Njeriu i mirë Dritëro Agolli

February 9, 2019 10:27

Njeriu i mirë Dritëro Agolli

Agim Vinca

(Kujtime për poetin që i jepte shpirtit shpirt)

Takimi i parë

Nuk më kujtohet kur e kam takuar për herë të parë Dritëro Agollin. Nganjëherë më duket se e kam njohur që kur kam lindur. Ndoshta ngaqë natyra e tij si njeri, sikurse edhe krijimtaria e tij, poezia në radhë të parë, më ishin aq të afërta. Më tërhiqte te poeti devollit të qenit fshatar, bir fshatari, si unë, por edhe rebel, veti këto që përkonin me karakterin tim si njeri dhe krijues.

Duhet të ketë qenë viti 1976 kur e takova për herë të parë. Në Tiranë, në Lidhjen e Shkrimtarëve, të cilën asokohe e drejtonte ai. Ne, një grup pedagogësh të Universitetit të Prishtinës, kishim shkuar për një qëndrim studiues në Tiranë dhe një ditë prej ditësh, unë dhe njëri nga kolegët e mi, studiues i letërsisë, kërkuam të bënim një vizitë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Dritëroi na priti në zyrën e tij në katin e dytë me gotat me konjak në tryezë. I thjeshtë dhe i qeshur, por edhe i menduar, thithte cigaren dhe bisedonte me ne lirshëm, pa protokoll. Ma dhuroi poemën e tij të famshme, Nënë Shqipëri, botimin e dytë, që kishte dalë një vit më parë (1975) në 100 mijë kopje (një rekord kombëtar), me një përkushtim të thjeshtë, por të shtrenjtë: “Agimit, me dashuri. Dritëroi”. Kaq. Kështu më drejtohej mua, një poeti të ri, që mezi kishte botuar ndonjë përmbledhje të hollë vjershash, njeriu që kishte bërë emër në letërsi.

Në mbrëmje, te hotel Tirana, ku ishim vendosur ne pedagogët e Prishtinës, e takova sërish Dritëroin në shoqëri me një grua, poete nga Franca. Më prezantoi me të dhe i tha se isha poet nga Kosova, duke shtuar fjalët “i ri dhe i talentuar”. Francezja më pa, sikur po më maste me sy dhe më pyeti se çfarë poezie shkruaja. Në çast nuk dita si t’i përgjigjesha. T’i thosha: “poezi lirike”, nuk më dukej gjë; t’i thosha: “poezi të angazhuar”, më dukej e sforcuar. Më nxorri nga situata Dritëroi, i cili i tha francezes: “Comme Prèvert” (Si Preveri). Zhak Preveri ishte, pa dyshim, një nga poetët e mi të preferuar, por ishte kompliment i madh krahasimi me të.

Dritëroi më krahasoi mua me Zhak Preverin, edhe pse ka mundur të më krahasonte edhe me veten, sepse unë, veçanërisht në fillimet e mia krijuese si poet, kam mësuar mjaft nga ai.

Nga takimi në takim

Janë të shumta, për të mos thënë të panumërta, takimet që kam pasur me Dritëro Agollin: në Tiranë, në Prishtinë, në Strugë, në Korçë, në Pogradec, por edhe jashtë Kosovës e Shqipërisë, në Stamboll, në Itali e gjetkë.

Kam qenë shumë herë mysafir në shtëpinë e Dritëro Agollit, në sallonin e tij të famshëm, ku më kanë pritur me shumë përzemërsi Dritëroi dhe Sadija. Në atë dhomë të rrethuar me libra e piktura, kishte një tavolinë ku s’mungonte kurrë rakia, një kolltuk ku ulej gjithmonë i zoti i shtëpisë dhe, ç’është më me rëndësi, nuk mungonin kurrë bisedat, shakatë dhe poezia, e ndodhte që kriste edhe kënga.

Në një nga këto mbrëmje, më duket në vitin 2014, kur ribotova librin tim të parë, Feniksi, për të cilin Dritëroi shkroi një pasthënie, derisa po bisedonim për poezinë, e morën në telefon nga vendlindja. Ishin disa bashkëfshatarë dhe miq të tij. U tregoi kë kishte në vizitë dhe ma dha edhe mua dëgjuesen që të flisja me ta. U thashë se më vinte mirë që e nderonin njeriun që e kishte nderuar jo vetëm Menkulasin e Devollin, por tërë Shqipërinë, e që ishte njeriu i tyre. Pastaj ata kënduan bashkë në telefon, ata nga fshati i tij atje në Devoll, kurse Dritëroi nga apartamenti i tij në Tiranë, në rrugën e Dibrës, ku dikur kanë banuar edhe Kadareja dhe kompozitori Fehim Ibrahimi. Tre krijues të mëdhenj në të njëjtën shkallë!

