Nobel dhe Kadare

September 11, 2018 12:50

Nobel dhe Kadare

 

Nga Bedri Islami

Është krejtësisht e mundshme që, e gjithë kjo që do të shkruaj, ose pjesë të saj, janë thënë edhe më parë, e ndoshta shumë herë; debati nëse do të ketë ripërsëritje më shqetëson shumë më pak se ai për saktësinë e tyre, edhe pse e gjithë kjo lidhet natyrshëm me njërin ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kohës së sotme, i cili, dalngadalë, por ngulmueshëm, pa dijen e tij dhe pa shtyrjen e tij, u bë njëri nga simbolet e kombit, Ismail Kadare.

Të vendosësh emrin e Kadaresë krahas atij të Nobelit, në dukje të parë, është një gjë e panatyrshme, dhe e pakonceptueshme, për vetë hapësirat që zënë njëri apo tjetri. E megjithatë, në dekadën e fundit, jo vetëm në botën shqiptare të letrave apo atë të zakonshme, por shumë përtej saj, në mjediset më të privilegjuara të perandorisë së artit, që nga sallat e Akademisë franceze e deri tek diskutimet e gjata në Jurinë e çmimit të madh në Mbretërinë suedeze, kjo është bërë krejt e zakonshme, normalitet në mesin e një rrethane normale dhe e kapshme për vetë natyrën e artit.

“Çdo rrugë e tërthortë të çon tek e bukura” – shkruante Friedrich Nietzsche në fundin e shekullit të tejshkuar, dhe, më shumë se për askënd tjetër, ky përkufizim, në dukje i pakuptimtë, ka të bëjë pikërisht me rrugëtimin e Kadaresë drejt këtij caku, që edhe nëse nuk është qëllim në vetvete, është refleks i vullnetit të vazhdueshëm për të krijuar, është vëzhgimi i botës së jashtme duke u nisur nga vetja, karakteristik për një artist të pashoq, që nuk e kanë penguar atë të krijojë vetveten dhe të tregojë, edhe kur jeton mes të tjerëve, gjithnjë të njëjtën lartësi dhe madhështi rritëse të veprës së tij.

Nuk ka qenë aspak qëllimi i Kadaresë të shkojë drejtpërsëdrejti drejt këtij caku dhe nuk besoj të jetë as tash. Më parë ai duhej të përgatiste veten që të kishte synimin e një letërsie të madhe, krejt ndryshe nga ajo që krijohej në ardhjen e tij në letërsinë shqipe; një letërsi tjetërlloj, meskine jo që jo, por as të rëndomtë; ai do të zhbironte nga pluhuri i kohës dantellat e një kohe tjetër, disi e magjishme, ndonëse fillestare; e ëndërrt, megjithëse jo e kapshme si të gjithë ëndrrat e këtij lloji; i duhej të ngrinte fillimisht barakën e skalitjes së fjalës për të shkuar drejt perandorisë së tij; i duheshin gurët e Sokakut të të Marrëve për të bërë një kështjellë tjetërlloj, në fund të fundit, në gjithë këtë përpjekje duheshin humbur qelizat e shpërthimit të pakohë, për të bërë kohën e tij.

Kjo ka qenë një punë sizifiane, e pakapshme nga mediokriteti dhe lehtësisht e humbshme në të gjithë atë sketerrë që mund ta bënte për vete.

Kishte qenë shumë më e lehtë dhe me shumë më pak tërthore nëse shkrimtari do të kishte lirinë brenda vetes të njëmendtë me lirinë jashtë vetes, e po ashtu, do të kishte qenë shumë më shpejt  kuptueshëm nëse gjuha e tij, njëra ndër mrekullitë e botës së folur, pra gjuha shqipe, të ishte më e gjerë se sa mbyllja një një copëz gadishulli, ku në tri pjesë të saj ajo ishte gjysëm e ndaluar dhe ku në shtetin lindës do të ishte gjithnjë nën survejim si çdo shkëndijim lirie.

