Një shesh, katër emra, përpjekja e Malit të Zi për t’u ndarë nga e shkuara

March 7, 2016 13:01

Një shesh, katër emra, përpjekja e Malit të Zi për t’u ndarë nga e shkuara

Për Zarko Vukceviç, një pensionist 68-vjeçar në kryeqytetin malazez, Podgoricë, plani i fundit të riemërimit të sheshit kryesor të qytetit do të thotë vetëm një gjë:  një zgjedhje e përgjithshme po afrohet.

“Fatkeqësisht, këto gjëra sjellin vota – jo rikuperim ekonomik apo projekte sociale, por mosmarrëveshje nacionaliste,” tha Vukceviç për BIRN.

Më 11 mars, asambleja kombëtare në kryeqytet do të votojë mbi propozimin e partisë demokrate të socialistëve për të riemëruar sheshin në nder të pavarësisë 10-vjeçare të vendit.

Partia, e drejtuar nga kryeministri Milo Djakanoviç do ta quajë “Sheshi i Pavarësisë”, në vend të “Sheshi i Republikës”.

Këtë vit, Mali i Zi shënon një dekadë pavarësi, pasi votuesit në një referendum në maj 2006 votuan për t’u larguar nga “Bashkimi Shtetëror” me Serbinë.

Mali i Zi ka qenë një shtet i pavarur përpara luftës së parë botërore por pastaj u aneksua nga Serbia në vitin 1918 dhe u përfshi në shtetin e ri të Jugosllavisë.

Ndërsa partia qeverisëse, që ka shumicën në asasmblenë e qytetit, justifikon lëvizjen për të riemëruar sheshin duke bërë apel për nevojën e reflektimit të shtetit të Malit të Zi, të tjerë janë më pak të impresionuar.

Partitë opozitare dhe disa OJQ akuzojnë autoritetet se janë përpjekur të përdorin patriotizmin për të thelluar ndasitë mes njerëzve.

Të tjerë besojnë se autoritetet po e teprojnë me pavarësinë dhe disa me ironi sugjerojnë që i gjithë vendi të quhet “Mali i Zi i Pavarur”.

Nga ana tjetër, disa vendas në Podgoricë e mbështesin lëvizjen. Disa kujtojnë se kushtetuta e miratuar në vitin 2008 nuk e përcakton Malin e Zi si një republikë, ndaj nuk ka arsye për ta quajtur sheshin “Sheshi Republikë”. Të tjerë janë thjesht patriotikë.

Sandra Popoviç, 28, një nëpunëse civile, thotë se ajo mbështet gjithçka që feston pavarësinë e vendit.

“Fakti që kjo mund të jetë një lëvizje politike nuk më intereson, sepse kur vjen puna për pavarësinë e vendit kemi pritur shumë, ndaj është një vendim i mirë,” tha ajo.

Këshilli bashkiak në krye të emërimit dhe riemërimit të objekteve, rrugëve dhe shesheve tashmë e ka përqafaur ndryshimin e propozuar.

Ky do të jetë emri i katërt që i jepet sheshit në 70 vitet e fundit.

Deri në luftën e dytë botërore quhej “Sheshi i Bashkimit”, në nder të bashkimit të detyruar të Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 1918.

Pas luftës, kur komunistët pushtuan Jugosllavinë, sheshi u riemërua “Sheshi Ivan Milutinoviç”, sipas politikanit komunist, gjeneralit dhe heroit kombëtar.

Në vigjilje të referendumit mbi pavarësinë në 2006, u riemërua “Sheshi i Republikës”

Në shesh shpesh organizohen ngjarje kulturore dhe mjedisore por në dy dekadat e fundit është përdorur kryesisht për protesta anti-qeveritare.

Një anëtar i opozitës në këshillin e emërimit të rrugëve, Vladan Vujoviç, tha se propozimi i partisë qeverisëse kërcënon të ringjallë tensionet mes atyre që ishin pro dhe kundër pavarësisë së Malit të Zi.

Është e qartë, sipas tij, se këto dhe propozime të tjera të ngjashme vijnë çdo katër vjet sa herë ka zgjedhje.

“Nuk është një festim i pavarësisë, është një vendim politik,” tha ai. “Dhjetë vite pas referendumit, ne po krijojmë sërish ndasi të reja,” tha Vujoviç për BIRN.

Bashkimi i veteranëve të luftës së dytë botërore, SOBNOR, gjithashtu ka kundërshtuar riemërimin e sheshit dhe ka kërkuar rikthimin e emrit të vetëm.

“Nëse riemërimi është i nevojshëm sepse Mali i Zi nuk është më një republikë, ne duam emrin e vjetër, atë të heroit kombëtar Ivan Milutinoviç”, tha organizata të premten.

Podgorica nuk është përjashtim në Malin e Zi apo në Ballkan, ku riemërimi i rrugëve dhe shesheve sipas trendeve të fundit politikë është një fiksim.

Në vitet e fundit, shumica e rrugëve në qendër të qytetit janë riemëruar, kryesisht për të fshirë kujtimet e të shkuarës komuniste.

E gjitha filloi me riemërimin e kryeqytetit, që pas luftës u quajt Titograd, sipas liderit jugosllav Josip Broz Tito.

Rreth 90 për qind e qytetarëve votuan në një referendum në vitin 1991 për të rikthyer emrin e vjetër Podgoricë.

Rruga kryesore, Bulevardi Lenin u riemëruar “Bulevardi Shën Petar Cetinjski,” në nder të një sunduesi malazez dhe peshkopi nga shekulli 18.

Dhjetëra rrugë të emëruara sipas ngjarjeve apo heronjte nga lufta e dytë botërore në kohën e komunistëve morën gjithashtu emra të rinj.

Disa vendas bëjnë shaka me ndryshimeve të vazhdueshme të adresave.

“Duket sikur kam lëvizur shumë me shtëpi, por në 79 vitet e fundit kam jetuar po këtu,” bën shaka Musa Kadiç.

Pavarësisht vendimit nga asambleja vendase, për shumicën e banorëve të Podgoricës, sheshi kryesor do të mbetet veç “sheshi”.

“Nuk ka absolutisht asnjë rëndësi nëse është Sheshi “Republikë” apo “Pavarësi”, kur shumica prej nesh themi “takohemi te sheshi” ose “do të jem te sheshi”…, tha 34-vjeçari Andrej Maskoviç./BIRN

March 7, 2016 13:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*