Një propozim

Nga Genc Burimi October 15, 2013 23:46

Një propozim

I dashur Thano,

I nderuar koleg,

I respektuar kryeredaktor i një gazete të respektuar,

Lexova me interes shkrimin tënd për kërkim mendimesh për rritjen e çmimit të gazetës Dita. Inisiativë e bukur, e sinqertë, prekëse, dhe racionale. Me se pashë nga reagimet është vlerësuar nga të gjithë ata që të kanë lexuar, dëshmi e gjallë se “succes story” i Ditës vazhdon. Të sugjeroj të shkosh më larg, pa ndrojtje.

E meta, nëse ka një të tille në inisiativën tënde, është se ti u kërkon një mendim njerëzve që nuk e blejnë asnjëhere, ose fare rrallë, gazetën tënde, pasi si puna ime, versioni internet falas na ëmbëlson dhe për më teper është më eksitues se versioni i printuar me pagesë, falë komenteve të internautëve që e pasurojnë çdo orë.

A jemi në këto kushte të besueshëm ne kur të themi “yes, bravo, ke të drejtë, rrite çmimin e gazetës në treg se e meriton”? Si gazetar, do të thoja që dalloj biles dhe një nuancë hipokrizie. Mbase gabohem. Për të mos i rënë në qafë askujt që të ka inkurajuar në këtë inisiativë, pasi të gjithë ne që të lexojmë pa dyshim të duam të mirën, marr guximin të të sugjeroj të marrësh guximin të sugjerosh diçka.

Aty do të ndahet shapi nga sheqeri, dhe do të mund të vërtetosh kush të është përgjigjur për të të bërë lajka, apo për të të ndihmuar vërtetë. Ja propozimi im: na pyet nëse do të ishim të gatshëm ne, por gjithë ato arsye që ti i rradhisje fare bukur dhe që synojnë ruajtjen e pavarësisë së gazetës tënde, pra a do të ishim të gatshëm ne lexues në internet të Ditës, të paguanim në formë abonimi, shumën simbolike të 100 lekëve në muaj (një mijë lekë të vjetra)? Po të thamë jo, kjo do të tregojë më shumë për sinqeritetin tonë sesa reagimet e bukura që ke marrë. Po të thamë në shumicë po, operacioni yt i prekjes së zemrave dhe kuletave do të jetë rezultativ për së vërteti…

Do të takojë në këtë rast, të imagjinosh si ta mbledhësh këtë abonim simbolik nga secili internaut, por që në fund fare do të të bëjë një shumë të lezetshme… Shumë lexues i ke jashtë dhe është e pamundur të pagush në distancë 0,70 centimë euro apo dollarë në muaj. Mund të propozosh një pagesë mbi bazë vjetore 12 mujash: 1200 lekë të reja, ose 8 euro ose 12 dollarë. Mund të interesohesh pranë bankës së Ditës sesi mund të kryhet kjo pagesë me mandat po thjesht duke dhënë numrin e kartës së kreditit siç bëhet rëndomtazi në perëndim. Sido që të jetë një zgjidhje praktike mund të gjendet. Për Ditën kjo të ishte një recetë të ardhurash aspak e neglizhueshme. Nëse jemi një mijë lexues nga 10 dollarë, i thonë 10 mijë dollarë, e kështu me rradhë… Një hap i vogël për njeriun, një hap i madh për njerëzimin thoshte Armstrongu kur eci në hënë. Ta them me tonin e gjysëm shakasë, meditoje një imazh të tillë për Ditën.

Një kontribut modest për të gjithë ne që të lexojmë me endje, një ndihmë madhore për gazetën tënde. Mbase po të funksionoi kjo skemë, dhe nuk ka arsye pse jo, ndoshta do të kuptosh sesa e kotë është në epokën e internetit të lodhesh të shesësh gazetën tënde në rrugë. Ose dhe po e shite, do të jetë me ulje çmimi dhe jo me ngritje siç e imagjinove ti pasi të ardhurat nga abonimet “on line” do të kompensonin, të shpresojmë, humbjet në “rrugë”…

Para se ta mbyll, dhe një vërejtje të fundit. Njeriu është qenie e çuditshme, që shpeshherë nuk udhëhiqet nga parimet dhe dëshirat e tija, por nga qëndrimet e të tjerëve, si te fenomeni i kopesë së Panurgut përshkruar nga francezi Rabele. Përse ata që s’do paguajnë për abonimin në internet të kenë akses në të njejtat service si ata që do të pranojnë të paguajnë? Çfarë interesi më tepër do të kenë këta të fundit përveçse të ndihmojnë Ditën? A nuk rrezikojnë ata që do të paguajnë t’u duket se po merren për budallenj nga ata që s’paguajnë?

Dy zgjidhje: ose Dita boton emër për emër listën e kontribuesve dhe e lë këtë listë në permanancë të botuar në sitin e saj që gjithkush të shohë. Biles dhe duke përmendur shumën e paguar, si kontributor special për ata që e tejkalojnë abonimin “normal” prej njëqind lekësh të reja në muaj. Ose Dita ja pret aksesin në rubriken “komentet e lexuesve” atyre që s’paguajnë këtë abonim simbolik. Me vullnet të mirë çdo zgjidhje gjendet, dhe besoj me sinqeritet se të gjithë lexuesit e Ditës janë të gatshëm ta ndihmojnë gazetën e tyre.

