Një sqarim i vogël për Gëzim Bashën dhe opinionin Gara e Kadetëve

July 5, 2017 09:30

Një sqarim i vogël për Gëzim Bashën dhe opinionin Gara e Kadetëve

 

Xhevdet Shehu

Ky shkrim është dërguar ekskluzivisht për ‘DITA’ nga SHBA në vazhdim të shkrimeve që ne kemi botuar për situatën në partinë më të madhe opozitare pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Gëzim Bashën e njoh prej më shumë se njëzet vjetësh. Në gjysmën e parë të viteve ’90, ai ishte pedagog i ri në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, ndërkohë që për rreth dy vjet punoi edhe si korrespondent i Zërit të Amerikës me bazë në Gjirokastër për jugun e Shqipërisë. Ishte mjaft korrekt në detyrën e tij dhe, mbi të gjitha kurajoz. Ai denoncoi në atë kohë një rast të rëndë korrupsionin në doganën e Kakavijës, fijet e të cilit shkonin deri në qendër lart fare… Ishte fillimi dhe shumë njerëz ende nuk e dinin kuptimin e fjalës korrupsion, por jo ministrat e atëhershëm që ia dinin kimenë parasë… Atëherë edhe e kërcënuan Gëzimin, çka e detyroi shtetin ta merrte në mbrojtje.

Me origjinë nga Lazarati i famshëm dhe me një formim natyrshëm të djathtë, Gëzimi nuk nguronte të godiste fenomenet negative që kishin filluar të shfaqeshin. Prandaj dhe nga një pjesë e kupolës blu ai nuk ishte i dëshirueshëm, madje disa nuk e honepsnin fare.

Pak vite më vonë ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht punon si pedagog letërsie në një kolegj. Që andej ai ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe shpesh reagon për fenomene e zhvillime që atij nuk i duken normale.

Me këtë ndjenjë ai ka ndjekur edhe zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe sidomos ato që po ngjasin në PD pas humbjes katastrofike që ajo parti pësoi më 25 qershor. Ndaj dhe po merr pjesë në debatin politik që po zhvillohet midis klaneve të ndryshme në garën për kryetarin e ri të partisë. Me sa duket Gëzimit i hapin barkun deklaratat dhe qëndrimet e disa figurave të vjetra e të stërkonsumuara që, sipas tij, kanë dalë në mejdan dhe po përpiqen të bëhen pengesë që ajo parti të mos marrë veten kurrë. Natyrisht që Gezimi ka pikëpamjen e tij për atë parti, ndërsa këta, pra Imamin, Rulin, Topallin e të tjerë ai i quan kadetë, ndërsa PD-në e konsideron një shkollë politiko-ushtarake që vazhdon ta mbajë zap një njeri i vetëm, Sali Berisha.  

July 5, 2017 09:30