Një shqiptare përzgjidhet Miss Provinca në Francë

September 13, 2017 11:22

Një shqiptare përzgjidhet Miss Provinca në Francë

Entela Resuli – DITA

Pas viteve ’90 kemi dëgjuar dhe publikuar shumë lajme për vajza shqiptare që zgjidhen si “më të bukurat” në vendin e huaj ku kanë emigruar dhe jetojnë. Këtë herë, është rasti i 23-vjeçares nga Gjakova që ka zënë vend në shumë media franceze, për sharmin dhe bukurinë e saj.

Ajo  është zgjedhur… “miss Provence”. Kleofina Pnishi është kurorëzuar si më e bukura e provincës juglindore të Francës me pesë milionë banorë, duke siguruar kështu të drejtën për të marrë pjesë në Miss France 2018, një prej ngjarjeve më të mëdha në shtetin francez.

Nëse yjet si Dua, Rita dhe Era po bëjnë krenare shqiptarët në industrinë muzikore botërore, në botën e bukurisë po zë vend një tjetër emër, Kleofina.

Në këtë rrëfim ajo tregon fillimet e karrierës, synimet e saj për të ardhmen dhe përgatitjet për ngjarjen e Miss France 2018.

-Kleofina, ke lindur në Kosovë, por je rritur në Francë. Sa e vështirë ishte për ty që të integroheshe në jetën sociale në Francë?

Kam ardhur në Francë në moshën 5-vjeçare, gjatë luftës në Kosovë. Integrimi është gjithmonë i vështirë në secilin vend të huaj. Gjuha e huaj, kulturë e re… por kam pasur fatin që kam shkuar në moshë të vogël dhe integrimi u bë në mënyrë natyrale. Jam munduar të marr pikat pozitive të të dyja kulturave.

-Ku je angazhuar në fillimet e tua?

Jam ndër ata njerëzit hiperaktivë që gjithmonë kanë dashur të bëjnë shfaqje të ndryshme si fëmijë para familjarëve dhe shoqërisë. Që në moshë të vogël kam shikuar filma dhe kam imituar rolet e aktorëve të ndryshëm. Publiku im i parë ishte familja ime.

-Cilat ishin ëndrrat tuaja në fillimet e kësaj rruge?

Ëndrra ime nuk ka ndryshuar në asnjë moment të jetës, gjithmonë kam pasur dëshirë të jem aktore. E kam shprehur këtë ëndërr në mënyra të ndryshime sipas moshës dhe mundësive që më janë dhënë gjatë rrugëtimit tim.

-Ke marr pjesë me ndonjë projekt filmik?

Besoj se njeriu lind me një talent, por me punë shfaqet dhe bëhesh edhe më e aftë. Në gjimnaz, kam marrë pjesë në një komedi muzikale, dhe profesori më ka këshilluar që të mos ndalem asnjëherë. Kam luajtur në disa filma televiziv në Francë si “Les Mysteres du Lac” dhe kam disa projekte të tjera për filma ndërkombëtar.

-Dëshiron më shumë të të konsiderojnë si modele apo aktore?

Hmm… nuk e përshkruaj veten si modele. Më shumë si aktore. Por, është e vërtetë se me modelizëm kam filluar në botën profesionale. Modelizmi është një mënyrë tjetër të shprehësh emocione para kamerës dhe ishte eksperiencë që më ka ndihmuar edhe për aktrim.

-Na trego ndonjë eksperiencë si modele?

Kam pasur një fotosesion për revistën “Elle” në France. Fotosesioni u realizua në Londër. Ishte një ndër eksperiencat më të mira profesionale që kam pasur. Në aktrim kam eksperienca interesante, filmi i parë të cilin kam luajtur quhet “Les Meurtres aux Mont Ventoux”. Kam pasur fatin të luaj me një aktore franceze që e çmoj shumë Ingrid Chauvin. Xhirimet ishin në një ambient të hapur dhe ishte shumë ftohtë në dhjetor. Pavarësisht lodhjes dhe kohës së ftohtë, nuk kisha dëshirë që të mbarojnë ditët e xhirimeve. Aty e kuptova se nuk është vetëm një ëndërr, por që e dua me të vërtetë këtë punë, sepse edhe lodhja ishte pozitive. Mbaj mend veten teksa mendoja se po jetoj një ëndërr dhe se është vetëm fillimi i kësaj ëndrre.

