Njeriu që zbulon llojet e reja të bimëve në shkencën e botanikës

June 1, 2018 11:23

Njeriu që zbulon llojet e reja të bimëve në shkencën e botanikës

 

Entela Resuli

Profesor Lulëzim Shuka pjesën më të madhe të kohës e kalon në auditorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe në çdo cep të Shqipërisë ku ka bimë.

Dy ekstreme shumë të rëndësishme këto për të. Kjo është bota e tij, të cilën ai i ka kushtuar jetën.

Krahas Tulipanit Shqiptar, Tulipanit Kosovar, Lulehelmit të Malos, Lulekambanës Vezulluese dhe Oksitropës së Tomorrit, së fundi ai ka publikuar edhe dy taksa (llojeve) të reja për shkencën botanike, duke e çuar në shtatë, numrin e llojeve endemike shqiptare të zbuluara prej tij, dhe njëkohësisht duke u bërë shqiptari i vetëm që zbulon lloje të reja për shkencën botanike dhe njëkohësisht kontribuesi i dytë kryesor në zbulimin e llojeve endemike shqiptare pas botanistit Gjerman F.K Meyer.

Lulëzim Shuka, Departamenti i Biologjisë, FSHN, Universiteti i Tiranës

I zhytur mes gjelbërimit dhe i përkushtuar për të zbuluar gjithçka rreth florës në vendin tonë, Profesor Shuka vjen këtë herë me një tjetër bimë të re të padëgjuar dhe të paregjistruar më parë, është një bimë endemike shqiptare.

“Këto 2 taksa të reja si dhe hibridi përbëjnë të vetmet taksa endemike të njohura deri më tani për Parkun Kombëtar të Prespës, dhe sigurisht do të ndikojnë që ky park të jetë më tërheqës për studiuesit dhe turistët. Këto zbulime tregojnë gjithashtu që flora jonë në veçanti dhe biodiversiteti në përgjithësi është shumë më e pasur nga ajo që ne njohim deri më tani”- shprehet profesor Shuka për Dita-n.

-Cilat janë dy taksat e reja bimore të publikuara nga ana e grupit tuaj të punës?

Në artikullin e fundit shkencor të titulluar: “Një përmbledhje mbi Kokoçelët e grupit të Soshkut dhe grupit gjethe rrjetë, në rajonin e Prespës dhe Pindos së Veriut  (A synopsis of the Centaurea soskae and triniifolia group (Centaurea sect. Acrolophus) in the Prespa area and Northern Pindos), dhe i botuar në revistën shkencore Phytotaxa, grupi i studiuesve nga gjermania: Erwin Bergmeier, Thomas Gregor, Lenz Meierott (kolegë të të ndjerit Gerhard Wagenitz), si dhe Kit Tan dhe unë (L. Shuka), pas një analize të detajuar dhe shkencore konkluduam në zbulimin e 4-taksoneve (llojeve dhe nën-llojeve) të reja bimore shkencore, tashmë të regjistruara, prej të cilave 2 endemike shqiptare, një endemike e Greqisë dhe një tjetër, me një përhapje më të gjerë, brenda rajonit të Prespës, përfshirë Shqipërinë, Greqinë dhe Maqedoninë.

Centaurea soskae

Kontributi im shkencor dhe i koleges Kit Tan nga Universiteti i Kopenhagen-it, përfshin regjistrimin e dy taksave të reja për shkencën, të emërtuara nga ana jonë si Kokoçeli i Shumkës (Centaurea shumkana Kit Tan, Shuka & Wagenitz), të emërtuar kështu për të njohur kontributin e Prof. Spase Shumka (Biolog në Universitetin Bujqësor) në promovimin dhe shpalljen e rajonit të Prespës si Park Kombëtar dhe Rezervë e Biosferës, dhe Kokoçeli i Soshkut, nën-lloji Bardhosh (Centaurea soskae subsp. albida Kit Tan, Shuka & Wagenitz), të cilat, tani për tani njihen të rriten vetëm në brigjet e liqeneve të Prespës, pjesa Shqiptare e tyre.

Do të doja të theksoja që artikulli shkencor i dedikohet botanistit Gjerman G. Wagenitz, specialistit më të mirë në botë për gjininë e Kokoçelëve (Centaurea), i cili u nda nga jeta 1 vit më parë, me dëshirën për të vizituar dhe njohur nga afër këto lloje në rajonin e Prespës, vizitë e cila nuk u përmbush për shkak të ndarjes së tij nga jeta.

-Çfarë përfaqësojnë llojet e reja të zbuluara dhe publikuara së fundi në fushën e florës dhe biodiversitetit nga ana e juaj?

