Një vizitë në studion e Muhamet Kërpaçit: Unë jetoj nga piktura

October 24, 2017 11:15

Një vizitë në studion e Muhamet Kërpaçit: Unë jetoj nga piktura

Entela Resuli – DITA

Sapo futesh në ish-Bllok të bien në sy disa piktura në hyrje të galerisë “Art Gallery Kërpaçi”. Në shkallë ka vazhdimisht njerëz që hyjnë e dalin prej saj, kurioziteti na shtyu ta vizitojmë e të mësojmë më shumë për këtë studio të hershme pikture.

Dhe nuk gabojmë! Piktori Muhamet Kërpaçi na tregon se ka  20 vite që punon në këtë vend. Aty ka vendin e punës, të cilën nuk e konsideron të tillë. Për të piktura është më shumë se sa kaq. I zhytur mes ngjyrave dhe telajove ai  kalon pjesën më të madhe të ditës.

Teksa na fton të futem brenda, përballë ka portretin krenar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.  Është duke punuar me të.

“Është figura ime e preferuar në pikturë. Mund të kem punuar mbi një mijë të tilla. Në fillim të viteve ’90 kam jetuar dhe punuar për një vit në Tetovë në Maqedonisë dhe atje e kërkonin shumë”- shprehet piktori Kërpaçi, i cili duket sikur nuk lodhet asnjëherë kur  gdhend me bojë portretin e Skënderbeut.

Ai sapo ka përfunduar një ekspozitë e cila qëndroi e hapur për katër ditë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Së bashku me piktorin Vullnet Muja pritën dhe përcollën miq të pikturës dhe dashamirës të saj.

“E kisha të nevojshme këto kohë një ekspozitë dhe mbeta shumë i kënaqur. Së bashku me piktorin Vullnet Muja e cili prej vitesh punon dhe jeton në Gjermani, ekspozuam disa punët tona në muze. Shumë klient nga vizituan, miq të rinj takuam, e po ashtu klientë të rinj bëmë. Ishin katër ditë interesante për ne”- tregon piktori.

Për pak muaj bën 60 vjeç. Nuk ka frikë nga mosha pasi e ka jetuar jetën me gjithë ngjyrat e saj.  Fillimet e tij në pikturë janë të hershme, qysh në rininë e tij në Kukës, nga ku ka edhe vendlindjen.

“Kam përfunduar studimet për Histori-Gjeografi dhe kjo më ka ndihmuar mjaft në punën time. Një piktor e ka të nevojshme të ketë informacion dhe të jetë i ditur, në të kundërt ka një mangësi të theksuar. Përpara viteve ’90 kam punuar më shumë me karikaturën dhe botoja ato siç ka qenë politika atëherë, duke u frymëzuar nga veprat e shokut Enver. Kam hapur ekspozita në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Më ka dërguar Komiteti Qendror i Rinisë. Periudha e viteve ’80-’90 ka qenë periudha më e bukur e jetës sime. Sepse artistët trajtoheshin shumë më mirë se sa tani. Kishim privilegje. Punoja vetëm dy ditë në javë dhe pesë ditë isha në profesion të lirë. Merrnim honorarë nga gazetat kur botonim karikatura. Punët na shiteshin. Mua mund të më shkonte rroga deri në 500 mijë lekë në vit”- shprehet Kërpaçi për Dita-n.

Përveç se artist, Muhameti kishte kuptuar se si mund të bënte para me këtë punë. Duke shfrytëzuar etjen e shqiptarëve të Maqedonisë për figurën e Heroit tonë Kombëtar, ai shkon dhe punon intensivisht në këtë vend.

“Në vitin ‘93 e lashë punën me karikaturat dhe iu përkushtova tërësisht pikturës. Shkova në Tetovë dhe jetova e punova atje për një vit.  Në 12 muaj fitova 26 mijë marka vetëm nga piktura.  Atje punova më shumë me portretin e Skënderbeut. Ata e donin shumë këtë figurë dhe e kërkonin e blinin. Me paratë që fitova aty bleva një apartament”.

Edhe pse mendonin se artistët dhe sidomos piktorët fitonin pak me punën e tyre, me Muhametin na rezulton e kundërta, mesa duket ai nuk është një piktor si gjithë të tjerët. Ka arritur të ndërthur mirë artin me biznesin.