T’i propozosh njerëzve lirinë dhe kthjelltësinë në një erë të hidhur të diktaturës, të ogureve kombndjellëse e vrastare, ishte një mision i gjithëmeritueshëm i Kadaresë, por nuk do të ishte i mjaftueshëm nëse këtë mesazh, më shumë se gjithçka tjetër mesazh kombbërësi, ai nuk do bashkëjetonte me artin e tij, i cili as nuk mund të konturohej, as nuk mund të shkatërrohej, vetëm mund të linçohej.

Ai, si duket, i dha të drejtën vetes që me mundësitë shumëformëshe, në një shekull që adhuronte idhujt kaotikë të gjakut, diktatit, shtypjes dhe pasionit të sillte kënaqësinë e mendimit, idenë e mrekullisë së të qenurit i lirë dhe, mbi gjithçka tjetër, në mënyrën më të shquar të mundshme të kohës së errët, të vetpërfaqësonte labirintet e shpirtit në atë përmasë sa që të bëhej njëkohësisht: i rrezikshëm dhe i adhuruar.

Ismail Kadare, më shumë se 80 vite më parë, ka lindur në një qytet të gurtë, me rrugët rrëpirëse, tek të cilat, nëse do të rrëzoheshe, shumë lehtë mund të bije në çatinë e fqinjit. Një qytet i çuditshëm,  i ngjitur malit, shtëpitë e të cilit i ishin kacavjerrur njëra tjetrës; me oborret dhe puset, dhe nga i cili kishin dalë disa herë më shumë gjyqtarë, avoketër e noterë të perandorisë turke se sa në të gjithë pjesën tjetër të vendit. Kur perandoria u shemb dhe ata u kthyen në vendlindje, nga dritaret e larta, përmes dylbive, shihnin qytetin tek lëvizte, megjithëse objektet mund të ishin aq afër, sa edhe i prekje me dorë.

Në këtë qytet të çuditshëm, ku ende këndohej për vrasjen e një bimbashi, duke dhënë edhe hollësitë e pashmangshme, “të vranë bimbash, të vranë, Çerçiz Topulli me të vëllanë”, ku shkollës i thuhej “mësonjëtorja”, ku kishte njerëz që ëndërronin të shpiknin avionët e drujtë, Kadare do të fillonte të ngrinte një botë tjetër, me Shekspirë dhe mbretvrasës, me shkëmbime shtetesh dhe dashuri të fshehta.

Në këtë qytet ishte e lehtë të ishe kronikan, por e vështirë të bëheshe shkrimtar, aq më tepër, shkrimtar i shquar. Qyteti kishte njohur burra të zotë, luftëtarë të njohur, gjuhëtarë të shkëlqyer;  në atë qytet, disa pak metra më larg, kishte lindur edhe njeriu që drejtonte shtetin me dorë të hekurt, por shkrimtar të shquar nuk kishte.  Shpesh herë nga larg dhe një herë ballas, shkrimtari i ardhshëm dhe njeriu që drejtonte shtetin do të ishin ballas. Secili do të paguante haraçin e tij. Kjo ishte një e njohur e vjetër, si në kronikat e dikurshme. Një haraç  i pafjalë, “më jep disa fjalë të mira, do të të ruaj nga unë”. Nuk mund të bëhej ndryshe. E  dhëna do të ishte rastësore, disa herë e panatyrshme, por vetëm ata që kanë përjetuar atë kohë, mund të përllogarisin kultin e së keqes përballë kultit të gjeniut. Fqinjësorë të rastësishëm, a ta do të ishin po aq, në mos më shumë të rastësishëm, në takimet e tyre.

