Një shkrim për personalitetin nga personaliteti i shquar Prof. Aleksandër Xhuvani 

June 30, 2020 11:51

Një shkrim për personalitetin nga personaliteti i shquar Prof. Aleksandër Xhuvani 

Seit Mansaku

Duke shfletuar revistën Përpjekja, botim i viteve 1937-1938, një revistë shkencore, kulturore enciklopedike me shumë vlera, të cilën këto ditë na e solli në bibliotekat tona në një ribotim anastatik të një cilësie të lartë Fondacioni ALSAR, nën drejtimin e Z. Mehdi Gurra, tashmë i mirënjohur për botimin, ndër të tjera, të një serie veprash të trashëgimisë sonë shkencore nga fusha e albanologjisë dhe e kultures në përgjithësi, më tërhoqi vëmendjen për nivelin e tij intelektual kulturor,  një shkrim i dijetarit dhe gjuhëtarit të shquar Aleksandër Xhuvani për personalitetin, të cilin po e paraqesim për botim, duke menduar se ka vlera shkencore, intelektuale e morale jo vetëm njohëse historike, po edhe për sot, sidomos në procesin e edukimit, të shkollimit e të formimit intelektual e njerëzor të brezave të rinj dhe të sjelljes intelektuale në përgjithësi.

Në këtë shkrim përbërësit dhe karakteristikat që formojnë personalitetin e njeriut paraqiten dhe vështrohen në tërësi, duke përfshirë cilësitë e aftësitë intelektuale e kulturore, konkretizimin e tyre me veprimtari të ndryshme në dobi të shoqërisë njerëzore, tregohen përkimet dhe dallimet midis karakterit dhe personalitetit etj. Kur këto shtjellohen nga një personalitet poliedrik me dije e veprimtari të gjërë në shumë fusha të dijes si prof. Aleksandër Xhuvani, dijetar erudit, gjuhëtar, pedagog e psikolog, veprimtar shoqëror etj. marrin një vlerë të veçantë bindëse. Shkrime të tilla mendoj se i shërbejnë idesë se rritja e mirëqenies materiale të njeriut duhet të shkojë krahas me përsosjen morale e intelektuale të tij, në mënyrë që këto të mira materiale, që rriten me përparimet teknologjike të kohës, të mos jenë qëllim në vetvete për të plotësuar egon e disa njerëzve, a grupimeve të caktuara, lakmitë e ambiciet e tyre për pasuri dhe pushtet, që mund të çojnë edhe në  shkatërrimin e këtyre të mirave, por duhet të përdoren për përparimin dhe mirëqenien e përkryerjen e shoqërisë njerëzore në përgjithësi.            Këtu poshtë po japim të plotë dhe të paprekur shkrimin e prof. Aleksandër Xhuvanit, një model i vërtetë i personalitetit, i cili këtë vit ka edhe 140 vjetorin e lindjes.

Individualiteti dhe personaliteti

Aleksandër Xhuvani                      

Afër dhe gjiri (fis) me fjalën personalitet në pikëpamje gjuhësore dhe historike asht fjala person . Persona ndaj latinët quhej bira e maskës që vejshin në fytyrë aktorët e teatrave, pastaj fjala muer kuptimin e maskës vetë dhe më vonë u përdor për të kallzue njeriun që delte në skenë. Pastaj muer domethanien që ka edhe sot, të çdofarë njeriu. Në pikëpamje psikologjike nji person asht nji e qenme (qenie) me shpirt, që ka ndërgjegjje të unit, të vehtvehtes, pra që ja ka mërrimë shkallës ma të parë të rritjes së tij kulturore.

