Njihuni me Alinë, Myftiun e Madh të Bordosë !

June 19, 2016 20:31

Njihuni me Alinë, Myftiun e Madh të Bordosë !

Teksa Evropa po pret, jo pa tension vendimin e radhës të britanikëve, mbi qëndrimin apo daljen nga BE, Presidenti i republikanëve francezë, Nikola Sarkozi, insiston mbi një orientim të ri politik  evropian. Orientim, që duhet të përshpejtohet nga çështja e Brexit. Në një intervistë të fundit për aleancën e gazetave evropiane “Lena”, Sarkozi theksoi sërish nevojën për një drejtim të duhur evropian, të orientuar mbi aksin franko-gjerman.

Por, propozimi i Sarkozisë nuk vjen rishtazi. Ai është i përsëritur në kohë dhe i bashkohet në pika të përgjithshme iniciativave të ndryshme, që kërkojnë gjithashtu avancimin e mëtejshëm të projektit evropian. Do të ishte fillimi i këtij viti, në muajin janar, kur kreu i republikanëve francezë do të deklaronte nga Flandra e Belgjikës se Shengeni vdiq! Duke kërkuar ndarjen e Evropës në dy kategori, një Evropë të Zonës Euro dhe një Evropë të 28 vendeve. Me institucione dhe politika të veçanta. Evropa e Zonës Euro që duhet të ketë një drejtues thesari, të krijojë një fond monetar evropian dhe një qeveri të Evropës. Eurozonë, që duhet gjithashtu të integrohet në mënyrë të thelluar, me solidaritet dhe një politikë ekonomike të përbashkët. Kjo bazuar në logjikën e riskut se: “njëtrajtësimi me çdo çmim do të verë në dyshim unitetin e Evropës”. Ndërsa Evropa e klasit të dytë, duhet të evoluojë drejt më pak kompetencave të përbashkëta. Duhet p.sh., të përqendrohet mbi kërkimin, agrikulturën, energjinë, etj. Pjesa tjetër e kompetencave duhet t’i kalojë vendeve anëtare.

Teksa parashtronte vizionin e tij për Evropën, Sarkozi do të ritheksonte edhe katër masat e domosdoshme që duhet të ndërmarrë Franca, në kuadrin e përballjes me luftën ndaj terrorizmit dhe radikalizmit.

Së pari, kërkohet vendosja në izolim e të gjithë të burgosurve islamistë, për të luftuar zellin e madh të rekrutimeve në hapësirat e burgimit.

Së dyti, duhet krijuar në urgjencë një shërbim informimi i vërtetë nëpër burgje. Nuk duhet vetëm të përgjohen qelitë, por kërkohet shërbim informimi njerëzor, si në vendet e kulteve ekstremiste dhe në gjirin e grupeve të radikalizuara. Gardianët e burgjeve duhet të kenë varësi nga Ministria e Brendshme dhe jo nga Ministria e Drejtësisë, pasi janë personel sigurie;

Së treti, çdo person i huaj apo me dy kombësi që ka lidhje me aktivitetet apo me rrjetet terroriste duhet të dëbohet menjëherë nga vendi. Kjo, pasi Franca nuk ka mundësi ndjekje 24 orë në 24 të 11.500 personave të skeduar. Të gjithë terroristët, që kanë kryer akte kanë qenë të lokalizuar në një moment të dhënë. Parimi i kujdesit duhet të aplikohet gjithashtu në fushën e sigurisë. Kjo do të thotë zgjatje e dënimeve për personat fajtorë për krime dhe akte të lidhura me terrorizmin dhe të sigurohet ekzekutimi i tyre. Ndërsa për autoktonët francezë, pra të dyshuarit për lidhje me terrorizimin, vendosja e tyre në vëzhgim të përhershëm, nëpërmjet byzylykut elektronik.

Së katërti, kërkohet hapja e qendrave të çradikalizmit për individët e dënuar. Pra, përpara se ato të kthehen sërish në liri, të kalojnë detyrimisht nga qendra e çradikalizimit që do të shërbejë si një provë, që ato nuk përbëjë më një kërcënim për shoqërinë.

Myftiu i Madh i Bordosë 

Por, masat e propozuara nga Sarkozi, si ato në lidhje me vizionin evropian por edhe masat për luftën ndaj radikalizmit, nuk mund të shikohen të shkëputura nga konteksti i zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm dhe garës, që tashmë ka nisur. Edhe pse Nikola Sarkozi nuk e ka deklaruar ende hapur kandidimin e tij në këtë garë, ai përflitet se do të jetë një prej kandidatëve për pretendent të presidencës së radhës. Kandidatët duhet të deklarohen deri në muajin shtator dhe në muajin nëntor fillojnë zgjedhjet paraprake brenda partisë (primaret) për përzgjedhjen e kandidatit fitues. Nëse Sarkozi deklaron kandidaturën, duhet të lërë edhe vendin e kreut të partisë.

