Një vjeshtë mavi në arredim

Entela Resuli September 25, 2013 11:08

Një vjeshtë mavi në arredim

Ajo që përjetojmë të gjithë me ardhjen e vjeshtës, është së pari ulja e temperaturave, shkurtimi i ditës dhe mbi të gjitha kemi një dominim të ngjyrave të ngrohta, sidomos në gjelbërim. Pjesa tjetër dihet, ditë me re e shi…

Psikologjikisht këto elemente ndikojnë tek ne, ndryshojnë humorin dhe mënyrën se si, ndoshta dhe në formë jokoshiente, duam ta përjetojmë këtë stinë.

Qoshja ku përfundojmë të gjithë në fund të çdo dite është banesa, e cila nuk bën përjashtime nga stina. Pyetja është e thjeshtë: si mund ta sjellim vjeshtën edhe brenda mureve të shtëpisë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje kemi folur me arkitekten Junilda Karanxha, e cila na ka shpjeguar në detaje se çfarë duhet të bëjmë për të jetuar vjeshtën jo vetëm në natyrë po edhe brenda mureve ku jetojmë. Ja çfarë thotë Karanxha në një intervistë për “Ditën”…

 

Junilda, sa e rëndësishme është që në periudhën e vjeshtës, shtëpinë ta përshtatim me kohën?

Në interior design nuk a formula të mirëpërcaktuara për të ndjekur, zbatuar dhe arritur rezultatin e saktë. Interieri është një produkt final shumë i sofistikuar që bashkon shijen dhe eksperiencën e arkitektit me nevojat dhe shijet personale të personit përballë tij. Për të arritur në këtë produkt final,edhe pse nuk ka formula, disa rregulla duhen ndjekur për të mos gabuar. Në rastin e ndërhyrjeve të “vogla” të tipit përshtatje me stinën e re që hyn, rregulli më i ndjekur është ai temës që duam të mbajmë në shtëpi. Duke konsideruar stinën, stilin e shtëpisë, shijet personale, mënyrën e jetesës, sigurisht dhe tendencat, jam e bindur qe rezultati do të jetë spektakolar.

 

Çfarë duhet të bëjmë që shtëpia jonë të futet në stinën që na shoqëron?

Unë po nënvizoj pikë së pari tendencat për këtë vjeshtë 2013. Në ngjyra jemi tek blu, mavi apo lejla, jeshile e thellë. Të pandashme janë kombinimet e ngjyrave të tokës, bezhë, portokalli, okër, kafe), rozë pastel, kopjativi, madje dhe grija.

 

Nëse në verë mund të sillnim detin në shtëpi, në vjeshtë çfarë mund të bëjmë?

Tendencë e kësaj vjeshte, për sa u përket materialeve, janë dekoret prej metali, veçojmë këtu sidomos bronzin. Tavolina me këmbë metalike, korniza pasqyrash prej metali, souvenir, për shembull vazo bronzi, skulptura metalike, ndriçues tokësorë  me trup metalik etj. Tjetër tendencë janë nuancat me shkëlqim, souvenir dhe llampadarë prej qelqi të pastër. Nuk duhen harruar pa përmendur pellushët, industrialë apo jo janë në listën tonë të tendencave. Nuk ngelin më prapa dhe motivet floreale apo të lidhura me natyrën.

Një element shumë i rëndësishëm, perdet, të cilat unë i cilësoj si filtrat e dritës natyrale që hyn brenda.  Nëse kërkoni nuanca më të ngrohta brenda, këtë gjë e mundëson një perde me ngjyra toke, bezhë, kafe, portokalli etj

Shtroni tapete më të trashë dhe me ngjyra që kombinojnë me perdet, janë dy elemente dekorues dominues, bien lehtësisht në sy. Në ndihmë të këtij kombinimi vjen dhe copa e jastëkëve dhe mbulesa e hedhur shkujdesur mbi divan apo krevat.

