Një udhëtim për të parë…Andrra n’Tren!

April 27, 2018 10:17

Një udhëtim për të parë…Andrra n’Tren!

Entela Resuli – Dita

Nga nëntori i vitit 2011, UNESCO ka caktuar 30 prillin si ditën ndërkombëtare të Jazz-it. Për të promovuar këtë datë, ditën e hënë grupimi “Hemingway Fan Club Albania” do të realizojë një udhëtim me tren nga Tirana-Shkodër.

Udhëtimi quhet “Andrra n’Tren” dhe është pjesë e “Swing Marathon”, që ky grupim e organizon për të tretin vit.

Të rinjtë që do të marrin pjesë do të kthehen pas në kohë, në vitet ‘40-’50 dhe me veshje, muzikë e kërcime si në ato vite.

Përveç atmosferës së gëzueshme, ky udhëtim do të gjallërojë edhe një mjet transporti publik që në Shqipëri po përdoret gjithmonë e më pak dhe është lënë në mëshirë të fatit…trenin!

Swing Marathon është konceptuar si një maratonë e vërtetë muzikore, 12 orë muzikë swing-live-non stop, në një udhëtim në kohë përmes notave muzikore, hapave të vallëzimeve dhe ngjyrave të viteve ’40-’50. Udhëtimi me tren zë fill në Tiranë dhe vijon drejt qytetit të Shkodrës; katër orë e gjysmë udhëtim me një mjet transporti jo fort komod në Shqipëri.

Altin Sukaj, producent

Treni shfryn avuj vetëm sajë të këtij aktiviteti dhe do të përshkojë linjën e vjetër hekurudhore të inauguruar më 1947 për t’i shpënë gjithë maratonistët, më shumë se 500 pjesëmarrës, në një udhëtim në të shkuarën, duke u krijuar edhe mundësinë e zbulimit të natyrës së mrekullueshme shqiptare.

E gjitha kjo do të shoqërohet me muzikë live, të interpretuar nga 22 artistë italianë të zhanrit swing, mes të cilëve ndër më të rëndësishmit dhe të talentuarit janë muzikantët e orkestrës së Renzo Arbore-s, që vijnë në Shqipëri për të tretin vit me radhë.

22 artistë, 3 banda dhe një DJ electro-swing do të luajnë bashkë me dhjetëra çifte balerinësh të lindy-hop, të ardhur nga gjithë vendi.

Festa nuk do të jetë vetëm në tren, por edhe në shesh, mes rrugicave karakteristike me shije veneciane deri në Kafen e Madhe të Shkodrës, me një ndalesë në Muzeun e Vuajtjeve të Diktaturës Komuniste, ku do të ekzekutohet një shfaqje jazz, shoqëruar nga baleti modern në kujtim të “shpirtrave të lirë”, intelektualëve shqiptarë që u burgosën dhe u torturuan, për shkak se iu kundërvunë persekutimit të regjimit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët njësoj si skllevërit afro-amerikanë gjenin prehje dhe shpresë për shpirtin e tyre duke improvizuar këngë në mënyrë kolektive dhe individuale.

Në përfundim të maratonës, në Teatrin Migjeni, të 22 artistët italianë do t’i japin jetë një spektakli unik në llojin e vet. E, siç e do tradita, gjithë publiku do të ngjitet në skenë dhe do të vallëzojë nën ritmin e muzikës.

Altin Sukaj, producent dhe organizator i Swing Marathon 3, tregon në këtë intervistë për gazetën Dita udhëtimin e kësaj të hëne, i cili për ata që do të jenë pjesë, do të jetë një ditë jo e zakonshme…

        

-Altin, kjo nuk është hera e parë që organizoni “Andrra në tren”… çfarë do të ndodh këtë 30 Prill në trenin e linjës Tiranë- Shkodër?

