Një rrëfim nga miku i ngushtë për Robert Ndrenikën

January 11, 2017 10:28

Një rrëfim nga miku i ngushtë për Robert Ndrenikën

 

Sido qofshin vlerat profesionale të një njeriu, nuk shkëlqejnë asnjëherë nëse nuk ecin bashkë me ato njerëzore dhe tiparet e një personaliteti të bukur nuk është fare e vështirë që t’i njohësh, me gjithë refuzimin e butë, por këmbëngulës, që mund të bëjë njeriu për t’i treguar!

Nëse për ndonjërin mund të duket e çuditshme se përse aktori Robert Ndrenika nuk është fare mediatik, nuk flet asnjëherë për veten, kemi lajme të këqija…

JO vetëm që nuk e bën për ju, për ne, për të gjithë të panjohurit që e vlerësojnë dhe respektojnë, por nuk e bën as me miqtë më të ngushtë! Asnjëri prej atyre që kalojnë pjesën më të madhe të ditës me të e të cilët kanë folur sot për “Panoramën” nuk kujtojnë që ta kenë dëgjuar ndonjëherë Robert Ndrenikën të flasë për veten.

Për asnjë rol, për asnjë çmim, për asnjë meritë! Beb Daliu është i afërm e mik i ngushtë i Ndrenikës prej një jete, ia njeh mirë të gjitha skutat e vjetruara të shtëpisë, problemet e shqetësimet që ka kaluar, por sot, në ditëlindjen e 75-të të mikut të tij, nuk mendon se është rasti për t’i treguar.

Kemi qëndruar në konturet e një portreti të bukur që do të donin ta njihnin të gjithë, por nuk do munden kurrë. Bashkë me rrëfimet e qesënditë e një miku tjetër të afërt, shkrimtarit Kiço Blushi, kemi njohur edhe anën shpotitëse të aktorit që e përdor humorin në jetë, po aq bukur e me masë sa rolet e komedisë që ka zgjedhur të luajë.

Për Robert Ndrenikën do të flasin e tregojnë gjithnjë të tjerët por, të ndodhte ndryshe, ai nuk do të ishte aktori e njeriu i jashtëzakonshëm që njohim të gjithë!

MIKU I NGUSHTË, BEB DALIU “ËSHTË NDËR TË VETMIT QË JETON NË NJË SHTËPI TË ENVERIT DHE S’KËRKON ASGJË”

Beb Deliu, ish-mësues i Edukimit Fizik, ka qenë një ndër djemtë simpatikë të Tiranës, nga ata që u dhanë famë xhirove të famshme të Rrugës së Dibrës, që u quajt “Broduej i Tiranës”. Ishte nga ata djemtë që shëtisnin me motor, dëgjonin muzikë të huaj, visheshin sipas modës, admironte Alen Delon…

Ishte një nga arsyet pse vajzat bënin ecejake në xhiron e famshme të Rrugës së Dibrës. E thamë këtë që të kuptoni se me aktorin Robert Ndrenika, Beb Daliu duket krejt i kundërt, duke qenë se aktori vetëm në vëmendjen e xhirove nuk ka qenë ndonjëherë. Të dy, përveçse miq të ngushtë, janë edhe të afërm nga familjet.

Tani që temperaturat janë nën zero, sigurisht që nuk kanë më guximin e rinisë të dalin e shëtisin, por kur koha është e mirë, nuk e lënë asnjëherë shëtitjen e darkës! E thënë kështu, duket si çlodhëse, por vazhdimisht situata bëhet e mërzitshme për këdo që shoqëron nëpër rrugë Robert Ndrenikën! Burra, gra, të moshuar e të rinj e ndalojnë pas çdo hapi në rrugë! Kërkojnë të bëjnë fotografi, ta përshëndesin…

Beb Daliu pret deri në takimin e radhës…

Ju jeni njeri i afërt i përditshmërisë së Ndrenikës, na tregoni për jetën e tij të viteve të fundit…

“Përveçse mik e i afërm i imi, Robert Ndrenika është njeri i jashtëzakonshëm. Duhet të jenë të shumtë njerëzit që nuk kanë njohur njeri të tillë në jetën e tyre. Ka kaluar aq shumë situata të vështira dhe nuk është dëgjuar asnjëherë.

Rasti më i fundit është ai i sëmundjes që kaloi pak kohë më parë. Të gjithë miqtë këmbëngulën që t’i thoshte Edi Ramës, t’i shkruante që ta ndihmonin për operacionin që duhet të bënte, por ai nuk pranoi. E bëri me mundësitë e tij. Atje ku operohen të gjithë, te Spitali Ushtarak. Se u bë mirë, se u bë keq nuk e mori vesh njeri, por ai ndoqi procedurën e gjithë të tjerëve!

Pas operacionit, shkoi në Gjermani, te njëra nga vajzat, për t’u rehabilituar. Për këtë etapë më duket se shteti vendosi një shumë prej 5 mijë eurosh, por as ato nuk i ka marrë ende.

Nga këto që tregoni nuk duhet as të pyesim nëse është interesuar…Si jeton sot?

Sigurisht sepse nuk ka ndër mend të shkojë t’i kërkojë. Është ndoshta një nga të vetmit, e kam fjalën të vetmit midis të gjithëve, jo njerëzve të njohur, sepse ju e dini vetë se si jetojnë, që jeton ende me mobiliet e Enverit.

Ne dalim çdo mbrëmje për ecje, përveç këtyre ditëve të ftohta, që nuk kemi dalë. Është e pamundur të ecësh me të, sepse ndalojmë çdo minutë që e takojnë të gjithë. Ka një modesti të jashtëzakonshme dhe ajo që më bën përshtypje, është se nuk e kam dëgjuar kurrë që të flasë për veten, nuk e bën këtë gjë as me miqtë.