Publikimi i mësipërm përveç 2 llojeve të reja për shkencën përfshin gjithashtu regjistrimin për herë të parë edhe të një hibridi natyror kokoçeli. Hibridi i ri është rezultat i kryqëzimit natyror midis Kokoçelit të Soshkut dhe Kokoçelit gjethe rrjetë (Centaurea soskae subsp. albida × C. triniifolia subsp. campylacme) ku ky i fundit, pra Kokoçelit gjethe rrjetë (Centaurea triniifolia subsp. campylacme), raportohet gjithashtu për herë të parë për Greqinë dhe Shqipërinë, deri më tani ishte i njohur të rritej vetëm në Maqedoninë lindore.

Kokoçeli i Shumkës

Zbulimi dhe publikimi i 2 llojeve të mësipërme si të reja për shkencën si dhe i një hibridi të ri natyror dhe një lloji tjetër ballkanik, përbën një kontribut të rëndësishëm për florën e rajonit të Prespës dhe florën e Shqipërisë. Këto 2-taksa të reja si dhe hibridi përbëjnë të vetmet taksa endemike të njohura deri më tani për Parkun Kombëtar të Prespës, dhe sigurisht do të ndikojnë që ky park të jetë më tërheqës për studiuesit dhe turistët. Këto zbulime tregojnë gjithashtu që flora jonë në veçanti dhe biodiversiteti në përgjithësi është shumë më e pasur nga ajo që Ne njohim deri më tani.

-Profesor,  çfarë doni të thoni që flora jonë është shumë më e pasur nga ajo që ne njohim deri më tani?

Po dua të theksoj se numri i specieve të florës sonë është shumë më e madh nga sa njohim ose janë regjistruar deri më tani. Unë mendoj se duhet të ketë më shumë se 4300-4500 lloje bimore nga rreth 3600 lloje të njohura deri më tani. Rezultatet e këtyre 10 viteve e tregojnë më së miri këtë, ku numërohen mbi 500 lloje të reja të raportuara për vendin tonë.

Kokoçeli i Soshkut, nënënlloji Bardhosh

Po kështu mjafton të përmendim se numri i llojeve endemike të zbuluara këto 10 vitet e fundit është gati 2 herë më i madh nga sa ishin zbuluar përgjatë viteve 1840-2010.

Po kështu, duhet përmendur se kujdesi dhe puna e institucioneve përkatëse, si dhe përkrahja financiare shtetërore në kërkimet shkencore është inekzistente.

Pavarësisht se numri i vizitorëve të huaj është rritur, mungesa e botimeve serioze në fushën e florës dhe faunës është gati zero, mangësi kjo e cila shpeshherë theksohet edhe nga vizitorët ose studiuesit apo të pasionuarit pas natyrës.

-Kam përshtypjen se kritika e fundit nuk qëndron, ju ndoshta e dini që Akademia e Shkencave, një vit më parë ka botuar Atlasin e Florës së Shqipërisë Vol. I?

Sigurisht që e di dhe e njoh këtë botim, nëpërmjet të cilit Akademia e Shkencave (seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike) mendon se ka zbardhur faqen e institucionit, por që në realitet i ka bërë shërbimin më të keq institucionit më të lartë shkencor në vend.

E them këtë sepse, ky botim ka shumë mangësi të cilat mund t’i përmbledh në: -mungesën e diskutimit dhe rezultatit shkencor, – në plagjiaturë të aparatit figurativ (mbi 90 për qind e fotografive janë marrë nga interneti, pa analizuar dhe shumica të gabuara, gabim që shkon deri në nivel gjinie), -në përvetësim në mënyrë të përçudnuar të punës së shumë botanistëve shqiptarë dhe të huaj, pa i cituar ata sipas rregullave shkencore të citimit dhe pronësisë së zbulimit ose raportimit shkencor.

– Në këtë botim mungojnë shumë bimë të rralla dhe endemike të vendit tonë.

– Në botim jepet statusi i rrezikimit të specieve i bërë apriori dhe jo në baza shkencore, ashtu siç është gabuar në mjaft raste mbi gjeografinë e përhapjes së tyre. – Shumë gjini të florës janë përfshirë si bimë të kultivuara, kultivim i cili shkon deri në lartësitë mbi 2500 m.

– Në atlas gjen mjaft gabime të emrave gjeografike, dhe shkohet deri aty sa disa male janë rritur në lartësi, kurse disa bimë përshkruhen të gjenden edhe nën ujë, si p.sh. në Prespë, lartësia 700 m, në një kohë që niveli minimal i ujit në liqenet e Prespës është rreth 842 m.

Sa jo shkencor është ky atlas e tregojnë edhe krahasimi i tij me dy botimet e tjera të kësaj fushe si: Flora e Ilustruar e Shqipërisë me autor G. Pils dhe Atlasi i Përhapjes së Bimëve Enësore në Shqipëri, me editor botanistin Hungarez Zoltan Barina, që të dy gjithashtu me shumë gabime dhe jo përqasje shkencore.

