Njerëz të harruar

June 4, 2019 16:25

Njerëz të harruar

 

Albert Shala

Në fare pak raste vite të shkuara kam pirë kafe me shkrimtarin e madh Petro Marko në  kafenenë e “Hotel Arbërisë” ( sot ministria e Drejtësisë), ngjitur me redaksinë e gazetës “Zëri i popullit’ ku punova për një kohë të gjatë.  Njohja me të ka qenë thuajse e përciptë, me që një ditë me shokun tim Kiço Blushi, nuk po gjenim vend në kafene dhe Petroja e thirri atë në emër që të ulemi në tryezën ku qëndronte. Pas atij takimi të parë, jo një herë kam menduar që ai nuk ma dinte emrin, por e dinte që punoja në gazetë prandaj më  thërriste herë “Shkodrani” e herë “Gazetari”.

Flas për fillimin e viteve 80-të.

Një ditë në tryezë e gjeta me një mikun e tij të vjetër, të quajtur Zef Prela. Petroja më ftoi që të ulesha me ta, me që s’po gjeja tavolinë bosh. Atëherë në Tiranë kafenetë ishin me numër të pakët e jo si sot, që në çdo dhjetë metra gjen nga një të tillë, prandaj atëherë në “Arbëria” e pikërisht në atë ore, diku afër dhjetës paradite, ishte e vështirë të gjeje ku të uleshe.

Ishte dekada e fundit të diktaturës, kur puna gjithandej ishte shkrehur, dhe nga njerëzit kishte një pritshmëri, si i thonë fjalës, me veshët pipëz, për ndryshime, e ndryshimet ishin aq të padukshme, sa që edhe me optimisti i quante “me pikatore”, ndërkohë që gazeta “Zëri i popullit”, sidomos nga mesi i atyre viteve e tutje,  i quante “reforma”, madje edhe “historike”..

Njeriu mund të ketë përshtypje gjithfarëshe për njerëzit që njeh, qoftë edhe për ata që i takon një herë të vetme. Nuk e di përse më ka mbetur një mbresë e vetme, diku thellë në ndërgjegje, në kujtim të shkrimtarit të madh, e, pse jo,- të parit shumë modern, që Petroja, qofsha i gabuar, mbeti thjeshtë një njeri fukara deri në fund të jetës së tij, megjithëse pasurinë e tij të jashtëzakonshme shpirtërore e kishte ndarë me të tjerë njerëz, mbase, me dhjetëra mijëra, e për më tepër  jo pa një lloj mburrjeje që i shkonte shumë për shtat profilit të një krijuesi tashmë në vitet e fundit të jetës, kur një ditë na  thoshte se romani i tij “Qyteti i fundit”  ishte botuar deri në Japoninë e largët.

Ai me këtë pohim të gëzueshëm, por them edhe të trishtueshëm njëkohësisht, absolutisht nuk donte të  ankohej a shfrente për gjendjen e tij materiale, gjë që e tha me plot zë, por kjo nuk më mohonte të drejtën, si cilido, të arsyetoja që ai po të ishte në një kohë tjetër, me atë  kontribut që kishte sjellë në letrat shqipe, mund e duhej të jetonte  si “pasha”.

Ja përse kujtoj mirë që atij, në ato vite kur mosha po e vinte poshtë dita ditës, akoma si një djaloshi i shkëlqenin sytë nën vetullat e trasha pak të thinjura, kur e qerasje me një teke konjak, gjë që kam pasë fatin ta kem bërë se paku nja dy herë e jo më shumë. Pas atij akti më dukej sikur më shumë vihesha në siklet unë a ndonjë shok i imi i pranishëm për gjestin që bënim duke këmbëngulur për  pagesën, se sa ai, i cili qëndronte plot dinjitet me buzët e shtrënguara, duke pritur me indiferencë gjestin tonë, këtë vogëlsirë jete, që s’ia vlen as ta përmend. Përkundrazi, Petroja e përcillte atë moment pa as më të voglin siklet, madje me një farë monumentaliteti, nëse mund te përdoret kjo fjalë, si për të thënë me zërin e tij si të shuar “O  qerrata, pse vërtet mendoje se unë duhet të paguaj. Ti më propozove,  unë nuk të thashë jo, ti je në punë, unë një copë pensionist, prandaj mirë bëre që pagove?!”. A nuk shfaqin të tillë mikro- episode shume njerëzillëk. Dhe sytë e tij në ato çaste, çaste që çuditërisht të mbeten në mendje ndër vite, qeshnin.

