Një profil për intelektualin shqiptaro-amerikan, Nelo Drizari

June 24, 2018 11:41

Një profil për intelektualin shqiptaro-amerikan, Nelo Drizari

 

Prof. Nasho Jorgaqi

Shqiptarët e mërguar në SHBA nuk bënë vetëm histori me veprimtarinë e tyre patriotike në shërbim të çlirimit të atdheut të robëruar dhe të emancipimit të shoqërisë shqiptare, por krijuan dhe kulturë në fusha të dijeve, të letërsisë dhe të arteve. Në shekullin e njëzetë, nga gjiri i tyre do të dilnin disa breza intelektualësh, duke filluar me brezin e parë të përfaqësuar nga F. Noli, F. Konica, S. Peci, K. Dako dhe K. Çekrezi, për të vijuar me brezin e dytë të përbërë nga Q. Panariti, N. Drizari, P. Kolonja, N. Çako etj., për të ardhur në brezin e tretë të pasluftës me S. Skëndin, P. Priftin, A. Pipën, N. Panon etj.

Është kjo një plejadë figurash të ndritura në mes të cilave bëri emër të nderuar edhe Nelo Drizari.

Një intelektual i disa planeve, po të marrim parasysh kontributet e tij të gjithanshme si gjuhëtar, studiues, publicist, shkrimtar e së fundmi edhe piktor.

Rruga e jetës së Nelo Drizarit është rruga tipike e emigrantit shqiptaro-amerikan. I lindur më 1902 në Drizar të Mallakastrës, në një familje të thjeshtë fshatare, ai, akoma adoleshent, do të mërgonte sëbashku me të vëllain dhe do të zbriste në tokën e ëndrrave e  të shpresave, në SHBA. Do të niste kështu jetën e vështirë të emigrantit, duke e nxjerrë bukën e gojës me krahët e veta, kur ndërkaq do të paralizohej nga gjymtyrët dhe do të kalonte situata të rënda shpirtërore dhe fizike. Por brenda vetes atij i vlonte dëshira e zjarrtë për t’u shkolluar dhe falë besimit dhe qëndrimit stoik, arriti të triumfojë mbi sëmundjen e rëndë. Dhe erdhi një ditë që djaloshi, me ndihmën e të vëllait, i hyri shkollës dhe me vullnet të hekurt e etje të pashuar, arriti më në fund të marrë diplomën për gazetari në Universitetin Columbia të Nju Jorkut. Ndërkohë, Nelua i ri do të aktivizohej në veprimtaritë patriotike të Federatës “Vatra” dhe pas studimeve do të punonte si gazetar dhe editor i gazetës “Dielli”, në faqet e së cilës gjendet e pasqyruar publicistika e tij e pasur (artikuj, analiza, reportazhe dhe intervista). Prej tyre mund të përmendim një intervistë me Aleksandër Moisiun gjatë një turneu që zhvilloi në SHBA.

Punëtor dhe studiues i përkushtuar, njeri me interesa intelektuale të gjera, Nelua, me punë këmbëngulëse, do t’i kapërcente kufijtë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai do të kthehej rishtazi në Universitetin Columbia, po kësaj here si lektor i gjuhës shqipe. Një detyrë e tillë e bëri atë t’i përkushtohej punës shkencore në fushën e gjuhës shqipe si studiues i gjuhës, mësimdhënës dhe leksikolog. Fryt i kësaj veprimtarie janë veprat “Fjalor shqip-anglisht dhe anglisht-shqip” dhe “Shqipja e folur dhe e shkruar” (Doracak praktik).

Në këtë kohë, Nelua do të fitonte respektin dhe miqësinë e dy udhëheqësve të shqiptarëve të SHBA-së, të Fan Nolit dhe Faik Konicës dhe do të konsolidonte personalitetin e tij intelektual. Prandaj nuk është e rastit që ai, në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, do të ngarkohej me detyra shumë të rëndësishme dhe delikate. Kështu, Nelua do të emërohej shef i Departamentit për Shqipërinë në Zyrën e Amerikës për informata të luftës, kudo të bashkëpunonte madje dhe me F. Nolin dhe më pas hodhi themelet dhe drejtoi programin shqip të “Zërit të Amerikës” (1942-1948). Në poste të tilla, me punën e tij serioze dhe me aftësitë e kualifikuara, ai do të kontribuonte për kauzën e madhe të fitores mbi fashizmin.