Shumë pak njerëz mund të paramendojnë se si mund të ishte jeta e një shkrimtari të shquar në diktaturë. Edhe çmimdhënësit e Nobelit e kanë jashtëzakonisht të vështirë ta paramendojnë atë. Në mos e kanë të pamundur. Do të ishte tejet logjikës të paramendonin se si një shkrimtar i tillë, i njohur, mund të qëndrojë deri natën vonë nën ankthin se një ditë do e marrin edhe atë; se si do të shikojë dhe rishikojë disa herë faqet ku është thënë më shumë se zakonisht, ku gjërat janë më të dukshme, ku e vërteta është më e shpallur, ku ambicia dhe verbëria rreth e rrotull mund të jetë aq e verbër sa që të shkëpusë dritën, kur ke shef të delegacionit një ushtarak që kërkon të të bëjë edhe zgjimin e mëngjesit sipas një raporti kazermash; kur miqtë e tu janë në hetuesi dhe nuk e mban mend se cilat biseda me to kanë qenë të rrezikshme; kur, pas një fjalimi, në dukje i parëndësishëm, vijnë dallgët e reja të goditjes dhe ti duhet të bësh shpejt e shpejt, ashtu rrëmujshëm, pritën tënde. Në memorjen e çmimdhënësve suedezë është e vështirë të perceptohet se një trokitje në portën e jashtme mund të jetë e fundit që dëgjon në shtëpinë tënde dhe se, pas kësaj, do të dëgjosh troshitjen e prangave, si kishte ndodhur në një poezi të vetme, ku flitej se si në një mesnatë, si tek Makbethi, mblidhej byroja politike, etj, etj.

Qyteti i gurtë i dha shumë atij, të cilën ia ktheu përmes një serie librash qëndrimtarë, por edhe më shumë përmes ciklimit të idesë së një qyteti të lirë, që kishte një legjendë për kështjellën sipër tij, dhe, si dukej, nuk i duhej një legjendë tjetër për një lindës të saj.

Duhet qëmtuar në thellësitë e pazakonta të qënies sonë, krahas gjithë asaj që Kadareja krijoi me mundim dhe duke gdhendur, për të kapur si duhet fijet, që, në një mënyrë ose në një tjetër, na lidhin me liridashjen dhe njeridashjen e tij, aq të mirëfillta dhe të vërteta. Nëse kjo vjen nga një lidhje e qytetit të gurtë me tjetërsimin e mendimit të tij drejt një hapjeje ndryshe, atëherë gjithçka ka qenë e natyrshme dhe qyteti e ka larë haraçin e tij. Por, nëse qartësia e habitshme e mendjes, stepja nga ky ndijim i pashoq dhe mahnitës, nëse shikimi i qetuar, ëndrra dhe realiteti përvëlues, sjellin pjesë të frymës së qytetit, atëherë Kadareja e ka shlyer haraçin ndaj vendlindjes.

Kadareja nuk mund të ishte askurrë fryma e realizmit socialist. Nuk është asnjë vepër madhore e tij e matshme me këtë kult. As në pamjen e tij të jashtme ai nuk mund të ishte një hero i këtij realizmi. I përkorë në shijen e jetës, i qetë, në botën e tij të saktësueshme deri në detaje, disi i tërhequr duke synuar padukshmërinë në përditshmëri, aspak muskuloz dhe aspak i zhurmshëm, më shumë mondan se sa i vrulleve pasionante, herë-herë i ftohtë në një shpirt që mund të digjej, gjirokastrit safi në dhënien e miqësive, pra i kursyer, mbi të gjitha ai ishte i rrethuar nga misteri.

Misteri shtohej edhe më tepër nga që pranë tij ishte kurdoherë një grua e bukur, jashtëzakonisht e bukur, e talentuar dhe e afërt, ndoshta përdëllimi i shpirtit të autorit, me një emër ndjellës dhe helenian, e cila, plotësonte gjithçka që mund të kishte munguar tek shkrimtari. Dhe, si dukej, ai vetë, sa më fort që thellohej në zhbirimin e shpirtit të saj, aq më thellë zhytej në shpirtin e tij. Ka të ngjarë që pa të ai të ishte një demon i thelbit pannjerëzor. Pamja e ftohtë e tij, herë-herë prej sundimtari të perandorisë së tij të letrave, mund të ishte edhe më e akullt , nëse nuk do të ishte ky trinitet i habitshëm: shpirti krijues, vendlindja e gurtë dhe magjia e gruas.