Edhe një veçori tjetër më bënte përshtypje tek ai. Mund të ishte i vetmi personalitet ndër ata të paktët që njihja në ato vite, i cili kur ka rënë fjala, nuk thoshte asnjëherë për kryeministrin e disa dekadave,  “shoku Mehmet” apo për të njohurin e tij të hershëm, H. Kapon e gjithëpushtetshëm të atyre viteve,- në vitet për të cilat po shkruaj të dy ishin larguar nga kjo botë-, por thjeshtë Mehmeti e Hysniu.

Petroja ka qenë i thjeshtë, se ishte si kalliri plot. Dhe thjeshtësinë ia jepte vepra, jo thjeshtë fjalët, sado të menduara që mund të lëshonte në një tryezë si për të shtyrë muhabetin, por mendoj se atë sidomos ia jepte përvoja e jashtëzakonshme e jetës plot të papritura e kthesa, dhe jo kapja pas të kaluarës që vërtetë e kishte  interesante sa më s’ka, ndryshe nga çfarë bënin disa, si për të na thënë “A e dini se kush jam unë?”. Ai e ka përballuar trimërisht e herë në heshtje sfidat e jetës me veprën e tij si publicist e si shkrimtar, s’po them së pari si luftëtar, se të tillë pati jo pak mes nesh në ato vite, prej të cilëve në kohe relativisht të paqta hiqeshin sikur çfarë kishin bërë, ndonëse s’e kishin shkrehur gjithë jetën e tyre mbase asnjë herë.

Sot për Petron pakkush flet, veç të bijës e ndonjë studiuesi, a në rastet e pakta kur  përmendet teatri i Vlorës që mban emrin e tij. Vetëm kaq.

***

Po në këto rreshta fjalën e kam edhe  për shokun e tij, Zefin, të cilit atë dite të vetme që e kam takuar, pasi i dhashë dorën duke i thënë emrin e mbiemrin, më tha si quhej, e pasi  nxitova të shpreh mendimin tim se mos ishte nga Shkodra, nga  vendlindja ime,  me shpjegoi se ishte e nuk ishte nga ky qytet, siç kisha kujtuar me atë pyetjen që më mbeti diku mbi buzë i befasuar nga përgjigja e tij e  shpejtë.

Ai madje më pas shtoi se as kishte lindur në Shkodër, se nuk kishte  jetuar qoftë edhe një ditë të vetme në këtë qytet, e që tashmë dyshonte nëse kishte ndonjë mik atje, veç njohjeve mbase të përcipta.

Fliste ngadalë, por jo rryeshëm e me përtesë, mbase më shumë në respekt të Petros, se sa nga ngurrimi i natyrshëm përpara një të panjohuri, si unë, që e takonte  krejt rastësisht, pasi Petroja më kishte prezantuar para tij nja dy metra larg tyre thjeshtë me fjalët “Hajde, hajde, se e shoh që nuk po gjen vend…” .

Dhe pas atij shpjegimi hyrës që më bëri zoti Zef, nisi pjesa me e çuditshme e rrëfimit të tij, kur më tha me një zë si të shuar, se kishte lindur në Pragë, kishte bërë shkollë në Greqi e Zvicër, kishte luftuar në Spanjë përkrah Petros e disa shokëve të tjerë nga Shqipëria, dhe tani, shtoi si për t’i dhënë fund kësaj autobiografie, se numëronte ditët e harresës që vazhdonte t’u bëhej këtu mbi tokë atij e shokëve te tij, se “atje në Sharrë dihet që harrohen të gjithë’, fjalë këto me të cilat e mbylli rrëfimin e tij.

Petroja vuri buzën në gaz. Por edhe ne të dy pas tij.

E shikoja me dhimbje atë plak të thatë e të qetë, dhe fjalët e tij sikur më përlotën. Ndoshta ishte ky shkaku që ai shtoi pas pak, duke vënë buzën në gaz në mënyrë të sforcuar, që as në Tiranë atë thuajse askush nuk e njihte.

Kishte shumë vjet, me sa kujtoj- 14, që i kishte vdekur gruaja, më rrëfente me zërin e tij të shtruar; Edhe vetë atij i kishin thënë prej vitesh që ishte me kancer. Ai më tregoi se mblidhte bimë medicinale dhe ushqehej me çajra, dhe këtë ma demonstroi duke nxjerre nga xhepi i xhaketës së tij ca gogla selvie, që nuk e kishin humbur ngjyrën jeshile, e mbase sapo ishin këputur s’dihet se ku.

Petroja miratonte me kokë, tamam siç bën një gazetar i regjur e i pashembullt si ai, që e lë tjetrin të rrëfehet dhe nuk e bezdis me pyetje të kota, që mbase e di çdo të thotë folësi përballë pa marrë përgjigje.

Zefi më tregoi edhe disa po ca të tjera, por jo si ato të pishës, e disa gjethe të një bime që tani nuk ia kujtoj  emrin. Vija re se xhaketa e tij i takonte prerjes të një mode të vjetër dhe ishte dukshëm si e dalë bojë, ndonëse dikur duhej të kishte qenë ngjyrë hiri dhe e kohës.

Nuk e kujtoj se përse ra fjala në atë bisedë për Mane Nishovën.

– E kush e mban mend?, pyeti Petroja. Askush nga të rinjtë nuk e di që ai ka luftuar në Spanjë.

– Po Justinën, Justina Shkupin?, e pasoi Zefi.

– Më çponi në hundë po të dijë kush nga ne të gjallët akoma se ku e ka varrin ajo, vullnetarja e vetme shqiptare në Spanjë. Por, ç’them, vijoi, ajo ishte e harruar që kur ishte gjallë, siç thua ti Zef?!.

Ata miratonin njeri tjetrin me tundjen e kokës dhe Petroja më pas me një zë disi më të fortë tha:

– Po mikun tim të hershëm, të ABC-së, Asimin (Vokshin), po Zef Hotin e Gjeto Keqin, malësorë trima, po Veliun (Dede)?

Për disa çaste ra heshtje, dhe unë e ndjeja që nuk më takonte të prishja me ndonjë pyetje dosido atë qetësi, që sikur kishte brenda saj një lloj solemniteti. Pas pak biseda ndërroi përsëri kahje, si çdo bisede e rastit në një kafene, ku njerëzit shkojnë si rregull të shtyjnë kohën.

Zefi, siç mësova nga goja e tij, ishte koleksionist i hershëm i portreteve të Skënderbeut. I kishte mbledhur ato ku kishte patur mundësi, jashtë e brenda vendit, ku ka mundur t’i gjente, siç më tha, në copa gazetash e revistash, si relike të hershme e të pluhurosura nga koha, me sa kujtoj, edhe në vepra të ndryshme  artistike, dhe ky pasion koleksionisti, që sot e ndeshim vetëm neper libra të vjetër, e kishte bërë atë mbase një nder njohësit më të jashtëzakonshëm të  jetës dhe bëmave të Heroit tonë Kombëtar, në mos edhe koleksionin e  tij ndër më të pasurit që mund te ekzistojnë me këtë temë. Zefin nuk e kam  parë më pas atij takimi të rastit. Petron rrallë, derisa mësova për fundin e tij pak vite me pas. Vite më vonë, ndoshta dhjetë a më shumë, diku në një gazetë, lexova nja dy rreshta të vetëm për koleksionistin e apasionuar e unikal në llojin e vet, Zef Prelën. Vetëm kaq.

Ku mund të jetë sot koleksioni i tij? –  këtë pyetje ia kam bërë herë herë vetes.

Edhe ai ka rënë në honet e harresës, me siguri, ndonëse mund të ketë  vlerat e një thesari. Si i zoti. Po ç’them? Ku mund të jetë varri i tij? A mund të gjendet një dorë që të vejë një lule të vetme mbi rrasën e ftohtë. E po kështu them edhe për Petron, për të cilin e di që ka një fare interesimi gjithsesi, siç ka patur paturpësisht edhe ndonjë shpifje e insinuatë në adresë të këtij njeriu të madh, i cili mund të cilësohet “Rebeli dhe i zhgënjyeri iI përjetshëm”, që nuk u tremb në Spanjë, në luftën çlirimtare, në burgjet që e ndoqën, por u ligshtua nga jeta në një regjim që i dha shuplakë, përbuzje, veçim e përjashtim. E ka shprehur më së miri këtë gjë vete ai te “Nata e Ustikës”, ku thotë diku “Hidhërimi është më trim se gëzimi”..,

…I vura këtyre shënimeve titullin “Njerëz te harruar”, ndërkohë që këta dy emra që përmenda më lart, duke skicuar sado pak portretin e tyre  janë ndër antifashistët e parë shqiptarë.

A do të kujtohet ndokush për ta, vallë?

PS.

Ia dërgova rreshtat e mësipërme të këtij shkrimi modest shokut tim të vjetër, B.T, i cili jeton në emigracion, në Belgjikë, dhe ia dërgova veç të tjerave sepse në familjen e tij kishte dëshmorë të Luftës. Ja çfarë përgjigje më ktheu ai:

Kam qenë para dy vitesh në një qytezë në veri të Belgjikës. Në rrethinat e saj janë varret e mijëra ushtarëve britanike dhe të tjerë, midis tyre australianë, të rënë në Luftën e Parë Botërore. Ajo që më bëri përshtypje nuk ishte fakti se varreza ishte shndërruar në muze, por se nga Britania kishin ardhur disa autobusë me udhëtarë vetëm e vetëm për të nderuar ushtarët e tyre të gati 100 viteve më parë! Nuk ishte ndonjë përvjetor.

Për mua ishte çudi, për britanikët, sigurisht, kulturë. Jemi shumë, shumë larg  tyre, por si gjithnjë… krenarë(!), kur është fjala për të rreshtuar në deklarata shterpe traditat tona, thuajse gjithnjë të parespektuara si e meritojnë.

June 4, 2019 16:25
Komento

8 Komente

  1. Adelante camaradas ! June 5, 10:10

    I nderuar Zotni Shala,
    E mbaj mend mire Petro Markon tek Hoteli Arberia.Une isha atehere 16-17 vjec,gjimnazist.Petro rrethohej shpesh nga te rinj te cilet e degjonin me goje hapur.
    Si te mos mrekulloheshin nga qendrimi me nje personalitet te tille brilant te permasave boterore ?
    Vetem nje fakt.Ne Kongresin e Shkrimtareve Antifashiste mbajtur me duket ne Madrid ( me 1937 ) Petro Marko ka qene ne krah te Heminguejt.Ketu ne Tirane Petro Marko ka qene bashkpunetor i afert i nje tjetri personaliteti te kultures dhe intelektualizmit shqiptar, botuesit te Rev.Perpjekja Shqiptare,Branko Merxhani nga Sopiku i Pogonit (Gjirokaster).Jane harruar ? Mund ti kete lene ne harrese lumpeni por jo familjet tona qe kane derdhur gjak per kete Shqipni.Jo ! Ne nuk i harrojme kurre, i kujtojme me respekt,perulemi para sakrificave te tyre sublime.Jane paragjykuar, po ku ka idealist qe te mos sulmohet dhe paragjykohet ne vende te tilla si Shqipnija e sodit ku sundon injoranca,korrupsioni dhe denigrimi moral ? Sistemit diktatorial keto mendje te ndritura intelektuale dhe idealiste, i prishnin pune.Keta idealiste kishin luftuar kunder nje diktature fashiste te Frankos e Mussolinit per liri e demokraci te vertete popullore jo vetem per Spanjen por edhe per popullin shqiptar,kishin luftuar per ideale socialiste te socializmit europian e komunizmit te Antonio Gramshit me ideologjine e te cilit ish-kryeministri britanik Gordon Brown ka mbrojtur grade shkencore.Partizanet e Spanjes republikane nuk mund te pajtoheshin me shtetin policor dhe “gjuetine shtrigave” qe u instalua ne Shqiperi pas vitit 1945.Nje here babai me tregoi nje burre te gjate dhe te dobet.Ishte aty nga viti 1978.Ja me tha ai burri i gjate atje eshte Veli Dedi,ish luftetar i Spanjes Republikane.