 Pak politikë në Strugën poetike

Pas një ndërprerjeje gati dhjetëvjeçare të vajtje-ardhjeve në relacionin Kosovë-Shqipëri, për shkak të demonstratave të vitit 1981, do të takoheshim përsëri me Dritëroin në gusht të vitit 1990  në Strugë. Unë shkova në vendlindje për pushime dhe mora vesh se kishte ardhur Dritëroi me dy të tjerë (Bardhyl London e Koçi Petritin) për të marrë pjesë në festivalin “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, në të cilin Shqipëria merrte pjesë për herë të parë. Në hollin e hotel “Drinit”, ku ishin vendosur mysafirët, Dritëroi ishte tërë kohën i rrethuar me njerëz, poetë, gazetarë, lexues e kureshtarë, kryesisht të rinj, nga Struga e rrethina, por edhe nga Shkupi e Tetova. Shkova ta takoja pa humbur kohë dhe, pas përshëndetjes së përzemërt, filluam bisedën. Më tha: “Ajo fjala që ke mbajtur ti në Amerikë ka ardhur tek ne!”. U habita pak, ndonëse nuk ishte shumë e vështirë ta merrje me mend si kishte ndodhur kjo gjë. Unë kisha qenë në Amerikë me një grup intelektualësh nga Kosova për “pajtimin e gjaqeve”. Në një tubim në Detroit, më 7 gusht, në Ditën e Hashureve, m’u desh t’u kundërvihesha eksponentëve të emigracionit ekstrem shqiptar, njëri nga të cilët e rrëmbeu mikrofonin dhe tha: “Për ne nuk është problem Millosheviqi! Për ne është problem Ramiz Alia!”. Ne kishim shkuar atje të qanim hallin e Kosovës, që po hiqte të zitë e ullirit nën thundrën serbe, kurse ai s’e kishte problem Millosheviqin! I nxitur edhe nga dy studentë shqiptarë që më shoqëronin, u çova dhe e mora fjalën. Fola për situatën në Kosovë, për keqtrajtimet e përditshme të policisë serbe mbi shqiptarët, duke përmendur edhe ndonjë rast konkret, drastik. Në presidium, lart: babai i teqesë bektashiane të Detroitit, Baba Rexhepi dhe prijësi i aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, profesor Anton Çetta, kurse poshtë, në sallën e gjerë të restorantit drekëtarët e shumtë, burra e gra, kryesisht nga zona e Korçës dhe e Devollit. Nuk lashë pa theksuar, natyrisht, se Shqipëria patjetër do të demokratizohej, sepse “andej shkojnë proceset”.

Disa duartrokitën, disa fishkëlluan. Një burrë m’u afrua dhe më tha se nuk e kishte kuptuar në tërësi fjalimin tim, por atë “kastrejshën” po. Kur u krye dreka, ndodhi një eksces i vogël: dy djem shkëmbyen grushta, sepse njëri nga ata, i afërm i “oratorit”, kishte thënë se ne intelektualët e Kosovës, në krye me Adem Demaçin, merrnim nga dy rroga: një nga Jugosllavia, një nga Shqipëria! Një djalë nga Tetova, i biri i një profesori të Universitetit të Prishtinës, nuk kishte mundur ta duronte dhe e kishte goditur.

Kjo është, me pak fjalë, historia e fjalës sime në Amerikë, që kishte vajtur në Tiranë.

Në sallë kishte pasur, me siguri, edhe njerëz të Sigurimit, të cilët i kishin raportuar Tiranës. Në prani të njerëzve që na rrethonin, i thashë Dritëroit: “Po, e vërtetë, i jam kundërvënë atij ballisti a zogisti atje në Detroit, por kam thënë edhe se Shqipëria duhet të demokratizohet, si të gjitha shtetet e lindjes dhe po ta them edhe ty këtu”.

Dritëroi u zu pak ngushtë, por nuk u dorëzua.

“E di si është puna, ti Agim? Shqipëria është e përzier. Ka fe e krahina të ndryshme… Kemi frikë mos bëhet Liban!” – u arsyetua poeti, që ishte edhe politikan. Ky ishte duket qëndrimi zyrtar i Tiranës në atë kohë. Fliste kryetari i Lidhjes e jo Dritëroi.

“Jo, jo. Nuk ka rrezik të ndodhë diçka e tillë. Shqiptarët nuk kanë bërë kurrë luftëra fetare, kurse dallimet krahinore janë zhdukur gjatë kohës së “shokut Enver” – replikova unë, i sapokthyeri nga Amerika.

Të tjerët dëgjonin dhe heshtnin. Sytë i kishin te Dritëroi, veshët nga unë.

