Një shekull europian? Dy “shtylla binjake”të një aleance të madhe

September 11, 2018 10:09

Një shekull europian? Dy “shtylla binjake”të një aleance të madhe

 

Prof. Fatos Tarifa

Vijon nga numri i kaluar

Pavarësisht frakturës së krijuar në marrëdhëniet SHBA-BE pas fillimit të Luftës në Irak, dhe, sidomos pas ardhjes në krye të administratës amerikane të presidentit Donald Trump,marrëdhëniet transatlantike, as nuk janë prishur dhe as është nevoja të prishen. Unë besoj se përpara se kjo aleancë e fuqishme—dhe historikisht më e suksesshmja në historinë e njerëzimit—të mund të degradojë në atë shkallë sa s’do të kishte më asnjë rëndësi, Euro-Atlanticizmi, si botëkuptim dhe si filozofi politike, do të triumfojë përsëri dhe do të mbetet alternativa më e kuptimtë vis-à-vis asaj çka mund të quhej “Euro-Gaullism”. Historia e sukseseve të përbashkëta të Amerikës dhe Europës (Perëndimore) në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore lipset të pasurohet edhe më tej për t’u bërë ballë sfidave të reja të shekullit të 21-të. Në fund të fundit, natyra dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve transatlantike do të përcaktojë, nëse në vitin 2030 Europa do të jetë në qendër ose në periferi të teatrit të ngjarjeve globale, si edhe nëse Amerika do të mund të ruajë edhe në të ardhmen lidershipin e saj botëror.

 

Ky shekull nuk mund të jetë europian

Krejt ndryshe nga pretendimet euforike se Europa mund të bëhet “fuqia globale më e rëndësishme brenda 10 viteve të ardhshëm”, perspektiva e Europës për të zënë një vend prieminent në sistemin global të këtij shekulli duket tërësisht jorealiste. Unë nuk kam as më të voglin dyshim se Europa nuk do ta dominojë shekullin e 21-të, siç pretendon Tony Judt, dhe as do të ketë sukses në sfidat e saj ndaj supremacisë amerikane për të krijuar “një shekull të 21-të vërtet multipolar”, siç mendonte Samuel Huntington. Unë mendoj se Europa do të ketë një profil të ulët dhe do të vazhdojë të luajë një rol modest në politikën globale gjatë këtij shekulli. Ajo as nuk është bërë një superfuqi e dytë, krahas Shteteve të Bashkuara, siç mendojnëshumëeuroentuziastë, dhe as mund të bëhet e tillë në dekadat që do të vijnë. Shekulli i 21-të do të vazhdojë të jetë një “shekull amerikan”. Historiani i njohur amerikan Walter Laqueur vë në dukje se, në kohën tonë: Nuk ka vend për fantazira mbi një Europë, e cila, në një epokë post-amerikane, gjoja do të luajë një rol deciziv në krijimin e një rendi të ri botëror të mbështetur në të drejtën. Në dekadat e ardhshme Europës do i duhet të preokupohet shumë me problemet e saj të brendshme, me reforma përmes të cilave ky kontinent do të mund të ruajë arritjet sociale të periudhës së pas-Luftës, si dhe paqen sociale përballë sfidave të ndryshimeve të mëdha demografike”.

Në përgjigje të një thirrjeje të përbashkët të filozofëve Jürgen Habermas dhe Jacques Derrida (2003) që Europa të vërë të gjitha kapacitetet e saj në peshore “për të kundërbalancuar unilaterizmin hegjemonik të Shteteve të Bashkuara”, Hans-Ulrich Wehler u kujton europianëve se ata janë, fatmirësisht, të lidhur ngushtë me Amerikën përmes traditës dhe origjinës së tyre, përmes gjuhës dhe kulturës, përmes vlerave dhe institucioneve politike dhe se, për Europën, një sistem gjysmë-autoritarist, si ai i Rusisë, apo një komunizëm shtetëror që po bie, si ai i Kinës, nuk mund të zëvendësojnë kurrë aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara. Dhe, nga që Europa, e cila, për një kohë të gjatë, do të vazhdojë të mbetet e kufizuar në statusin e një fuqie të mesme (mid-size power) nuk mund të ketë të ardhme për veten e saj duke u distancuar në mënyrë naive dhe të papërgjegjshme nga fuqia hegjemone e globit, që është dhe do të vazhdojë të jetë Amerika, anti-amerikanizmi që vihet re te disa qeveri europiane(pavarësisht pakënaqësisë së legjitimuar ndaj qendrimeve izolacioniste të Presidentit Trump) është i destinuar të përfundojë në fiasko. Wehler pohon se,“Nëse Europa do ta shndërronte këtë konflikt me Shtetet e Bashkuara në një gjendje permanente, atëherë, përderisa zhvillimi i saj si një aktor ndërkombëtar i pavarur është shumë i ngadaltë (shembulli më i mirë: forca e saj ushtarake), ajo mund të përfundojë në krahun e humbur dhe të gjendet një ditë në një situatë të dëshpëruar me Rusinë dhe Kinën si aleatët e saj”.

