Një takim i çuditshëm në Romë

May 16, 2019 11:13

Një takim i çuditshëm në Romë

Nga Shaban Murati

Një ditë përpara se të vinte në Tiranë për të marrë pjesë në 9 maj në Samitin e nismës së Bërdo-Brijunit, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç zbriti në Romë në 8 maj për takime zyrtare. Nuk zhvilloi takime e bisedime as me presidentin e Italisë, që është rangu i njëjtë i protokollit, as me kryeministrin e Italisë dhe as me ministrin e jashtëm të Italisë.  Presidenti i Serbisë zhvilloi takim dhe bisedime vetëm me ministrin e brendshëm të Italisë, Matteo Salvini. Një takim i çuditshëm nga pikëpamja diplomatike dhe protokollare, që presidenti i një shteti zhvillon takim vetëm me ministrin e brendshëm, post me të cilin nuk e lidh as rangu dhe as mandati. Një takim, që habiti gjithë qarqet diplomatike në Romë. Një takim i çuditshëm, i kërkuar me këmbëngulje nga presidenti i Serbisë, të cilit i duhej një vizitë në Romë dhe trokiti në shumë dyer, derisa t’i i hapej njëra dhe ai ta propagandonte si “takim me Italinë”.

I duhej shumë një takim në Romë, sepse presidenti i Serbisë e ndjen veten dhe shtetin e tij më të izoluar se kurrë nga pikëpamja diplomatike. Është koha kur diplomacia europiane dhe diplomacia ndërkombëtare kanë arritur pikën e ngopjes me qëndrimet anti-perëndimore të Serbisë. Qëndrime anti-perëndimore të konkretizuara me kokëfortësinë alogjike për të mos njohur shtetin e pavarur të Kosovës dhe sidomos me tradhtinë strategjike serbe me Rusinë, për nder të së cilës Serbia organizoi në 10 maj në qytetin e Nishit një paradë pompoze ushtarake me pjesëmarrjen e forcave ajrore ruse dhe nën drejtimin e kriminelit ndërkombëtar të luftës,Vladimir Lazareviç, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

Presidenti i Serbisë kërkoi me ngulm një takim në Romë, sepse dëshironte të vinte në Samitin ballkanik të Tiranës me një sukses diplomatik ndërkombëtar dhe ta shiste si një përkrahje të Italisë për qëndrimin e Serbisë në çështjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Presidenti i Serbisë e dinte se të gjithë shtetet pjesëmarrëse dhe të ftuara në Samitin e Tiranës janë shtete, që e kanë njohur Kosovën. Presidentit serb dhe Serbisë i duhej pak oksigjen diplomatik që të lehtësonte izolimin ndërkombëtar, që e ndjeu fort në samitin e Berlinit dhe që do ta ndjente edhe në Samitin e Tiranës lidhur me Kosovën. Presidenti serb kishte bërë llogarinë e gabuar diplomatike se duke krijuar artificialisht zhurmën dhe alibinë e taksës së drejtë të Kosovës ndaj mallrave serbe, ai do të shmangte kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare që Serbia të njohë Kosovën. Ai nuk e kishte kuptuar se, pavarësisht kërkesës së Perëndimit ndaj Prishtinës që të heqë taksën, qëndrimi i vendosur  i Perëndimit që Serbia duhet të njohë sa më parë Kosovën nuk ka ndryshuar. Në këtë situatë izolimi në rritje Beogradit i kanë mbetur në dorë vetëm kartat e spekulimit diplomatik.

