pasi në vend që të punohej rreth një politike pajtimi dhe bashkëpunimi kombëtar, sot vendi është më i ndarë se kurrë më parë. Kjo ishte një goditje e rëndë edhe për institucionet ndërkombëtare, që pasi e mbajtën në krahë Shqipërinë gjatë gjithë këtyre viteve, tani nuk dinë më si të sillen dhe çfarë të bëjnë.

“Shqiptarët kundërshtojnë fitoren e partisë në pushtet”,-e titullon shkrimin e saj e përditshmja e njohur në gjuhën angleze

“International Herald Tribune”, e cila më pas vëren se ndërsa partia demokratike po feston atë që ajo e konsideron si një fitore të madhe, vëzhguesit e huaj janë në mëdyshje nëse duhet t’i njohin këto zgjedhje si të ligjshme apo jo, aq shumë të meta dhe parregullsi u vërejtën.

Një nga zgjedhjet më absurde të këtyre 6 viteve të   fundit:Presidenti Berisha ka “fituar”, demokracia në Shqipëri ka humbur, ndërsa Perëndimit i duhet ta nxjerrë gjithë këtë lojë në barazim,-ironizon nga ana e saj “La Stampa”.

29/5/1996

Anullohet vizita në Shqipëri e presidentëve të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian

Zgjedhjet aq të dyshimta dhe të përfolura të 26 majit të shkuar nuk kaluan pa pasoja dhe në marrëdhëniet politike ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Madje shumë më shpejt edhe sesa pandehej.

Burime zyrtare të Komisionit Europian në Bruksel, njoftuan sot në mesditë se si rrjedhojë e çrregullimeve të vërejtura gjatë fushatës elektorale në Shqipëri, por sidomos të parregullsive të konstatuara ditën e votimit, të cilat ranë në kundërshtim të hapur edhe me kërkesën këmbëngulëse të publikuar bashkërisht më 21 maj nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kërkonin mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, perfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë anulluar vizitën e programuar për këtë fund jave në Tiranë.

Nje delegacion i nivelit të larte të Bashkimit Europian, i përbërë nga presidenti i Komisionit Europian, Zhak Santer dhe presidenti i rradhës i Këshillit te Ministrave të Bashkimit Europian, ministri i jashtëm italian Lamberto Dini, kishin planifikuar gjatë kësaj fund jave një vizite në kryeqytetet e disa vendeve ballkanike, duke përfshirë këtu edhe Tiranën.

Turneu do të zhvillohet në kohën e paracaktuar, por është ndryshuar itinerari i tij,- përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë anulluar vizitën e tyre në Tiranë, pasojë kjo e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të fundit tronditëse dhe të padëshirueshme që e kanë dëmtuar shumë imazhin e Shqipërisë sot në botë.

Duke komentuar arsyet e anullimit të vizitës, zëdhenesi i Komisionit Europian gjatë konferencës së zakonshme të shtypit deklaroi:

“Si pasojë e çrregullimeve te vërejtura gjatë procesit të zgjedhjeve në Shqipëri, Bashkimi Europian e konsideron këtë proces si ende të papërfunduar, dhe është duke pritur raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-se. Dhe është në këtë kontekst që zoterinjtë Dini dhe Santer nuk e shohin të arsyeshme të vizitojne të premten dhe të shtunën e ardhshme Tiranën”.

Bruksel – 10/6/1996

Parlamenti Europian diskuton rreth procesit zgjedhor të 26 majit

Sot pasdite në ora 15, Parlamenti Europian i mbledhur në seancë plenare në Strasburg filloi shqyrtimin e gjendjes në Shqipëri pas zgjedhjeve të fundit. Mbi 20 europarlamentarë diskutuan  rreth mënyrës së zhvillimit të tyre si dhe proceseve demokratike në këtë vend ballkanik.