Bombat terroriste në Madrid dhe në Londër, revoltat e dhunshme në Francë, në Belgjikë e gjetkë, votat “non” dhe “nee” që francezët dhe hollandezët i dhanë projektit të Kushtetutës Europiane më 2005, negociatat e dështuara të Bashkimit Europian (përmes tri shteteve përfaqësues të tij, apo “the Big Three” (Britanisë së Madhe, Gjermanisë, dhe Francës) me regjimin teokratik të Iranit—të gjitha këto ngjarje të dekadës së parë të këtij shekulli, e kanë tronditur rëndë idenë e një Europe të Bashkuar. Dështimi i projektit të Kushtetutës Europiane evidentoi qartë gjendjen e një krize deri atëherë latente—por të paevitueshme—në gjirin e BE-së. Mosaprovimi i saj ishte shprehje e protestës së qytetarëve francezë dhe hollandezë si ndaj treguesve të ulët ekonomikë të Bashkimit Europian, ashtu edhe ndaj dështimeve të tij për të ruajtur një “sens drejtimi, homogjeniteti, identiteti, qëllimi të përbashkët dhe efektiviteti”, sens i cili e ka shoqëruar “Projektin Europian” qysh në periudhën e hershme të tij, sado i papërpunuar të ketë qenë ai projekt 60 apo 50 vjet më parë.

Një Europë e bashkuar, por si?

Ndryshe nga sa pretendohet shpesh, Europa nuk është zhvilluar si një shtet “post-modern”, “post-westfalian”, ose si një “post-nation-state”, jashtë strukturave të sistemit shtetëror, për t’u bërë eventualisht avangarda e rendit të ardhshëm botëror, në të cilin marrëveshjet dhe institucionet juridike ndërkombëtare që synojnë zbatimin e normave humanitare do të mund të parandalonin çdo konflikt mes shteteve dhe çdo burim luftrash. Madje, më shumë se 60 vite pas nënshkrimit të Traktatit të Romës, i cili shënoi fillimin e realizimit të “Projektit Europian”, vetë europianët vazhdojnë të jenë të pasigurtë se cila është Europa që ata po krijojnë, ose që duan të krijojnë: A është kjo Europa që projektoi Jean Monnet apo Europa që donte të krijonte Charles de Gaulle? Europa për të cilën punoi Helmut Kohl apo ajo për të cilën fliste Margaret Thatcher? Europa që përfytyronte Giulio Andreotti apo ajo e Romano Prodit? Europa që imagjinonte Vaclav Havel apo ajo që donte të konservonte Jacques Chirac? Europa që kërkonte Gerhard Schröder apo ajo që përpiqen të krijojnë Angela Merkel dhe Emmanuel Macron?

Askush nuk e vë në dyshim se unifikimi europian ka bërë progres shumë të madh qysh nga fillimet e pasigurta të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, siç vënë në dukje John Hulsman dhe William Schirano, në një artikull, me titull “Bashkimi Europian ka vdekur”, në vend që të ushqejnë iluzione për një Europë të bashkuar si një projekt post-modern dhe si liderja e ardhshme e globit, “europianët duhet të pranojnë realitetin e një Europe të përbërë nga shtete të pavarur kombëtar, ku BE vazhon të luajë një rol, por ama një rol dytësor në përcaktimin e fatit politik të kontinentit”.

Institucionet qendrore të Bashkimit Europian vazhdojnë të kritikohen gjerësisht për mungesë efektiviteti dhe, akoma më shumë, për deficitin e legjitimitetit të tyre demokratik për shkak të mungesës si të lidhjeve me qytetarët europianë, ashtu edhe të procedurave llogaridhënëse ndaj tyre. Pierre Manent, në librin e tij Një botë përtej politikës? shkruan se “europianët janë përfshirë në një aventurë të pasigurt për të ndërtuar një demokraci pa një popull”, duke besuar se “e ardhmja e tyre kërkon një ndarje të plotë nga e kaluara e tyre dhe se, për këtë arsye, përkatësia e tyre në këtë apo atë popull duhet të zhvishet nga çdo kuptim politik specifik”. Sipas tij, ndërsa “amerikanët duket se gjithnjë e më shumë e identifikojnë çdo gjë që ata bëjnë—dhe çdo gjë që ata janë—me demokracinë…europianët përpiqen t’i ndajnë virtytet e tyre demokratike nga të gjitha karakteristikat e tjera të tyre dhe, në këtë mënyrë, të shkëputen nga mëkatet e tyre të së kaluarës”.