Pas Luftës, Nelua do t’i kthehej veprimtarisë shkencore dhe mësimdhënies së gjuhës shqipe si shef Departamenti në Institutin e Lartë Ushtarak të gjuhëve në Montere të Kalifornisë. Në vitet që pasuan, ai do të shquhej për një veprimtari akoma më të gjerë, duke kaluar në fusha të tjera të dijes dhe të krijimtarisë. Firma e tij do shfaqej në shtypin autoritar amerikan si “New York Times”, “Boston Globe”, “Current History Magazine”, “Brooklyn Eagle Magazine” etj. Ai u dha pas studimeve shqiptare, duke botuar në anglisht veprën “Skënderbeu, një kalorës i shekullit të 15-të” (Jeta, korrespondenca, oratoria, fitoret dhe filozofia), që do të përbënte një kontribut në studimet skënderbejane. Nelua vijonte kështu traditën e Nolit në këtë fushë, jo vetëm me një studim hyrës me vlerë, por dhe me të dhëna dokumentare pak ose aspak të njohura. Studiuesi shqiptaro-amerikan do të marrë pjesë dhe në hartimin e disa veprave kolektive shkencore si “Historia e dramës moderne”, “Enciklopedia e Collierit”, “Fjalori i Kolumbias për letërsinë moderne amerikane” etj. Nga ana tjetër, Nelua do të përkthente në anglisht dramën “Besa” të Sami Frashërit. Por ç’është më e rëndësishme, në dhjetëvjeçarin e fundit personaliteti i tij manifestoi një dimension të ri; ai iu përkushtua pikturës dhe u njoh në rrethet artistike si piktor i talentuar. Për fat të keq ne nuk njohim asnjë vepër nga kjo fushë e krijimtarisë së tij, por fakti që ai hapi disa ekspozita vetjake në Okland, San Francisko dhe në qytete të tjera të Kalifornisë, flet qartë për aftësitë dhe vlerësimin publik që i është bërë.

Ekzistojnë dhe dy vepra që i botoi më 1977, siç janë studimi letrar “Xhek Londoni dhe ëndrra e pamundur” dhe studimi historik “Kopshti piktoresk i magjepsjes”. Këto janë veprat e fundit të Drizarit, pasi ai në 18 shtator 1978 mbylli sytë në moshën 76-vjeçare në qytetin Karmel të Kalifornisë.

Siç shihet, Nelo Drizari paraqitet një intelektual disa planesh, dijetar, por dhe krijues, studiues dhe artist. Dhe shpirtin e tij artistik ai do ta shprehte ndoshta më gjerë në letërsi , ku bëri emër si shkrimtar i talentuar. Këtë e dëshmojnë qartazi dy veprat letrare që botoi, romani autobiografik “Katër ditë për në vendin e ëndrrave” dhe akoma më shumë romani “Kënga e Irenës”, të cili ai e quan Sagë romantike. Të dyja këto vepra autori i shkroi në anglisht, por ajo që i bën ato të afërta dhe me interes për ne është trajtimi i temës shqiptare dhe përcjellja e saj në botën anglisht folëse.

Është për të ardhur keq që deri vonë këto romane nuk ishin të njohur, jo vetëm nga lexuesi ynë, por as dhe nga kritika dhe historiografia shqiptare. Veç koha mënon, por nuk harron. Tani jemi para faktit të gëzueshëm që të dyja këto vepra të Nelo Drizarit erdhën në Shqipëri dhe fal nderimit dhe angazhimit të bashkëfshatarëve të tij, ato u përkthyen në gjuhën amtare të autorit. Kështu, para disa kohësh iu dha lexuesit shqiptar romani “Katër ditë për në vendin e ëndrrave”, shqipëruar nga Sinan Elmazi, kurse tani vjen në shqip romani “Kënga e Irenës”, që, të dy së bashku, e bëjnë publik dimensionin artistik të Nelo Drizarit si shkrimtar.

