Njihni mrekullinë natyrore që quhet Shishtavec

November 5, 2017 12:49

Njihni mrekullinë natyrore që quhet Shishtavec

Zylyftar Hoxha

Zona e Shishtavecit shtrihet në zonën verilindore të vendit, në juglindje të qytetit të Kukësit, në një distancë rreth 33 km prej tij (40 minuta). Ajo kufizohet në perëndim me komunën e Topojanit dhe në veri me atë të Zapodit, ndërsa në lindje me Republikën e Kosovës, duke përfaqësuar kështu një komunë kufitare.  Nga pikëpamja administrative, territori ku shtrihet komuna e Shishtavecit është nën juridiksionin e rrethit Kukës, duke përfshirë shtatë fshatra me qendër  Shishtavecin (qendra e njësisë administrative).

Shishtaveci është 27 kilometër larg qytetit të Kukësit, një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por që tashmë është asfaltuar dhe bëhet më shpejt se më parë. Përballë një peizazhi të mrekullueshëm, shtrihen fshatrat Shishtavec, Novosej, Kollovoz, Shtrez, Oreshke, Borje dhe Cernaleve.

Duhet thënë që në fillim, se ndryshe nga çdo zonë apo krahinë tjetër e Shqipërisë, zona e Shishtavecit për shkaqe natyrore dhe gjeografike, lartësisë mbi nivelin e detit, klimës së ashpër në dimër, largësisë nga qytetet dhe pazaret, ka një veçori që nuk e gjen gjetkë, njerëzit rrinë të bashkuar, shtëpitë i kanë shumë pranë njëra-tjetrës, por kanë edhe një unitet dhe solidaritet të admirueshëm. Dhe, a e dini pse? E thjeshtë, se pa një bashkim, pa një kolektivitet, pa një zemër të madhe, këtu vdes, nuk mund të përballohet jeta!

Shishtaveci është fare pranë kufirit me Kosovën. Ende gjurmët e ndryshkura të kufirit me tela me gjemba janë aty-këtu, ndërkohë që piramida e betontë tek ish-posta kufitare po mbulohet nga bari dhe bimët duke e hedhur përmbys. Kresheva dhe fshatrat e Dragashit në Kosovë, janë pjesa tjetër e Gorës e mbetur jashtë kufirit. Banorët kanë rivendosur lidhjet pas shumë dekadash izolim dhe për ta dyqanet, farmacitë e magazinat e Dragashit janë ende shpëtimi në ditët me borë e mot të keq. Fshatrat janë fare afër dhe tashmë ekziston një pikë e kalimit të kufirit, ku banorët janë të lirë që me pasaportë apo kartë identiteti të kalojnë në Kosovë në këmbë ose me kuaj.

Shishtaveci dhe gjithë fshatrat e Gorës ka njerëz punëtorë, historikisht punëtorë. Shishtavecarët janë të njohur si muratorë, kuzhinierë e kamerierë të famshëm, e mbi të gjitha rritës të bimëve të patates dhe thekrës. Fushat dhe arat këtu janë të gjitha të punuara në çdo stinë, të mbjella me ato bimë që “do toka”, mes të tjerash edhe një lloj gruri për bagëtitë. Por produkti simbol i Shishtavecit mbetet patatjaNë kohën e socializmit, “kur patatja ishte edhe bukë edhe gjellë”, Shishtaveci ishte shpëtimtari i sistemit. Pataten e Shishtavecit e gjeje në çdo cep të Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol. Me mijëra tonë prodhoheshin dhe shpërndaheshin në atë kohë në të gjithë Shqipërinë. Një pjesë e madhe shtratifikohej nën tokë për t’u ruajtur dhe tregtuar më vonë. Goranët dhe shishtavecarët ishin mjeshtër për këtë gjë. Përvoja e tyre u përhap në të gjithë Shqipërinë për të shtratifikuar dhe mbajtur në gjendje të freskët pataten.

Edhe sot patatja prodhohet me shumicë në këtë krahinë, por politikat e mbrapshta i kanë zhgënjyer fermerët. Ndërsa i nxisin të kultivojnë këtë bimë, kur del prodhimi, i lënë në baltë, ua kalbin, nuk ua marrin. Prodhimi i huaj mbyt prodhimin vendas. Dhe çfarë prodhimi? Bio, origjinal, që e ka zili çdo vend i botës!

