“Trëndafili i dashurisë nuk kundërmon, po nuk pati gjemba…”
Orhan Pamuk
Nga Sejdo Harka
Të shkruash për nobelistin Orhan Pamuk dhe romanin e tij më të bukur ”Muzeu i pafajësisë” do të thotë të prekësh si me dorë narracionin e ngrohtë dhe magjinë e shpirtit të stërmunduar të dashurisë njerëzore. Për ta futur lexuesin sa më shpejt në hullinë e brendisë së këtij romani mjafton të ndalesh mes disa rreshtave të epilogut të tij, të shënuar në ballinën e librit, me një gjuhë sa telegrafike, aq dhe metaforike: “Është pranvera e vitit 1975. Kemali, një djalë i shtresës së lartë të Stambollit është gati për t’u fejuar me Sibelin, një vajzë aristokrate, e shkolluar në Perëndim. Por një kthesë e befasishme e fatit do ta tjetërsojë Kemalin në “robin” e një dashurie të gjatë me një shitëse, kushërirën e tij të largët, Fysunin. E gjithë bota e tij përmbyset dhe Kemali do të ecë përmes vuajtesh e ëndrrallash në spiralen e të papriturave fluide, deri në atë pikë, sa lexuesit do t’i duhet të tronditet thellë nga një fund, sa tragjik dhe çuditërisht i lumtur…”.
Por, para se të merremi me vlerat e padiskutueshme të romanit “Muzeu i pafajësisë”, le të ndalemi për të treguar me pak fjalë, se cili është Orhan Pamuk.
Orhan Pamuku lindi më 7 qershor të vitit 1953, në Stamboll, në një familje me orientim europerëndimor. Edhe pse studioi për arkitekturë, ai u mor me pikturë. Pasi braktisi arkitekturën, filloi studimet për gazetari, të cilat i përfundoi në vitin 1976.
Jetën dhe veprimtaritë e tij ai i përshkruan në librin “Stambolli, qyteti i kujtimeve”. Në mënyrë të veçantë u shqua si romanicer. Romanet më të mira, disa prej të cilëve janë botuar edhe në disa gjuhë të botës, janë: “Xhevdet beu dhe të bijtë” (1982), “Shtëpia e heshtjes” (1983), “Kështjella e bardhë” (1985), “Libri i zi” (1990), “Jeta e re” (1994), ”Unë jam e kuqja” (1998), “Bora” (2002), “Muzeu i pafajësisë” (2008), “Flokëkuqja” (2015), si dhe libra me kujtime dhe ese si “Stambolli…” (2003), “Baulja e babait” (2007). Disa prej veprave të tij më të mira, si ”Muzeu i pafajësisë” janë përkthyer e botuar edhe në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese “Skanderbeg”. Për problematikën e gjerë dhe talentin e tij të rrallë Orhan Pamuku është nderuar me disa çmime të larta kombëtare e ndërkombëtare. Ndërsa në vitin 2006, Orhan Pamuku “…i cili në kërkim të shpirtit melankolik të qytetit të tij të lindjes zbulon simbole të reja të përplasjeve të kulturave gërshetuese”, u nderua me çmimin “Nobel” për letërsinë.
Në fjalën e tij, mbajtur në banketin e “Nobelit”, më 10 dhjetor të vitit 2006, shkrimtari i madh Pamuk, duke kërkuar t’i japë përgjigje pyetjes: “Pse shkruaj?”, e mbyll me këto fjalë, fjalimin e tij: “Ky çmim, që më ka kthyer buzëqeshjet e këndshme të fëmijërisë sime dhe mirësinë e të panjohurve, do të duhej të më ishte dhënë…edhe më herët se fëmijëria ime, që mund t’i gëzohesha kësaj ndjenje princërore të të qenit fëmijë tërë jetën. Në fakt kjo është arsyeja pse shkruaj dhe do të vazhdoj të shkruaj.”[1]
Një nga romanet e tij më të bukur, që e kemi bërë objekt analize të këtyre shënimeve, është “Muzeu i pafajësisë”. Edhe pse ka vite që ka dalë në qarkullim lexohet me kënaqësi, jo vetëm për problematikën thellësisht njerëzore, por edhe për gjuhën e bukur dhe sentencat me vlera të mëdha universale, që ai përçon te lexuesit e të gjitha moshave. Është kjo arsyeja që kritika letrare botërore e ka renditur atë në sërën e romaneve më të mirë të shekujve të fundit, si: “Lolita”, “Zonja Bovari”, “Ana Karenina” etj.
Ngjarjet e romanit zhvillohen në Turqinë e viteve ’70-të, kur ajo luftonte të kapërcente nga bota orientale me një filozofi të mbyllur drejt botës moderne perëndimore evropiane. Ishte koha kur shoqëria turke përjetonte konflikte të rënda, deri në grushte të papritura shteti. Ndërsa të rinjtë vrisnin njëri-tjetrin, në emër të ndarjes ekstreme në të majtë e në të djathtë, shoqëria turke vuante peshën e filozofisë konservatore për vendin e grave dhe vajzave në shoqëri dhe për dashurinë e virgjërinë.