Në mbrëmje, në një bisedë tête-à-tête me Dritëroin në restorantin “Avon”, ku im nip, Fisniku, që dinte përmendsh shumë vargje të Dritëroit, na servirte rakinë dhe mezenë më të mirë, u pajtuam se Shqipëria duhet të demokratizohej, por duke mos u destabilizuar si shtet dhe duke shmangur rrezikun e përplasjeve të brendshme, për të cilat ishin shumë të interesuar ata që s’ia donin të mirën Shqipërisë, përfshirë edhe fqinjët e saj të drejtpërdrejtë.

Më tregoi se si e kishte larguar bustin e Stalinit nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e kishte dërguar në Uzinën e Traktorëve a në ndonjë ndërmarrje tjetër. “Aty e ka vendin”, u kishte thënë, ndonëse, ç’është e vërteta, as aty nuk e kishte.

Kaloi vera, vjeshta. Erdhi Dhjetori. Studentët u ngritën dhe kërkuan që Shqipëria të bëhej “si gjithë Europa”. Ramiz Alia lejoi pluralizmin politik. Për herë të parë pas 45 vjetësh u formua një parti opozitare: Partia Demokratike. U mbajtën zgjedhjet e para të lira, të cilat i fitoi Partia e Punës, e cila po atë vit u shndërrua në Parti Socialiste. Në kuvendin themelues të PS-së Dritëroi mbajti atë fjalimin e famshëm, që u prit me këmbët e para nga garda e vjetër.

Në vitet e para të pluralizmit, që ishin vite të një krize të thellë jo vetëm ekonomike e politike, por edhe morale, krizë që vazhdoi edhe më vonë, për të arritur kulmin në vitin 1997, poeti u gjend mes dy zjarreve: mes kanonadës së komunistëve fanatikë, që e quanin “renegat” e “tradhtar” dhe plotuneve të “demokratëve” rishtarë, shumica komunistë të konvertuar në demokratë, të cilët e shanin pa pushim si: “komunist”, “shërbëtor të regjimit”, “zëdhënës të diktaturës”. Vlonin gazetat, kafenetë e kuloaret nga kjo tymnajë akuzash e thashethemesh.

Në këtë klimë lindi libri mbase më i mirë me poezi i Dritëro Agollit, Pelegrini i vonuar, që u botua në vitin 1993, në letër gri, çfarë ishte edhe koha në të cilën doli libri dhe fryma e poezive që përmbante ai. Shumë ujë gri, shumë qiej gri,/ Gri në dritare, gri në vetmi,/ Ikin lejlekët larg në arrati,/ Shumë ujë gri, shumë qiej gri./ Pikojnë strehët melankoli,/ Shumë strehë gri, shumë pika gri./ Postjer përtaci vjen në shtëpi/ Me pallto gri, me letra gri./ Hesht pas dritares maçoku i zi,/ Gazeta hapet me tituj gri,/ Gri në dritare, gri në vetmi,/ Ikin lejlekët larg në arrati…. Një simfoni zërash e tingujsh, ku tingulli është edhe bartës i kuptimit, një mrekulli e vërtetë!

“Grindja” në Stamboll

Në Stamboll në vitin 1998, në një festival poetik ballkanik. Nga Tirana kishin ardhur Dritëroi, Fatosi (Arapi), Bardhyl Londo, Flutura Açka dhe Betim Muço, kurse nga Prishtina Ali Podrimja dhe unë. Ishim mysafirë të një bashkie të Stambollit, kryetari i së cilës ishte me origjinë shqiptare (bir i një familjeje nga Vushtrria e Kosovës), shumë dashamirës. Na kishin vendosur në një hotel çfarë s’kam parë kurrë në jetë: Parajsa mbi këtë tokë! Një kompleks i rrallë turistik me hotele, pishina, salla sporti, sauna e çkamos tjetër, nja 70 kilometra larg Stambollit, buzë detit Marmara. Pas aktiviteteve ditore në Stamboll (lexime, vizita, takime etj.), në mbrëmje ktheheshim për të fjetur në hotel. Poetët pjesëmarrës në festival, turq e të tjerë, që ishin kryesisht të orientimit të majtë, e donin shumë Dritëroin, e adhuronin. Por as ai nuk u mbetej borxh me sharmin dhe humorin e tij. Edhe me vargje sigurisht. Ishte figurë qendrore e festivalit autori i poezive antologjike: Turkesha, Poçari dhe Trëndafilat e turkeshës. I vinte në lojë turqit, duke thënë: “Unë turqisht nuk di, por osmanisht po”. Kështu thoshte. Madje seriozisht poeti me mbiemrin “agoll”, që në turqisht do të thotë “i biri i agait”.

Ishte viti 1998 (gusht) dhe Kosova ishte në qendër të vëmendjes.

