Njihuni me vetitë çudibërëse të barit të bletës

May 20, 2017 13:47

Njihuni me vetitë çudibërëse të barit të bletës

Bari i bletës (lat. Melissa officinalis, ndërsa emërtimi popullor: milcë, mickël, pselik, spelinak), pjesë e familjes së mentes, cilësohet si një erëzë qetësuese.

Ajo është përdorur që në Mesjetë për të trajtuar ankthin dhe stresin, shtuar oreksin dhe lehtësuar dhimbjet dhe parehatitë e shkaktuara nga tretja (përfshirë gazrat, fryrja e barkut dhe koliti).

Edhe para Mesjetës bari i bletës është përdorur së bashku me verën për të larguar shpirtrat, shëruar plagët dhe trajtuar kafshimet helmuese të insekteve dhe kafshëve të ndryshme. Tani ajo përdoret së bashku me bimë të tjera, si kamomili, sanëza, etj; për t’u relaksuar.

Bari i bletës përdoret shpesh edhe tek kremrat që trajtojnë herpesat në gojë, të shkaktuara nga ftohja dhe gripi, shkruan “Shëndeti”.

Përshkrimi botanik
Bimë barishtore njëvjeçare, me gjethe vezake, me push e me erë të mirë si të limonit, me lule ngjyrë trëndafili ose të bardha, që përdoret për të mbledhur bletën kur roit; milcë, lule limoni. Lulëzon verës në muajt qershor­gusht. Gjethet e saj janë të ngjashme me ato të mentes, duke qenë se vijnë nga e njëjta familje.

Përdorime mjekësore dhe indikacione
Pagjumësi dhe ankth
Studime të ndryshme kanë treguar se bari i bletës i kombinuar me erëza të tjera (si kamomili, sanëza), ndihmon në lehtësimin e ankthit dhe lufton pagjumësinë. Gjatë një studimi të kryer tek disa njerëz që vuanin nga probleme të vogla me gjumin, 81% e atyre që përdorën një përzierje bimore me sanëz dhe
bar blete bënë një gjumë më të rehatshëm se personat e tjerë që morën hapa të tjerë. Nuk dihet cila nga këto bimë është më efikase, apo nëse sekreti qëndron tek kombinimi i tyre.
I njëjti përfundim është arritur edhe tek disa studime të kryera për ankthin, ku janë përdorur një kombinim erëzash për lehtësimin e simptomave.

Herpes
Disa studime sugjerojnë se kremërat të cilët kanë si përbërës edhe barin e bletës mund të ndihmojnë në shërimin e herpesave të shkaktuara nga ftohja.

Përdorime të tjera
Disa të dhëna sugjerojnë se bari i bletës, i përzier me erëza të tjera, mund të ndihmojë në lehtësimin e tretjes. Të tjera tregojnë se vaji i barit të bletës ka një shkallë të lartë të aktivitetit antibakterial. Studimet kanë vërtetuar gjithashtu se bari i bletës mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e funksionin njohës dhe lehtësimin e ankthit dhe nervozizmit tek njerëzit që vuajnë nga sëmundja e alzhejmerit.

Format e disponueshme
Mund t’i gjeni gjethet e thara të barit të bletës tek kabineti i erëzave. Kjo bimë shitet gjithashtu edhe si çaj, dhe në kapsula, ekstrakte, vajra, tinkturë dhe në kremëra të ndryshme që shiten në farmaci.

May 20, 2017 13:47
Komento

1 Koment

  1. Aleksi June 7, 20:23

    A ndikon tek sherimi i diabetit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*