Mungesa e tregut prej vitesh është shqetësimi kryesor i kultivuesve të patates në qarkun e Kukësit.  Kultivuesit e patates thonë se gjetja e tregut do ishte një faktor mjaft i rëndësishëm dhe shpëtimtar për ta.  Por shqetësimi i tyre bie në vesh të shurdhët.

Goranët punojnë gjysmën e vitit dhe gjysmën tjetër konsumojnë atë çfarë kanë siguruar. Është kjo arsyeja që ata janë mjeshtër të ruajtjes dhe konservimit të mishit, bulmetrave, frutave dhe perimeve.

Në kohë më të hershme Gora, është e shquar për mjeshtër të kuzhinës në disa specialitete. Historikisht ata janë njohur si gjellëbërës dhe si zejtar ëmbëltorësh. Zeja e ëmbëltorëve, gjatë shekujve më parë e kanë ushtruar goranët, në territorin e Perandorisë Osmane. Ata shërbyen edhe në mutfakët (kuzhinat) e sulltanëve në Topkapi Saraj, si ahqixhinjë dhe ahqibashë të dalluar. Gatime të tjera janë: qoftet, mish i pjekur ne saç, ndërpeci, flija, mishi i thatë (pastërma), sarma, kulloshta (klloshtra), patatet e pjekura në prush, pitet, etj.

Banorët e nëntë fshatrave në këtë zonë flasin gjuhen gorane, një sllavishte e pashkruar që anon më shumë nga maqedonishtja. Gjuha e tyre është ruajtur e transmetuar ndër shekuj dhe në shtëpitë e tyre goranët këtë gjuhë flasin. Fëmijët vetëm në kopshte e në klasën e parë marrin kontaktet me shqipen. Jo vetëm gjuha, por dhe mjaft zakone e tradita origjinale e bëjnë unikale këtë trevë.

Do të çudisë  një zakon këtu, jo vetëm ne shqiptarët, por edhe të huajt, se riti i çuditshëm aventuresk i fejesave gorane, ngjan si dy pika uji me historinë e mesjetës së hershme të  Romeos dhe të Zhuljetës në Verona të Italisë, që Shekspiri e ktheu në një kryevepër botërore. Edhe këtu, në Shishtavec, djali duhet të gjente një mënyrë për të hyrë natën brenda në shtëpinë e vajzës që donte, që t’ia jepnin, ndryshe ngelej pa martuar! Duket si e pa besueshme, por edhe sot e kësaj dite, shumë goranë tregojnë se kështu kanë lidhur jetën. Ismail Memishaj, nga Borja, që tani banon në Tiranë, tregon edhe një detaj interesant. “Shiko shkallët e goranëve, thotë ai, janë të gjitha të gjata, për t’ia arritur dritareve të katit të dytë”! Duket si për të për të qeshur, si metaforike, por brenda mund të ketë edhe një të vërtetë…

Të çudit edhe një gjë tjetër në Shishtavec, ndryshe nga shumë zona e krahina të tjera shqiptare, këtu zhvillohen shumë veprimtari argëtuese dhe sportive. Ka qenë dhe mbetet traditë sporti i mundjes, dikur në raste festash dhe dasmash dhe, më vonë, i organizuar me ekipe e kampionate; sporti i hipizmit, nga që ka lëndina të bukura, të hapura që shërbejnë si pista vrapimi, por nga që ka edhe kuaj race të fortë. Sporti tjetër më masiv, janë skitë, të zhvilluara e me traditë të hershme të favorizuara nga pistat natyrore që ka zona, por edhe nga mjeshtëria dhe shkathtësia e djemve që e ushtrojnë këtë lloj sporti.

Sportistët, por edhe pistat e skive në Shishtavec, nga më të mirët në Shqipëri

Ushtrimi i sportit të skive i organizuar në Shishtavec ka filluar që para 70 vjetësh. Në vitet e socializmit organizimet e kampionateve të skive ndaheshin mes Shishtavecit dhe Voskopojës, ndërsa tani bëhen në Dardhë të Korçës për shkak të mundësive infrastrukturore dhe akomoduese.