Çdo person ka nji individualitet, domethanë nji gja më vehte, nji gja të veçantë trupore e mendore, me anë të së cilës dallohet prej njerëzvet të tjerë. Edhe personaliteti asht individualitet, por gjithnji ndryhhon prej këtij të fundit

Në kuptimin e përgjithshëm fjala personalitet përfshtiell (përfshin) të tanë njeriun, trupin e shpirtin me gjithë fuqitë e tij. Nën një kuptim të veçantë, me fjalën personalitet kuptojmë nji njeri energjik, autonom me vullnet, me karakter. Me kuptimin e parë, që mund ta quajmë psikologjik, themi se çdo njeri ka personalitetin e tij, ase individualitetin e tij, mbasi ngadonjëherë individualiteti merret si sinonim me personalitetin, ndonëse kanë një farë ndryshimi, sikurse u tha ma nalt. Me kuptimin e dytë fjalës personalitet i japim një kuptim vlere : me personalitet kuptojmë njeriun që zotnon  vlera të nalta subjektive. Nën këtë kuptim të dytë fjala personalitet lot nji rol me randësi në çdo degë të dijes, në mjekësi, në psikologji, në pedagogji, në sociologji e në filosofi. Mbas pedagogjisë së re, sidomos asaj gjermane, personaliteti asht qëllimi dhe ideali i  veprimit pedagogjik. Mbas Goethe-s, e mira ma e madhe e fëmijvet asht me u ba nji personalitet:

Hochtes Gluck der Erdenkinder

Sei nur die Personlichkeit

Ma së parit si gur themeli i të qenurit personalitet duhet të jetë nji formim a kulture në kuptimin ma të gjanë të fjalës. Nji i tillë formim do të pështjelli (përfshijë) nji grumbull sa ma të madh të dijes, nji pasuni mendore të drejtueme prej nji metode shkencore, por edhe të bashkueme me nji dashuni plot me ndjenja për jetën e natyrës dhe të njerëzvet. Formim i mendjes dhe i zemrës duhet të lidhen dhe të ecin së bashku harmonikisht. Nji studim pra me themel e me interesë të gjallë për të vërtetat e rrjedhuna nga çdo shkencë duhet të formojë kulturën e personalitetit.

Përveç kësaj, personaliteti duhet me pasë nji shtytje, nji dëshirë për nji formim të drejtuem në shumë anë, tue mos u kufizuem në nji dije të veçantë dhe të njianshëme tue u orvatë që ta zgjanojë horizontin e mendjes dhe të kuptojë gjana e njerëz që qëndrojnë larg kulturës së tij. Mund të thuhet se prej kësaj dije të shumanshëme nuk mundet me u fitue nji kulturë personale me nji njisi e lidhje të mbrendshëme e se fitimi e përvehtësisimi i shumë njohurive bahetë  mbi kurriz të të tjerave, që nuk mund të shtihen në punë, me gjith’ atë, dija e shumanshëme ase njohunit’ e shumta mund të lidhen e të përdoren në shumë mënyrë e rrugë të reja, që të përpunohen e të përvehtësohen me themel. Këtu lot nji rol me randësi puna e përdorimit të kohës.

Njeriu i lavruem dhe i pjekun për personalitet  heret a vonë do të shohi vetëhen të detyruem me e përdorë fuqin’ e tij krijuese me qëllim që të qisi në dritë një punë me vlerë e me dobi.  Pra e dyta gja që kërkohet prej personalitetit asht që të krijojë, të qisi punë e vepra në dritë. Kur flasin bota për një njeri të njoftun, a të zotin a udhëheqës si personalitet, kujtojnë me këtë se ja njohin dhe ja çmojnë punët që ka qit në dritë. Ditunija dhe përvoja e tij e gjanë, tue hymë në zdrug të njij vullneti krijestar, do të kthehen në punë e vepra të dukëshme e do t’i hyjnë në punë tanësisë shoqënore. Këto vepra mund të jenë shkencore, artistike, politike, ekonomike, pedagogjike, letrare, por edhe zbulesa e çpikje. Sheshi i punës së personalitetit asht në mes të aktivitetit të jetës së përditshëme: ai vështron, si me thane prej së nalti punën gjithë lëvizje të njerëzisë, njef dhe kupton nevojët e saj mendore e landore, lidh me këto detyrën e tij të naltë dhe përpiqet për nji t’ arthme të mirë të njerëzisë.

