Një poezi dhe disa epigrame…

May 10, 2018 14:14

Një poezi dhe disa epigrame…

Dashuria është abstrakte!…

Dashurinë-dashurinë,
asnjeri s’e ka arritur,
nëpër misteret e saja,
hyn e del i pastërvitur.

S’e njohim në të vërtetë,
as në Prill e as në Maj,
po dhe pa e njohur fare,
ne jemi robër të saj!

Dashuria s’ka formula,
që përmendësh t’i mësosh,
po për të është vënë vula,
thjesht duhet të dashurosh!.

Dashuria s’njeh logjikë,
ndryshe dashuri s’do qe,
është abstrakte edhe pikë,
ndaj dot s’e kuptojmë ne!

Dashuria-dashuria,
jo-nuk ka formula fikse,
dhe në një zemër që digjet,
s’mund të futesh me zjarrfikëse!

Koha ikën si shigjetë,
si shigjetë e vetëtimë,
po ne s’e njohim gjithë jetën,
as veten-as dashurinë!

Pa titull…

Ndenje në shtëpi publike,
shtatë vjet e vetëm lepe,
dhe fiks në ditën që ike,
gjete doktor e u qepe!

U martove-pate fat,
me një djalë pakëz sylesh,
që këndonte atë natë,
se të gjeti virgjëreshë!

Ti gënjeve një njeri,
prishe klimën veç njëçikë,
po ç’bëjnë ata si ty,
kur futen në politikë?!.

Pa titull..

Kur shqiptari hipën në pushtet,
mund të shohësh skena fort komike,
veten të përjetshëm e mendon,
dhe e monton bythën në karrige!

Po pushtetet bien pa pushim,
këputen pa frymë si gjeth’ i plepit,
veç bythët ke të tuat-miku im,
se karrikja është gjithmonë e shtetit!

Pa titull

S’e kishim menduar kurrë,
jo-mor jo-s’e kishim ditur,
se do kish ky vëndth i vogël,
kaq shumë të babëzitur!.

Pa titull

Sikur Jezu Krishti,
mos ishte vërtetë,
Jezu Krishtin njerëzit,
do ta shpiknin vetë.

Në djepe floriri,
do ta kishin tundur,
të kishin një Yll,
për shpresën e humbur!

Pa titull

Besnikëria,
një virtyt i artë do ngelet,
po pabesia,
të shkul nga themelet!..

Arben Duka

May 10, 2018 14:14