Pak kush, në një botë të largët , ndoshta tejet të ftohtë skandinave, mund të kishte menduar se fati i një letërsie të madhe nuk varet vetëm nga ajo që të është dhënë me tepri: talenti, por edhe nga disa “vogëlsi” të tjera, të cilat duhet të kesh me të cilët t’i ndash. Nëse Dostojevski thonte se “Unë tërë jetën si në litarin e pehlivanit kam ecur”, Kadaretë, lehtësisht mund ta perifrazonin atë se, jeta e tyre kishte shkuar, në një kohë shumë të gjatë, përmes makthit të netëve dhe mrekullisë së pranisë së njëri tjetrit. Dhe këtë pasion, si çdo pasion tjetër, ata e kanë shpalosur deri në fund, megjithëse koha ishte e mëkateve.

***

Me Kadarenë, ndoshta si me askënd tjetër të përmasave të tij në botën e perandorisë komuniste, ka ndodhur një dualizëm i fuqishëm, tejet kontradiktor dhe aspak i pritshëm. Atë e adhuronin dhe e kishin të “vetin” të burgosurit politikë të regjimit dhe ishte i rrezikshëm për vetë regjimin të cilit, në dukjen e parë, mendohej se i takonte. Ose, dukej se e mbronte.

Përse do të ndodhte kështu?

Në burgjet e kohës, ata që ishin vërtetë të burgosur politikë, përgjithësisht ishin njerëz të kulturuar, me një botë të jashtëzakonshme drejt pasionit të lirisë, ishin, si mund të thonte Niçe, njerëz me shije. Ata ishin njerëz të kultivuar, të cilët, gjë e zakonshme për ta, mund të lexonin lirisht edhe pas perdeve apo mes rreshtave. Shumë prej tyre ishin çiltërisht  të rritur me shqisën e të shijuarit dhe të të kuptuarit të gjërave dhe, si të tillë, ata kishin edhe dishepujt e tyre. Në një pamundësi të madhe të merrnin pranë vetes staturat e mëdha të njerëzve të shquar, të bërë hasha nga regjimi që i kishte burgosur, ata gjetën Kadarenë, si njeriun që, në dukje nga oborri, i dërgonte mesazhet e tyre të një përceptimi ndryshe të jetës dhe të lirisë. Ai ishte në fakt i burgosuri i lirë që përcillte mesazhet e të lirëve të burgosur.

Jo rastësist, një i burgosur i shquar, bashkëkohës i Miteranit, i përkryer në frëngjishten e tij, do të përkthente mjeshtërisht veprat e para të Kadaresë. Jusuf Vrioni, njëri nga pinjollët e famshëm të familjes disa herë kryeministrore Vrioni, do të gjente më pas, si shumë të tjerë, kalimin e cakut dantesk gjatë përkthimit dhe do të ndjehej i mrekulluar prej fjalës shqipe, idesë së papërsëritshme dhe guximit për të thënë një të vërtetë, e cila mund të pëshpëritej vetëm në qelitë e ftohta të burgut dhe, si nëpër të gjithë burgjet politikë të perandorisë së Lindjes, vetëm në mes të miqve të besuar. Ndërsa ai i kishte shpallur ato. Ishin aty. E zeza mbi të bardhën. Dhe, më në fund, e përkthyer. Për të qenë e njohur thuajse në të gjithë gjuhët e botës. Një korpus veprash, që kalon nga qelia e një të burgosuri përmes ferrit, duke i rënë pash më pash gjithësisë, i bën nder Nobelit, po aq sa i bën nder ky çmim edhe autorit.

