Njihni Shkollën Unike 100-vjeçare

Nga Habjon Hasani April 9, 2014 19:13

Njihni Shkollën Unike 100-vjeçare

Dje, në redaksi mbërriti një letër jo dhe aq e zakonshme. Dërguesi quhej Qemal Isufi, një ish-Drejtor shkolle në Mallakastër. Të tilla na vijnë shpesh në redaksi, por kjo letër kishte një përmbajtje që e bënte të veçantë. Ishte letra e një arsimtari, të devotshëm, që bënte apel për pak vëmendje ndaj një evenimenti me rëndësi për arsimin në zonën e Mallakastrës, Shkolla Unike mbushte 100 vjeçe. Sot, 100 vite më pas,  në epokën e “inflacionit të diplomave”, ku përpjekja për të siguruar një diplomë universiteti është thuajse e barabartë me mundin që të duhet për të siguruar një biletë urbani, kujtesa dhe vëmendja ndaj një shkolle që mbart fabulën e saj dhe përzien personazhe historikë nga më interesantët, merr një vlerë të shtuar.

Letrën e arsimtarit, DITA e boton sot të plotë, ajo mbart një informacion të mirë, mbi kontekstin tejet të vështirë të një shekulli më parë, por dhe ca më herët, në kohën kur iniciativa për të hapur një shkollë fillore, mund të të kushtonte dhe kokën.

Shkolla Unike e Mallakastrës nuk ishte një shkollë me konvikt, por atje shkonin nxënësit e interesuar nga 70 fshatrat përreth. Kur themi “nxënës” për një shkollë të para 100 viteve, nuk duhet t’i referohemi kurrsesi konceptit të sotëm të nxënësit. Shkolla ofronte gjithsej 5 klasë arsimim dhe në një klasë mund të kishte dhe 16-vjeçarë por edhe 32-vjeçarë. Ishte një sfidë për të shmangur analfabetizmin mbi të gjitha, një sfidë që disa prej nxënësve u sillte shumë mund. Ata që shkonin nga fshatrat e thella, u duhej të bënin dhe 8 orë rrugë çdo ditë, vajtje-ardhje, për të shkuar në Shkollën Unike që sot bën 100 vjeçe. Shkolla nuk kishte shkëlqimin e fasadave të universiteteve të sotme, aspak, nëse shikon fotot e hershme të saj pa e ditur se çfarë është objekti në foto, me siguri që mund ta ngatërroje me ndonjë hambar. Modeste do ishte pak të thuhej, një godinë një-katëshe, a thua se do rrënohej nga çasti në çast. Por ama me një vlerë të padiskutueshme për kohën. Nëse përfundoje të pesta vitet në këtë shkollë, automatikisht merrje statusin e mësuesit.  Kjo ndodhte sepse sfida ishte alfabetizimi dhe jo pedagogjia e mirëfilltë. Po ashtu, shumë nxënës të kësaj shkolle të dalë me statusin 5-vjeçar, pra me 5 klasë shkollë, më vonë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndihmuan në çetat partizane t’u mësonin luftëtarëve shkrim e këndim. Këta mësues, pas luftës fituan një status ekuivalent me partizanët, me veteranët e luftës, e dhënë kjo që na ndihmon për të kuptuar se sa i rëndësishëm konsiderohej kontributi dhe vlera e nxënësve-mësues që mbaronin 5-vjeçarin në një Shqipëri tjetër, shumë larg kësaj të sotmes që është edhe në NATO, por që edhe diplomat i ka me bollëk, mund t’i blesh sikur shkon në supermarket.

Katër Heronj të Popullit kanë përfunduar shkollimin në Uniken e Mallakastrës, por dhe shumë personalitete të tjera kanë studiuar aty. Këta me siguri që nuk ishin të ngjashëm me “studentët e dalluar” të Havardit apo Oksfordit, por ama i patën ato 5 klasë që u duheshin për t’i bërë të kuptonin se nuk vlente të përziheshin kot me “punë tenderash”.  Beteja e tyre ishte krejt tjetër, Shqipëria e tyre nuk ishte kaq moderne sa ç’është sot, po vështirë të mendosh se mund të ishte më pak dinjitoze. Përkundrazi. Historiku i sjellë nga arsimtari Qemal Isufi, të dhënat dhe detajet që ai sjell në vëmendje, në këto kohë, janë një pikë e shkëlqyer referimi, për të na kujtuar se kemi shumë për të humbur dhe sa më parë duhet të ndalim së trajtuari arsimin si plaçkë, si mall në treg. Arsimi jonë ka një të kaluar të mbushur me përpjekje dhe vështirësi të jashtëzakonshme, është i ngritur me gjak, me djersë e sakrifica.  Arsimi shqiptar e ka identitetin e vetë. Unikja e Mallakastrës sot më shumë se kurrë, na e sjell pranë, e bën të kumbojë këtë identitet. Gëzuar 100-Vjetorin.

