Një roman bashkëkohor… dhe racizmi…

Kristo Zharkaliu February 11, 2016 20:27

Një roman bashkëkohor… dhe racizmi…

Për një gjë që krenoheshim për Shqipërinë, ishte se në vendin tonë nuk kishte racizëm dhe kryesisht për bashkëjetesën e feve dhe pakicave të ndryshme me një mirëkuptim të lavdërueshëm. Duke qenë dhe vetë një nga këto “pakica”, gjatë gjithë jetës sime jam munduar t’i shmangem çdo distancimi, çdo grupimi, madje asnjëherë nuk kam folur për atë veçanti që kishim në mes të popullit shqiptar. Duke qenë nga Voskopoja, ishte e njohur prejardhja jonë vllahe, por askurrë nuk e ndieva ndryshimin, askurrë nuk besova se kishte njëfarë distancimi. Madje gjatë gjithë jetës sime jam përpjekur të evidentoj marrëdhëniet vëllazërore dhe të barabarta të shqiptarëve dhe të pakicave të ndryshme.

Që ta faktoj këtë mund të them se gjatë qëndrimit tim të gjatë në emigracion, si para ashtu dhe pas shembjes të diktaturës, miqtë e mi më të afërt kanë qenë nga Veriu dhe nga Kosova e trevat e tjera shqiptare të jashtë kufijve. Prandaj u kapa në befasi dhe krejt i papërgatitur kur një miku im i vjetër (verior) më lajmëroi se një shkrimtar shqiptar kërkonte të takohej me mua, duke theksuar se shkrimtari në fjalë na qenkej vllah! Konkretisht tha: “Ai është një shkrimtar vllah dhe unë nuk e dija se edhe ti i përket kësaj race! Ime shoqe u habit kur dëgjoi Anën (gruan time) të fliste vllahçe me gruan e Aleksit!”

Të gjitha këto u thanë me një theks të dukshëm racizmi. Ai e dinte shumë mirë se unë isha nga Voskopoja dhe se familja ime kishte pasur me mijëra bagëti të imta, ashtu si e dinte se familja jonë kishte jetuar ngahera në harmoni të plotë me agallarët e Konispolit ku kishim kullotat dimërore, që nga gjyshi im dhe im atë hynin e dilnin në shtëpitë e konispoliatëve si në shtëpinë e tyre, ashtu si bënin dhe ata në shtëpinë tonë, po ashtu si kishin miq të ngushtë dhe kolonjarët ku çonin bagëtitë për verim si dhe me figura të tjera shqiptare që ne nuk i kishim veçuar asnjëherë nga ekzistenca jonë, nuk i kishim paraqitur si të “huaj”. Prandaj sulmi, ose brengosja e një intelektuali shqiptar-verior- që ishte edukuar e jetuar në kohën e diktaturës si jo më mirë, më habiti dhe më hidhëroi pa masë. Por më bëri një të mirë: më mësoi edhe në këtë moshë se nuk duhet besuar askënd, sidomos kur në mënyrë hipokrite të bën për mik.

Por këtu do të flasim për një libër. Për një libër të një “vllahu” si po shprehet ish miku im i rremë. Kisha lexuar në shtypin e Tiranës se çmimin e parë për romanin më të mire vitin e kaluar e kishte fituar Thanas Mediu me romanin e tij “FJALA E FUNDIT E SOKRAT BUBËS”. Romani në fjalë pra justifikon dhe hyrjen time të mësipërme se ndryshe nuk ia vlente të merresha me njerëz hipokritë dhe keqdashës. Th. Mediu ka shkrojtur një roman të mirë – nga më të mirët që kam lexuar këto 25 vitet e fundit dhe menjimënd e meritoi çmimin e parë që mori. Nga ana tjetër duhet të përgëzojmë komisionin e çmimeve se nuk u ndikua nga ndjenja raciste anadollake. Romani pra mirret me çështjen e vllehëve “shëtitës”, marrëdhëniet e tyre me “vendasit” sidomos me fshatarët që nuk i shikonin me kaq sy të mirë stanet e vllehëve.