Shenja e tretë dallimtare e personalitetit asht karakteri. Por karakteri nuk asht nji me personalitetin, sikurse kuptohet kjo nga puna që shumë herë fjalën karakter mund ta përdorim edhe me nji vlerë negative, si për shembëll kur flasim për nji njeri me karakter të dobët ase me karakter të paqëndrueshëm ase për nji njeri pa karakter fare, kurse për personalitetin nuk mund të flasim po n’ atë mënyrë: nuk mund të flasim për nji njeri që ka personalitet të mirë a të lig.

Kur flasim për nji njeri me karakter ase me karakter të naltë, kuptojmë  me këtë rigorozitetin shembëlluer të qenies së tij dhe rrjedhimin e kësaj vetije mbi gjithë shfaqjet e punët e tij. Porse nji njeri me karakter, që të jetë personalitet, duhet të ketë një formim menduer ase një horizont të gjanë e të plotë të dijes e të mendjes, sikurse thamë ma nalt.

Nji tjetër gja karakteristike e personalitetit asht dëshira a shtytja e tij e brendshëme për t’u sjellë me dashuni e për të qenë i mirë në gjithë punët dhe  mënyrët e tij. Në çdo situatë a ndodhje të tij në jetë me qenë gjithmonë i mirë, ase me dashë me qenë gjithmonë i mirë asht filosofia e fundit të jetës së tij. Vërtet se personaliteti njef e ushtron gjithë vlerat ideale të njerëzisë, si të drejtësisë, të së vërtetës, të lirisë e të barazisë, porse të gjithë orvatjet a të rrekunat (përpjekjet) për t’i shtimë në punë e për t’i çuem në vend këto idole nuk mund t’ja zanë vendin kuptimit e ndjenjës që duhet të ketë ai, se gjithë veprat e qeta të daluna në dritë prej dashunisë me jetën e natyrës e të njerëzisë, janë shumë ma të vlerta se ato idole. Me përtërimë të kënaquna e gëzime morale vetvehtes e ma fort të tjerëve e me shafitë (me zhdukë) dhimbje, të degame (grindje, konflikte) e gverra (luftëra) asht nji detyrë ma e shenjtë e personalitetit që e kupton thellë e ndërgjegjshëm detyrën e tij se sa me u lakmue me passion qellimeve të nalta, të mrrimit e të cilavet shumë herë blihet me shkatërrimin e shoqërisë njerëzore.

Çdo përdorim i forcës, çdo mënyrë e njij të sjelluni të vrahhdë e të rrefkët (ashpër) drejt (kundër) mirnisë trupore e shpirtore t’ atij tjetrit asht në kundërshtim me të qenmen e personalitetit. Pa marrë para sysh nevojën e njij politike reale për luftë e degame, politikanë e udhëheqës të mëdhej të shteteve dhe të ushtrive, vetëm atëhere mund të quhen personalitete, kur të rrjedhi veprimi i tyne prej njij vullneti të ndershëm e njij ndërgjegje të pastër për të punue të mirën e të drejtën. Ai që nuk ndien e nuk e pret malli për qenien e çmueshme të t’ afërmit, le ta dëftejë e ta lajë sa të dojë vehten me vepra gjeniale që mund të qesi, ai s’asht personalitet. Mefistofeli i Goethe-s asht me të vërtetë njeri i kokët (me mend) e filosof, zotësia sendërgjuese (krijuese) e të cilit nuk mund të vihet aspak në dyshim, ka edhe nji karakter të fortë në vehten e tij, por i mungon nji gja themelore për të qenë personalitet : vullneti për të mirën.