Sipas studiuesit Zenulla Bala, zanafilla e këtij sporti kaq të zhvilluar, është që në kohën e Luftës së Parë Botërore (1914 – 1918), kohë në të cilën në Shishtavec erdhën trupat alpine austro-hungareze, të pajisura me ski, të cilat i përdorën për shërbime ushtarake, zbavitje sportive dhe kalitje fizike. Këtu lindi kureshtja e banorëve për këtë lloj sporti dhe pastaj natyrshëm improvizuan me gdhendje si nga druri i ahut edhe nga ai i mështeknës ski. Ato ishin te parat që u përdorën kryesisht nga të rinjtë dhe fëmijët. Në vitin 1939, erdhën ushtarët italian në këto anë dhe për periudhën e dimrit sollën ski dhe disa nga ato ua dhanë edhe banorëve te Shishtavecit, kuptohet atyre që e admironin këtë sport.

Kushtet e përshtatshme, pllajat e mbuluara për një kohë të gjatë, lejuan dhe krijuan mundësitë e zhvillimit të këtij sporti të bukur dhe masiv. Në vitin 1949 klubi sportiv Morava i Shishtavecit, krahas sporteve të tjera tradicionale, i jep përparësi edhe sportit të rrëshqitjes me ski dhe e bëri këtë sport kryesor. Në vitin 1950, me nismën e profesor Luigj Shalës, u bë e mundur të realizohej gara e parë kombëtare e rrëshqitjes me ski në Shishtavec. Gara u bë në një terren të përshtatshëm me borë. Vlen të theksojmë mikpritjen, që iu bë sportistëve të ardhur nga gjithë vendi në Shishtavec. Në këtë garë, ekipi ”Morava” i Shishtavecit, fitoi vendin e parë. Në vitin 1951, garat u zhvilluan në Dardhë të Korçës dhe ekipi ”Morava i Shishtavecit, shpallet kampion i vendit për të dytën herë. Kështu vazhdoi edhe në vitin 1953 e deri vonë.

Zona sot njihet për ushtrimin masiv të sportit të skive. Kuptohet, në mënyrë primitive, me ski artizanale druri të bëra vetë, pa uniforma e pajisje të tjera, por edhe pa trajtim ushqimor.

Gjendja sot të paraqitet ndryshe. Shishtaveci ka sot ekipin e tij të skive të federuar nga Federata Shqiptare e Skive dhe po ashtu edhe fshati Mborje. Atë që dikur zona e konsideronte si një mënyrë argëtimi për të mos u kyçur gjithë ditën brenda në ato 5 muaj të gjatë dimri ku dëbora i fsheh nën vete shkurret, gardhet dhe çdo sinor të dallueshëm nga tjetri. Banorët që i janë përkushtuar këtij sporti janë të shumtë, ata janë sportistë në dimër, por në verë janë punëtorë të zakonshëm që përpiqen për të rregulluar jetën e tyre. Ky sport i bukur, nga amatorial, nga viti në vit po të kthehet në një sport të vërtetë. Shumë burra të kësaj zone mbajnë tituj kamion Shqipërie gjatë viteve të ndryshme.

Aq i dashur dhe aq masiv është ky sport në Shishtavec, sa që gjatë ditëve të dimrit që dëbora izolon çdo gjë, ata nuk e humbasin kohën në shtëpi apo në kafe, merren me ski. Kampionatet e skive zhvillohen në njërën kodër të fshatit, ndërsa në kodrën përballë qëndron gjithë fshati që bën tifo për të preferuarit e tij.

 

 

Guidë

Hapësirave të Shishtavecit

Krahas shumë gjërave të tjera që gjen në Shishtavec, Borje apo në Novosej: masivet pyjore kryesisht ato me mështekën dhe pishë, lëndina të mrekullueshme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive e kulturore, terrene të përshtatshme për sporte si, ski, alpinizëm, çiklizëm malor, hipizëm, etj., mos harroni dhe lini pa vizituar edhe këto vende:

Kanioni i Vanave

I quajtur ndryshe, Gryka e Vanave, është në listën e Monumenteve të Natyrës në Shqipëri, i mbrojtur me ligj. Si një nga thesaret e Parkut Natyror Korab-Koritnik, Kanioni i Vanave ofron një pamje befasuese e madhështore.