Duke shprehur në mënyrë të sintetizuar tiparet dhe tendencat që karakterizojnë zhvillimet politike, ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Europian, si dhe vendin e tij në rendin global të shekullit të 21-të, Brzezinski ka argumentuar se “në skenën globale, Bashkimi Europian nuk do të bëhet si Amerika, por do t’i ngjajë një Zvicre të madhe”, se “BE ka pak të ngjarë të zhvillojë kapacitetet e veta ushtarake të pavarura” dhe se, për këtë arsye, “BE do të jetë një tip i ri organizimi politik, influenca globale e të cilit do të jetë kryesisht ekonomike dhe financiare”.

Pse Europës i duhet Amerika?

Parashikimi im për të ardhmen është ky: Gjatë 30 viteve të ardhshëm Europa do të ketë shumë nevojë për aleancën e Shteteve të Bashkuara, për një varg arsyesh. Për europianët do të bëhet gjithnjë e më e qartë se përballë sfidave të mëdha të shekullit të 21-të (nga Kina, Rusia, Pakistani e deri te Irani dhe Lindja e Mesme), ata, në mënyrë të dëshpëruar do të kenë nevojë për një marrëdhënie të ngushtë dhe të afërt me Amerikën. Për këtë arsye, europianët do të tregohen më të gatshëm të ndajnë me amerikanët barrën për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, veçanërisht po të mbajmë parasysh qëndrimet gjithnjë e më shumë autokratike dhe provokuese të Rusisë, sfidat e Kinës dhe betejat e ardhshme kundër terrorizmit xhihadist.

Për më tepër, jo vetëm Europa, por i tërë komuniteti ndërkombëtar, varen në të vërtetë nga “të mirat publike globale” (“global public goods”) që garantojnë për to Shtetet e Bashkuara, siç janë ruajtja e sigurisë globale dhe e stabilitetit monetar, liria e tregtisë detare dhe e një sistemi tregtar liberal, lidershipi në luftën kundër terrorizmit global dhe në përpjekjet për ndalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, si edhe pagesa e faturave kolosale të shpenzimeve për mbajtjen në këmbë të institucioneve më të mëdha globale, si NATO, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore etj.

Ka autorë, të cilët gjykojnë se Amerika i bën të gjitha këto nisur nga prizmi i ngushtë i interesave të veta kombëtare, pa u preokupuar shumë për interesat dhe fatet e kombeve të tjerë. Natyrisht, duke qenë furqia ekonomike dominuese e globit dhe eksportuesi më i madh në botë, Amerika ka një interes të drejtpërdrejtë në tregtinë e lirë, në mbrojtjen e parimeve dhe të rrugëve të realizimit të saj. Amerika është, gjithashtu, eksportuesi dhe importuesi më i madh i kapitaleve dhe kjo e bën atë drejtpërsëdrejti të interesuar të mbrojë rregullat që lehtësojnë transferimin e kapitaleve, etj. Këto, natyrisht, u shërbejnë interesave amerikane. Por kush mund të mohojë se këto u shërbejnë, gjithashtu, interesave të të gjithë atyre vendeve që duan respektimin e parimeve të tregtisë së lirë?

Të gjitha këto, Josef Joffe, një ndër analistët gjermanë më të shquar të politikës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, i përmbledh në idenë që vijon: Ka shumë gjëra të rëndësishme që duhen bërë në botë dhe vetëm Amerika mund t’i bëjë ato. Madje, edhe vetë Europa, pohon ai, ka nevojë për angazhimin amerikan, pasi kompromisi europian vazhdon të jetë i varur nga strukturat e sigurisë që Shtetet e Bashkuara krijuan gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Unë vetë kam bindjen se,në të ardhmen, në Europë do të dëgjojmë gjithnjë e më pak retorikë anti-amerikane dhe do të shohim një rikthim në moton e periudhës së Luftës së Ftohtë për “një aleancë të fuqishme transatlantike”. Robert Kagan, nga ana e vet, parashikon se hendeku i krijuar në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj europianë herët a vonë do të mbyllet për shkak të konfrontimeve ideologjike më të mëdha që ekzistojnë në kohën tonë dhe, veçanërisht, për shkak të tensioneve në rritje mes aleancës demokratike transatlantike dhe Rusisë.