Shkolla Unike e Mallakastrës (fotografi e vitit 1928)

Shkolla Unike e Mallakastrës (fotografi e vitit 1928)

 

Gjimnazi i Ballshit, në vitin 2014, 100 vite më pas

Gjimnazi i Ballshit, në vitin 2014, 100 vite më pas

 

Disa rreshta të merituar për 100-vjetorin e  shkollës së Mallakastrës

Nga Qemal Isufi

Plot 100 vjet më parë, u hap në Ballsh të Mallakastrës shkolla e parë shqipe, sikurse sot festojmë 50 vjetorin e çeljes në qytetin tonë të shkollës së mesme. Duke festuar njëqind vjetorin e hapjes së shkollës së parë, ne përkujtojmë rrugën e lavdishme, plot sakrifica të mësuesve, nxënësve dhe prindërve të shkollës së Ballshit.

Pushtuesi osman dhe fqinjët lakmitar ngulmuan ta copëtonin dhe zhduknin Shqipërinë. Patriakana dhe kisha ortodokse greke e shpallën të mallkuar gjuhën shqipe dhe me terror e ndaluan mësimin e saj në shkolla. Historia ka treguar, që ata popuj që nuk kanë luftuar për liri dhe nuk kanë të shkruar gjuhën e tyre janë shuar. Rilindësit tanë me luftën e tyre heroike e shpëtuan Shqipërinë nga zhdukja e sigurt. Ata përcaktuan frontet e luftës për pavarësi: Luftën me armë; luftën për gjuhën dhe shkollën shqipe; luftën për njohjen e Shqipërisë në botë. Secila nga këto fronte nxori luftëtarët e vet. U bë zgjimi i dinjitetit, ndërgjegjes dhe krenarisë kombëtare; shpirti i dergjur për trimëri dhe mbrojtjen e atdheut.

Rezultat dihen. Filluan kryengritjet e armatosura, Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe kryengritja e përgjithshme më 1912, që çojë në shpalljen e pavarësisë  kombëtare dhe ngritjen në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912 të flamurit të  Skënderbeut.

Krahas luftës me armë, filloi lëvizja e Rilindësve për mësimin e gjuhës shqipe në shkolla. Çelja e shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887, shkaktoi gëzim të madh brenda dhe jashtë vendit. Naim Frashëri uronte: “Lumja ti moj Korçë o lule”, ndërkohë që “Kalendari Kombëtar”, tërhiqte vëmendjen: “Ç’dobi na kanë sjell shkollat në gjuhë të huaj?!. Grindje dhe armiqësi”.

E mallkuar nuk ishte gjuha, Abc-ja dhe shkolla shqipe. Të mallkuar ishin dhespotët grekë me Sebastionot dhe Venizellot.

Për shkollën shqipe u derdh shumë gjak. Me të drejtë thuhet: “Pushka dhe abetarja janë dy binjak në llogoren e luftës për pamvarsi”, ose “me pushke e penë për mëmëdhenë”.

Nuk ka komb tjetër që për të mësuar Abc –në e gjuhës së nënës, t’i kenë masakruar dhe vrarë mësuesit. E dogjën në furrë Gjok Shqiptarin, helmuan Veqilharxhin, Pandeli Sotirin, Petro Ninin që u tha xhelatëve të tij: “Merreni gjakun tim dhe jepuani bijve tuaj që të shkruajnë gjuhën tonë të shenjtë”.

E copëtuan me sopat Papa Kriston e Negovanit. E rrahën në përroin e Shëntridhës Koto Hoxhin, por ky u tha: “Do të më kujtoni kur të ngjallet liria”. E rrahën edhe Babë Dudën, i cili u foli vandalistëve: ”Këto plagë janë dekoratat e mia”. U pushkatua Ismail Klosi dhe Hajredin Fratari nga rebelizmi filoturk më 1915, pasi luftuan për shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.

Në Mallakastër, mësimi ilegalisht I gjuhës shqipe, filloi menjëherë pas çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë, më 7 mars 1887. Konsulli austriak më 1900, i shkruante Vjenës: “Në këto tre vjet që jam në Vlorë, kam informata që mallakastriotët interesohen për shkrimin shqip, pa hapur shkolla. Atyre i vijnë abetare nga Stambolli dhe Bukureshti”.

Naim Frashëri më 1898 në letrën dërguar Musa Hamitit thotë: “I nderuari zoti Musa. Të përshëndes për mësimin e gjuhës shqipe në Hekal dhe në Mallakastër. Kam mësuar se është bërë Lidhja e Mallakastrës me Rilindasit brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke siguruar tekste në gjuhën shqipe….”

Pra edhe këtu në Mallakastër, pushka dhe abetarja u bënë dy binjakë në luftën për pavarësi. Atdhetarët e flaktë Ismail Klosi, Hajredin Fratari, Selfo Musa Hamiti, Ismail Shehu, Mustafa Muçaj, Ramadan Graçani etj. Pasi mësuan nga Rilindësit vetë, u bënë mësuesit e parë të gjuhës shqipe në Mallakastër. Ata grumbulluan luftëtarë arsimdashës dhe ilegalisht u mësonin atyre shkrim e këndimin shqip.

Ishte koha kur mësuesit e shqipes, me zjarrin e atdhetarizmit në zemër, me torbën e librave në krah, me kokën në rrezik bridhnin fshat më fshat, grumbullonin njerëz dhe u mësonin gjuhën tanë të bukur. Gazeta “Albania” e Bukureshtit thoshte: “Halldupët s’na lenë të çelim shkolla” dhe këshillonte: “Çdo shtëpi ta kthejmë në shkollë dhe secili prej nesh të jetë mësues”.

U kristalizua mendimi se problem i shkollës, ashtu sikurse problem i pavarësisë së vendit, nuk mund të arrihet më të lypur, por më forcë e me luftë. Në fillim të shekullit 20-të, u krijuan disa qendra mësimore ilegale në Mallakastër. Në Hekal, Selfo Musa Hamiti çeli në shtëpinë e tij qendrën mësimore me mësues Hoxhë Shkurtën nga Lapuleci, e pastaj Kaso Refat Shehu. Në Kutë, nga Ismail efendi Shehu. Në Klos, nga Ismail Klosi, me mësues Qamil Rustem Kamçishtin. Në Fratar, nga Hajredin Fratari me mësues Ibrahim Frashëri. Në Ngraçan, nga Ramadan Hazizaj. Me luftë kundër bajonetës turke, më 1908 u çelë shkolla e Kutës dhe e Cakranit.

Lëvizja e madhe atdhetare e viteve 1908-1912 dhe shpallja e Pavarësisë krijuan mundësin e çeljes së shkollës së parë shqipe në fundin e vitit 1913 në Ballsh. Shkolla u çelë me interesimin e atdhetarit Ismail Klosi me 60 nxënës dhe dy mësues, Qerim Libohovën dhe Zija Dibrën.

Hapja e shkollës në qendër të Mallakastrës, pati rëndësi dhe u prit nga populli më gëzim. Disa nga nxënësit e parë të saj ishin: Hysen Binjaku, Ferrik Klosi, Avni Murati, Xhaferr Hasimi, Kamber Levonja, Selman Abedini, Ymer Musai etj. Në vitin 1914 shkolla u mbyll nga rebelimi i Musa Qazimit. Mësimet rifilluan më 1918, me mësues Ruhi Zeko dhe Mexhit Libohova.

Në vitet njëzet, kur në Mallakastër u mbyllën shkollat, populli i Ballshit dhe i Cakranit, në telegramet e dërguara qeverisë thonë: “Si bombë na u komunikua mbyllja e shkollave”. Kurse inspektori Kol Gurashi, më 1931 i kërkon qeverisë: “Në Mallakastër, në 70 fshatra janë vetëm tre shkolla; në Ballsh, në Cakran dhe Kutë. Propozoj të çelen edhe tëtë shkolla të tjera”.