Na tregonte mua dhe Aliut se si mbesa e tij, Anna (me dy “n”, si poetesha e Anna Ahmatova, të cilën e ka përkthyer gjyshi i saj), kur i kanë kërkuar të shkruante dy fjalë që fillonin me shkronjën “d”, paskësh shkruar: Dritëro dhe Drenicë! Kishte filluar lufta në Kosovë. Luftohej në Drenicë dhe Dukagjin. Në shtëpinë e Dritëroit në Tiranë kthenin shpesh ushtarët e UÇK-së, të cilët gjenin aty strehë dhe frymëzim. Ndodhte që edhe flinin në apartamentin e tij ata që i kishin dalë zot Kosovës, prandaj mbesa e tij e vogël, bukuroshja Anna, menjëherë pranë emrit të gjyshit të saj të dashur: Dritëro, vinte emrin Drenicë. (Dy vjet më parë, te libri Vjen njeriu i çuditshëm, kishte botuar ciklin e tij prej njëzet poezish për Kosovën).

Gjatë qëndrimit në Stamboll, desh u zumë me Dritëroin për “luftën”. Jo për luftën e Kosovës, por për LNÇ-në e Shqipërisë.

Derisa shkonim nga Stambolli në hotel me furgon, ra fjala e luftës antifashiste, rreth së cilës zhvillohej atëbotë, sikundër edhe sot, një debat i gjallë në Shqipëri dhe kudo ndër shqiptarë. Flisnin rend e pa rend Fatosi, Bardhyli, Aliu, madje edhe shoqëruesi dhe përkthyesi ynë “zyrtar”, që ishte shqiptar nga Kosova. Kush thumbit, kush patkoit. Fola edhe unë diçka (nuk më kujtohet tamam çka), por në favor të luftës e jo kundër saj, mirëpo Dritëroi më keqkuptoi dhe më tha: “Mos ma shaj luftën ti mua, se të hedh nga furgoni!”. Më goditën rëndë këto fjalë, aq sa furgoni m’u soll vërdallë. Sedra e fyer ma kujtoi një rrëfim që e kisha dëgjuar nga daja im. Dy dibranë u grindën në odën e burrave. I thotë i pari të dytit: “Unë të hedh nga dritarja!”, kurse ky ia pret: “Bashkë me ty, po, se vetëm jo!”.

Nuk ishte ndoshta zgjidhja më e mirë, por unë, gjysmë me shaka, iu përgjigja Dritëroit me të njëjtat fjalë: “Bashkë hidhemi, i dashur Dritëro, se unë vetëm jo!”.

Ndërhyri Fatosi dhe e qetësoi situatën. Fjalët e tij se unë nuk thashë asgjë të keqe për luftën, e zbutën Dritëroin.

Nuk kishte faj Dritëro Agolli. Katërmbëdhjetë vjeç djalë kishte dalë partizan, kurse një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij ia kishte kushtuar asaj lufte që ia solli lirinë Shqipërisë dhe sidomos dëshmorëve që ranë për të. Por as unë nuk isha fajtor, sepse asnjëherë, as atëherë e as më vonë, nuk i kam sharë ata që gjatë Luftës së Dytë Botërore u radhitën në anën e koalicionit antifashist, duke e shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi dhe mbase edhe nga zhbërja e saj si shtet.

Kisha dëgjuar nga vetë Dritëroi se nuk mund të bëhesh mik i mirë me dikë pa u zënë njëherë. Sado absurde që duket kjo thënie, ka diçka të vërtetë. Njerëzit dhe sidomos poetët ndodh të afrohen me njëri-tjetrin pasi përlahen njëherë, ashtu siç u “përlamë” unë dhe Dritëroi në Turqi dhe siç përlahen te Poçari heroi lirik, turisti shqiptar dhe poçari “turk”, që kërkon prej tij ta shajë shqip! “Shqip, vëlla, ti shamë edhe një herë,/ Fjala shqipe s’blihet në pazar,/ Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë”.

Kur mbërrimë në hotel, në prani të të tjerëve, më tha. – “Sonte do të pimë bashkë, Agim! Vetëm unë e ti”. “Unë do të bëj shoqëri, Dritëro, i thashë, sepse s’jam i zoti të pi me ty”. Dhe ashtu u bë. Ndenjëm deri në orën dy të natës, duke pirë e biseduar në sallën luksoze të hotelit, ku pothuajse s’kishte tjetër njeri. Kur u ngjitëm lart, më ftoi në dhomë dhe m’i dha me dedikim librat që pati botuar në shtëpinë botuese me emrin e tij: “Botimet Dritëro”. Unë shkova në dhomën tek flija me Ali Podrimjen, i cili tashmë ishte në gjumë të thellë, kurse Dritëroin e lashtë vetëm me gotë në dorë.