Një spekulim të tillë diplomatik presidenti serb u përpoq ta përhapë  pas takimit në Romë me ministrin e brendshëm italian, Matteo Salvini. Aleksandër Vuçiç deklaroi pas takimit me Salvinin se “Italia e kupton pozicionin e Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës, megjithëse kemi qëndrime të ndryshme dhe Italia e ka njohur pavarësinë e Kosovës”. Presidenti serb deklaroi se ai ka diskutuar me ministrin e brendshëm italian bombardimet e NATO-s mbi Serbi në vitin 1999 dhe i ka shpjeguar plagët, që ka pësuar populli serb. Nuk ka absurditet më të madh se ky pretendim i Vuçiçit, që thotë se ka diskutuar me ministrin e brendshëm italian ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Serbi para 20 vjetësh, dhe harron se shumica e inkursioneve ajrore të avionëve të Nato-s kundër Serbisë në atë kohë niseshin nga territori italian dhe Italia ishte një pjesëmarrëse aktive e gjithë operacionit të NATO-s.

Presidenti serb u përpoq të ngrinte një tymnajë në mediat e vendit të vet dhe në mediat ruse se gjoja ai kishte arritur sukses që të afronte ministrin e brendshëm italian dhe Italinë me qëndrimin e Serbisë për çështjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Madje agjencia zyrtare serbe e lajmeve, TANJUG, në njoftimin e saj të datës 9 maj për takimin e Romës përhapte një fake news se “Salvini është një avokat i rikonsiderimit të njohjes së Kosovës nga Italia, thanë raportet”. Aq e pavërtetë është kjo, sa që edhe agjencia shtetërore serbe nuk guxon të shpikë ndonjë burim zyrtar, por përdor shprehjen idiote nga pikëpamja profesionale “thanë raportet”.

Presidentit të Serbisë i duhej një takim me cilindo personalitet të çdo dikasteri e rangu në Romë, me qëllim që të riparonte disi goditjen, që  pësoi reputacioni i tij në Samitin e Berlinit të 29 prillit, të organizuar nga kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Makron, ku Vuçiç ndjeu shumë qartë si morsën e presionit diplomatik gjermano-francez, ashtu dhe izolimin e thellë diplomatik të Serbisë  në Europë, gjë të cilën e pohoi vetë publikisht pas samitit.

Në një situatë të tillë presidenti serb mendon se do të gjejë lehtësim në trukun meskin ballkanik të përpjekjes së shtetit të vogël serb për të vënë të mëdhenjtë e Europës kundër njëri-tjetrit. Befas diplomacia serbe u fry në vetëkënaqësi, duke nisur të përhapë “fake opinionet” se megjithë presionin gjermano-francez, Beogradi në Europë paska siguruar mbështetjen e një shteti të madh si Italia. Në datën 10 maj “Le Courrier des Balkans” shkruante lidhur me takimin e presidentit serb me ministrin e brendshëm italian: “Në vend të Parisit dhe Berlinit Aleksandër Vuçiç preferon boshtin Romë-Budapest. Pas fiaskos në Samitin e Berlinit presidenti serb ka gjetur një mik të ri në personin e Matteo Salvinit”. Mediat ndërkombëtare ruse u përpoqën që t’i ngrenë disa pikë profilit të rënë të Vuçiçit, duke i bërë një  jehonë të pazakontë takimit të tij me ministrin e brendshëm italian. Në datën 8 maj organi kryesor i propagandës ndërkombëtare ruse për jashtë,“Sputnik news” jepte njoftime dhe intervistën me një ekspert italian të çështjeve ballkanike, Luka Susiç,i cili për këtë takim theksonte se “Në Beograd shpresojnë që një përfshirje më e madhe e Italisë në ndeshjen ballkanike mund t’i ndihmojë të balancojnë fuqinë e jashtëzakonshme gjermane dhe franceze”.

Loja meskine diplomatike apo intriga e vogël bizantine, që kërkon të luajë presidenti serb, mund të konsiderohet një autogol i zakonshëm ballkanik. Gjermania, Franca, Italia,Britania e Madhe, etj. kanë qenë dhe janë mbështetës të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës dhe është komike të mendohet se do të dëgjojnë Vuçiçin të ndërrojnë strategjitë e tyre perëndimore. Ëndrrat serbe në diell se pikëpamjet e ndryshme dhe normale midis shteteve europiane do t’i vijnë në ndihmë lojës së Serbisë, janë thjesht lexim i keq i historisë.

