Një vajzë e ëmbël ju fton për në… Gramsh

May 19, 2017 10:11

Një vajzë e ëmbël ju fton për në… Gramsh

 

Entela Resuli – DITA

Kristi Janku është një blogere e njohur në Tiranë e cila njihet për pasionin e saj në gatimin e ëmbëlsirave.

Ajo studion Art Design, është në vitin e tretë në një universitet privat. Njihet në kryeqytet si një vajzë që i do shumë ëmbëlsirat, madje për këtë ka krijuar edhe një blog të vetën (kikiliciouss.com), aty ndanë receta dhe foto për të gjithë ata që kanë kurioz për gatimet e Kristit. Objektivi i saj gjatë studimeve universitare është pikërisht të eksplorojë marrëdhënien midis dizjanit dhe kulinarisë, diçka unike deri më tani dhe ndryshe nga të tjerët.

Teksa fillova të postoj mbi pasionet e mia në blog, kuptova sesa shumë njerëz ka që ndajnë të njëjtat pasione apo mendime me mua dhe e kundërta sa shumë njerëz të cilët me mendimet e tyre ndryshe nga ti, të bëjnë ta shohësh çështjen me një këndvështrim tjetër. Ndihem me fat që kam pasione të ndryshme, por që së bashku përbëjnë ato copëzat e puzzle-it tashmë të formuar. Në fakt gatimi, moda dhe format e tjera të artit kanë kaq shumë të përbashkëta dhe plotësojnë kaq mirë njëra-tjetrën saqë ndonjëherë mendoj se s’do kish kuptim njëra pa tjetrën. I vetmi ndryshim apo e veçantë që s’ia japin dot njëra-tjetrës është fakti se gatimi të plotëson dhe kënaq në mënyrë jetësore, ndërkohë që moda dhe format e tjera të artit janë më tepër estetike, por tepër të fuqishme… duhet cilësuar”- tregon Janku.

Kjo vajzë nuk nguron të kalojë orë të tëra në kuzhinë.

“Koha më e gjatë për një ëmbëlsirë të vetme s’më kujtohet, por ditët e punës me aktivitete të rëndësishme dhe të mëdha janë goxha impenjative dhe shpeshherë më duhet të kaloj mbi 10 orë në kuzhinë. Ndërsa për sa i përket kuzhinës përshtatem kudo të jem”.

Por këtë herë 22-vjeçarja këtë herë nuk na mban gjatë te ëmbëlsirat, ajo ka një ftesë për të gjithë. Ajo na thotë: “Eja në Gramsh”. Ajo vetë është nga Elbasani, me Gramshin për herë të parë është njohur në shkollë.

Gramshin dhe rrethinat e tij kam patur mundësinë t’i njoh më mirë gjatë lëndës “Promovim Qyteti”; një nga lëndët më të bukura të këtij viti shkollor. Një bashki e cila përfshin qytetin e Gramshit dhe 9 njësi të mrekullueshme përreth (Sult, Tunjë, Pishaj, Poroçan, Kukur, Lenjë, Skënderbegas, Kodovajt, Kushovë). Një potencial dhe një bukuri përrallore e cila gjendet fare pranë nesh, por ende e egër dhe e pa eksploruar nga shumica e banorëve në Shqipëri”- tregon Kristi për Dita-n.

Po çfarë do të ndodhi në Gramsh dhe pse na fton kjo vajzë atje?

“Ajo që do të ndodh ka të bëj me një festival aktivitetesh në natyrë në fundjavën e 26-28 Majit, 2017. Aktiviteti synon të lidhë më shumë qytetarët me natyrën, të krijojë alternativa të reja për të njohur qytetin, kulturën dhe traditën, si dhe të jetë stimulues për bizneset vendase. Kjo nismë, që synon të promovojë Gramshin si destinacion turistik, është po aq dhe një projekt social: një mundësi shumë e mirë, për të mbështetur në mënyrë të prekshme një komunitet vendas të zhvillojë aktivitete ekonomike në përputhje me parimet bazë të turizmit të qëndrueshëm”– pohon Kristi.

Ky aktivitet do të sjellë festë në qytetin e Gramshit dhe në njësitë administrative, një Festival Folklorik, një panair të specialiteteve vendase, dhe aktivitete argëtuese të ndryshme në natyrë për tre ditë më radhë.

Vajza nga Elbasani na numëron një e nga një se cila është oferta turistike e Gramshit deri tani i pazbuluar, ku spikasin Ujëvara e Sotirës, Kanioni i Holtës, Shpella e Kabashit, Liqeni i Dushkut, Grabova, Liqeni i Zi, Kanioni i Sinecit, Kalaja e Kodrionit dhe e Tëvolit, dhe Rovie e Kukurit. Ky qytet ofron mundësi të jashtëzakonshme për ecje në natyrë (hiking), marshim (trekking), kamping (camping), ngjitje dhe kacavarje në shkëmbinj (climbing), offroad rally, çiklizëm, eksplorim shpellash (caving), eksplorim kanionesh dhe burimesh të tjera ujore si ujëvara, liqene, lumenj. Ky aktivitet organizohet nga Bashkia Gramsh në bashkëpunim me Co-PLAN, Institutin për Zhvillimin e Habitatit.

Kristi, është njohur me qytetin e Gramshit gjatë një detyrë kursi, ku qëllimi ka qenë ta promovojë atë. Por kur e ka parë nga afër se çfarë bukurish ka ky qytet është befasuar, ndaj edhe detyrën e ka patur më të thjesht, por gjithashtu të veçantë.