Por, kryesisht përshkruan “evolucionin” e shekullit të kaluar që ndryshoi rrënjësisht jo vetëm jetën dhe zakonet e përditshme të “pakicave” por edhe besimet paragjykimet, por kryesisht marrëdhëniet njerëzore. Në roman gjejmë të skalitur me mjeshtëri zakonet dhe jetën e një shoqërie të mbyllur në vetvete për shumë shekuj-ndonëse pak me teprime në disa drejtime (p.sh. e tepron me atë “rënie me të vdekurit” që ai e paraqet si ndodhi e përditshme kur kjo gjë (mashtrim) ngjiste shumë rrallë… ose disa shprehje dhe veprime banale që vllehët nuk i praktikonin, por duhet kuptuar: kemi të bëjmë me një roman dhe në krijimet artistike lejohen edhe…teprimet!) Jeta dhe ndryshimet në rrethanat e reja të krijuara nga sistemi i ri, përshkruhen me mjeshtëri të rrallë dhe megjithëse kemi të bëjmë me ngjarje të thjeshta të përditshme, na bëjnë të thellohemi, të kërkojmë në vetvete atë çka na ka shpëtuar dhe tash ka perënduar përgjithmonë. Një meritë e madhe e shkrimtarit është se i shmanget politizimit, u shmanget ankimeve, mallkimeve, u shmanget të bjerë në kurthin e zakonshëm të viteve të fundit-të antidiktaturës. Çdo gjë paraqitet e përshkruhet me thjeshtësi dhe vërtetësi, pa britma, pa anatema!

Duke ndjekur hap pas hapi ndryshimet që po bëhen – ose qenë të detyruar të bënin jo vetë vllehët, por edhe të tjerët – është më se normale se jo me një vendim mund të ndryshonin dhe konceptet e zakonet shekullore. Një nga këto ishin patjetër fejesat “nga djepi” gjë që nuk e bënin vetëm vllehët, por edhe popujt e tjerë, jo vetëm në Shqipëri. Por në romanin e Mediut zë një vend kryesor që ndiqet hap pas hapi që nga fillimi dhe deri tek fundi i librit që mbyllet tragjikisht po me këtë çështje. Katerina është njësoj si të gjitha vajzat vllahe, ndonëse më e bukura, më e zgjuara, si e do shkrimtari. Fejesa e saj nuk ka asgjë të rrallë-kështu bëheshin fejesat atëhere-, megjithëse shkrimtari e paraqet atë në mënyrë poetike pak të zmadhuar.

Por edhe i “fejuari” i saj, Sokrat Buba, ka disa dallime, ndonëse në fund do të tregojë se nuk ka shpëtuar nga mbeturinat e së kaluarës duke besuar se… detyrimisht Katerina duhej të martohej me të, megjithëse “zyrtarisht” i kishte denoncuar fejesat e djepit! Nga ana tjetër, duhet theksuar se femra vllahe ishte më e “lirë” nga gratë e tjera fshatare dhe nuk ishin të lidhura së tepërmi me kishën dhe priftin (që nuk kishin asnjëherë të tyre) Ajo mirrte pjesë në zbavitje, këndonte bashkë me burrat, nuk mbulohej kurrë dhe qarkullonte pothuajse lirisht-veçse ishte shumë e vështirë që dy të rinj të dashuroheshin dhe të shprehnin ndjenjat e tyre. Për martesa si të vajzave ashtu dhe të djemve vendosnin prindërit dhe kjo gjë dukej më se e natyrshme edhe tek vllehët. Prandaj edhe Sokrat Buba, përderisa e kishin fejuar prindërit, e konsideronte të natyrshme dhe e domosdoshme që një ditë Katerina e bukur të bëhej gruaja e tij…