Të nesërmen, kur zbritëm për të ngrënë mëngjes, në restorantin ku s’kishte gjë që nuk kishte, ai hëngri fare pak, sa për të thënë. Ndërsa po dilnim nga restoranti, e futi dorën në xhep dhe m’i dha dy fletë A4 të palosura katërsh. “Na, merri – më tha. – Ju kam bërë nga një poezi, ty dhe Aliut”. Ç’nder dhe kënaqësi të të kushtonte poezi Dritëro Agolli! Të bëheshe hero i vargut të tij! Kjo ishte për mua befasia më e këndshme që përjetova gjatë atij udhëtimi. E pyesja veten: “Kur i shkroi? Mbrëmë, me siguri, kur tjetër?”. Ku e gjente gjithë atë forcë ky njeri, gjithë atë energji? Me të drejtë miku i tij dhe imi, poeti Moikom Zeqo, e ka quajtur “demon i fjalës”.

Dritëroi kishte qenë edhe para disa muajsh në Turqi. Jo si poet, por si deputet, me një delegacion të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin kishte pasur përfaqësues të të gjitha partive parlamentare. E kishte përdorur bufenë në dhomën e hotelit, sepse s’mund ta gdhinte natën pa e njomur fytin. Ditën që do të largoheshin, punonjësit e hotelit, siç është zakon, kishin kërkuar t’i paguanin shpenzimet e bëra për pije dhe telefon. Dritëroi, siç tregonte vetë, u qe drejtuar turqisht me fjalët: “Ben, arnaut şair … Turkiye … büyük devlet“. (Unë – poet shqiptar, Turqia – shtet i madh). Nuk besoj të koritet për pak gjë!”. Punonjësit e hotelit qeshën dhe më lëshuan, thoshte, kurse ata të Ballit i paguan të gjitha. Qeshëm edhe ne. Humori ishte armë e fortë e tij si shkrimtar dhe si njeri. E, humori, siç thotë Thekereji, është sintezë e inteligjencës dhe e dashurisë për njerëzit. Dritëroi i kishte të dyja: kishte një zgjuarsi të lindur dhe i donte njerëzit.

Nuk mund të mos kujtoj edhe një episod nga qëndrimi në Turqi. Një ditë, derisa po udhëtonim me makinë, befas vërejtëm një tabelë në të cilën shkruante: “Elbasan”. Ishte një fshat me këtë emër. Vendosëm të kthenim për ta parë. Zbritëm në shesh, te busti i Ataturkut dhe hymë në lokalin pranë, ku, në një tavolinë të mbuluar me çarçaf, pimë çaj rusi, fut të zi. Njerëzit që ishin në çajtore u bënë kureshtarë dhe na u afruan. Njëri nga ata, shofer me profesion, kishte qenë në Shqipëri. Kishte kaluar edhe nëpër Elbasan. “Si t’u duk?” – e pyetëm. “Dikur ishte më i mirë – tha turku. – Kurse tani jo”. Dritëroi shfrytëzoi rastin dhe e ngacmoi Bardhyl London, që ishte mbështetës i madh i Sali Berishës. “E, Bardh, e sheh? Në kohën time ka qenë më mirë! Ta tha turku”. Ne qeshëm dhe pasi pimë çajat që na i pagoi shoferi “elbasanas”, vazhduam rrugën për tek ishim nisur.

 

Në Ferizaj për poetin “terrorist” të dënuar me 14 vjet burg!

Në vitin 2001 në Ferizaj do të bëhej promovimi i dy librave me poezi të poetit dhe veprimtarit Besim Zymberi: Perëndia qan nën Shqipërinë dhe Në prehrin e Orëve të Bardha. Autori i këtyre dy librave, të botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, ndodhej në burg në Serbi, ku vuante dënimin. Ishte dënuar me 14 vjet burg si “terrorist”. Do të vinte edhe Dritëro Agolli për ta nderuar poetin e burgosur dhe për ta ngritur zërin për lirimin e tij. Dritëroi erdhi si gjithmonë me të shoqen, Sadijen dhe foli në sallën e mbushur plot të Shtëpisë së Kulturës në Ferizaj. Në rreshtat e parë ishin familjarët e Besimit, nëna, motra dhe e fejuara e tij, të heshtura e të mërzitura, por edhe krenare për trimërinë dhe mençurinë e tij. Nuk di ndonjë poet tjetër shqiptar, të vjetër a të ri, që t’i përngjajë aq shumë Dritëroit, por pa rënë në pozita epigone, sepse motivet që trajton i ka “autoktone”. Vetë Dritëroi në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: “Dy librat me vargje të Besim Zymberit zbulojnë një poet të vërtetë me një materie të gjallë poetike, përherë në lëvizje, ku fjalët si valët godasin njëra-tjetrën (…). Në këtë poezi fjala dhe mendimi shkrihen në të vetmen materie poetike, duke u ngritur dalëngadalë në një britmë lirie, që i duhet poetit për t’u bërë zëri i kombit të vet”.

Atë natë qyteti i Ferizajt përjetonte një ndjenjë të dyfishtë: festë dhe zi. Zi për birin e tij, që dergjej në burg si Ago Ymeri dhe “festë” ngaqë për ta nderuar atë kishte ardhur vetë Dritëro Agolli. Nuk mbeti njeri pa folur me Dritëroin dhe pa bërë fotografi.

 

Në Kalabri, te vëllezërit arbëreshë

Tre vjet më vonë do të shkonim bashkë në Kalabri. Dritëroi me Sadijen, si gjithnjë, profesor Nasho Jorgaqi, poeti Xhevahir Spahiu dhe unë. U bëmë bashkë në Tiranë, morëm aeroplanin në Rinas dhe zbritëm në aeroportin e Barit, ku na prisnin vëllezërit arbëreshë. Do të merrnim pjesë në përurimin e librit me poezi të poetit të shquar arbëresh Vorea Ujko. Poeti Agostin Jordani, studiuesi Italo Fortino dhe gruaja e tij poete, Kate Xukaro, ishin kujdesur për botimin e plotë të veprës së Voreas në një vëllim prej 777 faqesh. Takimi u mbajt në Fermë, ku Vorea kishte punuar si prift. Arbëreshët i thonë priftit “zot” dhe secilën herë kur e përmendnin Vorean, thoshin: “Zoti”. Takimi u bë në një kishë të shekullit XIV, një mjedis vërtet ekzotik, shumë i përshtatshëm për të folur për poezinë. Secili nga ne të ardhurit nga “Arbëria”, me Dritëroin në krye, mbajtëm nga një fjalë. Folëm për Vorean si poet, por edhe si njeri e atdhetar. Pas konferencës, organizuar nga Bashkia e Fermës, vizituam vendlindjen e poetit, Frasnitën, shtëpinë ku ka lindur dhe jetuar poeti i shquar, ku na pritën me shumë bujari nipi i tij me të shoqen.

Vorea kishte qenë i vetmi njeri që kishte hyrë në Shqipëri pa vizë në vitet ’70. Kishte ardhur me anije nga Italia në Mal të Zi dhe pas disa ditësh qëndrimi në Ulqin ishte nisur për në Shqipëri. Në doganën e Hanit të Hotit i kishin thënë: “Nuk ka mundësi, zotëri, nuk keni vizë”. “Merrni në telefon Tiranën, ua kishte kthyer ai, kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, shokun Dritëro Agolli”. Dritëroi kishte bërë çmos që miku të mos kthehej prapë dhe ia kishte arritur qëllimit. Ishin miqësuar bashkë, kishin ngrënë e kishin pirë si dy bohemë. Vorea i kishte rënë kryq e tërthor Mëmëdheut, nga Jugu në Veri, kishte rënë në dashuri me një këngëtare të njohur dhe kishte shkruar shumë poezi për të dhe për Shqipërinë. Në qoftë se në kufi e kishin toleruar, për martesën me këngëtaren, të cilën ai ishte i gatshëm ta merrte me vete, duke zhveshur rrobën e priftit, i kishin thënë se ishte e pamundur.

Ishte pajtuar me fatin dhe nuk ishte hidhëruar me Dritëroin. Përkundrazi. E kishte dashur fort si poet dhe si njeri. Dritëroi bënte shaka me veten dhe Vorean. “Në qoftë se Akademia Suedeze nuk ta jep ty Çmimin Nobel – i kishte thënë Vorea Dritëroit – unë do ta djeg Suedinë! Do t’i vë zjarrin!”.

Pas familjes Belliçi shkuam te Bellushi (At Antonio Belushi), në shtëpinë e tij, që i ngjan një muzeu. Ai u gëzua shumë dhe nuk dinte ku të na vinte. Vazhdimisht përsëriste fjalët, të cilat ia thoshte të motrës: ”Këta janë më të mirët çë ka Shqipëria!”. Na dha nga një komplet të revistës “Lidhja” dhe kërkoi të shkruanim diçka në fletoren e përshtypjeve. Secili nga ne lamë fjalë miradije për njeriun që nuk la cep të Shqipërisë, asaj të lashtës, të tërës, pa e shkelur me këmbët e tij në kërkim të rrënjëve shqiptare.

Sadija kujdesej për Dritëroin në çdo hap. Kishte merak të mos pinte shumë. I rrinte pranë kur hanim drekë e kur pinim kafe dhe i fliste vazhdimisht. Në një rast e pashë Dritëroin të revoltohej dhe t’i bërtiste: “Mjaft më se më mërzite!”. I kisha përballë në tavolinë dhe e vërejta skenën. Sadija nuk e bëri veten.

Profesor Qosja, në ditarin e tij të luftës, Tronditja e shekullit, Dritëroin dhe Sadijen i quan “çift emblematik”. Sepse Sadija, e cila gati tërë jetën punoi si gazetare, nuk ishte vetëm gruaja e Dritëroit, por edhe lexuese e parë e shkrimeve të tij dhe shoqëruese e tij në udhëtimet nëpër botë.

