Njihni Armandon, “Kalorësi” nga Tirana i provincës së Bolonjës

June 12, 2019 14:23

Njihni Armandon, “Kalorësi” nga Tirana i provincës së Bolonjës

Entela Resuli

Në 2 Qershor Armando Stafa nga Tirana është dekoruar me Urdhërin “Kalorës i Urdhërit të Meritave të Republikës Italiane”. ( Cavaliere dell’Ordine al merito della Repubblica Italiana). Ky titull jepet me aprovim të Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Matarella.

Ne kërkuam të mësonim më tepër për këtë shqiptar që ka arritur të marr një titull i cili u akordohet  personave me merita dhe kontribut të veçantë në fushën e artit, ekonomisë dhe veprimtarisë sociale, puna e të cilëve ka ndihmuar në përmirësimin dhe përparimin e komunitetit të cilit i përkasin.

Armando Stafa ka lindur në Tiranë. Sot është 38 vjeç.  Pas përfundimit të gjimnazit, ka emigruar drejt Italisë ku ka ndjekur studimet në Universitetin e Bolonjës, në Fakultetin e Ekonomisë, dega Ekonomi Politike. U diplomua në vitin akademik 2004-2005.

Rasti i Stafës është nga ato të suksesshmit, ku një i ri  i rritur në Tiranën e viteve ’90 kërkon me ambicie të formoi intelektin e tij duke u edukuar dhe studiuar jashtë vendit.

Italia e priti mirë. Në këtë pikë ka ndihmuar edhe fakti që ai kishte një vëlla më të madh i cili kishte shkuar në Bolonja disa vite përpara Armandos.

Stafa nuk ka ndenjur indiferent gjatë viteve të studimit, përkundrazi, thellon lëndët e fushës së ndërmjetësuesve financiarë dhe fillon të bashkëpunojë me OJQ-të e lidhura me Kishën katolike të Bolonjës, aktive në fushën e mbrojtjes së grupimeve sociale të brishta.

Në vitin 2012 thirret të bëhet pjesë e grupin teknik të ekspertëve të formuar posaçërisht për zgjidhjen e një situate komplekse ekonomiko-juridike gjeneruar nga trashëgimia shumë- dimensionale ekonomike e financiare e një biznesmeni bolonjez i cili vendosi t’i lërë trashëgim Kishës Katolike mes të tjerave edhe grupin e tij industrial.

Behej fjalë për grupin industrial ndërkombëtar FAAC SPA, aktiv në fushën e automatizmit industrial dhe privat, me vlerë aktuale rreth 1 miliard eurosh dhe me mbi 2400 të punësuar në 4 kontinente.

Armando na tregon se puna në të nuk ka qenë e thjesht në fillim. Përkundrazi, ka qenë sifudese.

Gjatë negociatave të gjata dhe komplekse, Armandos ju besua në mënyre specifike detyra e negociatës extra-juridike me personat që pretendonin të ishin pjesë e trashëgimisë së biznesmenit bolonjez.

Në vitin 2014, pas dy viteve punë intensive, me mbështetjen e një studioje avokatie të njohur në Milano, arrin marrëveshjen përfundimtare për ndarjen e trashëgimisë në favor të kishës katolike.

Si rezultat i punës së rëndësishme të kryer gjatë viteve të negociatave financiare dhe jo vetëm, Armando thirret të bëhet anëtar i Bordit drejtues të grupit industrial FAAC, rol të cilin e mbulon edhe sot.

Në nëntor të të njëjtit vit (2015), atij i besohet drejtimi i Fondacionit “Gesù Divino Operaio” i njohur ndryshe dhe “Villa Pallavicini” OJQ bolonjeze e Kishës katolike, aktive në fushën e shërbimeve ndaj grupimet sociale të pambrojtura, familje në vështirësi, të rinj e të moshuar.

Fondacioni menaxhon në mënyrë të pavarur edhe disa aktivitete tregtare me të ardhurat e të cilave përballohen shpenzimet e shërbimeve te ofruara ndaj personave në nevojë. Detyra e drejtimit të këtij Fondacioni për Armandon përmban edhe një dimension afektiv me vlerë të veçantë: gjatë gjysmës se parë te viteve ’90, kur ai ishte ende fëmijë ne Shqipëri, qindra emigrantë shqiptarë që mbërritën në Bolonjë u ndihmuan në mënyrë aktive nga Fondacioni .