Për eurodeputeten socialdemokrate gjermane Magdalena Hof  parregullsitë dhe shkeljet e ligjit të zgjedhjeve në Shqipëri kishin filluar dhe ishin planifikuar që para  ditës së zgjedhjeve, dhe këtë, sipas saj, e vërtetuan edhe vëzhguesit e huaj dhe të pavarur. Këto zgjedhje do shërbejnë vetëm që zoti Berisha të aprovojë tani atë projektkushtetutë që populli ia hodhi poshtë rreth 2 vjet më parë. Nuk ka shtet demokratik pa opozitë, tha zonja Hof, e cila më pas shtoi: Vetëm zgjedhjet e reja dhe të ndershme do ta rikthejnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë. Ajo i bëri thirrje Këshillit te Ministrave të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian që të ndërpresin çdo marrëdhënie me Shqipërinë deri në organizimin atje të zgjedhjeve të reja.

Eurodeputeti italian Xhanfranko del Alba  pohoi se për shkak të këtyre zgjedhjeve pozita e Shqipërisë sot është vështirësuar. Edhe eurodeputeti tjetër italian, Xhani Tamino ishte i po të njëjtit mendim. Zgjedhjet kanë qënë të manipuluara në të gjithë vendin, prandaj ato duhen përsëritur. Ne kemi shumë mundesi të ndikojmë që ato të përsëriten, këmbënguli ai. Sipas tij, pezullimi i marrëveshjes “sui generis” që pritet të nënshkruhet së shpejti me Shqipërinë, është njëra nga masat që duhet të marrë Bashkimi Europian për rivendosjen e demokracise atje.

I një mendimi tjetër ishte zonja Doris Pack, kryetare e delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Europes Juglindore. Sipas eurodeputetes kristiandemokrate gjermane, shqiptaret votuan në këto zgjedhje sipas traditave të tyre. Nuk duhet të kërkojme nga ata, atë që ne vetë e kemi arritur me aq shumë perpjekje dhe pas një rruge aq të gjatë. Nuk duhet të harrojmë, nënvizoi zonja Pack, se gjatë këtyre 5 vjeteve të fundit Shqipëria ka kaluar nga Mesjeta në kohët moderne.

Europarlamentari Wiersman që e mori fjalën më pas nënvizoi se nuk është mirë që të mbajmë qëndrime partiake, por t’i shohim gjërat me gjakftohtësi dhe largpamësi. Vëzhguesit e huaj dhe të pavarur, theksoi ai, kanë vërejtur mashtrime sistematike në procesin e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Për më tepër Shqipëria është edhe anetare e Këshillit te Europës, ndaj ajo duhet t’i respektojë me skrupolozitet detyrimet që rrjedhin nga ky anëtarësim.

Eurodeputeti Otto fon Hasburg, duke pohuar mundesinë e parregullsive të vërejtura gjatë votimeve në Shqipëri, nënvizoi që të mos pretendohet dhe kërkohet nga demokracia e re shqiptare, atë që pretendojme dhe presim me të drejtë nga demokracitë nordike apo të vendeve të Beneluksit.

Por parlamentarë të tjerë si Cavalini, Daskalaki, Bertens etj nënvizuan se nga Shqipëria kemi të drejte të presim dhe të kërkojmë procese të rregullta demokratike, më themeloret nga të cilat konsiderohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Strasburg – 20/6/1996

Komisioni Europian dënon represionin policor kundër opozitës

Pas gjithë këtyre diskutimeve të parlamentarëve europianë e mori fjalën edhe komisioneri i Bashkimit Europian, Manuel Marin, i cili duke u shprehur në emër të Komisionit Europian theksoi ndër të tjera se raporti i fundit i OSBE-se vërteton ato të mëparshmit: gjatë zgjedhjeve në Shqipëri janë vërejtur parregullsi të shumta. Ne dënojme po ashtu edhe represionin policor ndaj forcave të opozitës në Shqipëri. Ne kishim planifikuar të nënshkruanim një akord të veçantë me Shqipërinë, por nënshkrimi i tij do të varet nga proceset demokratike në atje si dhe nga predispozicioni i presidentit Berisha për tu ulur dhe biseduar me forcat e opozitës,- u shpreh komisioneri i Bashkimit Europian.