U çelën  katër shkolla; respektivisht në  Hekal, Aranitas, Graçan e Fratar dhe klasa e pestë plotore në Ballsh më 1931, ku ndër nxënësit që kanë kryer këtë shkollë, mund të përmendim Heronjtë e Popullit Dervish Hekali, Ramiz Aranitasi, Dino Kalenja dhe Hekuran Pobrati; sikundër kanë mësuar këtu Liri Belishova, Kadri Roshi, Murat Kamani, Zaim Myftari e plot të tjerë.

Në vitin 1938-39, shkolla e Ballshit kishte 214 nxënës dhe katër mësues. Mësimi fillonte nga klasa e parë dhe mësuesit transferoheshin gati çdo vit. Patrioti Zenel Hekali ishte idrejtor  shkollës në Ballsh dhe krye-drejtor i shkollave në Mallakastër. Ai është njohur në popull si avokat i fukarenjve.

Shkolla e Ballshit nga viti 1913 deri më 1939, ngulesh e shkulesh në shtëpi private. Më 1928 u ndërtua kati i parë i shkollës me parat e popullit, por fashizmi e dogji në operacionin e korrikut 1943 si të gjitha shkollat e tjera në Mallakastër, nën akuzën si ishin çerdhe të komunistëve. Populli i ngriti ato përsëri dhe mësuesit me idealë atdhetar i kthyen shkollat në vatra antifashiste; çetat partizane në qendra edukimi dhe qelit e burgut fashist në klasa mësimi.

Më 7 prill 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, vendin e shitën tradhtarët. Nisi rezistenca popullore dhe lufta kundër fashizmit; populli nuk i zbatonte ligjet e qeverisë fashiste. U rrit vetëgjyqësia, shpërtheu urrejtja në qytet dhe në fshat. Ky shpërthim atdhetar u shfrytëzua mrekullisht nga PKSH dhe këtë detyrë ajo e kreu përmes një heroizmi të paparë. Me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, më 29 nëntor 1944 vendi u çlirua. Ish-nxënësit e shkollës së Ballshit, luftuan me trimëri  të rrallë siç mund të përmendim Heronjtë e Popullit Dervish Hekali, Ramiz Aranitrasi, Dino Kalenja, Hekuran Pobrati, por dhe Liri Belishova, Namik Kamani, Kadri Roshi, Zaim Myftari, Ali Shehu, Murat Klosi, Gjysho Shehu, Hajdar Aranitasi, Shinasi Zeneli, Qamil Murati etj.

Kur luftohej për çlirimin e Fierit, fshatrat e çliruara të Mallakastrës dhe të Myzeqesë kërkonin shkollë: “Fshati ynë u dogj por dhomën për shkollë e kemi gati, prandaj na dërgoni një mësues”,- thuhet në kërkesat e herë pas hershme të tyre. Nuk kishte mësues, orendi dhe mjete mësimore. Këshilli i fshatit në Drizar, u bënte thirrje mësuesve: “Arsimtarë të nderuar, ju bijë të vërtetë të këtij popull! Ju ftojmë në vendet e çliruara ku ju pret me padurim populli i etshëm për arsim dhe dituri”. Dymbëdhjetë mësues nga Fieri dolën ilegalisht me Jani Boçkën, Llaqi Kolën, Ariste Pogaçen etj. dhe shkuan në seminarin e Sevasterit që atë kohë e drejtonte Zenel Hekali. Morën detyrën të përgatisnin të rinj me fillore dhe të çelnin shkollat në çdo fshat. Këta mësues 15-16 vjeç, pa rrogë vlerësoheshin si partizanë dhe i mbante populli me fjetje dhe ushqim. Mësuesit punonin njëherësh në dy shkolla, por edhe në kurset kundër analfabetizmit. Jani Boçova thoshte se, “është koha kur duhet të flemë në këmbë”.

Shkolla e Ballshit u riçel në shtator të vitit 1944, kur dhe u rindërtua pas djegies nga pushtuesi. Në vitin 1950, ajo u kthye në shkollë 7 vjeçare me konvikt, ku qëndronin deri në 50 nxënës. Në vitin 1963, u çel për herë të parë gjimnazi dhe më 1970 u hap teknikumi i natës. Këto dy shkolla të mesme ndihmuan për arsimimin dhe emancipimin e të rinjve, banorë të Mallakastrës.