“Nuk jetohet me teorira. Familja do bukë, do të ardhura. Nuk ja vlen të bëjmë moralistin. Duhet të bëhemi praktik dhe të kuptojmë se çfarë do tregu. Unë jetoj nga piktura.  Që nga 1998 jam vendosur në këtë studio këtu, në zonën e ish-Bllokut ku punoj, shes dhe marr porosi. Në të gjithë botën, i kam shitur pikturat e mia. Deri më tani mund të kemi realizuar 10-12 mijë piktura. Punët e mia, si ato që shes lirë dhe ato që i shesh pak më shtrenjtë i bëj me pasion”-tregon piktori.

-Z. Muhamet, cilët janë klientët e tu?

Klientët e mi janë nga e gjithë bota. Jo vetëm shqiptar. Kam klientë të huaj që rikthehen dhe dërgojnë miqtë e tyre . Për fatin e mirë, Tirana kohët e fundit po vizitohet nga shumë turistë dhe ata shpesh ndalojnë në studion time ku nuk ngurojnë të blejnë pikturat e mia. Klientët i kam të kombësive të ndryshme.

-Ju shoh që momentalisht jeni duke punuar një portret të Skënderbeut. Çfarë të frymëzon?

Gjithçka, por më shumë nga të gjithë më pëlqen figura e Skënderbeut. Kam shumë motive për të. Klientët nga Kosova vijnë dhe e kërkojnë shumë. Maqedonia po ashtu. Kur kam qenë në Tetovë kam realizuar mbi një mijë piktura me portretin e Skënderbeut.

-Me kaq shumë punë sa keni bërë për Heroin tonë Kombëtar, mund të të cilësojmë si “piktori i Skënderbeut”?

Edhe mundet, po. E kam bërë në të gjitha dimensionet. Portret. Mbi kalë. Me shpatë, pa shpatë. Por figura ku përqendrohen piktorët është ajo e Odise Paskalit, ai e ka realizuar për herë të parë.

-Keni ju një zhanër të caktuar ku përqendroheni në pikturë?

Unë punoj çdo gjë. Punojë portret, natyrë të qetë, pikturë abstrakte.

-Familja juaj ka lidhje me pikturën?

Bashkëshortja ime është mësuese. Kemi dy djem. I madhi është ekonomist, i dytë arkitekt. Janë të shkëlqyer në profesionet e tyre. Kanë pikturuar qysh të vegjël, por janë orientuar në të tjera drejtime për profesion.

-Z. Kërpaçi keni klientë Vip?

Për mua janë të gjithë njëlloj. Por ata që mund t’i konsiderojmë Vip janë më të pa informuar se sa të tjerët. Kështu që nuk ka dallime në këtë pikë.  Ka shumë nga ata që koleksionojnë piktura dhe që vijnë herë pas here.

Jeta

Muhamet Kërpaçi ka lindur në Kukës më 7.03.1958. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 1980.  Nga viti 1984 është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1987, anëtar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë. Ka botuar 1000 karikatura në shtypin shqiptar dhe të huaj. Në vitin 1989 është nderuar me çmim të parë për karikaturë në konkursin kombëtar të Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë si edhe çmime në organet  e ndryshme të shtypit. Ka marr pjesë në ekspozita kolektive dhe kombëtare në karikatura dhe pikturë nga viti 1984-1990) në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Berat, Çorovodë, Gramsh, Tepelenë, Përmet, Pogradec, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë, Burrel, Mirditë. Gjatë viteve ’90 ka hapur një sërë  ekspozitash, vetëm dhe në bashkëpunim.

Në vitin 2003 ka hapur një ekspozitë pikture të përbashkët në Muzeun Historikë Kombëtarë në Tiranë me piktorin gjerman Dietrich Schoenfelder.  Më të njëjtin piktor hapi një tjetër ekspozitë një vit me vonë në Hotel Rogner. Gjithashtu në Muzeun Historik Kombëtar ka hapur ekspozitë në 2013 dhe ne 2015.  Pikturat e Muhamet Kërpaçit janë në koleksione private në vende të ndryshme të botës.

October 24, 2017 11:15
Komento

1 Koment

  1. Besniku. October 24, 22:43

    E njoh prej 40 vitesh.Vec atyre me siper,desha te nenvizoj cilesite te tij.Sinqeriteti,dashamirsia dhe ndershmeria.Te treja ne vlera maksimale.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*