NJERIU I SË NESËRMES

April 4, 2018 09:14

NJERIU I SË NESËRMES

Nga Moikom Zeqo

Vitet e fundit shkencëtarë nga e gjithë bota, me përpjekje të ethshme po vendosin bazat për krijimin e një realiteti tjetër, të ndryshëm nga ky që na rrethon. Për pak vjet jeta jonë do të lëvizë ndërmjet realitetit dhe fantastikës. A jemi vallë gati të përjetojmë përvojat e një bote të tjetërsuar, të përshpejtuar? Supozoni se jeni duke vizituar Akropolin, me qëllim që të mahniteni nga monumentet mbresëlënëse që ndërtuan paraardhësit tanë në epoka të tjera. Ju kënaqeni me pamjen imponuese të Partenonës, megjithëse sot një pjesë e madhe e saj është shkatërruar.

E megjithatë studiuesit dhe shkencëtarët kanë vendosur se historia mund të korrigjohet nga e para që ju të keni mundësinë të kënaqeni me këtë monument në pamjen e tij fillestare, ashtu siç qëndronte krenar mbi Shkëmbin e Shenjtë para se të bombardohej. Brenda disa sekondash do të shikoni që edhe grekët e lashtë… për të përjetuar këtë përvojë, mjafton të vendosni syzet e speciale në sytë tuaj, së bashku me një pajisje për perceptimin e vendit së bashku me një njësi kompjuterike me bateri!

Skenari i mësipërm nuk i përket sferës së fantazisë shkencore, por përbën një zbatim eksperimental nëpër qendrat kërkuese universitare dhe tregon kthesën e madhe që mund të marrin gjërat, në të ardhmen. Një tregues i rëndësishëm i këtyre studimeve, është edhe fakti se lojërat Olimpike të Athinës në 2004 ndoshta do të përbënte kufirin e një arritjeje teknologjike, kur mendohet se vizitorët e monumenteve të kulturës të pajisen me aparate speciale që do t’u lejojnë të shohin pikërisht ashtu siç ka qenë atmosfera para shumë vjetësh. Ky program u sponsorizua në masën 50% nga Bashkimi Europian, ndërsa disa pajisje të tjera të sofistikuara do të përdoreshin që spektatorët të shihnin organizimin dhe zhvillimin e Olimpiadës së parë në ambientin real ku u zhvillua dikur.

Këtu bëhet fjalë për ndryshimin dhe zëvendësimin e realitetit ashtu siç ndodh edhe në të gjitha zbatimet e realitetit virtual, duke u përpjekur të kompletohet realiteti me të gjitha elementet që do ta bënin më interesant, më të mirë dhe më të këndshëm. Realiteti i tjetërsuar, i përshpejtuar do të shprehë formën e pasuruar të së ardhmes sonë. Realiteti i shtuar është karakterizuar si revolucion, përderisa fusha e zbatimit të tij është mjaft e madhe, saqë ka tërhequr vëmendjen e ushtrisë, mjekësisë, industrisë dhe informatikës. Kjo bëhet më e kuptueshme po të kemi parasysh fjalët e Mark Bilingherst, në Laboratorin Human Interface Technology të Universitetit të Ëashingtonit, i cili deklaron se “po jetojmë një ndryshim strukturor në përdorimin kompjuterik. Realiteti i zmadhuar i përshpejtuar është pjesë e përpjekjes së zvogëlimit të vazhdueshëm të kompjuterit.

Këto mikrokompjutera kanë tendencë që në të ardhmen të zvogëlohen sa më shumë, duke synuar kombinimin me zbatimet e nanoteknologjisë dhe bioteknologjisë në mënyrë që të bëhemi njësh me to, përderisa ato do të ndodhen brenda trupit tonë. Këto mikroçipe nuk kanë për qëllim të krijojnë një ambient të tërë shifror brenda të cilit do të lëvizë dhe do të reagojë poseduesi por qëllim do të jetë të shtojnë një volum të tepruar informacionesh në fushën tonë pamore ekzistuese. Kjo do të bëjë të mundur që poseduesi të orientohet dhe t’i kryejë veprimet dhe misionet më mirë, më shpejt dhe më me efektivitet.