Personaliteti asht i zgjidhun nga çdo rigorizëm (ngurtësi) intelektual e që qëndron jashtë bindjes së tij të mbrendshëme. Vetëm vehtes së vet mund t’ i vejë ai kërkesa e shtërngesa. Çdo veprim partije a të njij gjaje tjetër që shfaqet me pretendimin e njij auktoriteti absolut, gjithë dogmat e doktrinat që ja ndrydhin e  trusin (shtypin) bindjen e përgjegjësin’ e vet, nuk janë aspak norma e ligje për personalitetin. Ai mund të njofi vetëm nji parim themeluer të naltë të veprimit të tij: të mirën e të dejtën, të mirën e dashuninë mbë çdo gja të gjallë në botën e natyrës e të njerëzisë, mbë çdo gjë të vërtetë e të naltë.

Prej këtyneve kuptohet se personaliteti nuk asht nji gja me luejt, sikurse thomi zakonisht, nuk asht nji gjasend që mund të gjindet kudo e mund të bahet me të lehtë e pa mundim, por ka nevojë për nji procedim të gjatë pjekunije që të shtjellohet e të formohet. Ky formim varet ma së fortit prej vullnetit e prej disciplines së vetvehtes. Përkundër njerëzvet me talent e me gjeni, të lemit e të dalunit e tyne në shesh qëndron ma tepër në shpërthimin a buçitjen e dispozitave që kanë me vedi, personaliteti sajohet e formohet ma fort prej nji pune kulturore të ndërgjegjshme e të vetishme se sa prej dispozitave të linduna. Mund të thuhet se personaliteti asht nji prej atyne tipave t’ individualitetit që përmend Sprangeri në librin e tij Lebennsformen (1O9-211) e mbi të cilët ka folë edhe Kerschensteiner-i tue i lidhun me tipin që i përket edukatorit, ase ma mirë personaliteti asht nji tip kompleks a nji sinthezë e atyne tipave, tue përjashtue, mbas mendjes s’eme, tipi i të fuqishmit (Machtsmensch). Prandaj personaliteti, i kuptuem në kët prizmë të filosofisë rigoroze gjermane  asht nji gjasend i rallë në historin’ e në letërsin’ e botës, Personalitete mund të quhen njerëz si Kant-i. Herbart-I, Goethe-ja, Luther-I,, Emerson-i. Lincoln-i, Willmann-i, Benedetto Croce-ja, etj.

Prej gjithë këtij studimi merret vesh se sa larg kuptimit të vërtetë asht fjala personalitet që përdoret e shpërdoret sot pa kursim, si në shkrimet e hueja, ashtu edhe n’ ato tonat, tue i u veshë ky emnim personevet, që as në mikrografi nuk mund t’iu qasen karakteristikavet të njimendëta të personalitetit të vërtetë.

June 30, 2020 11:51
Komento

1 Koment

  1. demo June 30, 20:33

    O Seit,ke marre per shembelltyre sot nje mal te larte te DITURISE KOMBETARE,por me ke futur aty nje karkalec,nje akrep bizantin,si fjalet akrepa,qe perdorte Zeqo,per tu dukur me i ditur se i jati.
    Nuk te ben nder ty :karkaleci “botim anastatik”.
    E sheh Xhuvanin ti qe di greqishten e vjeter,greqishten byzantine,se e mbaroi universitetin ne Athine.
    Di latinishten,gjermanishten,por edhe kur i duhen shembuj nga keto gjuhe,i perdor ACIK.
    Ja si e citon Geten ne gjermanisht.
    Ti fut karkalecin ANASTATIK,tek Xhuvani i madh,qe te dhjefsha anastatikun tat.
    Po te ishte per te futur anastatikun e leshit,i fuste Xhuvani,,se ishte specialist,,poor i hoqi,i qeroi tyartabiqet turko bizantine nga fjalori i gjuhes shqipe.
    Une thashe se shpetova nga SYNOPSET,NGA PALIMPSESTET e Zeqos,mu gjind anastatiku i Mancakut.Po pse mor Mancak,Ti je dhe moshe e vjeter?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim