Njeriu i dritës së syrit

Entela Resuli February 6, 2016 09:38

Njeriu i dritës së syrit

Dy ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka akorduar mjekut Pajtim Lutaj titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të tij të shquar si mjek dhe profesor i njohur i oftalmologjisë, për përcjelljen e përvojës së pasur shkencore tek brezat e rinj, si dhe për humanizmin e spikatur në ushtrimin e detyrës së tij me pacientët”.

Lutaj, është një nga profesionistët e mjekësisë që ka mundur të ndryshojë sistemin shëndetësor nëpërmjet ideve dhe aparaturave të sjella nga Franca, vend ku ka studiuar dhe punuar për shumë vite.

Ai, për qindra pacientë mund të jetë arsyeja se përse ata sot shohin dritën e diellit, ndaj profesori i njohur i oftalmologjisë, prej dy ditësh mban në zyrën e tij dekoratën “Mjeshtër i Madh”.

 

Kush është Profesor Lutaj

dekorata e pajtimit
Pajtim Lutaj është diplomuar si “Mjek i Përgjithshëm” në Universitetin e Tiranës në qershor të 1983-it. Ndërkohë që tre vite më pas siguron edhe diplomën e specialistit okulist po në Fakultetin e Mjekësisë në kryeqytet. Formimi i tij profesional është zgjeruar me një sërë diplomash të nivelit master të fituara brenda dhe jashtë vendit sa i takon zhvillimeve të reja në shërbimin e okulistikës. Lutaj gëzon titullin “Doktor i shkencave mjekësore dhe Profesor i Asociuar”, ndërkohë që prej vitesh është pjesë e stafit akademik në Universitetin e Tiranës. Nga gushti i 1998-s e në vazhdim ka punuar si mjek oftalmokirurg dhe pedagog në klinikën universitare të Okulistikës në QSUT, për të kulmuar në tetor 2001 ku mori drejtimin e Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për rreth një vit. Ndërkohë që nga marsi i 2005-s deri në vitin 2011 ka drejtuar Shërbimin e Okulistikës në këtë qendër spitalore. Janë me dhjetëra punimet e tij shkencore publikimi i të cilave është bërë në revistat më të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Referuar karrierës së tij profesionale e cila është e pasur me titujt të shumtë universitarë dhe spitalorë, Pajtim Lutaj është autor i 5 teksteve mësimore dhe monografive të botuara (një prej të cilave është përkthim). Mbi 12 është numri i artikujve të botuar në revista rreth zhvillimeve të ndryshme të ndodhura përgjatë viteve në fushën e okulistikës, nga këto 9 artikuj janë botuar në revistat jashtë vendit. Gjatë karrierës së tij Lutaj ka udhëhequr një sërë punimesh shkencore. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 11 udhëheqje shkencore për punime doktorature në Shqipëri dhe Kosovë. Gjithashtu ai ka drejtuar 12 seanca shkencore të zhvilluara në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare rreth këtij specialiteti, ka mbajtur rreth 9 leksione në Kongrese Ndërkombëtare rreth çështjeve të ndryshme shëndetësore që përfshijnë këtë specialitet, si dhe ka bërë mbi 48 prezantime dhe postera, prej të cilave në 32 është autor i parë. Një kontribut të veçantë Pajtim Lutaj ka dhënë edhe në organizimin e drejtimin e 2 kongreseve ndërkombëtare. Prej vitesh Lutaj është anëtar i shumë shoqatave të Oftamologjisë vendase dhe të huaja. Sot ai është Shef i Departamentit ORL-Okulistikë QSU “Nënë Tereza”.

Përveç telefonatave mbi punën e përditshme, profesorit këto dy ditë i janë shtuar edhe telefonatat e urimeve mbi dekoratën e marrë nga Presidenti e Republikës. Ky titull, përveç faktit se e ka bërë të ndihet i vlerësuar për kontributin që ka dhënë deri më tani në mjekësi, e ngarkon me përgjegjësi për të bërë më shumë në këtë drejtim. Në një bisedë për Dita-n, me zërin e shtruar dhe të qetë, Profesor Lutaj, ndan emocionet e titullit të marrë dhe disa sekrete mbi profesionin.

-Profesor, dy ditë më parë, jeni nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Nishani, çfarë do të thotë për ju ky titull?

E si mund të ndihet një njëri në momentet që vlerësohet puna e vet?! Jam jashtëzakonisht i emocionuar dhe i vlerësuar. Siç vlerësoi edhe mendimin e Presidentit të Republikës. Këtë dekoratë dua ta ndaj me njerëz që më kanë ndihmuar, që janë bërë pjesë e suksesit tim në gjithë këto vite, me familjen dhe prindërit e mi. Këtë vlerësim e ndaj gjithashtu me profesorët e mi në Francë, por në veçanti me kolegët në Shqipëri, që u bënë pjesë e kauzës për të implementuar në vendin tonë një sistem demokratik. Së bashku me ta kemi bërë një punë të madhe për të sjellë në këtë vend një sistem që nuk ka ekzistuar më parë.

Gjithashtu e ndaj këtë dekoratë me studentët e mi, të cilët më kanë ndjekur në rrugën time, sa të vështirë aq edhe të bukur. Në të njëjtën kohë dua të përmend me mirënjohje gjithë pacientët që më kanë besuar mua dritën e syrit. Prandaj, këtë dekoratë nuk e quaj vetëm një vlerësim, por diçka më shumë, që shpreh edhe një vizion të qartë të presidentit për të promovuar kapacitetet intelektuale dhe zhvilluese të vendit tonë. Këtë dekoratë, e ndaj edhe me dy vajzat e mia të cilat, sot, studiojnë për mjekësi me rezultate të shkëlqyera në universitetin e Parisit.dekorata e pajtimittt

Ndërsa personalisht e konsiderova këtë dekorim, një përgjegjësi dhe një inkurajim për të vazhduar e për të qenë sa më aktiv dhe efikas në punën e përditshme dhe sa më i vlefshëm për vendin.

Ajo që më preku shumë ishte fjala e presidentit, vlerësimi që ai bëri, jo vetëm më titullin mjeshtër i madh por edhe më fjalën e tij vlerësuese dhe të ngrohtë, e cila do të shërbejë më shumë si një motivim për mua. Gjë tjetër që mund të ndaj nga ceremonia ishte pjesëmarrja. Pata nderin që të më bashkohen në këtë ceremoni, profesorët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, drejtuesit e universitetit mjekësor, ambasadori i Francës në vendin tonë, akademikë nga Shqipëria, Kosova, të cilët i falënderoj.

-Sa ë vështirë është të punosh si mjek në Shqipëri?

Sadisfaksioni profesional në Shqipëri, ka qenë një nga motivet kryesore dhe shtysa e suksesit tim. Të punosh në Shqipëri, vështirësitë janë të mëdha, aq më tepër kur kthehesh pas tetë vitesh studimi dhe pune në Francë. Kthimi në një vend të prapambetur, ku mungojnë aparaturat, mungojnë kapacitetet, mungon sistemi, e vështirësojnë akoma edhe më shumë punën. Ndaj ardhjen në Shqipëri, me një përgatitje të tillë, unë e konsiderova, edhe në fjalën time në presidencë, si një nder të jashtëzakonshëm dhe si një detyrë për të importuar në Shqipëri, qoftë teknikat dhe protokollet moderne, por edhe pjesë nga sistemi shëndetësor francez.

Gjithë kjo, më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme, saqë më dukej sa herë që sillja një aparaturë të re apo metodë të re, sikur futesha në një epokë tjetër, pasi këto aparatura nuk kanë ekzistuar më parë këtu.

Sot që flasim, ndjeni që ia keni dalë?

Patjetër, sot, pas 20 vitesh kthim nga Franca, çdo gjë flet vetë, ku okulistika shqiptare konkurron denjësisht në rajon dhe pacientët shqiptarë, nuk sorollaten, por marrin ndihmën e specializuar në vend.

-A kanë origjinë apo ndarje sipas vendeve sëmundjet e syrit, shqiptarët si paraqiten në këtë drejtim, sa të prekshëm janë?