Drejt… Gramshit

Gramshi është një qytet jo më shumë se tri orë udhëtimi nga Tirana, një qytet i vogël e i pastër nga ku mund të shikohet dhe shijohet madhështia e malit Tomor.

Është një vend turistik dhe që së fundmi po lakmohet nga vizitorët vendas dhe të huaj. Ka disa monumente të natyrës që i japin hijeshi dhe kuriozitet. Liqeni i Zi, ndodhet 4 km larg fshatit Lenie, 1634 m mbi nivelin e detit, nëse të ndodh ta vizitosh, do të habitesh që nuk je i vetëm, përkundrazi, zona është shumë e populluar me çadra dhe makina që ndodhen aty prej ditësh, shumë kanë ardhur për t’u kuruar në burimin e ftohtë të këtij liqeni. Liqeni ka ngjyrë blu të thellë dhe përveç vlerave të pafundme kurative të ofron një sfond të rrallë.

Liqeni i Dushkut, një bukuri e rrallë, kolorit pafund, ëmbëlsi dhe mbi të gjitha, një vend i paimagjinueshëm. Është Gramshi ajo çfarë t’i nuk e pret aspak se mund ta ndeshësh në një zonë të tillë, një liqen me një cipë të hollë uji, mbuluar me gjethet e zambakëve. Liqeni ndodhet 1105 m mbi nivelin e detit, është 22 ha dhe përbën një ekosistem mjaft të pasur.

Ujëvara e Sotirës, në verilindje të Tomorit, është një thesar ku mund të shijosh dy bukuri në të njëjtin vend. Ujëvara dhe katarakti i Sotirës, krah për krah, por aspak kopje e njëra-tjetrës. Secila nga këto bukuri ka veçoritë e veta, ujërat e ujëvarës vijnë nga dy të çara kryesore të malit Tomor.

Lartësia e rënies së ujit varion nga 5-20 m. Peisazhi i shpatit ku del uji është me disa shkallëzime në disnivel 150 m, ujëvara rrethohet nga pyll dushku dhe bimësi e pasur. Kjo ujëvarë është një bukuri që të lë pa fjalë, e pakrahasueshme por si çdo gjë e rrallë e magjike, edhe kjo ujëvarë ka hilet e veta, këshillohet të vizitohet në periudhën e pranverës dhe fillimverës, sepse ushqehet me burime ujore nëntokësore, të cilat kur bien nën një nivel të caktuar sjellin edhe tharjen e ujëvarës.

Këtë gjë gjithsesi nuk e vuan gramshi6katarakti, që ndodhet pak metra në të majtë të ujëvarës, ofron një bukuri të rrallë. Përbri ujëvarës, një hapësirë e blertë të krijon idenë e një ballkoni të përkryer natyror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjitha pamja spektakolare.

Grabova. Mbasi i vjen vërdallë Shkëmbit të Kopaçit, mbërrin në Grabovën e Sipërme, ajri i pastër, kurora e gjelbër, kullotat, livadhet dhe burimet janë të pafundme. Por, në Grabovën e Sipërme, përveç pamjeve mbresëlënëse të Malit të Valamarës dhe maleve përreth, ke mundësi të prekësh pasuri të rralla historike e kulturore që zor se pret t’i shikosh në këto anë.

Lulëzimi i Grabovës i takon periudhës së Mesjetës së vonë, në kulmin e lulëzimit kishte 12000 banorë. Dëshmi të gjalla janë dhe sot, prania e tri urave me gurë, njëra e periudhës antike, kisha e Shën Kollit etj. Për të gjithë të interesuarit, kënaqësia vazhdon për tek Liqenet në Malin e Valamarës, janë tre të tillë në përmasa të ndryshme, 2200 m mbi nivelin e detit, ofrojnë një pamje tepër çlodhëse dhe mjaft shpërblyese për të gjithë mundimin e shkuarjes deri atje.

Kanioni i Sinecit, gjatë 2 km dhe i thellë rreth 200 m, 20-30 m i gjerë, në të ndodhen guva dhe shpella ende të paeksploruara. Pamja që të rrethon është sa mahnitëse edhe rrënqethëse, tek shikon format e ndryshme që ka gdhendur natyra mbi shkëmbinjtë.

Vaskat e shumta me ujë të kristaltë dhe të ftohtë dhe të rrethuara nga shkëmbinj të vijëzuar në ngjyrë të bardhë të krijojnë idenë sikur janë veshur me gurë dekorativë të kohëve moderne. Bardhësia e veshjes së shkëmbinjve është një vepër arti më vete.

Kanioni i Holtës gjendet midis fshatrave Bardhaj dhe Kabash, është formuar nga erozioni i përroit të Holtës, ka gjatësi 3 km, i gjerë 10 m.

Ndërsa futesh në brendësi të këtij kanioni e ndjen menjëherë që pak veta mund të kenë gramshi8shkelur aty para teje. Kanioni arrin thellësi mbresëlënëse dhe në shpate anësore ka guva të shumta që ende nuk janë eksploruar. Brenda kanionit kemi një ekosistem më vete me mikroklimën e tij.

Kjo zonë përveç kanionit ka kaq shumë për të eksploruar, shpellat e shumta në të dyja anët e kanionit (Tervolit dhe Kabashit) dhe po kështu rrënojat e kalave respektive në secilën anë të kanionit. Janë fare pak gjëra të thëna për vende që në gjuhën e sotme të turizmit quhen “atraksione”.

 

 

 

 

 

 

 

May 19, 2017 10:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*