Drejtimi i këtij institucioni 25 vite më vonë nga një profesionist italo-shqiptar është një element i vogël por kuptimplotë që flet qartë për evolucionin social cilësor të emigracionit shqiptar në Itali.

Përveç detyrave të mësipërme, Armando është njëkohësisht edhe anëtar i disa institucioneve të tjera jo-fitimprurëse aktive në territorin e Bolonjës dhe të lidhura me Kishën Katolike.

Për vitin 2019 në Provincën e Bolonjës, Stafa është Kalorësi më i ri në moshë. Urdhëri i Meritës i Republikes Italiane, Armandos i arrin pas akordimit vitin e shkuar të Urdhërit Kalorsiak kostandinian i Shen Gjergjit ( Sacro Ordine Militare Costantiniano di S. Giorgio)

Në këtë intervistë në Dita, 38-vjeçari tregon hapet e tij të rëndësishëm që e kanë çuar drejt suksesit.

-Armando, si ka qenë fëmijëria juaj në Tiranë?

Kam kaluar periudhën e parë të fëmijërisë gjatë viteve ‘80. Me shumë fëmijë të të njëjtës moshë, luanim zhurmshëm të gjithë bashkë nëpër sheshet me asfaltin e prishur e me topat e llastikut, por pa diferenca mes nesh. Më pas, vitet ‘90 rrezuan Mure shtetesh, por në Shqipëri ngritën mure mes njerëzve.

Ishin ngjarje epokale që lanë shenja tek breza të tëra shqiptaresh. Mua, dhe besoj të gjithë bashkëmoshatarët e mi, ato ngjarje gjeneruan vizionin e parë të një bote të madhe dhe të komplikuar. Mbaj mend emigracionet e para edhe kujtoj pamjet në televizorin bardhezi të anijeve të para plot me njerëz që largoheshin drejt Italisë. Kujtoj ambasadat që mbusheshin me azil kërkues për arsye politike. Kujtoj bisedat e të rriturve që flisnin vetëm për emigracionin dhe si të largoheshin nga Shqipëria. Në gjithë atë vorbull ankthi dhe kaosi, besoj se fati im i madhe ishte familja ime: prindër të kujdesshëm dhe me këshilla të qarta për atë që në atë moment të vështirë duhej apo nuk duhej bërë. Atyre u detyrohem shumë.

-Pse zgjodhët të studionit në Itali?

Gjatë viteve të gjimnazit nuk kisha shumë dëshirë të largohesha nga Tirana, edhe pse shumë bashkëmoshatarë kishin vendosur që do të largoheshin nga Shqipëria. Mendoja të vazhdoja studimet në vendlindje. Ishin prindërit dhe vëllai im i madh që më shtynë të studioja jashtë vendit. Duke qenë se vëllai im i madh, Altini, studionte Mjekësi në Bolonja që prej vitit 1996. Pas maturës, në 1999 u binda të shkoja edhe unë atje për studime. Mendoja të studioja shkenca juridike, por gjithashtu mendoja ende të kthehesha në Shqipëri pas diplomës dhe studimet juridike do të ishin të kushtëzuara nga një platformë ligjore e ndryshme nga ajo shqiptare. Për këtë arsye zgjodha të studioj ekonomi, në një fushë dijesh me universale.

-A patët vështirësi në fillim, si emigrant?

Të them të drejtën nuk e kam ndjerë veten si emigrant, sepse mendoja që qëndrimi im në Bolonja kishte si qellim përfundimin e studimeve në një kohë të kufizuar e sa më të shpejtë dhe rikthimin në Shqipëri. Megjithë diferencat kulturore dhe gjuhësore, mungesën fillestare të shoqërisë dhe paragjykimet italiane për shqiptaret në ato vite, besoj se rruga e hapur nga vëllai im dhe këshillat e tij më ndihmuan shumë të krijoja shpejt një ambient shoqëror të pëlqyeshëm. Karakteri im i hapur dhe i shoqërueshëm më tej bëri të vetën…

 -Ka qenë e vështirë të bësh ndërmjetësuesin dhe si ja dole të kesh sukses?