“Katër ditë për në vendin e ëndrrave” është një vepër e një natyre të veçantë, që qëndron në mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Më shumë se një roman i mirëfilltë, ai është një cikël rrëfimesh të shpërndarë në tridhjetë kapituj, ku shpalosen kujtimet e fëminisë dhe adoleshencës së heroit. Është fjala për një djalë tipik fshatar i fillimit të shekullit të kaluar, pas të cilit fshihet jeta e vet autorit. Një jetë që ka në qendër aventurën e mërgimit të tij me të vëllain në SHBA, ëndrrat dhe përpjekjet e tyre për t’u integruar, shkollimi i djaloshit dhe perspektiva e dëshiruar, por që ndërpritet dhimbshëm nga një paralizë që ai pëson papritur. Djaloshi detyrohet të kthehet në atdhe pranë familjes dhe do të jetë vendlindja ajo që do ta shërojë, do të jenë ajri dhe njerëzit e saj të dashur, që do ta ngrenë në këmbë. Po do të jenë dhe kuraja dhe karakteri i  tij i fortë ato që do ta bëjnë djaloshin të triumfojë mbi fatkeqësinë, mbi sëmundjen dhe të vijojë rrugën e një jete aktive dhe me perspektivë. Kështu, ai vendos dhe në fakt rikthehet në vendin e ëndrrave, në Amerikë. Të gjitha këto situata dhe episode janë treguar në libër përmes një rrëfimi tërheqës e të thjeshtë, por me vërtetësi dhe me një frymë optimizmi dhe besimi. Është figura e këtij djaloshi shqiptar, të dashuruar pas Amerikës dhe të lidhur me këtë tokë të shpresave e të sfidave, që do të arrijë të bëhet një ditë njeri me vlera dhe i denjë për shoqërinë ku jeton. Mësimet që nxirren nga pësimet e fatit të vështirë të djaloshit, janë një përvojë aq e çmuar sa Shtëpia botuese amerikane “National Press” e Kalifornisë do t’ua rekomandonte librin nxënësve të shkollave për ta lexuar.

“Katër ditë për në vendin e ëndrrave”  Nelo Drizari e shkroi dhe e botoi atë në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës së tij (1969). Ishte ky një akt kuptimplotë, një çmallje me vendlindjen e largët, nostalgjia për fëmininë e humbur, lumturia që kish realizuar ëndrrën e jetës. Ai ishte bërë më në fund qytetar i denjë i SHBA-së.

S’ka dyshim që vepra letrare përfaqësuese e Nelo Drizarit është romani “Kënga e Irenës”, të cilin ai e shkroi në vitet 50 dhe e botoi në 1957. Këtë sagë romantike, siç e quan autori, ia kushton “Brezit të ri amerikan, që ka qenë i bekuar me një trashëgimi të madhe të lirisë.”

Pjellë e kësaj trashëgimie është dhe romani “Kënga e Irenës”, ndoshta romani i parë i shkruar nga një shqiptaro-amerikan në gjuhën e atdheut të dytë, me një temë nga atdheu i origjinës. Dhe kjo nuk ishte rastësi në jetën e Nelo Drizarit. Gjithë veprat e tij studimore dhe krijuese i qenë kushtuar Shqipërisë, gjuhës, historisë, realitetit të vendlindjes së largët, ndaj dhe romani do të qëndronte e zhvillohej brenda këtyre kufijve jetësorë dhe shpirtërore. Ai mori përsipër t’u tregojë bashkatdhetarëve të tij të rinj, në gjuhën e tyre, për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më përmes studimeve dhe publicistikës, por nëpërmjet fjalës artistike në hapësirat e gjera të një romani.

Kështu, Nelo Drizari do ta sjellë lexuesin në atdheun e tij të origjinës dhe do t’i ngrejë siparin e jetës shqiptare. Një botë kjo krejt e panjohur, plot të fshehta, gati misterioze, nën një dritë ekzotike dhe tepër joshëse. Dhe çështë më interesante gjithë ngjarjet dhe personazhet i vendos në Mallakastër, në vendin e tij të lindjes.

Prej andej e merr dhe subjektin e veprës, që ka në bazën e vet një histori të trazuar dashurie, prej së cilës varen e shpalosen linja dhe aspekte të tjera të realitetit shqiptar të kohës. Bëhet fjalë për Shqipërinë e fund viteve 30, për një vend të prapambetur ballkanik e për një shoqëri ku akoma veprojnë ligjet dhe zakonet patriarkale, të cilat motivojnëe shpjegojnë ngjarjet dhe personazhet e romanit. Në këtë sfond, shkrimtari shtjellon historinë e Irenës dhe Reit, një çift të rinjsh fshatarë të lidhur nga një dashuri e fuqishme, e sinqertë, e zjarrtë. Por historia e kësaj dashurie të përkushtuar, në kushtet e rënda sociale të kohës, kalon nëpër një rrugë të vështirë, plot rreziqe dhe privacione, përmes provash dhe fatkeqësish të paparashikuara e të pamenduara. Armiku kryesor i kësaj dashurie është Zalo Arna, një bashkëfshatar i tyre aventurier, egoist dhe arrogant, i cili e rrëmben dhunshëm Irenën dhe përpiqet ta bëjë gruan e tij me zor. Për këtë ai gjen mbështetjen e Zambak beut, përfaqësues i njerëzve të kundërligjshëm dhe mentaliteteve patriarkale.