Strasburg, 21/6/1996

Parlamenti Europian kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Shqipëri

Në  ora 18 të ditës së djeshme Parlamenti Europian i mbledhur në seance plenare në  Strasburg aprovoi me shumicë votash një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën ndër të tjera theksohej se:

-“Parlamenti Europian duke pasur parasysh vendimet e mëparshme mbi gjendjen në Shqipëri dhe marrëdheniet ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, si dhe deklaratën e presidencës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian të 31 majit 1996, në të cilën kërkohet përsëritja e pjesshme e zgjedhjeve;

– duke pasur parasysh se raportet  e vëzhguesve ndërkombëtarë, dhe në mënyrë të veçantë të atyre të Organizates për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë që nxjerrin në pah një vazhdimësi të shkeljeve të rënda të ligjit të zgjedhjeve në Shqipëri, po ashtu si dhe rastet serioze të frikësimit të zgjedhësve si dhe të anëtareve të komisioneve të votimit;

-duke pasur parasysh se 9 parti opozitare janë tërhequr në shenjë proteste në vetë ditën e zgjedhjeve, si dhe që ato bojkotuan turin e dytë të zgjedhjeve më 2 qershor;

– duke konstatuar me shqetësim dhunën e ashpër me të cilën u ndeshën pas zgjedhjeve përkrahësit e opozitës nga forcat policore;

– duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka një proces i vërtetë elektoral në vendosjen e  një demokracie të denjë për këtë emër në Shqipëri;

– duke pasur parasysh se Komisioni Europian do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian një propozim për një mandat marrëveshjeje me qellim të nënshkrimit me Shqipërinë të një akordi të ri, i cili do të zevendësojë marrëveshjen e  bashkepunimit dhe tregtisë të vitit 1992, akord i cili ka për synim intensifikimin e dialogut politik dypalësh dhe futjen e Shqipërisë me të drejta të plota në Bashkimin Europian,-

deklaron sa vijon:

1) përsërit mbështetjen e tij ndaj procesit të demokratizimit në Shqipëri, por vëren se ngjarjet që kanë ndodhur atje gjatë zgjedhjeve përbëjnë dukshëm nje hap prapa në krahasim me një demokratizim të vërtetë dhe vendosjen e shtetit të së drejtës;

2) dënon shkeljet që kanë ngjarë në Shqipëri gjatë zhvillimit të zgjedhjeve;

3) i kërkon me këmbëngulje presidentit shqiptar anullimin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve dhe organizimin sa më shpejt të zgjedhjeve të reja në pershtatje me normat demokratike ndërkombëtare;

4) u bën thirrje qeverisë si dhe partive të opozitës të fillojnë një dialog politik për t’i gjetur një zgjidhje krizës së tanishme;

5) fton Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian që tua bëjë të ditur qartë autoriteteve shqiptare se Bashkimi Europian kërkon që zgjedhjet në Shqipëri të kryhen duke respektuar plotësisht normat ndërkombëtare, dhe këtu është fjala per një kushtezim para fillimit të çdo negociate për fuqizimin e marrëdhenieve dhe bashkëpunimit me Bashkimin Europian;

6) i kërkon qeverisë shqiptare që ajo të lirojë të burgosurit politikë, t’i garantojë shtypit kushtet e duhura për të punuar normalisht dhe në mënyrë të pavarur si dhe të heqë dënimin me vdekje;

7) i kërkon me forcë Komisionit Europian dhe Këshillit të Ministrave të B.E.-së të ndërpresin çdo marrëdhënie ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë derisa demokracia dhe të drejtat e njeriut të jenë rivendosur në këtë vend dhe që zgjedhjet e reja të zhvillohen në përputhje me normat demokratike ndërkombëtare.

Strasburg, 21/6/1996

Hans van den Bruk do vizitojë Tiranën  për t’i  matur “pulsin”.

Burime zyrtare të Komisionit Europian në Bruksel njoftuan sot se komisioneri i Bashkimit Europian për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore Hans van den Bruk do të zhvillojë më 25 dhe 26 korrik një vizitë zyrtare në Maqedoni dhe Shqipëri.

