Një profil i ndihmësmjekes Selime Sinani

May 30, 2016 09:26

Një profil i ndihmësmjekes Selime Sinani

Nga Bexhet Rrapo*

 

Lindi në një fshat malor me njerëz trima, bujarë dhe pak të ashpër nga natyra, Tërbaçi. Babai i saj Ibrahim Hoxha, i respektuar nga fshati, ishte specialist ndërtimi, i dalluar si gurgdhendës, ndërtues i disa urave me harqe në rrugën e lumit të Vlorës. Nëna e saj Hatixhe Gjika (Hoxha) dhe kjo një grua e fortë, punëtore dhe e dashur, gojëëmbël. Në njëfarë mënyre kompensonte dhe pak ashpërsinë e burrit të saj.

 

Nga këta prindër u lind e u rrit Selime Hoxha (Sinani) në fisin Hoxhaj me tradita patriotike. Babai në dukje i ashpër, ja kuptoi prirjet vajzës së tij. Në rritje e sipër ai e studionte e mbante dhe më afër se fëmijët e tjerë. Mbasi mbaroi shkollën 7-vjeçare, i thotë: A do tëbëhesh infermiere? Ky profesion në atë kohe ishte shumë i kërkuar dhe i nevojshëm për fshatin. Ai kishte ndoshta dhe një arsye tjetër se ai vetë vuante nga një sëmundje, kush më shumë se çupa e tij do t’i shërbente?  Gjithashtu ai dhe profesionin e infermieres e shikonte si të përshtatshëm për Selimenë. Në Tërbaç atë e respektonin dhe do ta dëgjonin për çupën. Kështu në vitin 1956 ajo shkoi në Tiranë dhe bëri 2 vjet shkolle për infermiere. Gjatë kësaj kohe jetoi nështëpinë e motrës së madhe Fatisë.

Mbas mbarimit të shkollës në 1958 fillon si infermiere në fshatin e saj Tërbaç. Qendra shëndetësore ishte pranë shkollës 7-vjeçare. Këtë qendër  ajo do ta kthente në shembull për krahinën, gjë që e vlerësonte dhe Drejtoria e Spitalit Krahinor në Brataj dhe Drejtoria Shëndetësore Vlorë.

Rolin e infermieres ajo nuk e shikonte si shërbim vetëm brenda qendrës, por duke shkuar në çdo cep të Tërbaçit, shtëpi me shtëpi pranë tësëmurit. Në ato vite ju vu shumë rendësi forcimit të higjienës e pastërtisë brenda në familje por dhe në ambientet rrethuese. Selimeja e kishte bërë rregull kontrollin në çdo familje. Kërkesa e llogarisë, rreptësia e saj i edukoi familjet tërbaçiote që ta përmirësonin higjienën në çdo ambient.

Në këtë kuadër u kërkua që çdo familje të bënte vendet e tualetit, fillimisht 10-15 m larg banesës, u kërkua largimi i kasolleve të bagëtisë. Në javën e pastërtisë nënat, gratë angazhoheshin për pastrimin jo vetëm në shtëpi që e bënin çdo ditë por dhe në rrugët lidhëse–hyrëse për në ambientet e banimit. Mbaj mend që nëna ime u thoshte çupave, sot do të pastroni mirë rrugët se vjen Selimeja dhe nuk turpërohem unë me atë.

 

Mbas disa vjet pune në Tërbaç ajo fillon punë në Spitalin Krahinor në Brataj. Drejtor do të kishte kirurgun e talentuar të Luftës e pas luftës Ibrahim Dervishin, mjek i përkushtuar. Dhe këtu Selimeja do të dallohesh për përkushtimin e humanizëm nëshërbim. Ja çfarë thotë një nënë që kishte lindur në Spitalin Brataj, K.Dedaj, bashkëfshatare e Selimesë. “Mbas lindjes isha e pafuqishme nuk kisha oreks, nuk i haja dot ushqimet e Spitalit. Selimeja merr 2 vezë te një fshatare, i skuq në kuzhinë e m’i pruri, i hëngra dhe mora veten”.