Ky është edicioni i tretë i Swing Marathon, mes muzikës Swing- Jazz që po bëhet gati për të marrë Trenin nga Tirana në Shkodër. Kënaqësisë së paparë të atyre që kanë marrë pjesë në të gjitha edicionet e tjera, shoqërisë së mrekullueshme të peizazhit shqiptar, dhe atyre që vijnë për herë të parë. Qofshin këta shqiptarë por edhe të huaj. Jo vetëm që ka patur sukses, si viti i parë dhe i dytë, por mund të themi që njerëzit përgjatë të gjithë vitit kanë pritur me padurim këtë datë, edhe pse 30 Prilli i këtij viti qëllon e hënë dhe ka kushtëzuar jo pak ata që duhet të mungojnë në vendet e punës.

Kjo është Andrra n’Tren! Është një sakrificë mes dëshirave, muzikës dhe stilit të jetës. Janë mbi 15 orë muzikë pa mbarim, gjatë gjithë ditës dhe natës nga Tirana në Shkodër. E gjitha kjo bëhet për herë të parë në Shqipëri, gjë që ne tashmë po e kthejmë në traditë, pasi treni është gjithmonë magjik. Qoftë ky tren i vjetër ose i ri.

-Na tregoni pak për detajet e organizimit për këtë vit. Ne tashmë nuk kemi një stacion treni, nga do të niseni dhe sa do të zgjasë si udhëtim?

Organizimi është i njëjtë si dy vitet e tjera, por nga viti në vit ndryshon në përbërje muzike. Këtë vit marrin pjesë 22 artistë të dëgjuar. Gjithsej janë 35 artistë, me shumë të huaj dhe më pak shqiptarë. Të gjithë takohemi pranë Hotel Rogner në orën 11:00.

Fillimi nis në stacionin e trenit në Kashar, ora 12:00. Për 4 orë luhet brenda trenit muzikë jazz dhe swing, nga artistë të ndryshëm. Mbërritja në Stacionin e Trenit në Shkodër, atje ka disa surpriza. Më pas nisemi drejt muzeut të Persekutimit ku do të luhet muzikë në kujtim të shpirtrave të lirë, që mbrojtën deri në fund idetë e tyre. Më pas kthehemi në Pjacë të Shkodrës, pikërisht te Kafja e Madhe, një tjetër vend historik i këtij qyteti të magjishëm, ku na pret një tjetër koncert, atmosferë që bën të ndihesh si në New Orleans, ku banda me tunxhe e ardhur nga Italia do të bëjë që të gjithë të përfshihen në kërcimin e pafundësisë. Ora 20:00 fillon muzika në Teatrin Migjeni, ku do të luajnë dy banda shumë të suksesshme nga Italia, gjithmonë Jazz dhe Swing, të shoqëruar nga një grup i madh baleti dhe nga vetë publiku që tashmë është kthyer në traditë në këtë maratonë muzike.

Ata të gjithë ngjiten në skenë dhe kërcejnë deri në fund të koncertit: sëbashku, artistët dhe balerinët profesionistë. Në këtë koncert do të vazhdojnë surprizat e bukura…Nuk po zbulojmë më tepër, pasi duhet të japim mundësinë që pjesëmarrësit të shijojnë këtë ditë magjike, ku si asnjëherë më parë publiku i moshave të ndryshme bëhet bashkë për këtë koncert Jazzi të madh në Shqipëri. E gjitha mbyllet me elektroswing. Në fund të natës, lodhja është e kaq e fortë, sa nuk na bën më përshtypje.

-Do të ketë një kod veshje, besoj?

Sigurisht që ka, sepse të gjitha Swing Maratonat tona, kanë ndër të tjera si qëllim joshjen e publikut me trenin, muzikën swing-jazz, dhe këtë vit stili është veshja e viteve ‘40-‘50. Në fillim nisëm me vitet 20-30, ndërsa edicioni i dytë ishte njëlloj me vitet 40-50. Të gjitha këto, përbëjnë kiminë e stilit të jetës ndryshe dhe kthim në kohë.

– Domethënë ata që do të udhëtojnë këtë të hënë më ketë tren, do të jetojnë për disa orë si në vitet ‘40-‘50?