Nga viti 1960-1973, gjimnazi i Ballshit është dekoruar tre herë. Nxënësit e tij kanë qenë të dalluar në të gjitha degët e Univeristetit të Tiranës. Disa prej tyre kanë marrë medaljen e artë dhe janë bërë personalitete të shquara në të fusha të ndryshme të jetës.

Është fat që shkolla e Ballshit, ka pasur drejtues dhe mësues të shquar nga ana pedagogjike-shkencore, me botëkuptim të theksuar atdhetar si Qerim Libohova, Zija Dibra, Ruhi Zeko, Mexhit Libohova, Zenel Hekali, Muharrem Musa, Persefoni Musa, Haki Ballshi, Vlash Papa, Xhemil Dragoti, Astrit Kasimati, Qani Myftari, Isuf Deda, Hajdar Sulaj, Qamil Llazar Maja, Sotiraq Shyti, Vladimir Gaba, Skënder Muharremi, Skënder Bregasi, Luan Baholli, Etioen Dilo, Loni Papuçiu, Vnjesa Spahiu, Luftar Binjaku, Hajredin Rudi, Gjinovefa Shehu, Hyqmet Hazizi, Mento Radovicka, Padeli Gjini, Hasan Sallata, Llazar Lëqngu, Dine Merja, Kasiani Duni, Sali Dauti, Late Faria, Drita Levanaj, Nadire Binjaku, Et’hem Saliaj, Vllas Hysi, Vangjel Koçollari, Sotir Kumaraku, Tetem Malasi etj.

Duke përkujtuar 100 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Ballsh të Mallakastrës, është rasti i nderuar të bëjmë një homazh për të gjithë ata mësues dhe nxënës të kësaj shkolle, që me punën e tyre kanë kontribuar në të mirë të vendit dhe rritjen e emrit nderuar të saj.

 Autori është “Mësues  i Merituar” dhe Ish-drejtor  i gjimnazit në Ballsh

 

* * *

Shkolla Unike dhe një rrëfim për  këngën kushtuar  Avni Rustemit

Gjatë shkollimit tim në Ballsh, më tepër shoqërohesha me Murat Kamamin, Zaim Myftarin, Tahir Voshtinën, Xhaferr Rrokajn dhe Reshatin nga Hekali që tani s’po më kujtohet  mbiemri, me të cilët, nuk isha me të gjithë në një mosh, por mësonim në të njëjtën shkollë.

Një mbasdite, u mblodhëm bashkë dhe ia marëm lapçe:

                              Mos pande se u harrove

                              Lule o Avni Rustemi…

Vetë, isha në vit të pestë e në fillesat e rinis sime dhe ndërsa dija që Avni Rustemi ishte nga më të pëlqyerit në popull, nuk kuptoja kundërshtinë e mbretit ndaj figurës patriotike të heroit tonë, kështu që në  karshillëk të  naltmadhnisë, bashkë me shokët zgjodhëm të këndonim pikërisht këtë këngë. Siç duket, teksi i saj ngacmoj sedrën e një xhandandari, i cili porsa dëgjoi vargjet na u drejtua me egërsi: “Pushoni more dreqër, se pasha Zotin do u këpus kryt!”.

Këmbëngulës në zgjedhjen e këngës, ne ndryshuam vargun por nuk e ndalëm atë:

Avniu nga Libohova

                              Veshur me rroba të holla…

Xhandari u nxeh edhe më shumë. Ai nisi të thërriste me zë të lartë dhe kërkoj nga ne që të shkonim pas tij në postën e xhandarmërisë. Deshëm-s’deshëm, pa e kuptuar se çdo të ndodhte ne vajtëm. Aty filluan të pyesnin për emrat dhe nisën të na bënin një lloj hetimi, më tepër për të na frikësuar.

Në mes të berihait që vinte nga thirrjet tona, rrjedhojë e shpullave të një milici, dëgjova zërin e drejtorit të shkollës Muharrem Musa, i cili qortonte komandantin e pikës së xhandarmërisë, duke i kërkuar atij të lironte nxënësit menjëherë.