Kësisoj, në roman ravijëzohen qartë dy kampe kundërshtare, nga një anë Irena dhe Rei, pas së cilëve qëndrojnë prindërit e vajzës dhe nga ana tjetër Zalua dhe Zambak beu, me pasuesit e tyre, që nuk njohin e nuk respektojnë ligjet, moralin, dashurinë e vërtetë. Ne mes tyre zhvillohet një luftë e ashpër, një konflikt për jetë a vdekje, ku përfshihen dhe personazhe të tjerë dhe krijohen situata me ndodhi të rënda, plot intriga e të papritura, nëpërmjet të cilave zbulohen karakteret dhe vihet në provë dashuria e çiftit. Nga kjo pikëpamje, ngjarjet marrin një zhvillim dramatik, sidomos kur del në skenë Jonuz Arna, i ati i Zalos, i sapo kthyer nga kurbeti i gjatë, me një të kaluar politike komplekse, patriot e burrë trim. Është Rei ai, që rastësisht do t’i shpëtojë jetën Jonuzit dhe kjo do t’i ndërlikojë situatat që do të krijohen më pas. Sepse Rei, i kapur rob nga Zalua pasi ka rrëmbyer Irenën, është në rrezik jete dhe do të jetë Jonuzi ai, që do ta shpëtojë. Por dashuria e Reit dhe e Irenës nuk kalon pa gjak. Zalua vret Luanin, të atin e Irenës dhe pastaj Jonuzi, për të shpëtuar mikun dhe për të mbajtur fjalën e dhënë arrin të vrasë të birin. Të gjitha këto veprime, që në roman tingëllojnë si gjeste burrërore, frymëzohen nga fjala e dhënë, nga besa shqiptare, të cilën autori, siç e pohon edhe vetë, e ka huazuar nga drama “Besa” e shkrimtarit të Rilindjes Sami Frashëri.

Linja e dashurisë në roman gërshetohet me linjën politiko-sociale. Autori hedh dritë mbi gjendjen e shoqërisë shqiptare të kohës, kur rendi dhe ligji kërcënohen nga forca të errëta antidemokratike e antikombëtare. Ajo përfaqësohet nga figura të tilla si Zambak beu, Zalua dhe elementë të tjerë turbullues e regresivë. Janë këta që përbëjnë kampin kundërshtar dhe personazhet antagoniste, mbi të cilin ngrihet konflikti i romanit. Diagrama e këtij konflikti, falë aftësive të autorit, ka uljet dhe ngritjet e veta, në varësi të situatave e të rrethanave, të intrigave të gjetura e të përdorura mjeshtërisht. Nga kjo pikëpamje lexuesi ndodhet para të papriturave sa dramatike e tragjike, aq dhe të gëzueshme e të këndshme. Sepse nga ngjarjet që përftohen, fati i njerëzve, e sidomos i figurave protagoniste e antagoniste, lëviz në mes jetës dhe vdekjes. Ata kanë një identitet jo vetëm psikologjik, por dhe social e politik dhe kjo i jep romanit një frymëmarrje të gjerë, marrë në kontekstin historik të kohës. Nelo Drizari pozicionohet drejt kur merr anën e njerëzve të popullit, të bashkëfshatarëve të tij, që nëpërkëmben dhe vuajnë nga bejlerët, nga dhuna e padrejtësitë e tyre. Autori shtyhet më tej në qëndrimin e tij kritik, kur stigmatizon rreziqet që i kërcënohen vendit dhe godet e demaskon pa mëdyshje elementët dhe forcat regresive. Ndjehet në këtë rast fryma demokratike dhe liridashëse e autorit, të mëkuar e frymëzuar nga idealet e atdheut të tij të dytë aq të shtrenjta e aq të shenjta për të.