 

Cilat janë detajet ku duhet të fokusohemi, që të mos shpenzojmë shumë, por edhe të ndryshojmë diçka në ambientin tonë?

Po, në këtë kontekst mos hezitoni të ndërroni elementet dekorative, pikturat me ngjyra më të thella dhe të ngrohta të cilat e ndihmojnë shumë temën e zgjedhur, souveniret e vendosur mbi tavolinën e mesit apo atë të ngrënies, për shembull një vazo bakri apo floriri e mbushur me lule të thara do rrinte mjaft mirë mbi një tavoline druri të errët, ndërkohë pse jo një set çaji porcelan me motive floreale do të ndikonte shumë në ekzaltimin e stilit romantik të shtëpisë tuaj. Mos harroni abazhurët tokësorë dhe atë të tavolinave. Të vendosur në vendin e duhur dhe të ndezur ata krijojnë një ambiente ku të themi relaksues është pak! Për më romantikët nuk duhet të mungojnë qirinjtë, dimensione, forma dhe ngjyra të ndryshme, evitoni ngjyrën e bardhë.

 

Cila është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë?

Largoni kornizat me fotot tuaja në breg të detit, vazot transparente të mbushura me rërë dhe guacka, perdet e bardha transparente, pikturat me temë detin dhe verën.

Përsa u takon verandave dhe kopshteve, ngjyrat e vjeshtës janë një dhuratë nga vetë natyra mbi gjelbërimin dhe larminë e bimëve dhe luleve të ndodhura në to.

 

Këshillë

Mirë është që në larminë e bimëve dhe luleve të ndodhen dhe bimë që i rezistojnë ndryshimit të stinëve, në këtë mënyrë nuk do të na ngelin vazot bosh. Kultivoni bimë aromatike, ndryshoni ndonjë vazo, zëvendësojeni me vazo me ngjyra toke, ndryshoni shiltet e kashtoreve në verandë. E rëndësishme është që ndryshimet jashtë të përshtaten me ato brenda.

 

Koha si përshtatje

Përjashto anën praktike, ndryshimi i arredimit të shtëpisë është një gjë shumë personale.  Kur përmend anën praktike marr parasysh elemente të tillë të arredimit si shtrimi i tapeteve tashmë mbi pllaka apo parket, apo vendosjen e një trapunte ose jorgani të hollë mbi krevat. Mirë është që të mos mjaftohemi me kaq. Nevojiten kombinime, përshtatje nuancash, materialesh. Sa më shumë elemente dizajni të përshtaten e kombinohen, aq më i dukshëm ndryshimi i kërkuar, aq më afër  idesë sonë ideale të përjetimit të vjeshtës në shtëpi.

 

Junilda arkitekteSugjerime

Mos dilni nga stili identifikues i shtëpisë suaj.

Mendoni një buxhet paraprak.

Përqendrohuni më shume në atë që quhet “pika fokus” e çdo ambienti, pasi aty do të dallohet më shumë ndryshimi.

Përmbajuni një teme apo një ideje.

Konkretisht:

Nëse doni të ndryshoni ngjyrat e mureve përmbajuni tendencave të përmendura më sipër. Mos i neglizhoni ndërhyrje të tilla në apartamentin apo vilën tuaj. Mendojeni shtëpinë si një zonjë apo zonjushë, e cila duhet të përshtasë gardërobën dhe aksesorët e saj me stinën që të jetë gjithmonë në kohë. Në fund të fundit këto ndërhyrje sa të nevojshme, aq edhe të vlefshme, reflektojnë në radhë të parë shumë nga çka ne jemi dhe përfaqësojmë dhe patjetër ndikojnë në humorin tonë në çdo moment që ne kemi kontakt me ambientin ku jetojmë! Në fund të fundit, kush nuk do të ndihet mirë!!!