Duke shpjeguar arsyet e vizites së zyrtarit të larte të Bashkimit Europian në Tirane, zëdhënësi i kabinetit të komisionerit Hans van den  Bruk, Nikolaes Wegter pohoi se vizita e zotit Van den Bruk në Tiranë lidhet me zhvillimet dramatike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 26 majit. Duhet parë situata në vend, duhet biseduar me të gjitha forcat politike dhe instancat përkatëse shtetërore para se të vendoset  se si duhet sjellur me Shqipërinë në të ardhmen.

Do të diskutojmë me autoritetet shqiptare se si do te reflektojnë ato ndaj kritikave të shprehura në raportin e vëzhguesve të OSBE-se dhe vëzhguesve të tjerë ndaj shkeljeve të praktikës së zgjedhjeve të vërejtura në Shqipëri.

Me Shqipërinë ishte parashikuar edhe nënshkrimi i një akordi “sui generis”, por se si do të veprohet në të ardhmen kjo do të varet edhe nga rezultatet e vizitës sone në Tiranë, -deklaroi zoti Wegter.

Burime të Komisionit Europian pohuan po ashtu se rreth marrëdhënieve me Shqipërinë do të diskutohet gjatë takimit të ardhshëm të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian që do të mbahet më 15 dhe 16 të këtij muaji. Van den Bruk propozimet dhe vërejtjet e ministrave të Bashkimit Europian do ua bëjë të njohura gojarisht autoriteteve shqiptare.

Bruksel, 5/7/1996

 

Përgatiti n.s. / dita

Marre nga libri « Shqiperia e vitit 1997 pare nga Perendimi” Autor Viron Gjymshana

May 28, 2018 10:54
Komento

1 Koment

  1. ish antienverist May 28, 14:06

    Nuk ka nevoje qe artikull-shkruesja “n.s. / dita” ti bjere kaq gjate nga ‘kina e Lu-se” per te na mbushur mendjen se Europa dhe Amerika qenka kunder berishes per 26 majin 1996…..Ajo dite ishte nje masaker hitleriane qe paturpesisht Europa dhe Amerika mbajte nje qendrim jo vetem antishqiptar por antinjerzor…boll me blegerima ..
    .
    Kam qene deshmitar okular ne pucin e shtetit te 2 prillit 1991 ..ne mitingun kunder arrestimit te Fatos Nanos ne korrik 1993 dhe ne kete protesten e 26 majit dhe kane te perbashket qe edhe kur nuk ishin ne pushtet ne prill 1991 edhe ne 1993 apo 1996 qe ishin ne pushtet egzistonte dhe egziston nje detashment paramilitar i Berishes qe a i quan “300 mamurrzaket” te cilet ne rast se Saliu “i shkel syrin” ata jane gati te djegin institucjonet dhe te ngrene flamurin e fitores si ne 14 shtator 1998.
    .
    Pse shteti amerikan dhe bashkimi europjan “e kane dhi punen” ne Shqiperine dhe nuk jane te interesuar qe Shqiperia te ece perpara ?
    .
    Nese sot Shtrigu Berishe merr persiper autorsine e masakres se 21 janarit 2011 dhe me mburrje thote qe do vriste Edi Ramen sipas kanunit dhe poshtrova dhe perfaqsuesin amerikan te Obames cfare duhet te mendojme..
    .
    Kjo tregon se USA-BE per te cilet ne 1991 i pritem si clirimtare sot jane kthyer me te keqinj se pushtuesit klasike….
    .
    Te tolerohet nje kriminel si Berisha qe fshiu bythen me ekspertizat e FBI..qe poshtroi NY-TIME qe perdhosi te derguarin e Obames dhe se fundi i thote amerikes dhe europes qe PO UNE JAM KRIMINEL dhe mos me cani trapin..dhe ky fare Luja me Vlahutinen tallin trapin me babale xhafa dhe tahire cfere duhet te themi..
    .
    Kam qene dhe jam nje antienverist/komunist i spikatur por po vjen koha qe me kete situate perverse qe eshte sot ne Shqiperi te themi NA FAL ENVER se “diktatura ” e tij paska jo vetm e nevojeshme por dhe e domosdoshme jo vetem per kete gjysem popull qe ka ngele ne Shqiepri por dhe keto dipllomate perendimore pa perjashtim e kane kthyer ate vend ne FERME KAFSHES TE ORWELLIT
    .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?