Një qëndrim i tillë s’kish si mos të përftonte në roman një linjë të tretë, siç është ajo e miqësisë shqiptaro-amerikane. Dhe kjo nuk është vetëm një ide e bukur, por një realitet konkret, mishëruar në figura të gjalla e në ngjarje që përcaktojnë fatin e tyre. Idealet demokratike dhe kultura amerikane nuk janë të huaja për shqiptarët. Amerika për ta është vendi i shpresave, mbrojtësi i popujve të vegjël, flamurtar i lirisë. Shkollat amerikane të hapura në Shqipëri janë vatra dhe shëmbëlltyrë e gjallë e këtyre ideve humane e progresiste. Në një shkollë të tillë ka mësuar dhe është edukuar Rei, një nga protagonistët e romanit. Nga ana tjetër, emigracioni ekonomik shqiptar në SHBA është një lidhje tjetër e rëndësishme me realitetin dhe vlerat amerikane. Jonuz Arna është intelektuali shqiptaro-amerikan, që përfaqëson një shkallë më të lartë të kësaj përvoje që vjen nga matanë Atlantikut. Por në roman vepron dhe një personazh amerikan, siç është Dr. Mordeksi, mjek i Flotës së SHBA-së, shok shkolle i Jonuz Arnë, i cili, duke ardhur në Shqipëri për t’u njohur me zbulimet arkeologjike, përfshihet në një mënyrë a në një tjetër me ngjarjet që ndodhin në këtë cep të Shqipërisë Jugore. Bile, ai merr pjesë në dasmën e heronjve të romanit dhe njihet nga afër me kulturën e mentalitetin e shqiptarëve si dhe me jetën e tyre zakonore.

Nëpër faqet e romanit ndjehet e fuqishme dashuria dhe venerimi i autorit për SHBA-në, jo vetëm si mbrojtëse e pavarësisë dhe e prosperitetit të Shqipërisë, por dhe si modeli më i mirë për të ndërtuar një shoqëri demokratike. Këtë bindje dhe besim ia dikton përvoja dhe suksesi që ka pasur vetë, që nga një emigrant i thjeshtë arriti të ngjisë shkallët e dijes dhe të fitojë një pozitë të nderuar shoqërore.

Por nuk është kjo ideja dhe frymëmarrja kryesore e romanit. Më shumë se për Amerikën, ai flet për Shqipërinë, sepse qëllimi i tij është t’i tregojë opinionit amerikan se ç’është Shqipëria dhe kush janë shqiptarët, cila është historia e tyre dhe ç’përfaqësojnë ata si popull. Autori u bën me dije lexuesve përmes romanit të tij vlerat e bashkatdhetarëve, patriotizmin e tyre, natyrën liridashëse, krenarinë dhe trimërinë, siç zbulon mendësinë e mentalitetet, karakterin dhe tiparet psikologjike. Nga kjo pikëpamje, ai nënvizon sidomos tiparet e tyre të veçanta, si besën, nderin, mikpritjen, të cilat konkretizohen në karakterin e personazheve dhe në shtjellimet e ngjarjeve të romanit. Por, nga ana tjetër, ai tregohet realist, kur vë në dukje edhe dobësi e të meta të tyre, siç janë gjakmarrja dhe natyra impulsive, apo dhe vese të mishëruara në figura si ato të Zambak beut e Zalo Arnës.

Një vend të posaçëm zë jeta zakonore dhe kultura shpirtërore e shqiptarëve, përshkrimet piktoreske të dasmës, të riteve mortore e të gjakmarrjes, siç zbulon dhe pasurinë folklorike (këngët, baladat etj.) apo atë etnografike, kostumet dhe mjedisin karakteristik shqiptar, pa lënë mënjanë natyrën e bukur të vendlindjes së tij.

I gjithë ky realitet është dhënë në roman me vërtetësi dhe ç’është më e rëndësishme me dashuri të zjarrtë, me mallin dhe nostalgjinë e zemrës së djegur të mërgimtarit. Natyrisht, ndarja dhe shkëputja e tij e gjatë nga atdheu dhe natyralizimi me atdheun e dytë kanë sjellë një konceptim vende-vende ekzotik dhe herë herë një psikologji e sjellje më shumë amerikane se sa shqiptare. Ndoshta kjo i përshtatej dhe ngjiste më lehtë sipas tij te lexuesi amerikan. Kjo duket dhe në prezantimin që Shtëpia botuese i bën romanit para lexuesve të saj kur nënvizon ato tipare që tërheqin dhe u vijnë për shtat në radhë të parë atyre.