Europianët e dinë se ata nuk kanë asnjë sistem mbrojtës ndaj një sulmi terrorist eventual si ai i 11 shtatorit 2001, se ata nuk kanë një ushtri efektive dhe, nëse një ditë vendosin të ndahen nga Amerika, ata mund të gjenden të vetmuar në një luftë të egër përballë armiqve fanatikë, celulat e të cilëve mund të gjenden në çdo qytet të madh europian. Nëse gjërat vazhdojnë të mbeten në gjendjen që janë sot, do të ishte e vështirë të imagjinonim se si Europa do të mund të siguronte veten e saj nga kërcënimet e mundshme. Nëse kërcënohet, Europa ka vetëm dy opsione për të zgjedhur: ose t’u hapë rrugë armiqve të saj, me shpresë se sjellja e saj paqësore e tipit të Çambërlenit do t’i zbusë dhe kënaqë islamistët ekstremistë, ose t’u përgjigjet rreziqeve që i vijnë me maturinë dhe vendosmërinë e Çërçillit për të mbrojtur qytetërimin e saj.

Deri më sot, politikanët europianë, të cilët preokupohen për votat e miliona zgjedhësve myslimanë në vendet e tyre dhe i tremben zemërimit të islamikëve radikalë, kanë treguar se atyre u mungon vendosmëria që të angazhohen në një luftë të gjatë kundër terrorizmit dhe preferojnë të merren me të në “rrugë ligjore”. Nëse Europa heziton të veprojë vendosmërisht, mund të ndodhë, siç shkruan Francis Fukuyama në librin e tij Amerika në udhëkryq, që “njerëzit më të rrezikshëm të mos jenë myslimanët fanatikë në Lindjen e Mesme, por të rinjtë myslimanë të radikalizuar në Hamburg, në Londër ose në Amsterdam” dhe që “fushat e mëdha të betejave të ardhshme të jenë jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Europën Perëndimore”. Qysh sot, madje, mund të thuhet se Europa, e cila u bë varreza e hebrenjve në shekullin e 20-të, fatkeqësisht nuk është një rajon i sigurtë për ta, për shkak të “antisemitizmit të ri” europian dhe radikalizmit islamik. Nëse vërtet një ditë ndodh që Europa të vihet në rrezik, është e vështirë të përfytyrosh se si Amerika do të mund t’i vinte në ndihmë kontinentit të vjetër për ta shpëtuar atë sërish pa përsëritur një “D-Day” tjetër.

Ose, europianëve do t’u duhej, ndoshta, të kujtonin ironinë me të cilën, më shumë se dy shekuj më parë, historiani i shquar anglez Edward Gibbon i është përgjigjur pyetjes se ç’mund të bënin europianët nëse Europa do të “kërcënohej [përsëri] nga katastrofa si ato që në të kaluarën mposhtën gjymtyrët dhe institucionet e Romës”. Nëse një kërcënim i tillë për Europën do të shfaqej përsëri, Gibbon ofronte një ngushëllim të fundit, të cilin intelektualët europianë anti-amerikanë të sotëm do ta konsideronin shumë poshtërues: “Nëse Barbarët fitimtarë do të sillnin me vete skllavërinë dhe mjerimin deri në brigjet e Oqeanit Atlantik, dhjetë mijë anije do të transportonin atë çfarë ka mbetur nga shoqëria e qytetëruar [europiane] përtej [Oqeanit] dhe Europa do të ringjallej dhe lulëzonte në botën amerikane, e cila është mbushur tashmë me kolonitë dhe institucionet e saj”.

Pse Amerika ka nevojë për një“Europë e fortë dhe e bashkuar”?

Amerika gjithashtu është e interesuar që Europa të ketë sukses. Nëse do që të ketë partnerin që i nevojitet për të përballuar sfidat e sotme dhe ato të së ardhmes,Amerika ka nevojë për një Europë të fortë, jo për një Europë, e cila stepet përpara presioneve të Rusisë.Në fund të fundit, Amerika dhe aleatët e saj janë ata që do të luajnë rolin vendimtar në ruajtjen dhe zhvillimin e qytetërimit të sotëm perëndimor.Nëse Europa nguron, nëse ajo stepet përpara presioneve të Kremlinit, nëse ajo u trembet sfidave të së ardhmes, politikanët e saj duhet të mbajnë parasysh, siç është shprehur Richard Haass, se në fund të fundit, “Amerika nuk ka nevojë t’i marrë leje askujt që të veprojë, por që të ketë sukses ajo ka nevojë për mbështetjen e vendeve të tjerë të botës”.