Selimeja nuk punoi pak por 9 vjet në fshat, ajo i shërbeu familjes dhe sidomos babait që e kishte sëmurë, e përcolli atë në 1965 me shumë dhimbje se ishte dhe i ri. Mbas kësaj ajo filloi të mendojë për të ardhmen e saj. Vjen çasti i ndryshimit të jetës. Jemi në vitin 1967, mbas shumë rasteve që i kishin dalë për fejesë por të refuzuar, ajo pranoi të lidhë jetën me Sherif Sinanin nga Tragjasi nip në Tërbaç, një inxhinier ndërtimi i talentuar, projektues i disa veprave Hidro-Teknike. Mbas martesës ata vijnë e vendosen në Tiranë. Do të mbarojë dhe shkollën e plotë mjekësore, bëhet ndihmës mjeke.

Fillimisht punoi në spitalet e Tiranës, e më vonë në sajë të aftësive të saj ajo do të bëhej drejtuese të cilën e mbajti deri sa doli në pension. Siç punoi në Tërbaç apo Brataj, ajo dhe këtu do t’i përkushtohej punës duke e kthyer institucionin që drejtonte në shembull e model në rregull e pastërti. Për pune të mirë ajo është dekoruar e vlerësuar nga institucionet e kohës.

 

Selimeja e Sherifi lindën e rriten dy fëmijë, Silvanën e Gazmendin, i edukuan e shkolluan me arsim të lartë, respektivisht për inxhinieri dhe për matematikë.  Koha e përfundimit të arsimit të lartë përkonte me ndryshimin e sistemit duke sjell dhe vështirësi punësimi. Në këto kushte Gazmendi emigron në Greqi ku është dhe sot duke i sjell dhe merake më të mëdha Selimesë. Silvana u tregua më e duruar qëndroi në Shqipëri dhe u integrua, sot ajo punon në Ministrinë e Jashtme është e martuar me Dr.Bujar Leskën. Të dy fëmijët e kanë gëzuar Selimenë me 6 nipër e mbesa që ajo i donte shumë.

Prindërit e Selimesë rritën e edukuan 11 fëmijë, 6 djem e 5 vajza. Kjo ndoshta ishte dhe një nga arsyet që Selimeja bashkëjetoi shumë kohë me prindërit, motrat e vëllezërit. Ajo e shikonte që prindërit kishin nevojëpër ndihmë. Selimeja ishte fëmija i tretë, por dy të parët kishin ikur më herët me familjet e tyre, kështu që barra i binte asaj. Këtë mbështetje për motrat e vëllezërit Selimeja do ta bënte dhe më vonë mbas krijimit të familjes me Sherifin. Unë e kam provuar dhe vetëmikpritjen e tyre se veja shpesh me shërbim në Tiranë. Një lidhje më të ngushtë Selimeja do të krijonte me motrën e vogël Eftalinë.

 

Para momentit fatal që Selimeja nuk e përballoi, ajo ka patur dhe një goditje të fortë duke e çuar në paralizë pjesore 10 vjet më parë. Shpëtimtar i jetës së saj në këto momente do te ishte dhëndri i saj Bujar Leskaj, bëri të pamundurën t’i shpëtonte jetën.

Në përcjelljen e fundit të organizuar aq mirë nga çupa e saj Silvana, ju mblodhën të gjithë ngado që ishin, nipër, mbesa, miq, bashkëfshatarët nga Tragjasi e Tërbaçi si dhe emigrantë. E veçantë ishte dhe ardhja e Albanës, mbesa nga Dubai i largët. Ajo shpresonte ta gjente gjallë, hallën por nuk qe fati. Me përcjelljen e saj në Tragjas te bashkëshorti i saj Sherifi, pati gjithashtu një pjesëmarrje të madhe. Iku si engjëll, nuk mundoi asnjë. Siç e kish zakon gjatë gjithë jetës së saj, që e kaloi duke ndihmuar të tjerët. E pa harruar o bija e Tërbaçit.

*Kryetar SH.A.K Tërbaçi

May 30, 2016 09:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*