Njihni Mirianin, djalin që krijon kokteje të personalizuara

September 7, 2017 11:09

Njihni Mirianin, djalin që krijon kokteje të personalizuara

 

Entela Resuli – DITA

Ai përballet mbrëmjeve me njerëz të cilët, më së shumti kanë patur një ditë të ngarkuar pune. Ata zgjedhin që, orët e mbrëmjes t’i kalojnë para një, dy, tre… gota kokteji. Në këtë qytet, i cili duket sikur shpesh të ofron shumë, dhe shumë më shpesh, asgjë, është e vështirë të gjesh personin që të kombinon në mënyrë harmonike pijen që do të përshtatet.

Duket se prej një viti, Mirian Dautaj, barmani i “Padam”, ka arritur të krijojë një identitet të vetin në kryeqytet.

Në banakun e punës ai bie në sy jo vetëm për mjekrën, pirsing e tatuazhet e shumta që ka në trup, por edhe për faktin se… punon me dorashka!

Nuk na ndodh shpesh të shohim një barman të kujdeset aq shumë për higjienën, edhe pse do të duhej të ishte kështu.

Miriani, ka dhjetë vite në këtë profesion. E ka filluar si të gjithë, duke bërë kombinime të thjeshta, e më pas, me dëshirën e madhe për të mësuar më shumë rreth kësaj fushe, është thelluar edhe më tepër, duke njohur të gjitha pijet dhe duke arritur të kuptojë se çfarë kombinohet, me cilën!

…. nisi në oborrin e shtëpisë

Duket se ka diçka në gjak në punën e 29-vjeçarit. Na tregon se gjyshin e ka patur pijedashës të thekur, dhe si çdo fëmijë që është i lidhur pas gjyshit në moshë të vogël, ai ka marrë prej tij aftësinë për të njohur një pije të mirë.

“Më pëlqente të rrija më të kur ziente raki në oborrin e shtëpisë sonë në Librazhd. Kam qenë shumë kurioz për të gjithë procesin që ndodhte dhe  mezi prisja pikat e para të rakisë, duke i provuar së bashku me gjyshin”- kujton 29-vjeçari.

Kush është rritur në fshat, e ka një kujtim pranë kazanit të rakisë!

Ai kthehet shpesh në vendlindjen e tij. Madje për kujtimet dhe nostalgjinë që ka, i ka kushtuar edhe një koktej që e ka quajtur  “Libaro“, si emri i vjetër i Librazhdit.

Miriani mundohet të krijojë një komunikim më klientët në mënyrë që të kuptojë se çfarë kokteji mund t’i nevojitet atyre. Si për ditët e lumtura edhe për ato të kaluar jo mirë, ai e ka kombinimin magjik, për ta mbyllur sa më mirë ditën. Ka klient të tij që kanë koktejin e tyre të personalizuar dhe sa herë që shkojnë në bar-in ku ai punon, kërkojnë të njëjtën gjë dhe identifikohen me të.

Artisti i pijeve të forta

Dautaj ka krijuar një menu të tijën në barin ku punon. Shumë situata apo gjendje emocionale  mund t’i shndërrojë në kombinim pijesh. Madje ai niset edhe nga histori personale, por edhe histori të lexuara në libra për të realizuar një pije që i përngjan fabulës.

Puna që ai bën është ajo që do më shumë, aq sa e dashura e tij shpesh bëhet xheloze për marrëdhënien që ai ka me akullin. Për të, të lundrosh mes pijesh alkoolike ose jo, është një nga gjerat që do ta bënte gjithmonë në jetë. “Unë e kam ndarë mendjen, do të plakem me këtë punë”- thotë Miriani i vendosur.  Ai është duke planifikuar një shkollim të vetin rreth koktejeve.

“Do vazhdoj të punoj, duke u rritur profesionalisht. Projektet e mia janë afatgjate. Pse jo në një të ardhme “Remmy Style”, i cili është edhe kokteji im i parë dhe nj ndër më të preferuarat nga klientët, të jetë një markë.

“Të gjitha koktejet kanë historitë e veta. Po ju tregoj më të riun që quhet “Sunday”, e kam quajtur kështu pasi, gjatë këtyre ditëve, kam jetuar një të diele fantastike, një nga ato ditët që do ta mbaj mend gjatë.

Ndodh ndonjëherë që, brenda një dite, ti të përjetosh shumë ndjesi njëherësh: të mërzitesh , të qash, të qeshesh, të lumturohesh…. Janë kaq përjetime të forta sa të lënë shije për një kohë të gjatë. Nuk kishte sesi mos t’i përshkruaja këto ndjesi në një koktej.

Dhe nëse konsumon “Sunday”  kë për ta ndjerë gjatë shijen e tij”- tregon Dautaj për krijimin e tij më të fundit.

Disa shije mes tradhtisë, dashurisë dhe….

Miriani, një pjesë të mirë të menusë në barin ku punon e ka krijuar vetë. Disa prej koktejeve dhe historive që ato kanë na i ka rrëfyer edhe ne sot:

Josephine Noire

Josephine Noire është një koktej frymëzuar nga historia e Napoleonit dhe gruas që dashuronte. Emri i saj ishte Josephine dhe ajo nuk bënte fëmijë,  për këtë arsye ai e dërgoi larg duke ju thënë njerëzve se ajo ishte shtrigë.  Ai e mbajti këtë sekret gjithë jetën e tij dhe vazhdonte të  shkruante letra me Josephinen. Ndaj ky koktej ka një sekret, të cilin teksa e konsumon nuk arrin ta zbulosh, për këtë arsye unë e kam quajtur Josephine Noire.

De tijel

De tijel është një histori nga Guy de Maupassant. Në një provincë të Francës ishte një restorant ku çiftet e reja shkonin pasi mbahej  si vend i shenjt, por natën ky restorant organizonte festë orgjie. Kokteji i kësaj historie  ka shumë ingriedent ndaj edhe është quajtur De tijel, “orgji ingriedentesh”.

Sanday

Na ndodh të gjithëve të kalojmë një ditë me shumë ndjesi. Për mua ka qenë një e diel, ku brenda një ditë  përjetova një sërë ndjenjash, që kishin brenda, mërzinë dhe lumturinë. Është një koktej ku erëzat janë ndërthurur  vërtetë sikur te kishin nevojë për njëra-tjetrën, janë në një kombinim perfekt.

 

Secret love

E kam quajtur “Secret love” sepse tymi, frutat dhe të gjithë ingriedentët janë ndërlidhur mjaft fort me njëra-tjetrën. Që nga momenti  kur kapaku hapet, aty ndjehet shija  dhe aroma, por vështirë ta kuptosh se çfarë ka ndodhur poshtë tymit. E kam quajtur “secret love” pasi ky koktej është si ato dashurit e fshehta, ku të duhet të takohesh me orare të kontrolluara me personin e zemrës dhe kur ndahesh kërkon të qëndrosh më tepër me  të, duke e shijuar shumë dhe duke mos u kënaqur asnjëherë.

September 7, 2017 11:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*