Një shans për kamaradët që s’duhet humbur?

Nga DIANA NDRENIKA April 9, 2013 23:01

Një shans për kamaradët që s’duhet humbur?

Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala erdhi  në Tiranë për të mbështetur të majtën shqiptare,  “kamaradët shqiptarë”, siç u shpreh ai, në rrugëtimin e tyre drejt bashkimit, drejt misionit të tyre të fitores  e riardhjes  në pushtet, në kushtet e këtij momenti historik për ta. Kjo është për t’u përshëndetur. Por ndërkohë është për tu keqardhur që  ky moment tejet i rëndësishëm, nuk u vlerësua sic do ta meritonte. Nëse kamaradët Rama dhe Meta do dinin t’i jepnin vlerë këtij momenti dhe ta kapitalizonin atë në avantazhin e tyre do të duhej që qoftë edhe vetëm për hir të perceptimit vizual të bënin sot një konferencë të përbashkët për shtyp nga selia e Partisë mëmë të spektrit të majtë, për të na krijuar përshtypjen që ky është vërtet një moment i shumëpritur historik për të majtën shqiptare. Që ky është një rikthim i vërtetë jo në 2011, 2009, apo dhe në 2007-ën, por është një kthim i vërtetë për në 2005-ën, aty ku zë fill e çara e tyre e madhe  dhe që ky koalicion i 2013-ës nuk është mashtrimi i radhës, por është ajo çka i do zemra çdo socialisti të thjeshtë në Shqipëri- Një ribashkim i madh i së majtës!- Jo mbi bazë arnash,  mballosjesh, jo ngjitje e çfarëdoshme e momentit, po një RIBASHKIM, një shkrirje e vërtetë e harmonishme, e sinqertë. Që kjo të vijë në popull duhet të jetë xhenuine dhe e ndjerë. Duhet të ketë në bazë garancinë se nuk do të jetë marrëveshja e radhës, që do të prishet me qefmbetjen e parë të liderve mbas krijimit të koalicionit. Jo kjo nuk çon më në fitore !!! Socialistët e thjeshtë ishin aty në 2007-ën,  dhe në 2009-ën, iu kërkua ta shpërfillnin atë koalicion dhe të punonin kundër ish aleateve të tyre paçka se tashmë në bashkëqeverisje në pushtetin lokal. Socialistët e thjeshtë duan të mos u cënohet më dinjiteti i tyre. Duan të dinë kë kanë në krah, për sa kohë e kanë e mbi cfarë baze. Aleancat fluide e pragmatiste mund të bëhen më këdo në frontin opozitar, mbase dhe përtej tij në funksion të fitores, por jo më mes socialistësh.  Fitorja dhe ndryshimi në qeverisjen e vendit do të vijnë vetëm nëse bashkimi i të majtës shqiptare do të jetë i pastër e i vërtetë.

Një koalicion thjesht pragmatist  në 2009-ën apo dhe në 2011-ën madje, do të kishte funksionuar. Por sot është vonë më për pragmatizëm të thjeshtë politik. Ashtu si në një ndërhyrje kirurgjikale të vonuar, që sa më vonë realizohet, aq më e thellë bëhet ndërhyrja e aq më i lartë eshte për pasojë dëmi, ashtu dhe Edi Rames e Ilir Metës për t’u ribashkuar te Partia Mëmë do t’u duhet këtë radhë të bëjne një hap mbrapa, të reflektojnë e të analizojnë, të bëjnë lëshime reciproke për të bashkuar forcat, mjetet, fuqitë, forumet, për tu bërë një front i vetëm, për të riardhur fuqishem të ribashkuar në pushtet me një program të dobishëm realist, konkret, me një vizion të qartë për qeverisjen e së ardhmes, që ti vijë pas shpirtit të çdo shqiptari të thjeshtë.

Po t’i referohemi 2005-ës, çka e solli në pushtet të djathtën pas largimit famëkeq mbas rënies së shtetit në 1997-ën, ishte vetëm imazhi i qeverisjes “Me duar të Pastra”, imazhi i bashkimit, krijimi i Kop-it si një organizëm  i ri, me njerëz të rinj, me ide të reja largpazereve e korrupsionit. Qofshin këto dhe iluzive kjo strategji fillimisht funksionoi, riardhja e të ikurve Arben Imami, Genc Ruli, Prec Zogaj etj., solli në popull besimin se e djathta po bënte një përpjekje  për të ardhur në pushtet pas një katarsisi të sinqertë të saj.

Qyetetari i thjeshtë nuk ka asnjë peshore farmacie në duar për të provuar cila nga alternativat qeverisëse është më e mira, sidomos në kushtet e një përngjasimi të pashmangshëm nëpër programe, por nuk do të rrinte dot indiferent ndaj një ribashkimi të madh, të sinqertë post-katarsis të së majtës shqiptare me një vizion të kthjellët qeverisës. 21 Janarin e dhimbshëm vërtet duhet ta gjykojë me saktësi drejtësia, por moralisht qytetarëve u takon të shohin pendesë e kërkesëfalje.  Nuk mundet të besojmë e të votojmë një të majtë që kalon lumin duke thënë se: ne shohim vetëm përpara dhe e kaluara u takon historianëve dhe arkeologëve, jo ne si qytetarë  votojmë duke vlerësuar për të tashmen dhe për të ardhmen, por  edhe për të shkuarën, ne duam të shohim një katarsis të ndjerë për gabimet në të shkuarën, për grindjet e përçarjet, përndryshe pse do u besonim?

Nga DIANA NDRENIKA April 9, 2013 23:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*