Për brezin e liderëve amerikanë dhe europianë të pas Luftës së Dytë Botërore, Aleanca Transatlantike dhe uniteti europian janë parë si dy anë të së njëjtës medalje. Në vitin 1957, pak kohë para nënshkrimit të Traktatit të Romës, me të cilin zë fill historia e Bashkimit Europian, Presidenti amerikan Dwight Eisenhower theksonte se, “Ne i mirëpresim përpjekjet e miqve tanë europianë për të krijuar një komunitet të integruar për zhvillimin e një tregu të përbashkët”. Pesë vite më vonë, John F. Kennedy do t’i përforconte fjalët e paraardhësit të tij duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara e shohin këtë ndërmarrje të re të madhe me shpresë dhe admirim. Ne nuk e shohim një Europë të fortë dhe të bashkuar si një rival, por si një partner”.

Një “Europë e fortë dhe e bashkuar”, theksonte J. F. Kennedy, ka qenë “objektivi kryesor” i politikës së jashtme amerikane qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Qysh nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur vazhdimisht pothuajse çdo iniciativë për thellimin dhe zgjerimin e Europës së bashkuar. Duke folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Europës, Zbigniew Brzezinski argumentonte se, “nga këndvështrimi i interesave amerikane, është në dobi të Amerikës që Europa: Një, të jetë e zgjeruar; dy, që ajo të jetë politikisht më e përcaktuar; tre, që ajo të ketë kapacitete më të mëdha ushtarake të vetat; dhe katër, që ajo të jetë e lidhur në aleancë me Shtetet e Bashkuara”.

Po të marrim në konsideratë resurset e përbashkëta intelektuale, ekonomike dhe ushtarake kolosale të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, është e qartë se, nëse bashkëveprojnë, duke i përdorur këto resurse në mënyrë inteligjente, Amerika dhe Europa mund të bëjnë shumë për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e globit. Edhe pse shumë amerikanë mendojnë se Bashkimi Europian është një nocion disi abstrakt dhe nuk do të ketë sukses në përmbushjen e aspiratave të tij, ata përsëri dëshirojnë dhe urojnë që “Projekti Europian” të ketë sukses, si për të mirën e vetë europianëve, ashtu edhe për të mirën e aleates së tyre më të madhe—Amerikës. Sepse amerikanët e dinë se “vetëm një Bashkim Europian efektiv dhe demokratik mund të jetë…një partner i besueshëm për Shtetet e Bashkuara” (Hans-Gert Poettering), pavarësisht se federalistët euronacionalistë kanë qenë gjithnjë më të interesuar të jenë rivalë sesa aleatë të Shteteve të Bashkuara.

Koncepti i “shtyllave binjake” që zhvilloi Presidenti Kennedy më shumë se gjysmë shekulli më parë, sipas të cilit një Europë e fortë dhe një Amerikë e fortë, të lidhura me njëra-tjetrën përmes Atlantikut, përbëjnë një realitet shumë më të dëshiruar sesa një marrëdhënie asimetrike mes tyre, mbetet sot dhe në të ardhmen po aq i rëndësishëm sa edhe në atë kohë. Alternativa e dy “shtyllave binjake” do të ishin dy kampe të ndarë, ose një Europë e ballkanizuar. Brzezinski e formuloi idenë e mësipërme me këto fjalë: “Amerika dhe Europa, së bashku mund të jenë forca decisive për [të bërë] mirë në botë. Të ndara, dhe veçanërisht nëse i kundërvihen njëra-tjetrës, ato garantojnë impas dhe kaos më të madh”.

Vijon nesër

September 11, 2018 10:09
Komento

2 Komente

  1. Arben September 11, 10:49

    Ky eshte shekulli I azise me kinen si vend udheheqes.

    Reply to this comment
  2. aktualiteti September 11, 11:26

    Ka nje fraze qe shpjegon gjithcka per politiken europiane sot nga Pierre Manent ” politika europiane eshte perfshire ne nje aventure per te ndertuar nje demokraci pa popull”!
    Kjo shpjegon gjithcka, qarte thote se pseudo-liberalizmi demokratik eshte nje farse aspak ne funksion te popullit por ne funksion te ushtrise zyrtareve medioker qe sot qeverisin nga Brukseli duke fillu nga Juncker, Mogerin, etj e deri te ai Hahn qe mban nje post qesharak te Komisionerit te Zgjerimit te BE kur zgjerim ka kohe qe nuk ka e as ka gjasa te kete.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*