Jo rastësisht, një shkrimtar i shquar shqiptar, edhe ai, në fillimet e jetës pjesë e sipërinës së oborrit shtetëror e, më pas, në rrokulimën e burgjeve politikë, Bashkim Shehu, djali rebel i ish-Kryeministrit më jetëgjatë shqiptar, Mehmet Shehu, ditët e fundit, në ligjërimin e përkujdesjen e tij për 10 librat, që shqiptarët duhet të rilexojnë, 5 prej tyre i takonin pikërisht Kadaresë.

Ky mund të jetë vlerësimi më i madh për një shkrimtar të gjallë;  është, si të thuash, një Nobel i dhënë nga vuajtësit e regjimit, dhënë si shpërblim i mbijetesës së një Njeriu që u kishte dërguar mesazhet e tij përtej barrikadës.

Ndërkohë ai ishte i rrezikshëm për regjimin. Ai ndodhej mes dy përplasjeve; të atyre që kishin nevojë për artin e tij dhe të atyre që e mallkonin haptas artin e tij.

Nuk është sekret tashmë se ndër gjithë racën e shkrimtarëve të pas luftës, ai që do të ishte gjithmonshëm nën përgjim dhe veprat e të cilit do të përbënin një alarm, ishte pikërisht Kadareja.

Duam apo nuk duam, fakt është se, të gjithë ne që e kemi përjetuar atë epokë, gjithsesi marramendëse, aq sa e kemi pritur me lakmi njerëzore një vepër të re të tij, aq edhe jemi shtangur prej saj; më saktë nga mesazhet e përcjellura, herë-herë krejt haptas, pikërisht prej saj.

Kadareja rrallë herë ka sjellë fate personazhesh, ai ka sjellë ide dhe këto kanë qenë më të çmuarat. Ai  bëri konturet e një epoke me dorën e tij prej mjeshtëri, e bëri ftohtësisht, pa u rrëmbyer nga mllefi dhe pasioni; e bëri qartësisht, pa lënë pas asnjë ekuivok dhe, mbi të gjitha, e bëri duke e dashur aq fort vendin e tij, sa të dukej se pas kësaj nuk pritej gjë tjetër, veçse shkërmoqja e brinjëve nga dhimbja.

Duke i lejuar vetes të ngrinte një perandori, ai tregoi edhe burgjet e saj. Ndoshta i zhvendosi në kohë, i lakoi në trajta të ndryshme, por kurdoherë të kuptueshme. Kishte raste kur regjimit i sillte një copë sapun për të larë veten, por më shpesh ndodhte të ishte nga ai lloj sapuni që kurrë nuk mund të lante gjakun makbethian.

Në të vërtetë, në këtë rast, gjithçka ka qenë mes dy pritjeve: pritjes së të burgosurve politikë se kur, në cilin moment, pas cilës vepër, Kadareja do të jetë njëri prej tyre edhe fizikisht; dhe, pritjes tjetër, kur do të kishin gëzimin e egër që të burgosnin plangprishësin e madh. Nëse asnjëra prej tyre nuk ndodhi, kjo nuk ka të bëjë me gjendjen shpirtërore të regjimit apo edhe me sipërinën e tij; në kohën kur ai u bë vërtet i rrezikshëm për regjimin dhe frymëzues i ëndërrimtarëve, ishte tashmë përtej ideve të zakonshme, ai ishte bërë rikrijues i letrave shqipe; këmbana e tij nuk mund të ishte njëkohësisht edhe epitafi i tij, dhe, si i tillë, për regjimin, ishte më e lehtë të hiqte qafe një kryeministër, si edhe ndodhi, përmes një akuze banale, se sa një krijues të një bote ende të panjohur, por që po bëhej marramendshëm shpejt i mirëpritur në një sofër ku mund të ishim ende të panjohur, në atë të letërsisë europiane.

Pikërisht, qëndrimi në dukje, krejt mospërfillës i qeverisë së kohës ndaj rastit Kadare i dha zemër shumë njerëzve dhe pararendi ngjarjet.

(Vijon)

September 11, 2018 12:50