-Së fundmi ke vizituar vendlindjen. Çfarë ndjeni për Kosovën dhe si ndiheni kur njerëzit flasin për ty e të komplimentojnë për karrierën, bukurinë e gjëra tjera?

Edhe pse nuk kam jetuar në Kosovë, nuk kam pasur shkëputje të vërtetë me vendlindjen asnjëherë, sepse e kam vizituar shumë shpesh. Ishte e rëndësishme për mua të mos e humb gjuhën dhe kulturën shqiptare, edhe pse jetoj larg. Ndihem krenare që jam shqiptare, dhe i vlerësoj shumë ata që më përkrahin dhe ndihen krenar për arritjet e bashkatdhetarëve jashtë vendit. E them shumë shpesh edhe në intervista në Francë se forca ime është origjina ime. Më jep motiv më të madh t’i arrij qëllimet e mia. Nuk besoj që ka ndjenjë më të mirë se as t’i bësh krenar njerëzit që besojnë në ty.

-Je zgjedhur Miss Provence, që mundëson të jesh pjesë e Miss France 2018 e të përfaqësosh rajonin me 5 milionë qytetarë. Si ndihesh për një titull të tillë?

Ndihem shumë mirë dhe me fat që mundem të përfaqësoj regjionin ku jam rritur në Miss France. Këtë eksperiencë e shoh si një mundësi të arrij edhe qëllime tjera në aktrim. Sepse ka shumë shikueshmëri dhe të hap shumë dyer tjera në botën e artit.

-Ke qenë nga ato vajza që e ke ëndërrua të jesh në ditë Miss?

Të them të drejtën, asnjëherë se kam menduar të konkurroj për Miss apo të bëhem Miss. Por, më kanë kontaktuar të marr pjesë dhe nuk kam besuar që do të kem sukses në këtë rrugëtim. Më pëlqejnë eksperiencat e reja dhe këtë vit kisha nevojë për një sfidë të re. E ndoqa instinktin tim që më tha të marr pjesë dhe nuk më doli gabim (qesh). Dua të jap maksimumin tim më 16 dhjetor në Miss France që do të transmetohet “live” në kanalin TF1.

-Ka qenë dikush që të ka shtyrë dhe ndihmuar drejtë kësaj rruge?

Nuk do të kisha dhënë emër të caktuar sepse ka shumë. Por, besoj se janë të gjithë ata persona që kanë besuar në mua dhe ma kanë transmetuar atë besim për të vazhduar në drejtim të ëndrrave të mia.

Je bërë 23 vjeçe së fundmi, ku e sheh veten pas 5 vitesh?

Shpresoj të kem arritur në kinematografinë botërore, pse jo me një Oscar! (qesh).

-Për çfarë studion?

Jam e diplomuar në media dhe gazetari. Nëse nuk do të isha modele ose aktore, ndoshta sot do të isha një gazetare.

-Ke një mesazh për ata që të ndjekin?

I falënderoj të gjithë njerëzit që më përkrahin dhe më dërgojnë mesazhe pozitive. Jeni një pjesë e pandashme e suksesit tim dhe shpresoj që është vetëm fillimi. Mesazhi im për të gjithë ju është: Mos ndaloni kurrë së ndjekuri ëndrrat tuaja.

September 13, 2017 11:22
Komento

1 Koment

  1. anticensurë25642654 September 13, 12:43

    “Një shqiptare përzgjidhet Miss Provinca në Francë”
    ajde shtyp ajde,” “miss Provence”.,jo po mis rrethi!!!
    idiotët e mutit PROVANS!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*