Historia e një qendre për fëmijët me probleme të autizmit

April 17, 2013 09:05

Historia e një qendre për fëmijët me probleme të autizmit

Vogëlushi hyn në qendër me nënën për dore. Momentet e para në fytyrë i lexohet habia. Megjithëse ngjyrat janë të bukura, lodrat të shumëllojshme dhe ata që e presin dashamirës, mjedisi për 5-vjeçarin është sa i panjohur, aq edhe acarues. Ndaj fëmija, i cili vuan çrregullimin e autizmit, kërkon të largohet. Me aq sa mund të shprehet, i kërkon nënës së vet ta largojë, ndërsa afrimi me mjekët është shumë i vështirë. Është dita e parë e prezantimit të tij në qendrën ku do të trajtohet për ta luftuar çrregullimin që e mban peng.

Dita e dytë duket më e qetë për 5-vjeçarin, e treta edhe më e qetë. Tashmë ai ka filluar të njohë mjediset e brendshme, edhe njerëzit që merren me të. Madje është i çlirët, duke zgjedhur lodrat që i pëlqejnë.

“Rastet e tilla janë të shumta gjatë këtyre ditëve. Kur vijnë fëmijët e prekur nga autizmi, në pjesën më të madhe shprehin acarim. Dita e parë është shumë e vështirë për të gjithë, për fëmijët, prindërit, mjekët, por edhe gjithë stafin e qendrës sonë. Megjithatë ia dalim, sepse kemi marrë përsipër të ndihmojmë këta fëmijë, në luftën me atë që prindi i një fëmije e ka quajtur “pisllëk” që pushton trurin dhe e bllokon atë. Dhe ne do t’ia dalim”. Kështu shprehet drejtoresha e Qendrës Komunitare Multifunksionale Gjirokastër, Fatbardha Idrizaj.

Përpjekjet e para për ngritjen e qendrës janë thuajse private, kur Qendra Komunitare në bashkëpunim me dy mjekë logopedë  e logoterapistë filluan më 1 tetor të vitit të  kaluar trajtimin e një numri të kufizuar fëmijësh me autizëm. Fondi i dhënë nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, bëri të mundur që prej datës 1 prill të këtij viti, Qendra e Autizmit të “rritet”  ndjeshëm, duke shtuar edhe numrin e fëmijëve që do të  trajtohen.

“Prej shumë kohësh e kemi parë si domosdoshmëri ngritjen e kësaj qendre, nisur nga numri i lartë i fëmijëve të prekur me autizëm në qarkun tonë. Është planifikuar që në qendrën tonë të trajtojmë 40 fëmijë nga tri rrethet jugore, Gjirokastër, Tepelenë e Përmet, të moshave 2- 8 vjeç.

***

Luçiano Todri është një nga mjekët logopedë të  qendrës, por të gjithë, prindërit dhe fëmijët e njohin si Luka. Pas një përvoje 10- vjeçare në trajtimin e rasteve të fëmijëve me autizëm në rrethet e Sarandës dhe Gjirokastrës, Luka thotë se autizmi nuk e tremb më, pasi puna dhe përkushtimi i kanë treguar se ky çrregullim mund të mposhtet. “Dikur thoja se autizmi më tremb. Tani jo më. Përvoja dhe puna më kanë treguar se, nëse e kapim herët dhe trajtohet me terapitë e duhura, pas disa vitesh fëmija mund të jetë plotësisht normal. Janë mbushur tashmë 10 vjet që punoj me fëmijët me autizëm dhe rastet e suksesshme janë të konsiderueshme”, pohon Luka, i cili tregon edhe hapat e parë që duhen ndjekur në rast se konstatohen probleme te fëmijët.

“Shenjat e para fillojnë të shfaqen kur fëmija është 2,5 – 3 vjeç. Ndaj nëse prindërit apo edukatorët në çerdhe e kopshte konstatojnë elemente jo normale, duhet patjetër të merret diagnoza te mjeku specialist. E theksoj që duhet patjetër diagnoza, pasi janë disa çrregullime që shfaqen pothuajse me të njëjtat shenja e nëse nuk kemi të bëjmë me autizëm, por me diçka tjetër dhe e trajtojmë fëmijën me terapitë e autizmit, jo vetëm që nuk e ndihmojmë, jo vetëm që kemi humbur kohë kot, por e dëmtojmë atë. Ne në qendrën tonë punojmë me metodat ABA dhe TIÇ, të cilat më kanë rezultuar mjaft të efektshme”, pohon më tej mjeku logoped Luçiano Todri.

Por në këtë “luftë të fëmijës me çrregullimin”, siç e cilësojnë specialistët, gur themeli vlerësohet bashkëpunimi me prindërit, pasi janë këta të fundit që  bëjnë punën më të madhe. “Me ne fëmija qëndron vetëm 45 minuta në ditë, ndërsa gjithë pjesën tjetër e kalon në familje. Ndaj familja dhe puna që duhet të kryhet atje janë thelbësore. Nëse nuk kemi bashkëpunimin dhe këmbënguljen e prindërve për të punuar fort, atëherë rastet mund të dështojnë. Ndaj apeli shkon për të gjithë prindërit e fëmijëve të prekur nga autizmi: E dimë që dhembja juaj është shumë e madhe, por nëse punojmë të gjithë fort, do t’ia dalim. Ne jemi këtu për t’u ndihmuar ju dhe fëmijët tuaj”, e mbyll bisedën mjeku logoped.

***

“Prindërit kur vijnë kanë vështirësinë e pranimit që fëmija i tyre ka një çrregullim dhe kjo është një tjetër vështirësi me të cilën duhet të përballemi. Në disa raste duan edhe ta fshehin çrregullimin e fëmijëve të tyre, pa e kuptuar që kështu i dëmtojnë rëndë. Megjithatë, puna edhe në këtë drejtim nuk mungon. Kam parasysh nënën e një fëmije që në momentet e para të ardhjes në qendër ishte kundër çdo lloj ekspozimi të vogëlushit të saj. Pas bisedave, këshillimeve, por edhe punës që bëhej me fëmijën në qendër, vetëm pas pak ditësh pohoi se çrregullimi i fëmijës së saj nuk ishte një turp dhe se ishte shumë i nevojshëm sensibilizimi”, pohon më tej drejtoresha e qendrës, Fatbardha Idrizaj.

Për trajtimin e fëmijëve në qendrën që është  e hapur në 7 ditët e javës janë 9 specialistë logopedë  dhe ergopedë dhe dy pedagogë zhvillimi.

April 17, 2013 09:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim