Një urë transatlantike, Churchill, Bob Dylan dhe Rousseau

September 12, 2018 12:11

Një urë transatlantike, Churchill, Bob Dylan dhe Rousseau

Prof. Fatos Tarifa

(Vijon nga numri i kaluar)

Sondazhe të opinionit publik gjatë dekadës së fundit tregojnë se, në disa prej vendeve anëtarë të Bashkimit Europian, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shprehen se ata nuk do të dëshironin që vendet e tyre të ishin të lidhura në aleancë me Shtetet e Bashkuara. Ky realitet mund të jetë krijuar si rezultat i pakënaqësisë së publikut europian ndaj politikës së jashtme të administratës së Presidenti George W. Bush, veçanërisht pas fillimit të luftës në Irak dhe, sidomos, pas ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë të presidentit Donald Trump. Unë mendoj se një sentiment i tillë është kushtëzuar nga konteksti i zhvillimeve politike të viteve të fundit në Uashington dhe është, pa dyshim, i përkohshëm.Amerika bën gabime, por ajo është në gjendje të arrijë atë çfarë synon të realizojë. Për më tepër, siç ka vënë në dukje Presidenti Bill Clinton në fjalën e tij të inagurimit si Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, më 21 janar 1993, “Nuk ka asgjë që është e keqe në Amerikë, e cila të mos kurohet me atë çfarë Amerika ka të mirë”.

Amerika, një “ide ngjitëse”

Nga gjithçka që zbuloi dhe shpjegoi Sigmund Freud, asgjë nuk është provuar më e gabuar sesa thënia e tij se “Amerika është një gabim, një gabim gjigand”. E kundërta është e vërtetë. Amerika është jo thjesht e vetmja gjë e re në historinë mijëravjeçare të qytetërimit tonë, por edhe pararendësja e modernitetit dhe e progresit shoqëror, teknologjik e kulturor për mbarë njerëzimin. Amerika e kërkon modernitetin dhe lufton për të, ndërkohë që shumica e shoqërive, nga vetë natyra e tyre, janë konservatore, çka do të thotë se ato përpiqen t’u rezistojnë tendencave modernizuese. Siç shprehet Patrick Laude në një ese brilante të titulluar Botë e Re, Njerëz të Vjetër, “Ëndrra amerikane nuk është vetëm një formulë retorike për politikanët, ose një iluzion njerëzor i parajsës tokësore—Kalifornia e ëndrrave dhe e vetkënaqësisë”, por është gjithashtu, “një princip i një projeksioni të pafundëm, me të gjitha vlerat dhe ambicjet e saj të fuqishme”. Ky autor shkruan se “Amerika është në një proces të vazhdueshëm rikrijimi të vetvetes, përmes të cilit ajo i jep formë botës moderne”. Me fjalë të tjera, në mënyrë kreative dhe me entuziazëm, Amerika manifeston sot atë çka europianët e imagjinuan dhe e formuluan teorikisht në shekullin e 18-të”.

Sot, në fillim të shekullit të 21-të, ne jetojmë në një botë, të cilën amerikanët e përfytyruan dhe e krijuan si “të ardhmen” e tyre dhe që ne e quajmë globalizëm. Shoqëria e sotme ka tendencën të bëhet gjithnjë e më shumë globale. Sigurisht, ky proces ekonomik dhe shoqëror emancipues i paparë në shkallë globale është shoqëruar e shoqërohet, me një kosto të lartë, e cila rëndon mbi disa vende apo rajone të veçantë më shumë sesa mbi të tjerët. Ai shoqërohet, gjithashtu, me koston e përkeqësimit të kushteve të mjedisit, barrën e së cilës e mbajnë si metalurgët e çelikut në Pitsburg, ashtu edhe fiset e Amazonës, bujqit e Nigerisë apo komunitetet myslimane në periferi të Parisit. Sidoqoftë, arritjet e këtij procesi emancipues global  kanë qenë dhe janë kolosale e të mahnitshme.

Nuk duhet harruar, gjithashtu, se të “mirat publike globale” që krijon Amerika, kultura dhe vlerat e saj, kanë një ndikim të fuqishëm modernizues dhe emancipues në të katër anët e globit. Nën ndikimin e tyre dobësohen dhe zhduken sistemet e vjetër të vlerave, tradita të vjetra, struktura të vjetra pushteti, privilegje të vjetra etj. Pushteti transformues i Amerikës është i tillë që “e bën mbarë botën të adoptojë vlerat e saj—ose të dojë të izolohet [e të mbrohet] prej saj”. Në fjalët e këngëtarit të njohur irlandez Bono, “Amerika është më shumë sesa thjesht një vend; ajo është një ide. Një ide që duket se është ngjitëse”.

Unë jam më shumë optimist për të ardhmen e Amerikës, sesa për të ardhmen e Europës. Ky besim buron, ndër të tjera, edhe nga fakti se vetë amerikanët kanë qenë dhe janë më optimistë për të ardhmen e tyre se sa europianët dhe, në përgjithësi, besojnë se privacionet e sotme janë të mirat e së nesërmes. Këtë konkluzion e përforcojnë, gjithashtu, një varg sondazhesh të opinionit publik të kryera vitet e fundit në të dy anët e Atlantikut, të cilat tregojnë se amerikanët janë, përgjithësisht, më optimistë se popujt e tjerë përsa u përket aftësive që ata kanë për ta ndërtuar vetë jetën e tyre, ndërkohë që janë dhe më pesimistë se europianët kur vjen puna te besimi se problemet e tyre mund të zgjidhen përmes ndërhyrjes së qeverisë.

Amerikanët, më shumë se “kushërinjtë” e tyre europianë, për breza me radhë kanë besuar dhe besojnë se e ardhmja do të jetë një botë më e mirë se e sotmja. Madje, siç ka ndodhur edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, qindra milionë europianoperëndimorë dhe njerëz në të katër anët e globit do të vazhdojnë të jetojnë një të ardhme, dizenjoja e së cilës mban markën amerikane. Kinematografia amerikane dhe muzika pop e saj, artet vizuale dhe letërsia e saj, pikëpamja e saj gjërësisht e përhapur se diploma universitare duhet të jetë një normë për këdo, si edhe insistimi i saj në komfortin e jetesës familjare kanë marrë në ditët tona një përhapje shumë të gjërë përtej klasës së mesme, e cila, gjithashtu, ka qenë një krijim amerikan, duke u bërë nevoja të domosdoshme për një klasë të mesme globale në çdo vend dhe rajon të globit, një klasë e mesme, e cila rritet numerikisht çdo ditë e më shumë. Bashkë me të gjitha këto, Amerika ka përhapur në mbarë globin elementet themelore të besimit të saj: lirinë e shtypit, lirinë e tregut dhe zgjedhjet e lira.

Churchill popullit anglez: “Kurrë mos u ndani nga amerikanët!”

Është e vërtetë se, për atë çka është dhe përfaqëson, Amerika nuk lë askënd indiferent. Rrjedhimisht, Amerika stimulon një gamë të gjerë sentimentesh anë e mbanë globit: admirim të madh, simpati, mirënjohje, por edhe zili, iritim, nevojë për mbrotje dhe gjithashtu nevojë për pavarësi. Të dhëna empirike sugjerojnë, se në rradhët e francezëve dhe të europianëve, shpesh herë “simpatia për Amerikën dhe amerikanët përzihet me indiferencën dhe admirimi i tyre për ta, me dyshime dhe mosbesim ndaj anomalive të shoqërisë amerikane”. Megjithatë, pavarësisht, marrëdhënieve herë-herë të vështira mes Uashingtonit dhe Brukselit dhe humoreve që ndryshojnë sipas stinëve politike këtej dhe andej Atlantikut, europianët e dinë se nëse Europa dëshiron të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në plan global, ajo nuk ka alternativë tjetër veçse ta lidhë të ardhmen e saj me atë të Shteteve të Bashkuara.

Një Europë feminine, e dobët, e trembur dhe e përçarë, mentalitetin e së cilës duket se e dominon filozofia disfatiste e kryeministrit britanik Neville Chamberlain në fund të viteve 1930, nuk mundet, fjala vjen, t’i kundërvihet zemërimit të Rusisë, madje, ashtu si në periudhën e Luftës së Ftohtë, nuk ka, ndoshta, as mundësi që të mbrohet prej saj. Nëse kjo është vërtet kështu, për Europën nuk mund të ketë këshillë më të mençur sesa fjalët e kryeministrit Churchill, i cili, më 1955, në mbledhjen e tij të fundit si kryeministër i Anglisë, u tha anëtarëve të kabinetit tij këto fjalë të paharruara: “Never be separated from the Americans!” (Kurrë mos u ndani nga amerikanët!).

Kësaj aksiome politike i janë përmbajtur pothuajse të gjithë kryeministrat britanikë që nga ajo kohë. Hugh Gaitskell, lideri i laburistëve britanikë nga viti 1955 deri më 1963, e reflektoi më së miri këtë besim kur ai i refuzoi kërkesat e hershme për integrimin e Britanisë së Madhe në Europë, me fjalët tashmë proverbiale: “Për ne, detet e hapura dhe një mijë vjet histori”. Asnjë kryeministër britanik deri më sot, përveç kryeministrit Edward Heath, nuk e ka vlerësuar lidhjen e Britanisë me Europën më të rëndësishme, sesa lidhjen e saj me Shtetet e Bashkuara.

Duke mos pasur një politikë të vetëntë mbrojtjes dhe të sigurisë, Europës edhe sot, gati 30 vite pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, i duhet të mbrohet nga çdo rrezik eventual duke qëndruar nën ombrellën amerikane. Prania ushtarake amerikane vazhdon të ketë një rëndësi të dorës së parë për sigurinë dhe stabilitetin e Europës. Pa të, Europa nuk mund të jetë e qetë dhe e sigurt; pa të integriteti i saj politik, ekonomik e financiar nuk mund të ekzistojë dot ashtu siç e njohim ne sot.

Në ngjashmëri me këtë politikë konstante të Britanisë së Madhe në marrëdhëniet e saj të ngushta me Shtetet e Bashkuara, për të parën herë që nga themelimi i Cinquième République më 1958, një president francez, si Nicolas Sarkozy, duket se hoqi dorë nga kredoja goliste e pothuajse të gjithë paraardhësve e tij, të cilët kërkonin një Francë jashtë çdo influence amerikane e “të pavarur” prej Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë dhënë Radios “Europe-1”, në maj të vitit 2007, Presidenti Sarkozy shprehej: “Nëse do më pyesnit se me cilin vend do të mbajë Franca lidhje më të ngushta—Shtetet e Bashkuara apo Rusinë—përgjigjja ime do të ishte Shtetet e Bashkuara….Miqësia mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara është guri themeltar i stabilitetit në botë. Pikë”.

Shumë liderë europianë, të cilët janë të përkushtuar ndaj një farë versioni multilateralist të internacionalizmit, ndjehen akoma krejt të paqetë me idenë e “eksepsionalizmit amerikan”. Kjo është një ide e vjetër, që nga koha e krijimit të kombit amerikan, sipas së cilës, amerikanët janë një komb i veçantë për shkak se, siç ka vënë në dukje filozofi Leo Strauss, Amerika është i vetmi vend në botë i cili “është themeluar në kundërshtim të hapur me principet makiaveliste”. Në të njëjtën linjë arsyetimi, Francis Fukuyama thekson se Shtetet e Bashkuara munden, në fakt, të jenë ndryshe nga fuqitë ose perandoritë e tjera të mëdha, por, thekson ai, interesimi për hegjemoninë e saj mbështetet “në besimin tek eksepsionalizmin amerikan, të cilin shumica e joamerikanëve nuk e besojnë”.

Winston Churchill, i cili kishte një admirim të veçantë për tregun e lirë, për sipërmarrjenprivate dhe për oportunitetet e stilit amerikan, kishte gjithashtu një “besim të patundur” në progresin e “Republikës së Madhe” (The Great Republic), siç e quante ai Amerikën. Besimi i tij i patundur tek Amerika ishte—në kohën e tij dhe vazhdimisht—në themel të marrëdhënieve të veçanta anglo-amerikane. Marrëdhënie të ngjashme duhet të jenë edhe ato midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjerë europianë, nëse do të donim të shihnim një shekull paqësor dhe të begatë vis-à-vis veprimeve të paparashikueshme të qeverive autokrate të fuqive të tilla, si Rusia, Kina, Irani apo Pakistani.

Bob Dylan, fjalë për “veshët e Europës”?

 Fuqitë europiane sot nuk janë më fuqitë e mëdha të dikurshme, ndërkohë që Amerika mbetet superfuqia e vetme e globit. Po kështu, ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, situata e sigurisë në Europë, sado e rëndësishme që është ajo, duket se nuk dominon më si më parë konsideratat strategjike amerikane. Për këtë arsye, Uashingtoni është i lirë të riformulojë dhe të rishprehë tendencat themelore të kulturës së tij strategjike duke u “mësuar të bëjë strategji edhe pa Europën”, nëse kjo do të bëhej e domosdoshme. Kjo, sot për sot, mund të duket e vështirë, por nuk është e pamundur.

Ndërkohë, Europa, e cila është në prag të humbjes së të ardhmes së saj, nuk mund ta përballojë dot humbjen e miqësisë së Amerikës dhe të bashkëpunimit me të. Në udhëkryqin e sotëm të historisë, europianëve do u duhet të vendosin nëse dëshirojnë të mbeten aleatë të Shteteve të Bashkuara, ose jo. Dhe, përderisa të mos jesh aleat i demokracisë më të madhe dhe i vendit më të fuqishëm në botë nuk është një opsion i mençur, europianëve do u duhet të jenë aleatë të mirë. Me këtë, unë nuk kuptoj nënshtrimin e Europës ndaj Amerikës; përkundrazi, ky është një mësim që historia na ka dhënë vazhdimisht gjatë njëqind viteve të fundit. Pavarësisht përpjekjeve të disa qeverive europiane për të ndjekur një rrugë disi më të pavarur në çështjet e sigurisë europiane dhe në problemet gobale, varësia strategjike e Europës nga Shtetet e Bashkuara nuk mund të konsiderohet si një ekzagjerim. Nëse do u duhej të zgjidhnin, shumica e europianëve, ndoshta, përsëri do të preferonin më shumë një marrëdhënie të fortë transatlantike, sesa një Europë “të pavarur”, “post-moderne”, “habermasiane” në kërkim të vendit të saj si një “paragon i virtyteve ndërkombëtare” në botën e nesërme.

Realisht, në marrëdhëniet e saj me Amerikën, Europa duket se ka vetëm tri opsione: ose të ndahet prej saj, ose ta kritikojë atë, ose t’i qëndrojë besnike asaj.

Opsioni i parë: Europa mund të vendosë të zgjedhë një pavarësi strategjike prej Shteteve të Bashkuara (një ambicje kjo, të cilën francezët e kanë manifestuar vazhdimisht), duke i dobësuar marrëdhëniet me Amerikën në fushën e sigurisë për të dalë si një fuqi globale e pavaruar dhe “e barabartë”, e cila promovon interesat e saj.

Opsioni i dytë: Europa mund të mbetet aleatja transatlantike e Amerikës, por të kundërshtojë propozimet amerikane dhe të mos mbështesë ato iniciativa të Uashingtonit, të cilat ajo i konsideron të njëanshme, jo të drejta, ose të rrezikshme, duke e zgjeruar kështu autonominë e saj ndaj varësisë prej Shteteve të Bashkuara.

Opsioni i tretë: Europa mund të përkrahë iniciativat amerikane duke synuar që marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara në disa fusha të mund t’i sigurojnë asaj influencë në fusha të tjera.

Vendimet që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara do të marrin sot dhe në vitet që vijnë do të kenë një impakt të jashtëzakonshëm për të ardhmen e kësaj marrëdhënieje shumë të rëndësishme transatlantike dhe për fatet e planetit tonë. Europa mund të zgjedhë që të qëndrojë më vete. Po kështu, askush nuk mund ta fajësojë Amerikën, si superfuqia e vetme, nëse ajo do të shohë në të ardhmen punët dhe interesat e saj, pa u preokupuar shumë për interesat e Europës dhe t’i thotë asaj, në fjalët e këngëtarit Bob Dylan, “You go your way, and I’ll go mine” (Ti në punën tënde dhe unë në timen).

Por, nëse Europa—në qoftë se ajo ndahet nga Amerika—nuk ka se ku të shkojë veçse të fokusohet më shumë në problemet e saj, pra të bëhet më shumë kontinentale dhe më pak atlanticiste dhe, nëse është me fat, edhe të integrohet akoma më shumë, Amerika mund t’i zhvendosë interesat e saj nga Atlantiku në Paqësor, njëlloj siç shohim se qendrat e mëdha të prodhimit dhe të kërkimit në Shtetet e Bashkuara kanë kohë që janë zhvendosur—ose janë krijuar nga e para—në Bregun Perëndimor të atij vendi. Duke qenë se rajoni aziatik i Paqësorit po bëhet gjithnjë e më shumë një qendër e fuqishme ekonomike e së ardhmes, Amerika mundet eventualisht të humbasë interesin e saj tek Europa duke u bërë, siç thotë intelektuali i shquar Italian, Umberto Eco, “jo një vend i Atlantikut, por një vend i Paqësorit”. Por, a do të ishte bota më e sigurt dhe më e stabilizuar nëse Europa dhe Amerika ndaheshin për të parë secila punën e vet? Dhe a do të mbetej Perëndimi akoma Perëndim?

Sparta, Roma, Amerika

Në përfundim, lexuesve të Ditës, të cilët kanë mundur t’i lexojë pesë esetëqë kam botuar ditët e fundit në faqet e kësaj gazete dhe që mund të kenë krijuar përshtypjen se unë e ekzagjeroj vendin dhe rolin e Amerikës në raport me Europën në konstelacionin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, dëshiroj t’u sqaroj atë që unë nuk mendoj dhe nukthem. Unë nuk mendoj se Amerika do të mbetet përgjithmonë fuqia hegjemone e globit. Asnjë shtet, sado i fuqishëm, nuk është e s’mund të jetë i përjetshëm. Siç thoshte Rousseau, “nëse Sparta dhe Roma u shuan, cili shtet mund të shpresojë se do të mbetet përjetë?”

Fund

September 12, 2018 12:11
Komento

2 Komente

  1. Roza September 12, 14:15

    Artikulli mbreselenes.
    Faleminderit Gazeta Dita.
    Faleminderit, Profesor!

    Reply to this comment
  2. Zeneli September 13, 06:55

    Cfare mbresash ke moj Roza nga keto dokra te kopiuara nga tere shkrimet e kohes. Qenke tyryfycke ne maredhenie nderkombetare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*