Presidenti serb dhe diplomacia serbe po auto sugjestionohen me tymnajat për takimin e çuditshëm të Romës. Por edhe për këtë takim të vërtetën e gjen tek deklarata e vetë ministrit të brendshëm italian për takimin, ku vetëm shprehet se në bisedimet midis tyre presidenti serb e ka siguruar për bashkëpunimin maksimal për kontrollin e kufijve dhe për frenimin e imigracionit të parregullt. Pra ministri i brendshëm italian ka biseduar temën, që është brenda mandatit dhe kompetencës së tij qeveritare. Çështja e kufijve dhe e refugjatëve  është çështje për të cilën ministri i brendshëm italian është i njohur për intransigjencën e tij. Nuk e përmend asgjëkund fjalën “Kosovë”. Pra si ministër i brendshëm ai ka shfrytëzuar kërkesën për takim nga presidenti serb për të parandaluar vërshimet e refugjatëve në Itali, që të mos përsëritet situata e vitit 2015 kur Serbia qëllimisht e drejtoi lumin e refugjatëve sirianë drejt Kroacisë dhe ata vërshuan pastaj drejt Italisë.

Pozita e vështirë diplomatike duket e ka detyruar presidentin serb ta ulë stekën e protokollit dhe të pranojë derën e vetme, që iu hap, dhe të bisedojë me ministrin e brendshëm, sepse atij i duhej emri i Italisë, që të spekulonte për Kosovën. Por spekulimi serb nuk arrin dot të kalojë as kufijtë e Serbisë, e jo më të ketë efekt në samitet rajonale apo europiane, ku Beogradi po përplaset çdo ditë e më fort me kërkesën që të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.

****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

May 16, 2019 11:13
Komento

15 Komente

  1. qartesisht May 16, 11:58

    Pse qenke habitur kaq Sh. Murati? Vucic ne Itali ka takuar Matteo Salvinin politikanin me me teper influence dhe force e pare politike ne Itali. Dhe nuk ka trokitur ne shume dyer si genjen ti por ka shpallur axhenden e takimit me Salvinin para vajtjes ne Itali.
    Me tej Sh. Murati vazhdon tregon enderrat ne diell per nje izolim imagjinar politik te Serbise nga pikpamja diplomatike. Kete genjeshter te te tij ka nje faktor real e te qarte qe e hedh poshte : Pikerisht ajo Diplomacia perendimore qe eshte bere legen duke i bere presion te pa pare qeverise Haradinaj per te hequr taksen mbi mallrat serbe! Si thua ti Sh. Murati, kjo eshte shenje izolimi per Serbine apo shenje dorezimi pa kushte e diplomacise aktuale Made in 2M (Merkel-Mogherin) para shtetit serb? Si e perkthen ti si njohes diplomacie trysnine perendimore ndaj qeverise Kosoves per taksen e mallrave serbe? Asnje diplomat europian perendimor i markes Made in 2M nuk ka kushtezuar bisedimet Serbi-Kosove me njohjen serbe te Kosoves! Edhe kjo eshte shenje e “izolimit” perendimor ndaj Serbise perkthyer nga Sh. Murati?
    Serbia me ose pa Vucic eshte shtet nacionalist. Luan bukur me dy porta. Do anetaresim ne BE por kete nuk e ben pa kushte. Mban miqesine shekullore me Rusine. Kjo ka qene eshte e do mbetet Serbia. Po BE? Der sot i ka krehur bishtin serbeve, por nuk ja ka dale prap se prap te behet fiksim i tyre per anetaresim ne BE. Edhe keshtu me krehje bishti prap Serbia nuk e do kete BE sot. Do nje BE ku te anetaresohet pa u bere vasal i Junckereve dhe Mogherineve. Prandaj shkoi Vucic te takoje Matteo Salvinin, duke injoruar BE qe e sulmon si sovranist.

