Një replikë me Monitor dhe një letër e hapur z.Dollapi

Nga Edlira Shehu July 19, 2013 20:39

Një replikë me Monitor dhe një letër e hapur z.Dollapi

Revista Monitor, botim i datës 15 korrik e quajti zotin Dollapi, “Mr. Fix It”. “Too much” për një të kalibrit të Dollapit. Do ishte mirë që vlerësime të tilla të liheshin në dorë të konsumatorëve. Këta të fundit e dinë më mirë këtë punë. Por konsumatorët edhe këtë herë nuk dinë as ku të ankohen. Dikur me ujin u ndodhi e njëjta gjë me Dollapin. Ndërrime sahatësh orë e pa kohë dhe më pas fryrje faturash në mënyrë të menjëhershme. E njëjta histori, por kësaj here më e rëndë në pasoja, me CEZ-in ku z.Dollapi është emëruar administrator.

Kush i bën “trukim pozitiv” imazhit të Dollapit? Kush e mban me shpresë që pavarësisht abuzimeve dhe përdorimit ordiner të CEZ-it në fushatën e PD-së, ai do vazhdojë në këtë post edhe me qeverinë e re? Me sa duket, zërat se ka filluar të “qerasë” me pagesa “kilentë të majtë” nuk janë pa gjë. Të shohim nëse këto marifete do vijojnë edhe pas shtatorit.

 

*****

 

Le të analizojmë pak se çfarë “drejtimi u ka dhënë punëve” Dollapi. Pikë së pari duhet të qartësojmë se të dhënat e Dollapit nuk janë të audituara, madje as ERE vetë s’ka mundur t’i auditojë se s’ka akses  në “sistemet e të dhënave” të Dollapit. Edhe pse ka kaluar gjysma e Korrikut, të dhënat për muajin Qershor mungojnë.

Por të dhënat dhe veprimtaria e CEZ-it shqiptar do të auditohen shumë shpejt. Mund të jeni të sigurtë për këtë. Edhe pse këtë radhë publikon një bilanc energjetik (i cili çuditërisht nuk u publikua nga ERE) përsëri përpiqet të fshehë performancën e CEZ-it shqiptar. Nga tabelat e publikuara nga vetë Dollapi, për revistën MONITOR, vërehet qartë se gjatë vitit 2013 është futur më shumë energji elektrike në sistemin e shpërndarjes se sa në të njëjtën periudhë të 2012-s, por çuditërisht e dhëna në vlerë absolute për arkëtimin mungon.

Por meqë mungon arkëtimi po ua paraqesim ne se sa është – sipas raportimeve të ERE, për 6-mujorin e parë të vitit 2012 arkëtimi total ka qenë 20,774 milion lekë ose 83% kundrejt faturimit prej 24,858 milion lekë, ndërsa për vitin 2013 ERE ka raportuar deri më sot vetëm arkëtimin deri në muajin Mars 2013 prej 9,487 milion lekë.

Nëse do ta supozojmë të njëjtë ritmin e arkëtimeve edhe për 3-mujorin e dytë, arkëtimet 6-mujore do të ishin 18,974 milion lekë. Por ecuria e arkëtimeve në tremujorin e dytë nuk është i njëjtë, është më i ulët dhe në muajin Qershor, sikurse pranohet vetë nga Dollapi, performanca ka qenë negative, duke ia lënë fajin “zgjedhjeve elektorale dhe realitetit shqiptar”. Po, po këtu Dollapi pozicionohet si Administrator i një shoqërie private, i cili u zgjodh nëpërmjet një të ashtuquajtur procesi konkurrues… Çfarë ironie! Këtë e thotë I njëjti që tentoi të ndërrojë kutitë për PD në disa qendra numërimi, duke ndërprerë energjinë elektrike për “shkak të defekteve”.

E pra, arkëtimet për 6-mujorin 2013 janë rreth 25 milionë euro (30 milionë USD) më pak se sa vitin e kaluar, ndaj z.Dollapi servir të dhëna vetëm në përqindje (e ka kopjuar nga të dhënat e Ministrisë së Financave këtë taktikë) pa përmendur fare se cilit faturim i referohet.

I lexuar thjeshtë, informacioni i Dollapit konfirmon se gjatë 2013 është futur më shumë energji në rrjet se sa në vitin 2012, POR arkëtimet janë më të ulëta – kjo do të thotë se Dollapi i ka dhënë “yxhym” mbifaturimit të energjisë elektrike për të ulur fiktivisht humbjet. Natyrisht, që kur faturon kot më kot, mos prit të arkëtosh, ose më saktë mos prit të arkëtosh nga konsumatorët “fiktivë”.

Por edhe treguesi i humbjeve në vetvete, ka rënë jo sepse ka punuar fort Dollapi për “t’iu dhënë drejtim punëve”, por është një rënie e natyrshme për arsye të rënies së konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike (çudi si një “ekspert” i zgjedhur si Dollapi nuk e kupton këtë – muaji Maj krahasuar me Janarin ka një rënie të energjisë totale të futur në rrjet (konsumi i përgjithshëm) me 32% që ka prodhuar një rënie të humbjeve me 45%.

Një këshillë zotit Dollapi: Mëso korelacionin ndërmjet energjisë që kalon në përcjellësa dhe humbjeve. Studio pak edhe profilin e konsumit përpara se të dalësh e të listosh “arritjet”. Kjo ecuri e konsumit është e ngjashme në vite, mjafton të studiosh kurbën vjetore të konsumit të energjisë elektrike.