 

Specialistja

Si të përfitojmë hapësirë

Zgjedhja për një arredim vjeshte është sezonale dhe nuk pretendohet që banesa jonë të qëndrojë për një kohë të gjatë në këtë stil, por përpos kondicionerit, të tjera metoda për t’u ngrohur janë dhe aksesorët që ne vendosim të kemi në shtëpinë tonë. Ajo që duhet të bëjmë në fillim sipas arkitektes është ndryshim i perdeve. Ato nuk duhet të jenë aq transparente si në stinën e verës. Më pas, në këtë rrëfim mësojmë se si të sjellim një ambient vjeshtarak me pak kosto, me disa ndryshime të vogla që i japin vendit ku qëndrojmë një pamje tjetër. Përdorini, element dekorativ si vazove bronz, apo jastëkët me ngjyrat e tokës, madje mundohuni që vazot të mos jenë më transparente.

Neoklasikja, stili më i preferuar

Stili më i preferuar është, neoklasikja. Neoklasikja është një ndërthurje e klasikes me modernen. Kryesisht e shohim tek materialet e drurit, të cilat janë pjesë që duken si të vjetra, por që modeli është modern. Në punimin e modernes nuk ka elementë të gdhendjes dhe punimit me shumë dekoracione të materialit. Druri është një nga materialet që nuk mungon kurrë në arredimin e shtëpive, pavarësisht materialeve të tjera që futen furishëm në treg.

Cili është stili modern.

Stili modern është përdorimi i linjave të drejta tek materialet. Ato nuk janë të ngarkuara me ngjyra dhe kanë gjithmonë tendencë më tepër tek funksionalja se sa tek bukuria. Stil modern nënkupton një dekorim të shtëpisë sa më thjeshtë dhe me sa më pak mobilje nëpër shtëpi, por që funksioni të kryhet. Në stilin modern përdoren materiale si xhami, inoksi, dhe kohët e fundit është futur edhe materiali koriet, që tek ne nuk është njohur më parë. Ky është material sindetik dhe ka përbërje me minerale, por me përqindje të caktuara. Ky përdoret edhe për kapakët e kuzhinës bako veshje fasadash pajisje banje. Jashtë vendit është shumë i përdorur. Kohët e fundit, familjet shqiptare i ka “mbytur modernizmi”. Një shtëpi moderne ka dhe të mirën e saj, e para është në modë dhe e dyta është në përshtatje me mënyrën e ndërtimit të apartamenteve të reja. Nëse më parë kuzhina ishte e përbërë me aneks, tani ka vetëm kuzhinë, e cila duhet të përshtatet në formë aneksi dhe salloni.

Tendencë, ngjyrat lejla

Tendenca më e përdorur sot është modernia me ngjyra të tokës dhe ajo lejla ose mavi. Ngjyrat që dominojnë në mobilim janë, pana, perla, kapucino, pasi ambientet nuk janë shumë të mëdha që të përdorësh ngjyra më të errëta. Ngjyrat që përdoren për muret janë jeshilja, mentja dhe ngjyrat e mësipërme që përdoren si për kontrabufetë edhe për kolltuqet, etazherët etj.

Hapësira

Një hapësirë e shfrytëzuar, do të thotë që çdo pjesë apo orendi e shtëpisë të luajë një funksion. Nëpërmjet dekoracionit modern dhe me ngjyra të ndryshme, çdo gjë e vendosur duhet të luajë një rol. Për të ruajtur hapësirën vendosen në mure etazher, ku mund të mbahet televizori, librat, mund të luajë formën e minibarit dhe të jenë të vendosura gotat, apo zbukurime të tjera.

 

Ambienti

Një veçori e ambienteve të vogla është edhe përdorimi i materialeve të xhamit dhe inoksit. Përdorimi i materialeve me përbërje xhami ka veçori se pasqyrimi që ato kanë bën që hapësira të duket sikur është më e madhe. Pavarësisht se është e njëjta hapësirë, për syrin duket sikur është edhe më e madhe dhe kjo bën që shtëpia të duket edhe më e këndshme me ato moblije që mund të porositen.

Entela Resuli September 25, 2013 11:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*