Një vjeshtë me shkëlqim të artë në shtëpinë tuaj

November 7, 2018 12:36

Një vjeshtë me shkëlqim të artë në shtëpinë tuaj

Entela Resuli

Me ndryshimin e stinës, jo vetëm ngjyrat në natyrë ndryshojnë, por lind si nevojë të ndryshohen edhe element të brendshëm në ambientin ku jetojmë.  Stinët në vetvete ndryshojnë edhe gjendjen shpirtërore të njeriut e për pasojë shpesh është e nevojshme që nëpërmjet disa aksesorëve të krijojmë një ambient të përshtatshëm, duke u ndjerë më mirë.

Psikologjikisht këto elemente ndikojnë tek ne, ndryshojnë humorin dhe mënyrën se si, ndoshta dhe në formë jokoshiente, duam ta përjetojmë këtë stinë.

Qoshja ku përfundojmë të gjithë në fund të çdo dite është banesa, e cila nuk bën përjashtime nga stina. Pyetja është e thjeshtë: si mund ta sjellim vjeshtën edhe brenda mureve të shtëpisë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje kemi folur me Interior Designer Anila Heton, e cila na ka shpjeguar në detaje se çfarë duhet të bëjmë për të jetuar vjeshtën jo vetëm në natyrë po edhe brenda mureve ku jetojmë. Ja çfarë thotë Hetoja në një intervistë për “Ditën”…

-Anila, sa e rëndësishme është që në periudhën e vjeshtës, shtëpinë ta përshtatim me kohën?

Ka shumë rëndësi që në periudhën e vjeshtës dhe jo vetëm të bëjmë disa ndryshime në ambientet që na rrethojnë, pasi ndikon në gjendjen tonë shpirtërore. Opsioni më i mirë është që të fillojmë të arredojmë  në fillim të shtatorit ose tetorit.

-Çfarë duhet të bëjmë që shtëpia jonë të futet në stinën që na shoqëron?

Ngroheni shtëpinë tuaj me ngjyra të ngrohta. Vjeshta ofron një gamë ngjyrash ajo karakterizohet nga ngjyrat e tokës ku shumë mire mund t’i gërshetojmë me ngjyrat e ngrohta si; e kuqe në portokalli, e verdhe në gold etj.

Këto ngjyra më së miri përdoren si pikat kryesore kundër një sfondi neutral në kontrast me ngjyrat e errëta. Krijoni  një kënd të ngrohtë me batanije teksture ku ngjyrat duhet të dominojnë të kohës, merrni frymëzim nga ambienti i jashtëm, si p.sh, gjethet e pemëve, lulet e stinës etj. Krijoni parajsën tuaj të ngushtë duke ndriçuar disa qirinj aromatikë dhe zgjidhni një libër të mirë që t’ju shoqërojë në netët e gjata.

       -Cilat janë detajet ku duhet të fokusohemi, që të mos shpenzojmë shumë, por edhe të ndryshojmë diçka në ambientin tonë?

Vendosni prodhimet sezonale në tavolinën tuaj të kuzhinës, zbukuroni tavolinën me enë qelqi me fruta si mollë, ftua, shege, kunguj të vegjël të kombinuara bukur. Shtoni enë xhami të mbushura me fasule të thata, bizele ose misër për te krijuar një kontrast mes ngjyrave. Këto janë pjesë e konsumit tonë të përditshëm dhe që mund të na shërbejnë edhe për të zbukuruar ambientin dhe të krijojnë atë ndjesinë e këndshme të ngrohte familjare në prag festash.

-Cila është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë?

Të mundoheni të krijoni në ambientin tuaj sa më shumë dritë, kjo është shumë e rëndësishme pasi lejon rrezatimin dhe ngrohtësinë nga jashtë brenda e cila është shumë e rëndësishme në ditët gri dhe me shi.

-Kjo stinë i paraprinë periudhës së festave, si duhet të përgatitemi për këtë kohë?

Unë do preferoja që me ato që kanë amvisat në shtëpitë e tyre, sa më thjeshtë. Të luajnë me dekorin, si jastëkë të vegjël dekorative, punime artistike të thjeshta nga vetë ato. Sa më praktikë.

-Festat janë ngjarje të gëzueshme e për pasojë atmosfera duhet të përcillet edhe në shtëpi.  Cilët janë elementët që duhet të kemi parasysh?

Çdo fund vit, ne mendojmë për ide të reja se si ta dekorojmë shtëpinë tonë. Duhet të përqendrohemi në zgjidhjet tradicionale dhe të thjeshta.  Disa nga elementet që duhet të kemi parasysh janë  dekorimet në hyrje të shtëpisë sonë. Një kurorë që mund të bëjë lehtësisht me një veselë dhe shirit të kuq kadife,  stoli dekorative te ndryshme, kuverta me ngjyrë të kuqe, etj…

Një ide shumë e bukur për të privilegjuarit që kanë një oxhak në ambientin e ndenjes janë çorapët  e mbushura me suvenire, bombone, të cilat janë të preferuarat e fëmijëve në mbarë botën! Mund t’i vendosni rreth oxhakut. Gjithashtu do shtoja përsëri qirinjte aromatik te cilët krijojnë atmosferë, ngrohtësi, rehati dhe dashuri. Buzëqeshni më shumë dhe ta doni njëri-tjetrin ku është dhe një mesazh nga unë!

-Cilat janë ngjyrat trend në arredim dhe risitë për 2019?

Trendi i 2019 janë ngjyrat e bronzi, bakri, argjendi ose shkëlqimi i artë. Gjithashtu janë një risi letrat murale 3D.

-Po zjarri apo oxhaku, çfarë roli luan në këtë periudhë?

Oxhaku kohet e fundit është një trend në ambientet e brendshme, i cili përdoret për ngrohje, por më së shumti për të krijuar një ambient rilaksues. Në këtë periudhë janë shumë të preferuar dhe oxhaqet elektronik, me gaz. Ndërsa në zonat periferike oxhaqe me dru.

-Anila, a ka modë arredimi? Në çfarë periudhe jemi tani, çfarë stili po shohim më tepër?

Patjetër që po, çdo sezon dhe në çdo vit dizenjuesit sjelli risi në këtë industri. Disa nga stilet më trend në këtë periudhë janë stil industrial dhe ai modern. Stili industrial i  referohet një tendence estetike në dizajnin e brendshëm që merr gjurmë nga fabrikat e vjetra dhe hapësira industriale. Elementet e stilit industrial janë hekuri, druri, ngjyrat e tokës, etj…

Ndërsa stili modern i referohet ndikimit të artit modern në dizenjimin e brendshëm , por nuk i referohet domosdoshmërisht epokës apo moshës së dizajnit. Elementet e stilit modern janë kristalet, elementet e drurit, gurit dhe simetrisë. Gjithashtu karakterizohet nga ngjyra të ftohta.

-Çfarë i këshillon Anila të interesuarve për arredimin e brendshëm çfarë duhet të kenë parasysh?

Unë këshillon që; duhet të keni parasysh marrëveshjet simetrike të cilat lidhen me hijeshi dhe harmoni, prandaj gjithmonë synoni të ndiqni rregullat e simetrisë, veçanërisht kur planifikoni pozicionin e elementeve kryesore në një dhomë. Përdorimi i shumë simetrisë në një dhomë krijon një atmosferë shumë formale. Gjithashtu të mbeten në një stil, mos të ndërthurin elementë të ndryshëm në një design që do thotë klasike me elemente klasik, modern me element modern, do të doja ta theksoja këtë pasi shumë here ndeshemi me këtë fenomen.

 

November 7, 2018 12:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*