Zhvendosjet tektonike dhe gërryerja në thellësi e lumit, na e kanë falur për ta shfrytëzuar këtë mrekulli. I thellë dhe i ngushtë, i zënë në fund nga shtrati i lumit Luma, ai ndan shpatet e thikta të Gjallicës dhe Koritnikut.

Qindra metrat pingule të këtij kanioni, mund të kthehen në një destinacion i preferuar për alpinistët vendas dhe të huaj, ndërkohë që rruga Kukës-Shishtavec, e cila kalon përgjatë fundit të tij, krijon mundësinë e shijimit të tjera mrekullive të kësaj zone. 

Mështekna e Shishtavecit

Ndodhet jo larg fshatit të Shishtavecit në lartësinë 1300 – 1390 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një pyll të dendur, të bukur, prej 33 ha, lartësia nga 13-17 m, diametri 20-30 cm  dhe mosha 40-45 vjeç. Mështekna e Shishtavecit është një dru i veçantë që gjendet edhe në zona të tjera në veri, por jo në një masiv si ky.

Guri i Shqipes

Guri i Shipes gjendet afër fshatit Borje, në lartësinë 1580 m mbi nivelin e detit. Ai përbëhet nga një shkëmb konglomeratik me gjatësi 100 m, gjerësi 80 dhe lartësi 27 m. Është shumë panoramik, shumë i fotografuar.

Guri i Mëngjesit

Edhe ky masiv shkëmbor-ranor interesant që ndodhet në jug të Shishtavecit është në listën e Monumenteve të Natyrës në Shqipëri. Ky gur, që ngrihet në horizont, ka qenë një shenjë orientuese përgjatë rrugëve që kanë lidhur qytetërimet e hershme të ngulitura në kërthizën e vargmaleve të Sharrit. Banorët e hershëm të këtyre anëve mblidheshin këtu me kuajt e tyre, për të marrë rrugën drejt Shkupit dhe Tetovës.

Ky gur nga një pjesë e vendasve thirret Murga, pasi këtu, në pllajën nën këmbët e gurit zhvilloheshin festa masive nga blegtorët e hershëm. Quhet Guri i Mëngjesit, pasi rrezet e para të diellit krijojnë kurorë drite rreth e mbi gur.

I ndodhur në një lartësi 1900 metër mbi nivelin e detit, Guri i Mëngjesit është nga gurët më të fotografuar, dhe shkuarja deri atje, është destinacioni i preferuar për çdo vizitor që ngjitet në bjeshkën e Shishtavecit. Ai është një gur ranor në formë konike, me përmasa 25 metër i gjatë, 13 metër i gjerë, dhe 11 metër i lartë.

Vetëm disa metra në lindje të këtij guri, dikur ndante kufiri shtetëror me ish-Jugosllavinë, ndërsa sot, ai kufi është thjeshtë formal midis dy shteteve të shqiptarëve. 

Ujëmbledhësi dhe korijet e Novosejit

Është poshtë këmbëve të malit Kallabak. U ndërtua për nevojat e bujqësisë në vitin 1985, por i është përshtatur mjaftë mirë mjedisit aty pranë. Në të katër anët e tij ky ujëmbledhës kufizohet me pyllin dhe lëndinat të pasura me bimësi dhe lule.

Shishtaveci preferohet për të shkuarën historike, për peizazhet magjike të jug-perëndimit të vargmaleve të Sharrit, për burimet e ujërave të akullt, për shumëllojshmërinë e bimëve dhe luleve, për pistat ku ushtrohet sporti i skive, etj.

 

November 5, 2017 12:49
Komento

3 Komente

  1. opinionist bjond fevzi kaqureli November 6, 14:16

    Goranet3jane Mongol. Menyra e jeteses dhe tradita I lidh vetem me monfolet

    Reply to this comment
  2. opinionist bjond fevzi kaqureli November 6, 14:21

    Jane bullgaro_mongol.zbriten nga Mongolia me gengis Khan. Shikojeni tiparet e flamur nokes

    Reply to this comment
  3. KUKESI1 November 6, 21:50

    OPINIONST………ECT
    Fucking Idiot

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*