 

*****

Tjetër punë, së cilës Dollapi “i dha drejtim” – shkurtimi i shpenzimeve operacionale me 12 milion USD. Po pse z.Dollapi nuk ke përmendur se me çfarë kostosh shtesë, të cilat mbeten fshehur (po që do të dalin nga auditimi) ke arritur të shkurtosh shpenzimet? Në emër të ristrukturimit:

– për sistem financiar mban excel-in;

– për sistem faturimi ke kopjuar sistemin e ujësjellësit rrjedhimisht llogaria e portofolit të konsumatorëve është “e çalltisur” dhe konsumatorët dalin debitorë edhe kur kanë paguar;

– hoqe me qindra e qindra punonjës nga puna duke i zëvendësuar me militantë të PD me arsyetimin delirant “Ai nuk voton për mue” dhe ke harruar të japësh informacion sa procese gjyqësore janë hapur që me rikthimin tend (të cilat përfaqësojnë dëmshpërblime potenciale në kurriz te shoqërisë).

Meqë ra fjala, a e ke informacionin sa miliona lekë pagoi kjo shoqëri pasi ia dorëzove ti në 2009-n duke i uruar suksese) vetëm nga largimet e punonjësve nga puna gjatë periudhës që administroje ti? Pyet pak!

– Ke paguar investime që nuk janë bërë, ose që mund të quhen “arna”. Vetëm për investimin në Ksamil ke paguar për linjën ajrore 20 kV me tel alumin – celik 120 mm2, por në të vërtetë linja është bërë me tel alumin-celik 95 mm2 – diferenca në çmim është rreth 1 Euro për metër linear. Dhe tani bëji vetë llogaritë se sa ke futur në xhep vetëm nga ky investim (shumëzo këtë diferencë në çmim me gjatësinë e linjës ajrore 20 kV).

– e të tjera, e të tjera si këto…

 

*****

Situata e furnizimit me energji është vërtet kritike dhe është e vërtetë që nuk është investuar në sistem, POR nuk ka më furnizim 24 orë me energji. Ka zona rurale, të cilave u ndërpritet energjia rregullisht me 3-5 orë në ditë për të ulur konsumin dhe rrjedhimisht humbjet, ose edhe për “inatin” që nuk votuan PD; ka shumë defekte në Tiranë, kohë e gjatë për të rregulluar defektet, edhe pse u ble bazë materiale me “emergjencë”.

Meqë ra fjala, z.Dollapi, ti nuk raporton më në ERE për treguesit e cilësisë së furnizimit, madje dhe vetë ERE nuk i kërkon më edhe pse e ke detyrim ligjor. Megjithatë, hallin e ERE-s e kuptojmë: Po përpiqet “të mbulojë diellin me shoshë” e s’po di nga duhet t’ia mbajë.

E ndërsa z.Dollapi “fryhet” se ka shlyer detyrimet e vjetra, harroi të thotë sa detyrime të reja ka, pasi vetëm detyrimet ndaj KESH janë rritur me mbi 100 milion EURO krahasuar me gjendjen e 2012-s – këtë alarm e dha më në fund dhe Drejtori i KESH, si për të shkarkuar përgjegjësi.

E për sa i përket procesit të arbitrazhit, është e sigurtë që nuk do të merret për bazë ekspertiza e Dollapit, por do të dijë si ta zgjidhë qeveria e re me shumë profesionalizëm.

Me pak fjalë, z.Dollapi di mirë “si t’u japë drejtim punëve” – dhe për ta mbyllur do të bej pak fare sarkazmë: aq mirë di t’u japë drejtim punëve ky “MR. FIX IT”, saqë Borisovi në Bullgari i kërkoi Doktorit “borxh” Dollapin që “t’i jepte drejtim sektorit energjetik në Bullgari”, por Dollapi i vuri 2 kushte: (1) të shkonte pas zgjedhjeve për të administruar CEZ Bullgari, pasi i duhej Doktorit për fushatë, dhe (2) të marrë stafin e ujësjellësit me vete, si çelësin e suksesit të tij”. Për të qeshur dhe për të qarë!

Nga Edlira Shehu July 19, 2013 20:39
Komento

3 Komente

  1. KO July 19, 22:40

    Ky eshte “berishizem” ne rastin “dollapi” por Ka “berishizem” ne rastin e KQZ,ne rastin Basha -Olldashi,ne komunikim “berishizmi” Vorpsi -Bogdani dhe sa e sa raste te tjere.Ky “berishizem” po na le mprapa dhe ndihmon krimin dhe kriminelet te mbajne ndezur situaten kriminale ne Shqiperi.Europa dhe amerika na shohin me syte qe shohin Berishen.Por populli shqiptar eshte shume larg psikollogjise “berishiste” eshte me i kulturuar se shume nepunes qofte edhe ministra te Berishes.C’fare duhet bere …!?

    Reply to this comment
  2. erti July 22, 07:46

    Faleminderit Stafi i Dites.Sahit Dollapi dhe stafi i tij jane njerezit me te paafte qe ndodhen ne Shqiperi.Jane hajnat qe ju nuk e kini idene se sa vjedhin dhe rrjedhimisht sa kosto ka ne kurriz pupulli Shqiptar nga keto Hajna.Dollapi dhe Hajnat e tij si Shkembi,Luarasi,Zeneli,Lami,Kasapi,e shume e shume te tjere do pergjigjen ne Prokurori per sa kane vjedhur dhe cfare kostoje i kane kushtuar kesaj kompanie.Berishizmi keta njerez dhe kete filozofi ka,te manipuloje dhe te vjedhe!

    Reply to this comment
  3. jurgen July 22, 10:22

    zotidollapi eshte arka e shpenezimeve te zotit berisha vjedhjet e dollapit ne ujesjelles e elektrik keto 8 vjet nuk llogariten po prap nuk ja dolen te fitojn nqs qeveria e re nuk i tregon vendin dallapit haram voten e ketij populli

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*