Ishte amator i fotografisë. Më ka pasë thënë njëherë se një kohë ishte marrë, bashkë me Sadijen, me radhitjen e fotografive nëpër albume. (Ia pata lakmi). Të gjitha fotografitë që bëmë bashkë gjatë qëndrimit në Kalabri m’i dërgoi me një zarf të posaçëm mbi të cilin kishte shkruar me shkrimin e tij të dridhshëm: “Mikut tim të madh, poetit dhe studiuesit të shquar të letërsisë shqiptare  Agim Vincës, ia ruaj këto kujtime me arbëreshët e Italisë në maj të 2004-s. Dritëroi”.

 Beteja për bardin

Kam qenë anëtar i Këshillit Drejtues të festivalit poetik të Strugës në vitet 2002-2004 (në 2005-n dhashë dorëheqje) dhe kam zhvilluar një luftë të madhe për gjuhën shqipe e kulturën shqiptare dhe një betejë jo edhe aq të vogël për mikun tim poet, bardin Dritëro Agolli. Me të hyrë në atë bord, ku raporti ishte 4 me 1 (katër maqedonas, një shqiptar), kërkova që poeti i shquar shqiptar Dritëro Agolli të përfshihej në bibliotekën “Plejada”, ku për çdo vit botoheshin shtatë poetë nga Ballkani dhe bota. Madje ua prisha listën që kishin hartuar, duke hequr një poet rumun dhe duke vënë në vend të tij Dritëroin. (Rumunin e propozova vetë në krye të vitit). “Pas konfliktit të 2001-shit – u thashë kolegëve të mi maqedonas – duhet të njihemi më mirë në planin shpirtëror”. Dhe ashtu u bë. Dritëroi u përfshi në kolanën “Plejada” me një libër me poezi të zgjedhura. Zgjedhjen e bëmë bashkë, kurse poezitë në maqedonisht i përktheu poeti dhe akademiku me origjinë shqiptare Mateja Matevski, i cili bëri një punë të shkëlqyer. Një përkthim brilant!

Kryetarin e bordit, shovenin Ançevski, e detyrova të shkonim bashkë në Tiranë për t’ia marrë pëlqimin poetit. Dritëroi mori pjesë në festival në edicionin e vitit 2003 dhe la përshtypje të shkëlqyer me gjithçka (me pamjen, qëndrimin dhe sidomos me vargjet e tij). Një vit më vonë e propozova për çmimin “Kurora e artë”, duke e arsyetuar propozimin me shkrim. Që të lija mundësi zgjedhjeje propozova tre poetë shqiptarë për këtë çmim: Dritëro Agollin, Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun. Çmimi iu dha poetit portugez Vasko Grasa Mura, që ishte deputet i Parlamentit Evropian, me premtimin se vitin tjetër do ta merrte poeti shqiptar Agolli. Nuk e mbajtën fjalën, sepse ndërkohë SHBA-ja e njohu Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, Republika e Maqedonisë, kështu që, me sugjerim “nga lart” dhe me insistimin e kryetarit të Këshillit, u vendos (me shumicë votash) që çmimi t’i jepej poetit amerikan Uiliam S. Mervin. Më mbivotuan sërish, ashtu siç kishin bërë edhe kur u miratua statuti i ri i MPS-së, në të cilin nuk parashihej përdorimi i gjuhës shqipe. Nuk lashë gur pa luajtur për ta penguar atë statut diskriminues, por pa sukses, sepse më mungoi përkrahja politike. Atëherë vendosa të jepja dorëheqje. Kisha shumë arsye ta bëja këtë, por edhe dy prej tyre ishin të mjaftueshme: mohimi i gjuhës shqipe në statut dhe anashkalimi i letërsisë shqipe nga çmimi “Kurora e artë”. Dritëro Agollin ky çmim nuk e bënte poet më të madh, por veprimi im e rriste prestigjin e krijuesve shqiptarë në sytë e të tjerëve.

 Homazhi në Sheshin Skënderbej

Ditën që do të varrosej Dritëroi, më 5 shkurt 2017, me tre miq të mi: Hydajet Hysenin, Avni Deharin dhe Sali Bytyçin morëm rrugën për në Tiranë. Nuk mund të mos merrnim pjesë në përcjelljen e tij, unë dhe miqtë e mi.

Shoku ynë, Avniu, i cili i humbi dy djemtë: Arbënorin dhe Astritin (aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!) në mënyrë enigmatike, gjeti forcë të vinte me ne në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dritëro Agollit. Ishte rritur vetë me dashurinë e madhe për Nënën Shqipëri dhe i kishte edukuar edhe djemtë në atë frymë.