Figura e ndërmjetësuesit është e vështirë, sepse të vesh dakord dy palë me ide komplet të ndryshme e që mendojnë që secila prej tyre ka të drejtë, nuk është e lehtë.

Suksesi i mbylljes në mënyrë pozitive i negociatave, përveç faktit që isha i mbështetur në çdo moment nga profesioniste shumë të kualifikuara që më jepnin këshilla të çmuara, ishte edhe fakti që pala që përfaqësoja është një institucion që sheh shumë më larg sesa e tashmja e momentit. Synimi ishte që të evitohej një copëtimi i një grupi industrial të rëndësishëm me aktivitet të gjerë dhe shpëtohej e ardhmja e 2000 punonjësve të saj dhe e familjeve të tyre.

Elementi tjetër ishte faktori kohë. Koha institucionale dhe juridike shpesh nuk rastis me kohën e personave dhe nevojat e tyre. Për këtë arsye më është dashur të punoj kohë e pa kohë për të mbushur hendekun mes ritmit të personave dhe ritmit të aparatit të ftohtë burokratik. Ka qenë një sfidë e madhe profesionale që më ka mësuar shumë gjëra, mbi njerëzit, ligjet, paranë dhe mekanizmat komplekse që i përfshijnë të tre këto elemente.

-Cila është marrëdhënia juaj me fenë?

Preferoj të flas për dy dimensione: besimi dhe feja. Mendoj se besimi është një nevojë e natyrshme e çdo njeriu që ka arritur një nivel të mjaftueshëm vetë-ndërgjegjësimi, pavarësisht nga niveli i arsimimit, themelore për mbijetesën ekzistenciale të tij. Ndërsa feja, për mendimin tim është dimensioni institucional i domosdoshëm për të çuar përpara në mënyre kolektive thelbin e besimit. Mundohem të jetoj në mënyrë të ekuilibruar dimensionit tim shpirtëror në jetën e përditshme, si përmes besimit ashtu edhe nëpërmjet fesë katolike.

-Po me Kishën?

Kontaktet e para me Kishën katolike ishin ato të një personi kurioz ndaj fesë që nuk ka patur kurrë asnjë lloj edukimi fetar, të asnjë lloji. Ishte shumë tërheqës për mua dimensioni altruist dhe dimensioni i shërbimit ndaj njerëzve që kisha katolike ka në thelbin e saj.

Kjo ishte zanafilla e rrugëtimit tim që më çoi në vitin 2003 të pagëzohesha. E konsideroj veten me fat që kam patur mundësi të zgjedh fenë time. Këtë vizion personal të fesë dhe besimit katolik përpiqem t’ju transmetoj edhe dy vajzave të mia të vogla. Shpresoj që ato të jenë në gjendje kur të rriten ta çmojnë këtë vlerë të madhe njerëzore po aq sa pata mundësi ta vlerësoja unë.

-Ju tashmë drejtoni fondacionin “Gesù Divino Operaio”, çfarë do të thotë për ju kjo gjë?

Detyra e drejtimit të Fondacionit “Gesù Divino Operaio” m’u besua në një moment të vështirë ekonomik dhe financiar të këtij institucioni i cili kishte trashëguar një situatë negative manaxheriale.

Si çdo detyrë e Drejtorëve administrativë, ka një mandat 3-vjeçar që mund të rinovohet. Për mua personalisht kjo detyrë ka edhe një dimension afektiv e moral pasi ky fondacion gjatë viteve të para ka priture ndihmuar një numër të madh emigrantesh shqiptarë në vështirësi. Fakti që ku institucion, 25 vite pas atij fenomeni, drejtohet nga një profesionist italo-shqiptar, më nderon.

-Fondacioni ndihmon vetëm njerëz në nevojë në Itali apo edhe në vende të tjera?

Fondacioni është shumë i lidhur me territorin e provincës së Bolonjës. Ofron shërbime për menaxhim ditor të të moshuarve pa mbështetje, ka një qendër poli-sportive për fëmijët dhe adoleshentët, ka në pronësi disa struktura hotelerie dhe një grup banesash që është për personat me të ardhura ekonomike të ulëta. Aktualisht Fondacioni ka nën kujdes persona të 25 etnive dhe kombësive të ndryshme, mes të cilave edhe disa familje shqiptare. Në të shkuarën Fondacioni ka zhvilluar projekte sociale në Afrike, po aktualisht veprimtaria e tij është e përqendruar vetëm ne provincën e Bolonjës.