Romani është një vepër tipike romantike dhe sentimentaliste, që të kujton herë herë romanet kalorësiake me histori mesjetare. Por deri diku dhe romanet e F.Postolit. Një vepër mbushur me një dendësi ngjarjesh nga më të ndryshmet, ku në bazë qëndron një histori dashurie, por e shoqëruar me intriga, vrasje, tradhti, pabesi, me arratisje, me ligje e zakone kanunore. Por merita e autorit është se gjithë këtë lëndë jetësore ka ditur me mjeshtëri e shkathtësi ta integrojë në hapësirat e një romani të këndshëm e tërheqës. Nga kjo pikëpamje të bën përshtypje kompozicioni funksional, shkathtësia dhe kombinimi i ngjarjeve dhe situatave, veprimet dhe qëndrimet e personazheve.

Nelo Drizari tregohet mjeshtër i rrëfimit, i një rrëfimi herë të shtruar e herë energjik, me një temporitëm në varësi të rrethanave. Ai ka bërë përpjekje të vizatojë karaktere, të hyjë në psikologjinë e tyre, t’i motivojë aktet e tyre në rastet më të mira.

“Kënga e Irenës” është romani i parë, e ndoshta i vetmi, i shkruar nga një shqiptaro-amerikan, me temë shqiptare, në anglisht. Kjo padyshim i jep vlerë romanit si vepër pionere, por dhe merita të veçanta autorit që do të hapte një shteg të ri në letërsinë dhe kulturën e shqiptarëve të Amerikës. Nelo Drizari, që kish hartuar fjalorin anglisht-shqip e anasjelltas dhe doracak të gjuhës shqipe, do t’i jepte bashkatdhetarëve dhe publikut të atdheut të dytë edhe një kronikë artistike të atdheut të origjinës. Kështu, ai do të tregohej dyfish i vlefshëm dhe si i tillë mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e kulturës së komunitetit shqiptar në SHBA.

Tani romani “Kënga e Irenës” i vjen lexuesit shqiptar në gjuhën e tij nën shqipërimin e Zaho Sulës. Është ky një bashkim fatlum i veprës me përkthimin po të kemi parasysh që shqipëruesit i takon të jetë një nga pinjollët e fisit të autorit. Nuk besoj të ketë homazh më të bukur e më kuptimplotë që i bëhet me këtë rast kujtimit dhe veprës së Nelo Drizarit.

Zahua, që jeton dhe ai në mërgim, në një botë anglisht folëse sikurse vet autori, me shqipërimin e tij jo vetëm ka përmbushur një detyrim moral e shpirtëror, por ka arritur me sukses ta japë veprën në tërë komponentët e vlerave që përmban. Me një shqipe të bukur e të rrjedhshme, me një leksik të pasur e me ndërtime sintaksore të natyrshme, aq më tepër po të mendosh që është përkthimi i tij i parë.

“Kënga e Irenës” në gjuhën shqipe përbën një kontribut të çmuar në njohjen e mëtejshme të trashëgimisë së Nelo Drizarit nga publiku shqiptar dhe si i tillë duhet përshëndetur dhe vlerësuar.

June 24, 2018 11:41
Komento

5 Komente

  1. perkthyesi June 24, 11:58

    Befasi! Fjalorin Anglisht – Shqip dhe Shqip – Anglisht te ketij gjuhetari te nderuar e kam ne biblioteken time personale, dhe eshte dhurate e nje miku tim te hershem. . Eshte botim i vitit 1934. Krenar qe kam nje liber te tij ne shtepine time.

    Reply to this comment
  2. demo June 24, 16:57

    E paska nje cen ne biografi.Ka punuar 4 vjet ne strofken e Rreaksionit boteror ne Radion :Zeri i Amerikes..
    Edhe ajo fotografi para shen Pjetrit me exponente te emigracionit politik ballisto-zogist,duhet te jete fixuar ne Janar 1968 ditet e festimit te 500 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar Gjergj Kastrioti.Ky manifestim u kritikua rende nga Partia e Punes dhe sh.Enver ne ate kohe. si nje aktivitet paralel i rreaksionit feudo-borgjez antishqiptar te perkrahur nga imperialistet Amerikane ,fashistet italiane dhe mbeturinat e tyre .