    Reply to this comment
  2. Gio May 16, 15:19

    I nderuar dipllomat i tejkaluar nga koha, mos bej shkrime si ne kohen e monizmit qe ti pelqejne palo elites qeverisese e opozitare sot. Ne se nuk ben dot analiza profesionale mos shkruaj per pagese. Serbia ka shume gjynahe nga e kaluara ndaj Shqiperise e ndaj Kosoves e ka shume ceshtje per te zgjidhur, por ky nuk eshte kriter gjykimi i politikes se saj te jashtme e i mardhenive me Russine apo me cilindo shtet tjeter europian, perfshi Italine, me te cilet, nuk dialogon ne interes te vet. Kosova dhe integrimi jane dy argumente te rendesishme, por njekohesisht jane edhe instrumenta qe shfrytezon per perfitimet saj. Jam plotesisht dakord edhe me komentin e “qartesisht”.

    Reply to this comment
    • Raimond vlonjati May 17, 02:49

      Salvini ka pranuar te takoje Vucic, sepse Salvini dihet qe eshte anti-myslyman, dhe Vucic si perfaqsues i nje vendi qe ka bere masakra kunder msylymaneve , eshte tamam njeriu qe i pelqen Salvinit te takoje

      Ndersa ne lidhje me izolimin e Vucicit qe thote ky Shabani, ky ja fut kot

      Se hjithe EU eshte pro Vucicit, se ata jane te gjithe kunder popullsise myslymane ne Europe, por nuk kane ca ti bejne Amerikes e cila nuk i lejon te jene ne ekstrem agresiv

      Se po te ishte per EU , Shqiperine , Kosoven dhe Bosnjen do e zhduknin fare fare

      Reply to this comment
  3. Orteku i Fekenit May 16, 16:48

    Aq keq eshte izoluar Srbia nga Italia saqe i ndertoi nje fabrike te re Fiati! Ne na mban me hater se na meson te qepim brek dhe opinga !
    Foli peles Shabe foli!

    Reply to this comment
  4. Ergys May 16, 18:36

    Ne Itali partia e Leges ka nxitur nje grup njerezish qe te mbledhin firma per ti paraqitur ne parlamentin italian per anullimin e njohjes se pavaeesise se Kosoves.Ne Itali kane mbetur qejfprishur qe ne Samitin e Berlinit me vendet e ballkanit perendimor Gjermania dhe Franca lane jashte perfshirjes Italine.Dhe Vucici e shikon si mundesi simpatine e partise se Salvinit ndaj Serbise.Prof Shaban Murati ngre nje diskutim me vlere dhe eshte i vetmi qe une e shih ne mediat shqiptare.Ne France dhe Itali jane aktivizuar qarqe qe po lobojne per anullimin e njohjes se Kosoves.

    Reply to this comment
  5. TLN May 16, 19:15

    Salvini eshte kelysh i Putinit dhe Vucici e sheh si aleat.

    Reply to this comment
  6. Aliu nga Selenic May 16, 20:43

    Salvini eshte pinjoll i fashisteve Italian, nDESA VUCI ESHTE EDHE KY SI ATA. pASTAJ TE MOS HARROJME SE VETEM iTALIA I DHE STRAHIM iBRAHIM rUGOVES NDASA TE TJERE NE eVROPE JO.!
    APra lidhjet me Milloshin ishin qe athere.!