-Keni menduar të bëni diçka të ngjashme në Shqipëri? Për të ndihmuar njerëzit në nevojë në Shqipëri?

Ka shumë vite që me sillet nëpër kokë ideja e një aktiviteti në ngjashëm në Shqipëri për të ndihmuar persona të shumtë në nevojë. Jam i informuar mbi faktin që Kisha Katolike në Shqipëri, kryesisht nëpërmjet Caritas-it, kryen një aktivitet shumë të rëndësishëm. Do të më pëlqente të vihesha në kontakt me Kishën Katolike Shqiptare për të dhënë kontributin tim dhe për të vënë në dispozicion përvojën e grumbulluar, në shërbim të shumë grupimeve në nevojë të shoqërisë Shqiptare.

-Armando, ju, së fundmi jeni dekoruar me Urdhrin “Kalorës i Urdhrit të Meritave të Republikës Italiane”. Çfarë do të thotë për ju ky titull?

Për mua është ndër i jashtëzakonshëm: për vlerën e lartë të titullit, për moshën time të re (krahasuar me mesataren e personave të cilëve u akordohet përgjithësisht ky titull) dhe për origjinën time. Është gjithashtu kënaqësi që dikush vlerëson punën dhe profesionilitetin tim në një mënyrë të tillë.

-Ktheheni shpesh në Shqipëri?

Vitet e fundi kam ardhur pak herë në Shqipëri dhe për qëndrime pak-ditore. Por familja ime, gruaja dhe gocat, vijnë rregullisht sidomos gjate muajve të verës; në këtë mënyrë gocat njohin vendlindje në babit dhe mësojnë gjuhën.

-Armando, duket sikur ruani një profil të ulët publik, bëni një punë  të rëndësishme dhe  vështirë t’ju gjejmë në rrjetet sociale. Pse?

Sepse besoj se mbetet e thellë diferenca mes jetës reale dhe realitetit virtual. Në aktivitetin tim, impaktin e bën duke i parë njerëzit në sy, duke u shtrënguar dorën dhe duke pare se si jetojnë e punojnë. Kështu kupton vërtetë cilët janë. Pas tastierës se një kompjuteri apo para mini-ekranit të një celulari, të gjithë e prezantojnë veten si luanë. Ua lë të tjerëve dukjen. Preferoj të qenurit. Preferoj më shumë të jem regjisor, se aktor.

June 12, 2019 14:23
Komento

8 Komente

  1. lexuesi June 12, 14:35

    me nje fjale qeka bo bylbyl i kishes katolike …

    Reply to this comment
  2. demo June 12, 14:59

    Po thuje dreqin,,cfare ka bere se na plase?.–.Ka sjelle trenin ne stacion brenda orarit.

    Reply to this comment
  3. Albania June 12, 16:00

    Te behet zemra mal kur lexon/degjon lajme suksesi nga bashkatdhetaret tane neper bote . Suksese Armando Stafa !

    Reply to this comment
  4. Kleos June 12, 16:12

    Ky është nga ata shqiptarë që na bën me nder në Itali

    Reply to this comment
  5. Trupdiplomatik June 12, 16:14

    Bravo ! Urime Armando Stafa per titullin Kalores i Republikes Italiane i firmosur nga vete presidenti i Republikes se Italise . Pak Shqiptare e kuptojne rendesine dhe kuptimin e ketij titulli . Urime !

    Reply to this comment
  6. Brrylsi June 12, 22:06

    Habitem qe Dita e ka botuar nje artikull te tille! Ne Shqiperia ata qe kane mbetur deshirojne te mbrojne imazhin qe shqiptaret e ikur kane ngelur “rrefugjate” dhe qe maksimumi behen te famshem per Interpolin.
    Armando me sa duket eshte pjese e elites shqiptare te diaspores qe po te vendosnin te ktheheshin do te benin diferencen ne Shqiperi.
    Por normalisht ata si Armando nuk e dine mire si funksionon Shqiperia dhe mekanizi i saj i korruptuar…

    Reply to this comment
  7. Sheshi June 12, 22:41

    Bravo! Jepi kalit o Armando…qente le te lehin, karvani shkon perpara.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*