Duke qenë se treni te ne sot për sot, është një stil jete i munguar, për këtë vit përsëri jemi mbështetur te stili i jetës dhe i veshjes së viteve ‘40-‘50. Më vjen mirë që dashamirësit e kanë mbështetur këtë gjë, dhe ky fakt është mirëpritur shumë. Është si të kalosh një jetë tjetër. Me pak fjalë është të kthehesh në kohë me Andrra n’tren. Nuk ka një makinë kohe në rastin tonë, por një tren gjarpëror shqiptar të mrekullueshëm prej 6-vagonash.

-Ky nuk do të jetë një udhëtim në qetësi, vetëm me zhurmën e avullit të trenit…?

Jo, do të jetë një koncert në lëvizje dhe shumë dashuri. Të gjitha janë të parashikuara me detaje sipas një programi të shkruar. 4 orë muzikë pa mbarim të muzikës jazz dhe swing që fluturon në tokën shqiptare. Nga trombat më të mira në botë është amerikani Michael Supnick, drejtori artistik i koncertit. Ndër të tjera Supnick luan në filmin e famshëm “Legjenda e pianistit mbi Oqean”. Vjen për të tretin vit rresht në Shqipëri së bashku me Swing All Star, të gjithë pjesë e orkestrës se famshme të Renzo Arbores, që kanë bërë histori me muzikën Swing në Itali dhe më tej. Gjithashtu marrin pjesë edhe Bue Dolls, tre vajza të talentuara qe na kthejnë pas në kohë me muzikën e viteve 40-50 të shoqëruara nga muzikantë po ashtu të talentuar. Retromarchingband, djem që me muzikën e tyre të japin shijen e New Orleans dhe vijnë për herë të parë në Shqipëri.

-Me mbërritjen tuaj në Shkodër, cilat janë aktivitetet që do të pasojnë?

Me mbërritjen në Shkodër, ka dy surpriza shumë interesante në Stacionin e Trenit. Më pas ecim gjatë ecjes sonë nëpër pedonale si rrallë herë më parë, me muzikë nga Retromarchingband mbërrijmë në Muzeun e Persekutimit në Shkodër. Pastaj koncertit në Piacë, e më pas në teatrin Migjeni.

-Altin pse vetëm në Shkodër? Keni menduar ndonjë udhëtim më të gjatë?

Shkodra është vendi i lindjes se familjes sonë, por edhe një joshje më shumë shqiptare. Mos harroni se, ky tren mund të shihet më shumë edhe si një udhëtim turistik joshës. Ne sigurisht, kemi menduar që ky tren ndoshta mund të lëvizë më shumë nëpër Shqipëri në edicionin e tij të katërt. Treni ka një lidhje shumë familjare me ne. Gjyshi jonë, Selim Sukaj (Sukniqi) në vitet ‘45-‘46 ka qenë pjesë e palës shqiptare për ndërtimin e hekurudhës sonë. Ndërsa xhaxhai jonë, Ibrahim Sukaj, ka qenë inxhinieri zbatues i ndërtimit të Teatrit Migjeni në Shkodër në fillimin e viteve ‘50-të. Pra, lidhja me Shkodrën është më shumë se shpirtërore. Madje ka edhe një fakt tjetër interesant. Xhaxhai tjetër, Xhavid Sukaj, është ndër disidentët e parë të atyre viteve. Ai është dënuar në po atë vend, ku sot është kthyer në Muze Persekutimi. Ne po aty do të luajmë muzikë për këta shpirtra të lirë në shenjë kujtimi ndaj tyre.

-Ka një simbolikë ky udhëtim?

Po. Teatri i mrekullueshëm Migjeni sot për sot për ne, kjo hekurudhë, por edhe vetë Shkodra, na ka bërë që ta organizojmë këtë atmosferë për International Jazz Day, ku tashmë Shqipëria është e regjistruar për të tretin vit.

-E çfarë ëndrrash mund të thuren në trenat tanë, ku vitet e fundit janë braktisur nga autoritetet, e për rrjedhojë edhe nga njerëzit?