    Reply to this comment
  3. Petro Luarasi June 24, 23:45

    Turp! Te mos permendet intelektuali martir Petro Nini Luarasi,qe veproi ne vitet 1904/1908 si flamurtar dhe frymezues i levizjes kombetare ne SHBA, krijuesi i shoqerise se pare atdhetare ”Pellazgu ” e ”Malli i Memedheut”, inspiruesi e perkrahesi i madh i Fan Nolit me kishen shqip, i gazetes ”Kombi” me Sotir Pecin, etj dhe dy djemte e tij Skender e Dhimitri Luarasi, flamurtare te levizjes rinore shqiptaro amerikane, etj..Te mos permendesh motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi, etj. Vazhdon lufta klanore edhe ne fushen e historise…

    Reply to this comment
  4. Petro Luarasi June 24, 23:45

    Turp! Te mos permendet intelektuali martir Petro Nini Luarasi,qe veproi ne vitet 1904/1908 si flamurtar dhe frymezues i levizjes kombetare ne SHBA, krijuesi i shoqerise se pare atdhetare ”Pellazgu ” e ”Malli i Memedheut”, inspiruesi e perkrahesi i madh i Fan Nolit me kishen shqip, i gazetes ”Kombi” me Sotir Pecin, etj dhe dy djemte e tij Skender e Dhimitri Luarasi, flamurtare te levizjes rinore shqiptaro amerikane, etj..Te mos permendesh motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi, etj. Vazhdon lufta klanore edhe ne fushen e historise…

    Reply to this comment
  5. Petro Luarasi June 26, 17:02

    Veterani Costandin A. Demo në librin ‘’Shqiptarët në Amerikë’’ shkruan: “Petro Nini Luarasi ishte “The Paul Revere” i shqiptarëve mbasi vinte në ç’do vënd ku kishte shqiptarë dhe predikonte patriotizëm. Ay ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot pamfleta, revista e gazeta. Ai pregatiti udhën e lëvizjes kombëtare për ata që ardhë pas tij.’’ Fan Noli qe mirënjohës ndaj Petro Luarasit dhe këtë e ka shprehur në një letër të tij, të shkruar më 21.7. 1928:”S’ka dyshim që Petro NIni Luarasi luajti rolin kryesor në themelimin e shoqatës “Malli i Mëmëdheut”. Ai ishte propagandist i palodhur dhe kudo ku kishte qëndruar në Amerikë, linte pas nga një grup patriotësh enthusiastë. Punonte rëndë për të fituar bukën, por nuk i kursente harxhet për çështjen dhe të djelave udhëtonte nëpër kolonitë shqiptare për të përhapur Ungjillin e nacionalizmës. Rreth Bostonit kam gjetur gjurmë të tij pothuaj kudo. Ish i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë”. Ndërsa Tajar Zavalani:” Ç’është e vërteta ca “historianë”rrëmihin të gjejnë në rrënojat e historisë ca “vatra hoxhaqesh”, lloj-lloj “sojllinjsh” nga sëra e Don Kishotit, por “harrojnë të përmendin fytyra të ndritura si të Petro Luarasit, ku mishërohen virtytet e lashta të truallit shqiptar. Prej gojës së tij del një kushtrim i fuqishëm lufte për liri, një erë e re fillon të fryjë në botën shqiptare, që ka harruar veten e të shkuarën, gjallohet në ky apostull i shqiptarizmës nën petkun e një mësonjësi katundi, që arrin lartësinë morale të një figure biblike,që pat çelur qysh më 1883 shkollën e parë shqipe në një katund të Kolonjës. Te Petro Nini shohim të bashkuar në një mënyrë të mrekullishme të gjitha cilësitë që i duhen luftëtarit të papërkulur të një ideje. Ai ka kulturën më të gjërë, është i zoti i pëndës, flet më një talent të çuditshëm që elektrizon turmat më refrektare, por nuk ka asnjë nga të metat e intelektuialit të çrrënjosur me nervat e sëmura, me shpirt të paqetë, me dyshime e kriza pesimiste. Por edhe kur mbetet filli vetëm, kundër të gjithëve, Petro Nini nuk dëshpërohet:Edhe nëntëdhjet e nëntë herë të biem, prapë duhet të ngrihemi!” thotë ai në të tilla raste. Ai është njeriu që e ndezin pengimet, e forcojnë kundërshtimet. Por sidomos fjala, fjala e Petro Ninit, ka një fuqi magjike, është fjala apostolli, pioinieri të epopesë kombëtare”.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*