    Reply to this comment
  2. NO PASARAN ! June 5, 10:40

    Brez i shkelqyer idealistesh qe harrohen gjithmone e ne çdo sistem sepse shembuli i tyre eshte verbues per pushtetin…e mos ja veni fajin vetem komunizmit, edhe ne demokraci apo mbreteri do i kishin menjanuar….I perjetshem kujtimi i vullnetareve te spanjes

    Reply to this comment
  3. nostalgji June 5, 14:00

    Mos flisni keshtu se brezi i sotem i Flamur Nokes, Nard Ndokes, Clevis Balliut ….te udhehequr nga Saliu e Lulezimi dhe bamiresija e telefonave ajfon per rinine dhe bordello ne Jal, jane ata qe po na bien te ardhmen pa te ardhme. Pak ironi, respekt Per ata larte e Petro Markon se bashke me te iku “hasta la vista” edhe ai shpirt njerezor qe egzistonte; me kujtohet kur ka shkruar romanin “Ultimatumi” ka ndenjur tek nje fshatar patriot i luftes se Vlores 1 muaj per te mesuar prej tij. Gjithmone repekt atij brezi te ndritur e te mençur, trim dhe patriot.

    Reply to this comment
  4. Popullore June 5, 15:20

    Epo kur shkruan edhe ish-redaktori dhe ish-kryeredaktori i gazetes “Zei i Popullit”, organ i KQ te PPSH< Albert Shala keshtu, hapu dhe te futem:"Ishte dekada e fundit të diktaturës," shkruan Berti nga pertej oqeanit, "kur puna gjithandej ishte shkrehur, dhe nga njerëzit kishte një pritshmëri, si i thonë fjalës, me veshët pipëz, për ndryshime, e ndryshimet ishin aq të padukshme, sa që edhe me optimisti i quante “me pikatore”, ndërkohë që gazeta “Zëri i popullit”, sidomos nga mesi i atyre viteve e tutje, i quante “reforma”, madje edhe “historike”..???

    Reply to this comment
    • Musa June 5, 17:56

      Shkrimet e para tronditese per ate periudhe ne ZP u botuan, duam s’duam ! Mos harro “Popullore” shkrimin e Ylli Popes “Ne kerkim te Kohes se Humbur” pa folur per te tjera ! E dyta, me duket se nuk e njeh Albert Shalen, ndaj mos u nxito me opinione, se eshte krejt e kunderta e atyre qe thoni. Shendet !

      Reply to this comment
  5. Musa June 5, 17:56

    Shkrimet e para tronditese per ate periudhe ne ZP u botuan, duam s’duam ! Mos harro “Popullore” shkrimin e Ylli Popes “Ne kerkim te Kohes se Humbur” pa folur per te tjera ! E dyta, me duket se nuk e njeh Albert Shalen, ndaj mos u nxito me opinione, se eshte krejt e kunderta e atyre qe thoni. Shendet !

    Reply to this comment
  6. Petrol June 7, 10:04

    Ne kete foto. Emrat e vullnetareve antifashiste te luftes se Spanjes (1936-39) nga e majta ne te djathte: Zef Prela, Veli Dedi, Justina Shkupi, Mehmet Shehu, Skender Luarasi,Ilias Pashaj, Mane Nishova, Petro Marko.

    Reply to this comment
  7. Operacioni Zjarri June 9, 13:15

    nga kush prisni ju qe te kujtohen? Nga antishqiptaret e PD apo nga skizofreni i PS qe ne ato fillime mohoi dhe babain e tij.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*