Në kohën kur dola unë që isha i fundit, drejtorin e pashë në korridor. Ai më hodhi dorën në qafë dhe nuk i tha as natën e mirë xhandarit që na shoqëroi deri jashtë portës…

 

Të nesërmen, ndihesha i shqetësuar. Druaja se mos ndërhynte xhandarmëria dhe bashkë me të tjerët na përjashtonte nga shkolla.

“S’keni pse frikësoheni por një herë tjetër këndoni për Bajram Currin”,-foli mësuese Persefoni që ishte ndërkohë dhe bashkëshorte e drejtorit. Atë kohë, këta jetonin në Ballsh ( ishte viti arsimor 1936-37), por kishin ardhur aty nga Kuksi dhe me sa kujtoj, mësues Muharremi ishte me origjinë nga Sturga.

Mua më ndritën sytë, se përveç ndërhyrjes së drejtor Muharremit Musës për të na nxjerr nga thonjtë e xhandarmërisë, sygjerimi i mësuese Persefonit, për të kënduar edhe për Bajram Currin, ishte për ne nxënësit një tjetër kurajo, më tepër kur dinim që nuk do të kishim asnjë ndëshkim.

Arsya që shtyhem të flas pas kaq vitesh për këtë ndodhi të ngjarë në vitin e fundit të shkollës në Ballsh , është finesa e hollë në këngët e popullit, i cili për të nxjerr në pah forcën e veprimtarisë atdhetare të Avni Rustemit, vinte në dukje përmes vargut rrobat e holla të heroit, elegancën e veshjes së tij; nga përcillet ideja e forcës emancipuese të  aktit të heroit në përparimin e shoqërisë.

Të mos harrojmë; ishte koha kur për t’ju kundërvënë aktit patriotik të Avni Rustemit, vrasjes së bërë prej tij të Esat Pashës në Paris, mbreti dhe politika e ditës së Ahmet Zogut, në vazhdën e shitjes së interesave të vendit, e paraqeste heroin tonë të dhunshëm, gjoja si të pakulturë.

Ishte ky shkaku që xhandarmëria e naltmadhnisë, na keqtrajtoi duke na rrahur ne një grup nxënësish të shkollës unike në Ballsh, vetëm pse guxuam të këndonim:

                              Avniu nga Libohova,

                              veshur me rroba të holla!  

               …………………………                                        

*Pjesëza më lart  është shkëputur  nga kujtimet e pabotuara të Heroit të Popullit, Hekuran Pobrati, ish-nxënës në Shkollën Unike të Ballshit në Mallakastër.

Libri me kujtimet e tij pritet të botohet me rastin e  70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

 

 

 

Nga Habjon Hasani April 9, 2014 19:13
Komento

8 Komente

  1. Bardhyl Qirjaku April 9, 21:10

    Urimet me te mira mesuesve e nxenesve, qe u bene mesues, dhe gazetes per kete shkrim te bukur qe se bashku me mallin e 100 vjetorit ben nje thirrje per reflektim.
    Ju faleminderit !

    Reply to this comment
  2. mimoza April 10, 18:54

    Artikull i hatashem. I lumte gazetes qe e botoi. i bej thirrje qe te gjitheve sa dine per shkollat e hapura, sidomos ato menjehere pas pavaresise, te shkruajne per to. Mbas 1944 e vertete qe iu dha hov i madh arsimit, por populli yne e ka dashur gjithmone perparimin, po qeveria komuniste e mbas 1944 ka publikuar vetem arritjet e veta. Shkollat e hapura me perpara 1944 jane hapur me me mundim dhe per to pak dime. Sidomos per ato nga pavaresia e deri ne1925. P.sh. une di qe ne nje nga fshatrat e Gollobordes eshte hapur nje shkolle qe me 1908. Mund te kete ndenjur edhe nje dite e hapur, po tregon se populli e ka DASHUR ARSIMIN DHE PER KETE JANE VRARE SHUME NJEREZ. Edhe shkollen 100 vjeCARE TE MALLAKASTRES tani po e degjojme, kur duhej te ishte ne cdo tekst, bashke me shume te tjera qe po ne ate kohe, MADJE edhe me pare jane hapur kudo ne Shqiperi