Përfundimisht, ajo që më vret më shumë me botimin e Atlasit të Florës së Shqipërisë, Volumi II, është se Akademia ka shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë, për të na dhënë një vepër jo reale dhe jo shkencore, pra pa vlerë dhe shpesh dezinformuese.

-Le të kthehemi në fillim, me këto 2 taksa të reja, kontributi i juaj shkon në 7-taksa të reja për shkencën, cili do të jetë kontributi i radhës?

Shiko, pavarësisht mungesës së financimeve, por jo vetëm financimit, në vendin tonë po të punosh dhe prodhosh je i anashkaluar, sepse në institucionet tona nuk të kërkon njeri llogari për punën, në institucionet tona nuk ka standarde pune. Po nuk punove je i vlerësuar, njësoj si në skeçin e ish-aktorëve të estradës së Fierit, me gurin e punëtorëve të mirëmbajtjes së rrugës.

Pavarësisht kësaj, në Institucionet tona ka disa që punojnë, p.sh. ka Akademikë që e nderojnë institucionin dhe vendin tonë, ashtu siç gjen edhe shumë punonjës në Universitetet tona që e mbajnë “ndezur zjarrin” e kërkimit shkencor, pavarësisht se shteti dhe shumë drejtues Institucionesh të Arsimit të Lartë me kohë e kanë “zhveshur” Universitetin nga kërkimi, kurse tani po e zhveshin edhe nga misioni i tij edukues.

Duke u kthyer te thelbi i pyetjes suaj, ne vazhdojmë të punojmë sepse nuk mund të rrimë dot pa punuar, kështu që vazhdojmë të “gërmojmë” për të nxjerr diçka, në kushtet e mjerueshme të punës, në kushtet e mjerueshme të laboratorëve dhe pajisjeve të kërkimit shkencor në institucionet tona.

June 1, 2018 11:23
Komento

6 Komente

  1. Alban June 1, 12:25

    Bravo! Ja keta jane shqiptar te vertete, te tjeret jane zuzar.

    Reply to this comment
  2. Gzuim Kulufi June 1, 15:41

    Urime dhe suksese te metejshme botanistit te apasionuar te flores shqiptare.
    Gazetarja do te bente mire qe fjalen “takse”, te paperdorur deri me tani ne gjuhen shqipe, ta shoqeronte me fjalen shqipe te njohur, e qe duhet te jete “lloji”.

    Reply to this comment
  3. ante June 1, 15:51

    luli eshte botanist i nivelit boteror………suksese

    Reply to this comment
  4. Po,Po June 1, 19:20

    Me sa di une , vetem Darvinit iu krijuan kushte masimale per nje pune shume vjecare monumentale zbulimi , studimi e krahasimi , qe bene epoke , te tjeret jane dege te atij lisi dhe , me kohe jane marre e merren gjithenje e me pak me kete fushe te shkences .
    Tek ne , nuk besoj se ndonje dite , qeverite tona do ta kthejne fytyren nga flora shqiptare . Dhe , jo vetem ketu , njerezit e medhenj te artit , kultures e shkences , ne pjesen me te madhe te tyre , kane punuar e dhene shume , por kane marre prej shoqerise vetem sa per te mbijetuar . Ata i ka mbajtur gjalle e i ka frymezuar pasioni , dashuria per punen , jeten e per njeriun , ketu ka pjesen e tij edhe profesori yne i nderuar Lulezim .

    Reply to this comment
  5. Artur June 2, 13:28

    Kompliemte profesor. Sa mire do te ishte sikur ne shqiperi te kemi njerez punedashur si profesori!

    Pak rendesi ka sa lloje te reja gjenden dhe nuk eshte e rendesishme qe objektivi te jete per te nxjerre shqiperine parajse mbi toke. Rendesi ka te njohim sa me shume vendin tone floren dhe faunen. Njohja e mire nga ana jone do te ndihmonte dhe ne mbrojtjen e flores dhe faunes.

    Sukse te metejshme.

    Reply to this comment
  6. Skender June 2, 15:05

    Prof. Luli eshte nder shume te paket e numrit te profesoreve qe e kane kete grade shkencore, por as bejne studime as kane botuar e botojne per te lene gjurme. Vegjetojne e marrin rrogen. Po keshtu dhe shume akademike qe duket vegjetimi u jep gati nje rroge te dyte. Bravo prof. Luli. T’i kam ndjekur aritjet ne keto kushte teper te veshtira ne kerkimin shkencor. Urime e suksese per zbulime te tjera ne fushen e flores shqiptare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*