Sëmundjet e syve në Shqipëri janë në të njëjtat përqindje si në të gjithë botën, por ajo që duhet të punohet më mirë në vendin tonë është që, disa sëmundje kronike, të evidentohen më shpejt, të krijohet ajo që quhet regjistri kombëtar për çfarëdo sëmundjeje, ky është edhe objektivi ynë, që okulistika shqiptare, t’i bashkohet programeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kryesisht programit për parandalim e sëmundjeve të trajtueshme. Njëkohësisht, rëndësi në këtë drejtim ka formimi apo zhvillimi profesional i vazhdueshëm i personelit mjekësor të të gjitha niveleve. Këtu dua të përmend dhe detyrën tonë kryesore dhe fisnike, përgatitjen e mjekëve të rinj oftalmologë të vendit tonë.

-Profesor, na thatë se keni dy vajza që studiojnë mjekësi, sa keni ndikuar ju tek to, në këtë rrugë që kanë nisur…?

Po, unë jam prind i dy vajzave, vajza e madhe Laura, ndjek vitin e tretë, ndërsa e vogla, Megi, në vitin e parë, në Universitet. Të dyja e kanë fituar degën mbi bazën e konkursit. Sistemi francez i universitetit, si një nga sistemet më të forta në botë, pranimet në fakultetin e mjekësisë i bën me konkurs kombëtar, me numër të mbyllur. Unë jam krenar që vajza e madhe konkurroi midis 3 mijë studentëve dhe fitoi konkursin e mjekësisë në Universitetin e Parisit duke u klasifikuar e 151 në radhë.

Rezultatet e të dyja vajzave janë pjesë e një pune të vazhdueshme të familjes sime kryesisht gruas, Margarita. Ne si prindër jemi krenarë sot që ato përfaqësojnë jo vetëm veten dhe familjen tonë, por gjithë brezin e studentëve shqiptarë në një nga universitet më të mira të botës. Rezultatet e tyre janë bërë një pjesë e rëndësishme e motivimit tim, më japin forcë për të vazhduar të zhvilloj sistemin shëndetësor.

Është e çuditshme t’ua them, nuk di nëse është gjenetike apo e trashëguar, por ne si prindër nuk kemi ndikuar fare në zgjedhjen e tyre, pasi edhe po të donim, nuk mund të ndikonim në një sistem ku vendos konkursi. Ndoshta dashurinë për mjekësinë, ato e kanë ushqyer nga mënyra se si punoj dhe e kam përfaqësuar unë veten, këtë ndikim indirekt mund ta kem ushtruar.

-Profesor, pas një qëndrimi të gjatë në Francë dhe gjatë këtyre viteve gjithë sfida në Shqipëri, jeni penduar ndonjëherë dhe keni thënë: ç’pata që u ktheva?

Këtë pyetja ma bëjnë shpesh në fakt. Edhe pse në Francë kam patur shansin të punoj në një nga klinikat më të mira universitare, përgjigja ime në lidhje më këtë pyetje ka qenë e njëjtë. Qëndrimi im është i palëkundur në lidhje më transformimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri duke implementuar një sistem vlerash, shkencore, profesionale dhe humane. Ndaj, kjo ide e qartë tek unë më bën të mos pendohem asnjëherë.

Entela Resuli February 6, 2016 09:38
Komento

5 Komente

  1. qytetari February 7, 09:46

    Ama, sa para ka paguar ky sharlatan i mjekesise me diplome?

    Reply to this comment
  2. Ben February 7, 14:20

    Si eshte kjo pune,te gjithe mashtruesit dekorohen.Nuk e kuptoj cfare ka bere ky person qe eshte dekoruar?

    Reply to this comment
  3. Ganiu February 8, 00:14

    Shiko presidentin qe e ka dhene dekoraten ashtu eshte edhe i dekoruari. koalicion mediokrish.

    Reply to this comment
  4. pajtim Maskarai February 8, 14:57

    Ky eshte nje kriminel, nje vrases me pagese qe merr ne qafe ata qe i besojne “mjeshterise” se tij. Luan me jetet e njerzve. Maskara!

    Reply to this comment
  5. Bylisjani February 11, 20:36

    Ju qe komentoni jeni plehrat e shoqerise . jeni cmirexhinje dhe dashakeq, jeni llumi qe shperndahet pa asnje baze. Paci faqen e zeze dhe aty keni per te mbetur te bishti i qenit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*