E para: Është lajm shumë i mirë që hekurudha do të nisë nga puna e re shumë shpejt. Ashtu siç edhe ne shumë shpejt jemi duke përgatitur një surprizë shumë të madhe për të gjithë shqiptarët që kanë thurur ëndrrat e tyre me trenat tanë. Jo më kot titullohet Andrra n’tren.

-E imagjinoni ju si do të ishte Shqipëria nëse do të kishte një sistem të mirëfilltë hekurudhor?

Shumë e thjeshtë: Një Shqipëri pa stres rrugor!

-A është e nevojshme që të investohet për të rikthyer trenat për transport publik?

Gjithmonë. Sepse ata janë lehtësia e lidhjes së shqiptarëve brenda nesh. Por sa mirë do të ishte për të gjithë ne, nëse do të udhëtonim të paktën brenda Ballkanit, por edhe më gjerë me trenat tanë. Kjo është lehtësia e peshës së komunikimeve.

 

 

April 27, 2018 10:17
Komento

7 Komente

  1. Bravo ..Klas fare April 27, 10:50

    Super,
    per te Tilla evente ka shume nevoje ajo shoqeri ,
    per te dal sado pak nga ajo gjendje kome ,
    ku e ka Futur injoranca e Krimi politike ne kto 18-vjet
    marrezi totale kunder shqiptareve …
    e viva Jazz ,
    hm swing tanzen auuuu …nji kercim qe ne vetvehte perben nji koreografi/levizjet Ritmike mjaft sexi .
    (verdammt wäre gern dabi ) 😉

    Reply to this comment
  2. Rezbat beu April 27, 13:28

    Ne 40 shqiperia ka qene me poture dhe callma ky producenti kujton se ka qene londer

    Reply to this comment
  3. tv April 27, 18:34

    pse ka tren shqiperia,………ole, ole ole, o sa qef me qen shqiptar. SKA TREN….TIRANE- DURRES 2018,E SHIKONI SA RENDE JENI SI POPULL.

    Reply to this comment
  4. Guri Naimit D(Dh Xhoga) April 27, 18:42

    Pershendtie per kete nisme tashme e TRETA.si thoni Ju dhe,suksese,qe na sullni ato vitet e HEKURUDHAVE te PARA SHQIPTARE.braktisur pas 90ta. Faleminderit.
    Faleminderit dhe nismes pe RINOVIMIN e sistemit Hekurudhor shqiptar,nisur nga TIRANA kryeqytet.

    Me shume konsiderate;82 vjecari..Brezi pasluftes hedhur hapat e para.
    NDERIM ARYRE.

    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  5. Heu April 27, 19:08

    Nik na duhen trenat,as hekurudhat .Ato jane komuniste.
    Teatri Migjeni duhet prishur se eshte komuniste si dhe vete Migjeni komunist.
    Poshte komunizmi!
    Rrofte fashizmi!

    Reply to this comment
  6. Dhimbia e madhe popull. April 27, 20:11

    Si te mba DHEU shqiptar mbi VET o mos qofsh “Heu” komentues.
    V.O -Do i lutesha Gazret sone “DITA”,te tillet ti INJOEOJE se te tille jane,per te mos thene me tej;-antishqiptare.
    A

    Reply to this comment
  7. Tiran-Shkoder . Mbante 4-Ore (si i thone rendom ne shqip) April 27, 20:20

    Kjo linje zgjon kujtime te fjetura ,
    te asaj periudhe te rinis se hereshme ,
    kur cdo flutur qe fluturonte para syve ,ti mendoje eshte jotja ,
    e ti s’e lije shancin pa e jetuar ,
    kur vrapoje s ne stuhi te rrembeje “pasionin”
    qe ne ate kohe cfaqej me veshtiresi ,spontan,
    diku ne plazhe,
    ose ne ndonji tjeter rastesi te fatit e cila ,mbas atij malli qe shperthente Brenda gjoksit ,te priste e lotuar nga gezimi ne shkallet e Shkolles X.
    Treni e ben udhetimin mjaft Romantik ,me besoni mua ,
    sidomos kur ne mbritje ,te pret Ajo … 😉

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*