Një vit në presidencën Trump

January 16, 2018 16:11

Një vit në presidencën Trump

 

Donald Trump nisi detyrën e tij si presidenti i SHBA-së me një shpërthim zemërimi, më 20 janar 2017.  

Shumë vëzhgues kanë vënë në dukje se fjalimi i tij 16-minutësh i inaugurimit ngjasonte më shumë me një kritikë të ashpër , sesa me fjalimet  idealiste të mbajtura gjatë ditëve të fundit të inaugurimit.

Disa nga fjalët më të ashpra gjatë fjalimit të inaugurimit të Donald Trump më 20 janar 2017, ishin ato me të cilat ai përshkruante realitetin për shumë qytetarë amerikanë.

Në një ditë të ftohtë dhe me shi, ai foli për fabrikat e shkatërruara të shndërruara në varreza, shkollat e braktisura nga të rinjtë, të privuar nga të gjitha llojet e njohurive dhe për krimin, bandat dhe drogat, duke premtuar se kjo masakër amerikane përfundonte këtu dhe në atë moment.

Ndonëse, fjalimi që mbajti presidenti i 45-të i SHBA-së ishte mbi unitetin, mesazhi i tij nuk kishte lidhje me pajtimin apo shpresën, fitorja e tij nuk e kishte ndryshuar luftëtarin e ashpër.

“Ne, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tani jemi bashkuar në një përpjekje të madhe kombëtare për të rindërtuar vendin tonë dhe për të vënë në zbatim premtimet për të gjithë njerëzit tanë”, deklaroi Trump.

Megjithatë viti i tij i parë në detyrë ka qenë më shumë rreth ndarjes, njerëzit me ngjyrë kundër të bardhëve, emigrantët kundër qytetarëve, të pasurit kundër të varfërve, të majtët kundër të djathtëve dhe nacionalistët kundër globalistëve.

Ndërsa, shkencëtarët politikë mendojnë se ndarja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka nisur atë ditë, sipas tyre ndarja është rritur më shumë që kur presidenti Trump erdhi në detyrë.

Një studim i Pew Research Center ka treguar se 60 për qind e amerikanëve besojnë se marrëdhënia mes grupeve të ndryshme etnike është përkeqësuar, duke i vënë theksin ndarjes raciale në vend.

Gjithashtu, Trump foli për themelimin dhe qëllimin e tij për të kthyer pushtetin tek individët.

Raliteti është se, nuk ka patur kurrë kaq shumë përfaqësues të biznesit të madh që të kenë qenë kaq pranë presidentit.

Në politikën e jashtme, disa nga vendimet e tij më të mëdha janë bërë në mënyrë të njëanshme.

Ai nxorri Shtetet e Bashkuara të Amerikës jashtë marrëveshjes së Parisit për Klimën dhe krijoi pakënaqësi ndaj aleatëve të tij në Lindjen e Mesme me vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Gjatë fjalimit të tij të inaugurimit, Trump paralajmëroi aleatët e SHBA-së dhe gjithë botën duke deklaruar se, që nga ajo ditë e mbrapa, do të ishte vetëm Amerika e para.

Ai tha se “amerikanët do të rindërtonin vendin e tyre përmes fuqisë punëtore amerikane dhe do të ndiqnin dy rregulla, duke blerë produkte amerikane dhe punësuar amerikanë”.

Si pasojë, një marrëveshje mbi tregtinë e lirë në negociatat me vendet e Paqësorit u anullua brenda disa ditëve nga ardhja në detyrë e presidentit Trump dhe marrëveshja 20-vjeçare e tregtisë së lirë e Amerikës së Veriut po rinegociohet, por mund të dështojë.

Kjo është mënyra e presidentit Trump “për të luftuar për amerikanët në çdo frymëmarrje të trupit të tij”, siç ai vetë u zotua në ditën e inaugurimit.

Por, amerikanët duhet të jenë të durueshëm ndërkohë që presin që ai të përmbushë premtimin e tij të dytë se “SHBA-ja do të fillojë të fitojë sërish, duke fituar si kurrë më parë”.

January 16, 2018 16:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*