    Reply to this comment
  3. Mehmet Metaj April 11, 11:48

    Ky perkujtim i 100-vjetorit te shkolles Unike te Mallkastres dhe 50-vjetorit te gjimnazit te Ballshit, ne bashke-patrioteve Mallkastriot dhe ish-nxenes ne Gjimnazin e Ballshit, mua dhe besoj te gjithe bashkenxenesve na mbush me gezim dhe krenari, se kutojme ato vite kur ne te gjithe jo vetem qe shkonim me kenaqesi dhe perkushtim ne shkolle dhe nga bankot e saje dhe nga ata mesues te perkushtuar dhe me nivel ecem me tej, ne Universitetet dhe u diplomuam ne fusha te ndryshme, por na pershkon emicioni dhe nostalgjia e atyre viteve dhe na vijne ne kujtese gjithe armata e mesueseve te asaj shkolle qe kan qene dhe jane vertete mesues. Ishin vet njerez te mesuar dhe kishin c’na mesonin, nderim dhe resspekt per te gjithe ata dhe shendet e jete te gjate. Une falenderoj dhe Ish-Drejtorin e Gjimnazit “Dervish Hekali”, Ballsh, Z. Qemal Isufi, qe gjen energji bashke me gjithe bashke-mesueseit e kesaje shkolle qe organizojne kete perkujtimore. Urime dhe suksese shkolles se Mallkastres ne pergjithesi !

    Reply to this comment
  4. Novrus October 28, 16:09

    Ne realitet, ky eshte 101 vjetori i shkolles Unike te Mallakastres ne Ballsh. Pergezoj z. Qemal Isufi, kete mesues te jashtezakonshem, per kontributin e dhene per historikun e Shkolles Unike ne Mallakaster. Une besoj se me shume te dhena te tjera me interes qendojne te fshehura ne mendjet e shume familjeve te mrekullushme te Mallakastres, dhe do te ishte me shume vlere te silleshin ne kete pervjetor te clirimit. Themelimi i kesaj shkolle ne Mallakaster(Shkolla Unike e Mallakastres), ishte kontribut i patrioteve me te medhenj te asaj kohe qe arsimdashesit e zhvilluan me shume duke ndertuar shkollen Shtatevjecare dhe me vone Gjimnazin. Dua te kujtoj se ne vite, per mesimdhenie dhe edukim, kane kontribuar edhe mesues nga qytetet e tjera te vendit, si nga Elbasani. Uroj shkollen e Ballshit ne kete pervjeto, uroj Trupen e Mesimdhenies dhe Z. Qemal Isufi. Uroj ish nxenesit dhe nxenesit ne kete pervjetor te perbashket.

    Reply to this comment
  5. alban October 10, 12:04

    Urimet me te mira per shkrimin e bere nga ish mesuesi Z.Qemal isufi per shkollen e unike te Ballshit,si dhe per arsimin ne Mallakaster.Dua te shtoi se ne vitet tanishme nje kontribut te rendsishem ne arsimimin e mallakastrioteve ka dhene edhe shkolla e pare jopublike “UNIVERSI”ne qytrtin e Ballshit qe eshte hapur ne vitin 2001 me kontributin e dy vellezerve nga Drenova Agim Baraj dhe Lavdimir Baraj si dhe dhe me drejtyues ditaktik Z.Sotiraq Kumaraku.Fale stafit petagogjik te kesaj shkolle sot mallakastrotet jane nder nxensit me te mire nepr universitetet perkatese.

    Reply to this comment
  6. nikaja December 28, 22:19

    po une kam degjuar edhe per nje mesues te vjeter qe nuk e shikoj te permendet

    KAMAN DEMUA???????

    Reply to this comment
  7. sokol October 19, 11:42

    Po eshte e vertet qe nga bankat e shkolles jo publike UNIVRSI kane dale nxenes shume cilsor.
    fale investimeve te presidentit te shkolles z.Agim Baraj ne perzgjedhjen e stafit petagogjik.
    Kjo shkolle per vitet qe ka eshte nje metalion i arte per Mallakastiotet,

    Reply to this comment
  8. sokol October 19, 11:47

    Eshte e vertet qe nga bankat e kesaj shkolle kane dale nxenes shume cilsor .
    Kjo fale perzgjedhjes se stafit petagogjik nga presidenti i saj z,Agim Baraj.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim