“Nobeli” i munguar për Kadarenë:  Intervistë me poetin Mihal Gjergji

June 17, 2018 12:35

 “Nobeli” i munguar për Kadarenë:  Intervistë me poetin Mihal Gjergji

Nuri Dragoj

Poeti Mihal Gjergji është një poet shpërthyes, i thellë në mendim dhe sjell risi në poezinë shqipe. Ka personalitetin e vet krijues, sintetizon ndjenjë të fuqishme dhe ka vizion të qartë metaforik, njëkohësisht të zjarrtë. Ai udhëton përherë, kurrë nuk e sheh të pushojë, udhëton e njëkohësisht përjeton shumësinë e gjithë udhëve, ndaj lëshon varg kënge, me strukturë muzikore popullore, të re dhe të lashtë njëkohësisht, imponuese dhe tolerante po ashtu, duke vendosur përherë në themel substancën e Shqipërisë. 

Mihali është poet i së vërtetës, i mendimeve dhe kuptimeve të ngjeshura e të kontestuara në pak fjalë, poet që i rreh zemra për Shqipërinë, i dhembin plagët e saj dhe ato s’janë pak.

I dëshpëruar nga paudhësitë e jetës, nuk dorëzohet por vazhdon të punojë vazhdimisht, sepse pikërisht aty te vargjet e gjen prehjen e vet, aty është i qetë, ndihet i plotë.

Ja si shprehet ai në intervistën që i bëmë këto ditë:

 Cili është mendimi juaj për poezinë?

Është një nga mallkimet më të bukura për njeriun. Jo gjithmonë njeriu bëhet çfarë mendon ai për veten, por mallkimi që sapo thashë ndjehet qysh herët; dhimbja e të tjerëve, përjetimet trishtuese apo emocionet që ngarkon brenda shpirtit, te poeti lënë gjurmë të pashlyeshme, e mandej bëhen objekt i gjykimeve të tij, parë me syrin e “filozofit”. E, në kushtet që poezia vjen, apo zbret nga lart, nëse do shprehemi kështu (e kam fjalën për poezinë e vërtetë) është pikërisht kjo  poezi (bukuria e shpirtit, fuqia e mendimit dhe drita e ideve) që e vret poetin, për të jetuar në tjetër kohë, pra, për t’i dhënë pavdekësinë. Le ta pranojmë; poetët janë shumë para në kohë, krahasuar me njerëzit e zakonshëm, madje edhe brenda klasës së artit. Brenda vetmisë dhe trishtimit të poetit, është angazhimi për të qendisur apo gdhendur diçka, për të mbjellë një trëndafil, për t’i dhënë përjetësinë një martiri, për t’i kthyer buzëqeshjen një nëne etj. Atje ku s’e shpie fuqia e mendimit, artistin e shpie imagjinata. Në këtë kuptim, poezia është energji, të cilën, jo kushdo mund ta çlirojë. Poezia është guximi i autorit, jo robëria e tij.

Dhe poezia shqipe ka rritje gjatë këtyre 25 viteve?

Sigurisht. Mbas një dimri të gjatë, shpërthyen lule gjithfarësoj, por shumica do thahen sikurse çelën. Kur shkruaj një poezi, një analizë kritike apo publicistikë çfarëdo, gjithmonë pyes veten: a do lexohet pas njëqind vjetësh? Pikërisht kjo pyetje më tremb. Jo çdo gjë që shkruajmë doemos është e privuar nga harresa, jo çdo gjë që publikojmë meriton vlerësime. Njoh shumë autorë që s’lexojnë më, asnjë libër. Më dhimbsen, sepse përsërisin vetveten. Është braktisur libri dhe janë bërë të pushtetshëm rrjetet sociale. Inteligjenca teknologjike konkurron dhe kërkon të vrasë atë që e shpiku, inteligjencën njerëzore. Shikoni me kujdes; të ashtuquajturit krijues, gjejnë të ngjajshmit e tyre. Kuptohet, kjo është një lojë brenda përkohshmërisë. Njerëzit e ditur, qëndrojnë thuajse vetmitarë. Ata s’kanë nevojë të marrin energji nga të tjerët. Ka poetë të rinj të talentuar, madje më shumë sesa publicistë. Shpirti i një populli flet me zërin e poetëve të tij. Dhe populli ynë e ka një bukuri të tillë shpirtërore. A do munden këta të krijojnë “shkollat” e tyre, si modele për poetët që do vijnë, sikurse arritën; K.Petriti, D.Agolli, A.Shehu, I.Kadare, Xh.Spahiu, J.Bllaci, L.Poradeci e të tjerë poetë të shquar? Kjo mbetet për t’u parë.

Njëri prej librave tuaj titullohet: “Zoti mban shënim”. Cila është lidhja juaj me besimin?

Atje ku s’arrin shkenca, filozofia ngulmon të gjejë zgjidhje, e kur dështon edhe kjo, atëherë flet teologjia. Unë s’praktikoj asnjë lloj besimi. Kam një tempull tek i cili falem, është zemra ime, kam dhe një perëndi të cilën e adhuroj, është dashuria. E megjithatë, zotit i trembem, paçka se përpiqem ta lartësoj çdo ditë brenda vetes. Diku kam lexuar se, askush s’mund të largohet nga kjo jetë, pa përjetuar ato dhimbje që u ka shkaktuar të tjerëve, pra, ekziston një forcë madhore që vendos ekuilibra. Në këtë kuptim, titulli i librit që sapo përmendët, është më shumë një thirrje, siç ndodh t’i drejtohemi njeriut buzë humnerës;- kujdes!

Krahasuar me nobelistët e Ballkanit, apo më gjerë, cilët autorë shqiptarë mendoni se qëndrojnë denjësisht në lartësinë e tyre?

Sigurisht që kemi, madje edhe më lartë se ata. Le të shpjegohem. Unë  kam lexuar disa prej tyre. P.sh, boshnjakun Ivo Andriq, i cili mori këtë  çmim në vitin 1961 për fuqinë epike, me të cilën formësoi motive dhe përshkroi fate nga vendi i tij. Një njeri plot dritë-hije, i pashkëputur dot nga politika dhe brutaliteti i saj, hartues i platformave shfarosëse dhe luftënxitëse. Dhe çuditërisht e mori çmimin Nobel. E theksoj, çuditërisht(!) Kam lexuar Jorgo Seferis, i cili u vlerësua në vitin 1963 për poezinë e tij të shkëlqyeshme lirike, sikurse Odise Elitis, i cili e fitoi këtë çmim në vitin 1979 për poezinë me fuqi sensuale. Dy të fundit, më kanë lënë një shije të veçantë, ndjesinë se po lexoja poezi shqipe. Dua të besoj se, në mos qofshin arvanitas, me siguri kanë gjak nga gjaku ynë. Po kjo është e parëndësishme në epokën e globalizmit. Arti s’ka kufij shtetërorë, i kapërcen ata, s’ka korniza kohore, qëndron përtej saj. Kam lexuar edhe hebreun Elias Canetti. Në gjitoninë e tij është ushqyer edhe me tingujt e ëmbël të gjuhës tonë, sepse është rritur edhe mes shqiptarëve të vendosur qyshkur në fshatin Rusçuk të Bullgarisë. Dhe ka shkruar për ta. Por, dua të shtoj, drama si ajo që ka përshkruar nobelistja tjetër, Herta Muller, (minoritare gjermane në Rumani), ne i kemi të shumta, dhe disa nga shkrimtarët tanë i kanë përshkruar ato.

 Më konkretisht? 

Dua të bëj një shpjegim, të cilin e gjykoj të nevojshëm. Janë bërë dy studime nga dy autorë larg njeri-tjetrit, të botuar në dy libra të ndryshëm. I pari është Samuel Huntington me “Përplasja e qytetërimeve” dhe i dyti është Domenique Moisi me “Gjeopolitika e emocioneve”. Të dy profesorë në dy universitete prestigjioze. Dy doktrina që përjashtojnë njëra-tjetrën. I pari kërkon të përligjë globalizmin, një rend ndërkombëtar të unifikuar për të mënjanuar konfliktet dhe luftërat. I dyti shpjegon ndryshimin mes kulturave dhe argumenton se bota është formësuar nga kultura e frikës, poshtërimit dhe shpresës. Dhe kjo vijimësi vështirë se mund të ndryshojë rrjedhë. Një ballkanas s’mund të mendojë apo jetojë si afrikan apo aziatik dhe anasjelltas. Ajo që është normale apo e natyrshme në Ballkan, nuk gjykohet si e tillë në një vend evropian dhe më larg. Misteret e botës shqiptare të shprehura nga njerëzit tanë të kulturës, perceptohen dhe kuptohen vallë nga komisionet vlerësuese, apo është pikërisht ky moskuptim që kërkon të “vrasë” personalitetet tona të shquara me indiferentizmin e tyre? A mbështetet edhe mbi parime morale kjo tribunë kulture? Sigurisht që atje s’gjykon Krishti me apostujt e tij.

Por, le të vazhdojmë. Kam lexuar para shumë vitesh “Popull i ndaluar”. Kam përjetuar emocione të forta. Është drama e një populli që flet brenda asaj vepre madhore. Në një nga analizat e mija të publikuara, unë e cilësoj Rexhep Qosen, princi i qartësisë intelektuale, sikurse vlerësoj studimin e tij dinjitoz për krijimtarinë poetike të Naim Frashërit. Kritika letrare thuajse ka heshtur. Kam lexuar “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritero Agollit. Një vepër dinjitoze edhe kjo, me një simbolikë interesante dhe guxim që të kushtëzonte lirinë. Është simotra e veprës së Serevantes, “Don Kishoti”. Nga kjo lartësi moshe, kuptoj se, e keqja Don Kishotit  s’i erdhi nga idetë e tij të çmendura, por nga Sanço Pança, shqytari i tij. Ja, pikërisht për Sançot shkruan Driteroi. Pas gjykimit që i bëri pushteti (edhe pse brenda zyrës kryeministrore), autorit ju vërsul edhe ndonjë kalemxhi që mbulonte sektorin e kritikës. Le të flasim për një tjetër autor shqiptar, të shquar qysh me veprat e tij të para. Jo pak “analistë” dhe pseudointelektualë, që mbushin studiot televizive, gjykojnë heshtjen e Kadaresë  në këmbim të fjalëve të tij për të ndryshuar gjendjen e shoqërisë shqiptare. Sa keq më vjen; për drejtuesit e emisioneve, për të ftuarit, të cilët lehin për ata që i ushqejnë, për shikuesit që presin mrekullira. Dhe e dini pse? Sepse, ua thashë qysh në krye, s’lexojnë libra, s’marrin informacione, s’bëjnë analiza. Sikur t’a kishin lexuar “Pallati i ëndrrave” me siguri `s’do guxonin. Është pikërisht Kadare, që në atë kohë terrori, guxoi të futet në themelet e ferrit komunist dhe të godas perandorinë e së keqes. Një vepër monumentale si ajo, as autori s’mund ta shkruaj sërish. Kjo vepër është e denjë për t’u lauruar me  çmimin Nobel, madje qyshkur.

Meqë përmende çmimin Nobel, çfarë mendoni për autorin?      

Më kujtove dekretimin e Skënderbeut “Mbret”- miratuar nga Papa Piu II, (mbrojtës i zjarrtë i krishterimit) në Kepin e Rodonit në vitin 1458. Sot, shumë tellallë thonë se Papa s’mundi ta shpallte mbret, mbasi u sëmur dhe vdiq, vallë kush e shpuri dekretin, etj,  por, në fakt Skënderbeu ishte i tillë, Mbret i Arbërisë. E tashmë duhet të pyesim; a do e miratojë Alfred Nobel (themeluesi) vlerësimin e Kadaresë? Kadare e ka marrë prej vitesh këtë çmim, sepse është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të huaja, lexohet nga miliona qytetarë të planetit, ka marrë vlerësime nga personalitetet më të shquara të kulturës botërore. Arti është mbretëri më vete dhe secili  lufton për kreun e kësaj mbretërie. Para viteve 90’ Kadare ishte një lloj tirani për shkrimtarët shqiptarë. Ato që s’guxuan t’i shkruanin dje, i shpallin sot, gjysmë shkrimtarët  ngarkuar me vrerin e urrejtjes. A kanë të drejtë ta urrejnë Kadarenë? Sigurisht. Ju e dini, bari nën hijen e lisit rritet i verdhë. Ata s’mundën të ngjiten dot lart. E sot, Kadare është po kaq tiran edhe për shkrimtarët botërorë. Dua të shtoj edhe diçka. Arkitektura e veprave të këtij autori është e ndërtuar prej drite. Laboratori i prozës së tij është modern, gjuha po kështu, madje shumë e pasuruar, idetë interesante. Kam lexuar për akuza denigruese ndaj gjuhës sllave. S’është e vërtetë. Ai ka shkruar një poezi mjaft interesante për gjuhën tonë. Në kushtet që na shkretuan dhe na morën gjithçka, vetëm kështjellën e gjuhës shqipe s’mundën ta pushtonin. Ai s’fyen askënd. Kam dëgjuar të thonë për personazhet që s’janë shqiptarë, etj. Ndiqni me vëmendje krijimtarinë e tij, fillon me “Kronikë në gur”. Qysh në titull ka një mesazh domethënës. Fillon me nëntokën, sterrat e mbushura me ujë, pastaj me rrugët e kadrëmta, pastaj me lartësitë, doemos edhe me qytetarët. Pra një Anté, me këmbët  mbështetur fort në këtë truall. Ndërsa për personazhet do të shtoja; autori zbret thellë në shekuj, mbase në kohën e sundimit të mbretit Hyll, pastaj imagjinata e shpie larg, shumë larg, tek Shqipëria (Iliria) e nesërme. Rrëmoni pra dhe gjeni emrat e personazheve në këtë humbëtirë që mbërrin deri te Homeri, por pranoni edhe idetë e tij.

Për çfarë idesh e keni fjalën?

Po përmend njërën prej tyre. Skënderbeu s’luftoi myslimanizmin (fenë islame), por u shpalli luftë osmanëve për të çliruar vendin e tij nga kthetrat e tyre. Kjo do mjaftonte, që historianët tanë të mos pengohen në rrugën që vazhdon të mbushet me gjemba helmues nga qarqet antishqiptare. Apo jo? Të ndalemi te “Mosmarrëveshja”. Është ajo plagë që vazhdon të kullojë gjak, është urrejtja, si një mynxyrë brenda racës tonë. Nga erdhi, kush e mbolli dhe si duhet kuruar që të mbyllet? Me këto duhet të merren sociologët tanë, psikologët apo politologët që projektojnë të ardhmen. Ka një veçori dalluese individualiteti krijues i autorit, që mishërohet edhe në veprën e tij, ai s’e ka pranuar asnjëherë konceptin shkatërrues të moralit njerëzor, të punuarit si detyrë. Është një nënshtrim dhe bindje, po ndaj kujt? Ja, me këto duhet të merret kritika letrare. Unë vlerësoj studimet e thelluara dhe mjaft interesante të Moikom Zeqos për shumë figura të ndritura shqiptare, sikurse një punë të lavdërueshme të Fatmir Terziut, edhe ky me studimin interesant; “Kritika ndryshe”. Sami Frashëri shkruante se; “numri i njerëzve të shquar që njihen si shqiptarë, duhet t’i shtohet edhe një numër tjetër shumë i madh të panjohurish, që janë mbajtur si pjellë e ndonjë populli tjetër, që ne nuk ua dimë emrat”.

Ju keni botuar një studim të thelluar për Ali Pashë Tepelenën. Përse?

Është një figurë që vazhdon të intrigojë shumë autorë, vendas dhe të huaj. Unë jam përpjekur t’i bëj një “kirurgji” psikologjike këtij sundimtari. Cili ishte vizioni i tij njerëzor? A kishte ide konkrete për një shtet të pavarur shqiptar? Cilat ishin armët e tij të suksesit në sundimin me dorë të hekurt, në fushën e diplomacisë, në joshjen e turmave me aftësinë e një profeti? Kush e vrau Ali Pashë Tepelenën, jo fizikisht? Këtyre pyetjeve u kam dhënë përgjigje dhe ngulmoj të përsëris: moskuptimi e vrau, e atyre me të cilët punonte, që mbante rreth vetes, që u kishte dhënë besimin e tij. Izraelitët s’e kuptuan Jezusin, indianët-Budën, gjermanët Zarathustrën e Niçes. E nëse do pranojmë vetëm anën e tij të errët, pra  tiraninë, unë përsëri do pyes: ku ndryshon një tiran i vdekur nga tiranët e gjallë? Cili prej tyre është ngjitur në altar i veshur me rroba të bardha? Asnjë! Është e lehtë të bëhesh gjyqtar, aq më keq i vonuar. “ Harku moral i universit përkulet para bërrylit të drejtësisë”. Janë fjalët e Luther King.

Në librin tuaj “Drithërimat e fjalës”, jeni marrë me  publicistikën. Përse?

Janë shënime kritike për disa autorë. Të gjithë kanë bërë objekt trajtesash, edhe unë bashkë me ta, Zylyftar Hoxhën, një publicist i talentuar. Por më shumë se kaq, jam marrë me artin e fjalës. Vazhdimisht kam kërkuar shembëlltyrën e Branko Merxhanit, të Mitrush Kutelit, të Petro Markos, mirëpo ata ende s’po vijnë. Dhe kam ndalur diku,  pikërisht te Zylyftari, për mjeshtërinë e të shkruarit, gjeografinë që ka rrokur, fenomenet që ka trajtuar; magjinë e natyrës shqiptare, traditën dhe kulturën, bukurinë e shpirtit njerëzor.

Cila është marrëdhënia juaj me politikën?

Në rininë time dija se ka vetëm një vdekje, se ndodh vetëm një herë  dhe është atribut i zotit. Më vonë mësova edhe për vdekjen e dytë. Ajo është shpikje e njerëzimit, është politika. Përmes dhe nën pushtetin e saj vdesim çdo ditë nga pak, çdo ditë. Në shekullin e XVII-të, Oliver Kromwelli bëri një thirrje në parlamentin Britanik; “Ju jeni një kope vagabondësh mercenarë, dhe, ashtu si Isau, do të shisnit vendin tuaj për një gjellë  çorbë, dhe ashtu si Juda do të tradhtonit Zotin tuaj për të mbushur xhepat. A ka ngelur qoftë edhe një virtyt te ju? Ekziston ndonjë ves që të mos ta keni…?” E vetmja gjë për të cilën s’dua të flas, dua t’i qëndroj larg, se më ndot, më ngjall neveri, më bën nervoz, është politika. Ajo ka të njëjtën pamje, në gjithë planetin. Më pëlqen një gjykim i R. Qoses: sa më shumë t’i largohesh politikës, aq më shumë i përket popullit…Unë e dua vendin tim, edhe shtetin, por atë që i përket popullit. Nëna, edhe kur s’të jep një jetë të mirë, të jep qumështin e gjirit, edhe dashurinë, mirëpo kjo e fundit “është i vetmi ‘krim’ që nuk mund të kryhet pa një bashkëpunëtor”- shkruante Sharl Bodler, kështu që, detyrimi ndaj vendit është i pashmangshëm. S’dua të lëndoj eshtrat e Nolit të madh, por do sjell në kujtesën tuaj fjalët e tij, në vend të përgjigjes që kërkoni: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive: E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan. E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit…” Ky fjalim është bërë në vitin 1924, por sa aktual që është! Edhe Gandi, të cilin e ndiqnin si idhull turmat qindra milionëshe, bënte thirrjet ulëritëse për; politikën pa parime, pasurinë pa punë, shkencën pa humanizëm, kënaqësinë pa ndërgjegje…E megjithatë, unë jam optimist, Shqipëria do bëhet., edhe pse ka mbetur një vend tranzit për të huajt. Kështu ka ndodhur historikisht; kanë ardhur, kanë plaçkitur dhe janë larguar, ndoshta për t’u kthyer përsëri. S’ka arsye, që në një vend të begatë si Shqipëria, vdekja të jetë më e uritur se njerëzit.

Cili është plani që jeni duke realizuar?

Planet e prishin magjinë e krijimit. Më ndodh, që t’a lë në mes një punë, për t’u marrë me diçka tjetër. Jo gjithmonë njerëzit janë produkt i vendimeve të tyre, edhe rrethanat kanë ndikimin e vet. E rëndësishme është t’a duash atë që bën, dhe unë e dua artin.

June 17, 2018 12:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*