Shkrimtari sikur e tepron pak në “racizmin” e shprehur, sidomos nga fshatarët e Goricës së Madhe, por edhe këtu ia gjen zgjidhjen: ka njërin nga ata, Riza Kërpin i cili, ndonëse ka dhe ai paragjykimet e tija, u qëndron pranë vllehëve, i don, i respekton dhe përpiqet të studiojë të kaluarën e tyre. Por shkrimtari i vë dhe këtij një kusur: që t’i rronte djali i fundit i vë një emër vllah (nuk ka emër të tillë, mund ta quante të krishterë, por nuk prish punë!) Rizai lufton kundër koncepteve konservatore se gjoja vllehët ishin të huaj “të ardhur” sidomos nga mëndjemadhi injorant të të parit të fshatit, Stefan Mushka. Është e njohur injoranca dhe mendjemadhësia e të mëdhenjve… Vllehët dhe Rizai do të fitonin kundër racistëve, kundër përçarësve që edhe në atë sistem të rreptë ngrinin krye. Nga ana tjetër Sokrat Buba bën hapa të mëdha drejt majave të pushtetit vendor – bëhet teknik i ndërzimit artificial dhe pasi i shkrojti një letër “udhëheqësit” i cili jo vetëm pranoi kërkesën e vllehëve, por u bëri dhe një vizitë që… ngriti në pozitë Sokrat Buban! Kjo duket se e transformoi Sokratin në një Stefan Mushka të vllehëve…. Por… nga ana tjetër ishte dhe i bri i Riza Kërpit që kishte marrë emrin vllah, Dhimitraqi i cili ra në dashuri me Katerinën!!!

Këtu fillon tragjedia e Sokrat Bubës. Nuk do të përshkruajmë më tej romanin se duhet të lëmë lexuesin ta shijojë bukurinë e krijimtarisë të shkrimtarit të talentuar. Jam i bindur se shumë lexues do të gjejnë diçka nga vetja e tyre, do të mallëngjehen dhe do të ndiejnë nostalgji për të kaluarën e tyre… Mua më ka lënë mbresa të thella jo vetëm përshkrimi i jetës së përditshme të vllehëve, por edhe referimi i shpeshtë të fshatit tim të lindjes, Voskopojës, dikur qytet i famshëm në Ballkan. Voskopoja nuk pretendoi asnjëherë se ishte kryeqyteti i vllehëve, por se ishte një nga qendrat kryesore të vllehëve është e pranueshme nga të gjithë-jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë. Dihet se shkatërrimi përfundimtar i kësaj qendre të famshme kulturore u bë edhe nga ndjenjat e xhelozisë- dhe këtu nuk mungoi racizmi i verbër.

Sidoqoftë kushdo që ka shije artistike, kushdo që ka nostalgji për një të kaluar që ka perënduar përgjithmonë, romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” e Thanas Mediut dota mallëngjejë, do ta kënaqë dhe, kryesorja, do ta njohë me një botë, me një shoqëri të panjohur, me një popull që shumë herë është poshtëruar me shpifje të ulëta raciste dhe shoviniste. Le të kujtojmë se ata, vllehët,pasardhësit e romakëve, kontrollonin për shekuj Via Egnatia (Greqia e adoptoi duke i ndryshuar rrjedhjen e saj e cila fillonte nga Durrësi, kalonte nga Voskopoja dhe arrinte në Konstandinopojë…) kurse tani janë në zhdukje e sipër. Duket qartë se brezi i ynë është brezi i fundit, si vllehëve ashtu dhe të shumë pakicave të tjera pa identitet kombëtar. Prandaj ky roman vjen në çastin më kritik të kësaj race që të na e kujtojë në mënyrë të përsosur ekzistencën e tyre, jetën e tyre, zakonet dhe burrërinë e tyre.

Kristo Zharkaliu February 11, 2016 20:27
Komento

1 Koment

  1. Gazmir February 12, 22:47

    Nga ana tjetër duhet të përgëzojmë komisionin e çmimeve se nuk u ndikua nga NDJENJA RACISTE ANADOLLAKE
    Po ky a nuk eshte racizem!?
    Gazmir

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*