Hydajetin dhe Saliun vargjet e Dritëroit i kishin shoqëruar në vitet e gjata të burgut, sidomos të parin, duke ua lehtësuar vuajtjet. Kurse unë u kisha folur tërë jetën studentëve të mi për veprën e tij, veçanërisht për poezinë dhe kisha shkruar jo pak punime për të. Menjëherë pas lajmit për vdekjen e Dritëroit, botova te “Koha Ditore” (4 shkurt 2017) një artikull të gjatë, një faqe gazete, me titull Ikja e poetit të çuditshëm, kurse të nesërmen, në ditën e varrimit, më 5 shkurt, doli te gazeta “Dita” e Tiranës shkrimi im në formë nekrologu Fluturoi dhe shtërg i fundit…. U desh të bridhnim gjatë me Xhevdetin e “Ditës”për ta gjetur gazetën.

Sheshi para Teatrit të Operës dhe Baletit ishte plot me njerëz: shkrimtarë, artistë, njerëz të thjeshtë. Nuk na lanë të hynim në sallë. “S’ka vend”, na thoshin. Unë bëra çmos dhe u futa disi, pas shumë përpjekjesh (vetëm unë, jo edhe miqtë e mi) dhe kur ceremonia mori fund, e takova Sadijen. U përqafuam dhe u përlotëm. Ia dhashë gazetën që kisha sjellë nga Prishtina me portretin e Dritëroit në tërë faqen. “Të donte shumë, Agim” – më tha Sadija,  që kishte mbetur pa njeriun e saj më të dashur. “E di – i thashë. – Edhe unë atë. Ne të gjithë”.

Kur arkivoli me trupin e Dritëroit doli nga salla e TOB-it në Sheshin Skënderbej, hodhëm karafila të kuq mbi qivur dhe iu bashkuam kortezhit.

Lamtumirë, Dritëro Agolli!

“Shqipëria përtej Drinit”, si e quaje ti Kosovën, të do dhe s’të harron!

February 9, 2019 10:27
Komento

6 Komente

  1. COP MUTI sijeni ju antaret e Halese asaj Shqiperie qe shndruat ne anadoll ptu keni edhe surrat February 9, 11:06

    fshatri peshtire
    njeri i lig kriminel komunist
    plere njerezore

    neser do flisni per salih rrahman berishen ,njelloj si per kte mut ,

    do na e beni ndoshta edhe hero te shqiperise yyyyyyyyyyyyyyyyyyyt fare djallit
    zhduku nga Shqiperia

    Reply to this comment
  2. demo February 9, 23:59

    Nuk e kuptoj kete terbim te ketij cope muti per shkrimtarin Agim Vinca.

    Reply to this comment
    • Dod Gjinari February 10, 12:13

      demo ! – Duhet tè dishè se çfarè ere vjen nga haleja ! Ky i pari zhgaravitès èshtè njè kavalet me m…t !

      Reply to this comment
    • HANI MUT SE PAGUAN SHPELLARI DHE PALIKARI February 10, 15:29

      jeni I njejti mut i ktij Kombi
      qe elbni ne shekuj Shqiperine ,
      orandaj si kuptoni as Tradhetite qe keni ber ne Shekuj

      ktij vendi ,

      as Krimet duke mos i par kriminelet e shqiptareve si te tille por i nderoni ,
      as pafytyresine tuj tinzare ,

      qe jeni MUTI I NJEREZIMIT JO VETEM SHQIPERISE

      KY MUT QE SOT ESHE ZHYTUR NE HALE ESHTE BOTA JUAJ INJORANTE PRIMITIVE E TALIBANE
      PREJ ANADOLLI
      PRANDAJ HANI HANI SE E KENI TARDITE NGRENJEN E MUTIT

      MERRNI PAK LETER HIGJENIKE NGA KY KOMENT
      DHE FSHIJINI BUZET

      FUNDERINA NEJERZORE

      Reply to this comment
  3. Bes Brani February 10, 12:19

    Jam me Ty poet qè Agimet i zgjon, me çdo kujtim qè Ti shkruan pèr tè madhin Dritèro. Poetèt, njerèzit e zgjuar tè kètijè populli e kanè ripèrtrirè dhe ngritur nè piedestal shpirtin e shqipètarit, pèr tè mos vdekur kurrè !

    Reply to this comment
  4. si ky fshatr i qelbur dhe si ju ktu te gjithe un bej cdo dite ne WC February 10, 15:43

    dava muzllumash ,

    fara kancerogjene e Shqiperise .
    te afte per ,

    pabesi, tradheti ,tinzari ,
    krime ,korrupsion degjenrim

    dhe bythen perpjet ,

    te pashqetesuar per mutin qi ju bie mbi koke

    kta jeni ju mesjetaret e atij vendi muzlluma muti
    qe i knoni mutit ku jetoni edhe vet ne halen e muzllumit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*