Njeriu i Telekomanduar! Ata që shohin drejt perspektivës dhe filozofët, u gjendën ngushtë kur u përballën me mundësitë dhe premtimet e determinizmit teknologjik, që ofronte ndërhyrjen e tij në shoqërinë moderne. Filloi të flitej për Pas Njeriun (Njeriun e të Ardhmes), një formë e re njerëzore me fuqi, aftësi dhe shprehi të panjohura më parë nga ne, të realizuara nëpërmjet proceseve artificiale duke forcuar fuqinë ekzistuese, nëpërmjet teknologjisë së plotfuqishme.Problemi është që teknologjia e re të jetë me të vërtetë miqësore dhe e pranueshme, sa më praktike në përdorimin e saj, e aftë të dalë nga kufijtë e eksperimentit laboratorik dhe gradualisht të bëhet pjesë përbërëse e Pas Njeriut të së Ardhmes.

Parashikohet që trupi ynë do të tejkalojë limitet e paracaktuara, sistemi nervor do të përzgjatet duke përdorur teknologjinë me fantazi. Realiteti i ri do të na ofrojë shqisat bionike që do të jenë produkt i trupave tona elektrikë.Shkencëtarë dhe studiues në Europë, SHBA dhe Japoni instalojnë elektroda dhe pajisje në trupat e të sëmurëve për të zëvendësuar shikimin e tyre, për qëllime kurime të anomalive mendore, dhe për të ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara lëvizëse. Mekanikët po prodhojnë pjesë hibride këmbimi për pjesët e trupit të njeriut, si bryla, këmbë, gjunjë në të cilët do të instalohen pajisje elektronike. Kompjutera me bateri po e transformojnë trupin tonë në një trup bionik.

Nga ana shoqërore zbulimet e reja paraqesin interes të veçantë përderisa problemet e pozicionit dhe rolit shoqëror si dhe struktura e shoqërisë pritet të ndryshojnë. Kështu jeta jonë e përditshme pasurohet, merr të dhëna të shumta duke endur kështu rrjetin e komplikuar që do të përbëjë bazën shoqërore për ekzistencën e njeriut të ri. Pritet të krijohet një hierarki e re, ku njerëzit e shumëditur do të jenë drejtues të botës së re, ndërsa njerëzit me forca të shtuara dhe aftësi të veçanta (nëpërmjet mikroçipëve) do të fitojnë titullin e elitës së re, e cila – ashtu siç pritet – do të pretendojë të kontrollojë dhe të komandojë klasat më të ulta.

Pajisjet e një realiteti të tjetërsuar, të përforcuar, megjithëse akoma ndodhen në stadin embrional, do të bëhen një mjet i shkëlqyer për të drejtuar dhe kontrolluar, duke i dhënë mundësinë pushtetarëve që të njohin në çdo kohë pozicionin dhe aktivitetin e çdo suejt, sepse do të komandohen nga një qendër kontrolli. Gjithashtu kontrollori dhe drejtuesi i kësaj qendre, nëpërmjet mënyrave të sofistikuara mund të projektojë në ekranin mikroskopik që mban poseduesi në syrin e tij,atë ,që dëshiron.

Hibridi Njeri-Cyborg (Robot) do të telekomandohet dhe do të jetë i paaftë të përcaktojë me logjikë të vërtetën, realitetin. Është e qartë se propaganda e shekullit të ri do të marrë një formë tjetër, më rezultative përderisa do të jetë krejtësisht e telekomanduar deri tek çdo njësi e shoqërisë.Realiteti i ri i tjetërsuar dhe i përshpejtuar do ta shndërrojë njeriun në një vegël që do të ofrojë kënaqësi të madhe, fakt ky që do ta joshi atë dhe do ta ketë të vështirë të shkëputet. Kjo do ta transformojë njeriun në një lodër të telekomanduar duke mos patur mundësi që të mendojë dhe të gjykojë.

Ai do të jetë i destinuar vetëm të prodhojë e jo të mendojë.Përfundimisht popuj të tërë mund të lëvizin në bazë të urdhrave të një drejtimi të përqendruar pa mundur të ndihen dhe të reagojnë në ngjarjet botërore. Qendrat e pushtetit do të drejtojnë realitetin e përditshëm dhe ushtri të plotfuqishme supernjerëzish, janë disa nga skenarët e të ardhmes tonë të përmbytur nga ndërhyrjet teknologjike.Ne, gjithnjë e më shumë mahnitemi nga ato që na ofron teknologjia e re dhe kërkojmë gjithmonë nga shkencëtarët të na ofrojnë zbulime më të argëtueshme.

Dhe kështu të gjithë së bashku lëvizim si një lodër e mirëkurdisur rreth boshtit që na çon drejt një të ardhmeje të panjohur dhe të pa sigurt.

Botuar në Dita

April 4, 2018 09:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*