Nuk flet thuajse asnjëherë për punën e tij, por pa dyshim që bën biseda për aktorët e tjerë dhe filmat. Për kë? Kush janë të pëlqyerit e tij? Admiron aktorët e huaj, si Al Pacino-n apo De Niro-n, flet për skena të ndryshme që mund t’i bëjnë përshtypje a realizime të veçanta.

Nga aktorët shqiptarë ka konsideratë të veçantë për Sandër Prosin, ndërsa nga aktorët më të rinj përmend Arben Derhemin. Thotë se ka disa të talentuar, edhe për breza më të rinj se Derhemi.

Kohët e fundit ka qenë aktiv në film e teatër. A flet për rolet?

Është njeri i vështirë në komunikimin. Për shembull, mund t’ju them se ka qenë e jashtëzakonshme përpjekja e Leka Bungos për ta bindur që të bënte filmin e fundit që sapo u dha në kinema. I lexon një herë mirë skenarët, përpara se të bindet.

Për shfaqjen në teatër që është duke bërë prova aktualisht, i thashë pse e more se ndoshta ndihesh i lodhur. “Ishte e domosdoshme për ta”, më tha. Edhe gjërat që bën, i bën më shumë për të ndihmuar të tjerët. E marrin në telefon përditë, por nuk pranon, thotë menjëherë mos më ngatërroni me këto gjëra.

Pak kohë më parë, kur u nda nga jeta aktori Bujar Lako me të cilin mund të gjejmë disa ngjashmëri të Ndrenikës nga mënyra si kanë vendosur të qëndrojnë të tërhequr…

Po, më tregoi që shkoi në shtëpinë e tij dhe se kishte jetuar në të njëjtën gjendje me të. Kanë qenë të ngjashëm në disa pikëpamje, asnjërit prej të dyve nuk u pëlqen fama, zhurma e fjalët e shumta.

Ishte vërtet i tronditur nga largimi nga jeta i mikut të tij, sepse e kishte takuar vetëm një ditë më parë dhe i kishte thënë se pse nuk e bën operacionin në zemër që mjekët ia patën këshilluar. Çfarë t’ju them më për Bertin, aq pak fjalë sa thotë, aq të mira ka!”, tregon miku i tij i afërt, Daliu.

 

January 11, 2017 10:28
Komento

4 Komente

  1. ??? January 11, 11:06

    Vendoseni emrin e gazetarit qe heres tjeter te mos humb kohe e te lexoj mediokritete te tilla. Daliu apo Deliu? Xhiro e famshme e rruges dibres? Ishte rruga Bajram Curri perpara ’90.
    Dreqi e merr vesh se cfare kuptimi ka kjo fjali – “Robert Ndrenika nuk është fare mediatik, nuk flet asnjëherë për veten, kemi lajme të këqija…”
    Perfundimisht te marresh shkollen me para nuk do te thote se ke mesuar te shkruash gjuhen Shqipe, gazetar jo e jo.

    Reply to this comment
  2. Mary Tereza Strongwoman January 11, 13:58

    Ky shkrim dhe komentet per te, jane thelbi i qendrimeve dhe reflektimeve ndaj Jeteve nen Diktature dhe mundesise per te mbetur edhe me tej Autoritete Morale dhe te Artit.

    Pertej rastit Ndrenika, ka rrekje, natyrisht te deshtuara, per te predikuar se mjeshteria, talenti, lavdia, fama, pra tere Dukja, mund te mbijetoje edhe pertej sjelljeve sezonale, perjarg-jeve aspak karakteriale, zvarritjeve te pamoralshme, as-se-si intelektuale te gjoja ca shakaxhinjve te kohes se diktatures qe kerkojne te mbeten edhe sot e kesaj dite ne syprinen e shoqerise ende te pakthjelluar shqiptare…
    Politika dhe politikanet dhe rreth-e-qarkesit e tyre, perftonjes banale te pasurive materiale dhe lavdive sterile ditore, sigurisht jane te neveritshem.
    Edhe kur e levdojne Ndreniken apo te ngjashmit e tij, a nuk e vini re, gjoja e levdojne per rolet e tij por nuk ua nxe goja te cmojne thelbin e Ndrenikeve: perpjekjen per te sfiduar ne jetet e tyre, ate qe si-do-si ju imponua si rol ne ate kohe te pa-liri…?
    Emrat jane te ofruar prej realiteteve qe ende rrefehen prej deshmitaresh te gjalle…

    Reply to this comment
  3. DRENICA E KUQE January 11, 15:31

    Keshtu bejne njerwzit e medhenj e para se gjithash shqiptaret e medhenj. Je artist i madh dhe shqiptar i madh dhe pasiroa e jote shpirterore e kombetare i kalon te gjitha pasurite. Respekt e nder per gjirin qe te ka dhene Nena e Nena Shqiperi! Paç jete te lumtur e te gjate sa mallet tona shqiptare, sa Alpet shqiptare!…
    Respekt per jeten dhe vepren Tende artistike!

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  4. DRENICA E KUQE January 11, 17:55

    Keshtu bejne njerezit e medhenj e para se gjithash shqiptaret e medhenj. Je artist i madh dhe shqiptar i madh dhe pasuria e jote shpirterore e kombetare i kalon te gjitha pasurite. Respekt e nder per gjirin qe te ka dhene Nena e Nena Shqiperi! Paç jete te lumtur e te gjate sa malet tona shqiptare, sa Alpet shqiptare!…
    Respekt per jeten dhe vepren Tende artistike!

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*