Së fundi miku im Adrian, po eci kjo skemë, a nuk e meritoj një gjest komercial? Do të të kërkoj t’i dhurosh një abonim në Dita z.Sali Berisha…

Nga Genc Burimi October 15, 2013 23:46
Komento

8 Komente

  1. bruxelles October 16, 00:11

    Sygjerim prefekt. Un e mbeshtes

    Reply to this comment
  2. Gushekuqi October 16, 09:34

    Gjithshka e sinqerte dhe e sakte. Personalisht jetoj ne Korinth te Greqise dhe permes internetit,jetoj me te vertetat e Dites tone te bekuar nga z.Thano dhe stafi i tij i perkryer.Jam gati te paguaj 10 euro ne vit per sherbimin qe me behet.Vetem me tregoni menyren dhe rrugen bankare qe duhet te ndjek.Respektet e mia,Fatmir Zogu.

    Reply to this comment
  3. Ana October 16, 12:41

    Po, edhe une e mbeshtes kete sugjerim.

    Reply to this comment
  4. nick October 16, 15:43

    Si çdo gje e tregut,qendron perceptimi i gazetes si produkt dhe konsum,raporti midis atij qe prodhon dhe atij qe konsumon.Ne letren e hapur te Thanos une i qendroja argumentit nese ka ai mundesi ta mbaje çmimin 200 leke apo jo?Nese mundje lete duronte edhe ca,nese bilanci nuk ia lejon,duhej ngritur çmimi,ka logjike financiare çdo produkt.Pavaresisht shpirtmadhesise legjendare te lexuesve,kjo gazete eshte produkt mediatik,ka koston e saj komerciale,do prodhoje rrogat e stafit,do paguaje taksat,me nje fjale,eshte nje produkt mes produkteve simotra.Suksesin e vendos tregu,kur shitet ajo vendos standarte te reja,ato superojne vetveten,kjo eshte rruga.Ka edhe gazeta te tjera qe nuk pasqyrojne artikujt e plote,duke te nxitur te paguash nje kontribut te detyrueshem mujor.Drejtori i Dita ka eksperience dhe e di kete pune besoj,te ishte ashtu do e kishte aplikuar,por kam frike se gazeta online me pagese nuk ka sukses.Nuk ka te beje shume me koston monetare sesa me modalitetet.Duhet te posedosh karte krediti,jo te gjithe blejne ne internet.Pastaj,kur tjetri ta ofron falas,e ke nje tentacion te shkosh andej.Si i thone,qyli eshte i embel.Une lexoj kudo falas,u hedh nje sy,ketu komentoj,mbase edhe kot,por mbase gazetes i vlejne komentet.Kjo menyre eshte nje shkembim i arsyeshem falas,ti me jep informacionin tend,une te jap vizionin tim;ai qe shpiku forumet ne kete fare feje nuk ishte aq budalla.zotit artikullshkrues nuk duhet ti kete shpetuar nga vemendja pse Google eshte falas,pse Facebook eshte falas e do jete falas gjithmone,ndersa fondatori eshte bere prej saj nje prej pasanikeve me te medhenj ne bote.E kote qe te kujtoj se ketu hyjne ne loje reklamat.Vete reklamuesit kerkojne me qiri ato forume ku klikimet jane te shpeshta,gjuajne tregun e tyre.Kam idene se ketu eshte miniera ku ndoshta media do zbuloje te ardhurat e qendrueshme dhe jo tek tarifa mujore ne internet.Atje i mjaftojne klikimet e shumta,te cilat i japin falas material dhe i sigurojne interesin e reklamuesve.Psh,nje gazete qe mua me pelqente dikur ishte Telegraf.Nuk e lexoj prej ndofta dy-tre vjetesh sepse imponon nje tarife.Ia kam dale te mbijetoj edhe pa ate.Ndersa ta rritesh nga 200 ne 300 leke sepse ta detyron bilanci e shoh te arsyeshme,do lexuesi apo jo,bilanci eshte kokeforte.Po te isha ne Shqiperi perdite une do blija gazeten,siç e ble kur jam perkohesisht.Ka gusto tjeter karta,te ben te reflektosh me gjate,ta”pish”situaten.Interneti,ashtu siç eshte i shpejte ne informacion,aq shpejt te ben ta harrosh.

    Reply to this comment
  5. pingu October 16, 17:09

    Sugjerime shume te sakta.Nese ruan nje vije editoriale sa me afer realitetit, nuk ka ndonje pengese qe kushdo te paguaje nje kuote vjetore online.Madje do ishte ne favor te versionit te printuar,te ulej tirazhi dhe pensionisteve t’u jepej falas.

    Reply to this comment
  6. MIK October 16, 18:06

    Bravo Nick! Sygjerimi yt eshte me i sakti. Reklamat jane “the driving force” e suksesit apo disfates se nje aktiviteti ekonomik. Sa me shume reklama postohen ne “Dita” aq me fitimprurese do te jete

    Reply to this comment
  7. limi October 16, 20:05

    Ide e mire kjo e z. Burimi per versonin online. Por dua t’i bej nje saktesim. Ajo kerkese e z. Thano qe e adresuar vetem per lexuesit e printit, pavaresisht se vendosen ta publikonin te nesermen edhe online. Ndaj dhe reagimet ishin me se shumti te lexuesve te printit dhe per rrjedhoje s’kane qene edhe aq hipokrite. Por eshte e vertete qe pikerisht ne respekt te lexuesve te printit, duhet te gjendet edhe nje menyre per kontribute simbolike te lexuesve online. Respekte!

    Reply to this comment
  8. Hipokrati October 16, 20:06

    Mendoj se Zotni Burimi ka dhene sugjerime shume te vlefshme per gazeten Dita. mendoj se kjo forme ecen mire. Tarifa 10-15 euro vit perballohet lehte per nje shumice te madhe lexuesish. Dicka duhet mendue per pensionistat mbase.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*