    Reply to this comment
    • jaku May 17, 08:31

      ORE ALI ..LEGA ISHTE E VETMIA PARTI KUNDER SHQIPTAREVE DHE LUFTES NE KOSOVE,,SEBET EDHE SOT PO TE SHKOSH NE SERBI ME TE THUASH SE JAM ME PARTINE LEGA NORD TE QUAJNE MIK
      QE LEGA NORD ESHTE E LIDHUR ME RUSET E SERBET ,PRA ME PUTININ KJO ESHTE E DUKSHME .KUSH NUK E SHEH DO TE THOTE SE NUK DO TA SHOHE.SALVINI SHKON NE RUSI ,DHE KA NJE NJE MIQESI TE VECANTE ME RUSET ,QE JANE MIQTE E SERBEVE .PRA KJO E MBYLL RRETHIN E SE VERTETES SE SHKRIMT TE MURATIT..I CILI ME TE DREJTE SHKRUAN .PRA SHKRIMI ESHTE I SHKELQYER..SE NUK JU PELQEN ….

      Reply to this comment
  7. BK May 16, 21:06

    Ti kishte bere Shqiperia krimet e Serbise ne Ballkan, do na zhduknin nga harta politike.
    Serbise po ja krehin dhe do ja krehin bishtin vazhdimisht.
    Vetem Gjermania qe ka interesa ne Ballkan, eshte e vendosur kunder Serbise, te tjeret bejne gjasmi.

    Reply to this comment
    • Orteku i Fekenit May 16, 21:41

      Cfare interesash ? E ku i ka ne Ballkan Gjermania? Ekonomikisht vetem ne Serbi !!!!
      Shqiperia esht interesante per gjermanet kur behet fjale per redugjatet! Ne kete rast perpiqet te kurseje! Asgje tjeter!

      Reply to this comment
  8. Amerikani May 17, 08:59

    Uroni qe te githe qe nacionalistet si Salvini te jene minorance ne zgjedhjet e ardhshme per PE.
    Shqiptaret nuk mund te presin asgje te mire nga Savini , Orban, Le Pen etj.
    Uroni qe demokracia liberale te triumfoje.
    Italia si politike shteterore vertet qe ka mbajt nje qendrim ne koherence me BE ne raport me Kosoven por Vuçic takon Salvinin se jane njesoj dhe jo se nuk e priti kush tjeter. Dihen perpjekjet e Salvinit per te krijuar nje aleance me te gjithe partite nacionaliste e populiste te BE, parti nje pjese e te cilave e kane deklaruar hapur mbeshtetjen qe u vjen nga Putin.
    Me Salvinin , Vuçiç ndihet si midis shokesh.
    Prandaj kurre nuk i kam kuptuar injorantet brenda Shqiperise qe mbeshtesin keto monstra fashiste idhetare te Duxe si Salvini dhe kudo tjeter ne Europe.

    Reply to this comment
  9. PANO HALLKO May 17, 22:47

    Kur flet Profesor Shaban Murati për diplomacinë , mirë do ishte që të gjithë ne të tjerët(përfshi edhe ata “të diturit”) të heshtim. Është thuajse i vetmi aset kombëtar që kemi në diplomaci, e i vetmi intelektual patriot që nuk leh sipas interesave partiake. Ai një jetë të të tërë, shkruan për interesin kombëtar.

    Reply to this comment
  10. Ana May 18, 05:26

    Vucic i dha porosite e Putinit Salvinit pasi te dy jane nen daren Ruse. SALVINI eshte i kapur me video e fakte nga Ruset dhe ata e kane ne dore dhe Italia eshte kali i trojes i cili do rrezoje evropen. Putin po ja harrin qellimit.

    Reply to this comment
  11. Vasili May 18, 12:59

    Perseri ne funksion,kjo wc allaturka,virus ne funksion,kunder ketij populli dhe ketij kombi europian,qysh nga koha e nexhmijes,qe ne menyre periodike e cvarros kjo gazete dhe e ekspozon duke infektuar vetvehten dhe shkaktuar neveri tek lexuesit..

    Reply to this comment
  12. Arben May 19, 08:53

    Nuk eshte per tu habitur fare, romano prrrrrodi bente tregeti me milloshevicin kur masakroheshin shqipetaret.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*