Por, një rivalitet i konsiderueshëm duket se, po shfaqet nga një tjetër kandidature brenda të djathtës, ish kryeministri i Francës, Alan Zhype. Me një kandidaturë të shpallur që në muajin gusht 2014, Kryebashkiaku i Bordosë, Zhype po kryeson në sondazhet paraprake.

Duke qëndruar në platformën e masave anti-terror dhe anti-radikalizëm si edhe në trajtimin e çështjeve me karakter fetar dhe bashkëjetesës gjithëpërfshirëse dhe harmonike, alternativat programore të Zhypesë, po konkurrojnë platformat e tjera. Aq, sa e kanë pagëzuar si “Myftiu i Madh” i Bordosë” apo “Ali Zhype”.

“Prej kohësh kam vëzhguar në jetën tonë politike se është më e thjeshtë të kesh pozicione të thjeshtëzuara se, sa një përqasje të ekuilibruar. Jam shndërruar në shënjestrën e sulmeve helmuese në rrjetet sociale, ku më kanë ripagëzuar “Ali Zhype” apo cilësuar si, “Myftiu i Madh” i Bordosë, apo akuzuar se kam financuar në Bordo xhaminë më të madhe të Francës…që nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë! (…) Nuk është kjo fushatë që do të më bëjë të luhatem. Unë do të vazhdoj të gjurmoj rrugën e një France të qetësuar, të drejtë, të hapur ndaj dialogut dhe kërkimit të një identiteti të lumtur.”

Në konceptimin e Zhypesë, identiteti nuk rimon me përjashtimin, as me refuzimin ndaj tjetrit. Për këtë arsye ai kërkon të përputhë identitetin me shumëllojshmërinë dhe unitetin. Një unitet, që duhet të plotësojë dy kushte: së pari, që shoqëria të mos rrëshqasë drejt komunitarizmit, pra mbylljes së grupit në vetvete, në refuzimin e dialogut dhe ndarjes me të tjerët; së dyti, kjo shumëllojshmëri duhet të përputhet drejt bashkimit, pra ndarjes së të mirës së përbashkët, përreth së cilës të bashkohen të gjithë francezët.

Ndaj Islamit ka dy opsione, ku sipas Zhypesë, duhet të zgjidhet se kush preferohet: të mendohet se feja myslimane nuk është e tretshme në Republikë dhe atëherë të nis përgatitja për një lloj luftë civile; apo, të jemi të bindur se ekziston një lexim i Kuranit dhe një praktikë e religjionit mysliman e përshtatshme me vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës dhe atëherë duhet të punojmë me vendosmëri për të vendosur rregulla të qarta mes myslimanëve, që ndajnë këtë bindje dhe Republikës. Një çështje që sipas tij nuk është e lehtë, por duhet bërë  për të qartësuar problematikën e vendeve të kultit dhe të financimit të tyre, çështjen e imamëve, të rekrutimit dhe të formimit të tyre. Në këtë kuadër kërkohet, që imamët e Francës të predikojnë në frëngjisht dhe të jenë titullarë të një diplome formimi të historisë dhe të ligjeve të Republikës.

Por, edhe pse në dukje, apo në retorikë duket sikur ka dy lloj përqasjesh brenda të djathtës, ku njëra anon më shumë majtas, politologë francezë bëjnë dallimin mes retorikës dhe veprimeve konkrete politike, që kanë pasur përgjatë qeverisjeve dy kandidaturat franceze (edhe pse njëra ende e pashpallur). Çka shmang dallimet e forta në dukje, duke i renditur qartësisht në mbrojtje të politikave të djathta dhe me tolerancë zero ndaj politikave të migrimit.

Kandidatët për presidencialen franceze pritet të zyrtarizohen deri në muajin shtator. Akuzat ndaj Sarkozisë nga rivalët brenda partisë së tij, shkojnë drejt abuzimit me postin dhe përdorimin e fondeve partiake për të organizuar fushatën e pashpallur presidenciale. Kjo pasi, që prej nisjes së pranverës, kreu i republikanëve i ka shpeshtuar mbledhjet publike, organizimet dhe takimet me elektoratin. Gjithsesi, sondazhet paraprake nuk e favorizojnë, madje një nga sondazhet e fundit ODOXA (27 maj 2016) e profilizonte si një kandidature aspak e dëshiruar për francezët. 60% e të pyeturve, ose rreth dy të tretat e tyre, janë përgjigjur se Sarkozi nuk do të menaxhonte më mirë se Holond debatet mbi Ligjin e Punës. Më keq akoma, 70% e të pyeturve nuk e dëshirojnë fare kandidaturën e tij për presidencialet e 2017-s. Një shifër, që nuk ka avancuar që prej dhjetorit 2015, pavarësisht reformës së UMP-së e shndërruar në Republikane dhe qenies së tij në krye të partisë. Përqindje, që duket se ka ndikim nga akuzat e vazhdueshme ndaj tij, për korrupsion dhe trafik influence, financime të paligjshme të fushatës, fshehje të ardhurash,etj./im.ta/DITA/

June 19, 2016 20:31