Heroi kryesor i romanit, Kemali, që shpesh i ngjan autorit të romanit, një intelektual tepër i zoti, i cili ka pasur fatin të lindej e rritej në një familje të kamur, por duke qenë produkt i kohës dhe shoqërisë që e lindi dhe e rriti, bëhet pre e një lidhjeje dashurore të dyfishtë, por të pafat. Nga njëra anë Sibeli, një vajzë e mirë dhe me shpirt fisnik, nga një shtresë e pasur konservatore turke, ndërsa nga ana tjetër Fysuni, shitëse, me bukuri të rrallë dhe e pasionuar pas aktrimit, e cila e ka bërë Kemalin të marroset pas saj. Edhe Sibelin ai e donte shumë, sepse ishte vajzë e zgjuar, por mendjen e kishte te Fysuni. Aq shumë e donte, saqë kur bënte dashuri me të, i dukej sikur shpirti i largohej, për t’u njësuar me atë të Fysunit. Edhe pse e dinte që Fysuni, për shkak të pasionit dhe ëndrrës së saj për të luajtur në filma, shpesh bëhej objekt i urisë seksuale të burrave të fortë, ai e dashuronte atë marrëzisht. Te Sibeli ai gjente sinqeritetin dhe besimin, ndërsa te Fysuni gjente dashurinë, guximin dhe modernizmin. Fysunin dhe Kemalin, për të gjetur dashurinë e vërtetë, nuk i pengonin barrierat e virgjërisë. Akti dashuror i tyre nuk i përkiste botës së ëndrrave, por botës reale. Ky ishte një guxim për ta, sepse ishte koha, kur në Turqi ende ekzistonte ligji, se kur një vajzë nën moshën 18-vjeçare bënte dashuri pa menduar se do të martohej, babai i saj e padiste djalin në gjyq. Ndërsa vajzat që gabonin, braktiseshin e përbuzeshin nga shoqëria, deri në vrasje. Për Kemalin Fysuni ishte simbol i lumturisë së tij. Edhe natën e fejesës me Sibelin zemra i rrihte për Fysunin. Sa do të doja, mediton ai, duke kërcyer me Fysunin në natën e fejesës me Sibelin, ta përqafoja fort të fejuarën time, por ja që mendja më punon vetëm për Fysunin, aq sa ky vallëzim nuk do të doja të mbaronte kurrë (116). Por, fatkeqësisht, pas kësaj mbrëmjeje, Fysuni do të largohet pa adresë për të mos u rikthyer kurrë. Prej këtij momenti Kemali do të përjetojë thellë shqetësimin: “Si do të jetojë pa Fysunin?!” Në këto çaste ai po e ndiente veten “si ajo kafsha që përgjon trupin e vet, teksa jep shpirt” (193). E ndiente thellë kafshimin që po i shkaktonin dhimbjet e dashurisë për Fysunin e larguar pa adresë, që ditën që ajo u rrëzua në provimin, ku mori përsipër ta ndihmonte Kemali. Ku nuk e kërkoi ai, por kudo merrte përgjigjen e trishtë: Fysuni nuk ndodhet këtu… Teksa vuante si kafsha e zënë në lak, shpëtimin e kërkonte vetëm te rikthimi i së dashurës së tij. Tashmë e kishte kuptuar se fejesa me Sibelin ishte jo vetëm e nxituar, por dhe e gabuar, sepse, ndonëse ajo ishte një vajzë shumë e mirë, nuk e bënte të lumtur. Aq shumë e dashuronte Fysunin, saqë edhe orenditë e përdorura prej saj, ishin bërë pjesë e mendjes dhe shpirtit të tij të dashuruar. Dhimbja dhe dashuria që ndiente për të i jepte forcë dhe shpresë, se një ditë Fysuni do të rikthehej përsëri. Dhe, nëse ajo do të rikthehej, do të ndahej nga Sibeli. Zhdukja pa gjurmë e Fysunit e kishte mbyllur Kemalin në vetvete. Këtë përhumbje të çuditshme të Kemalit e ndiente thellë edhe Sibeli. Ishte koha, kur “xhindi i dashurisë së Kemalit për Fysunin, kishte fluturuar jashtë”.
Në një gjendje të rëndë shpirtërore të dyzuar, Kemali mundohej t’i shpjegonte Sibelit arsyet e dalldisjeve të tij shpirtërore, të cilat nuk e bindin atë. Por, për Sibelin problemi nuk ishte se Kemali dashuronte një tjetër, por sepse nuk e dashuronte atë. Prandaj, në shpirtin e saj të trazuar, filloi të ndihej regëtima e përbuzjes dhe urrejtjes. Shkaku i vërtetë, thotë Kemali, ishte paaftësia ime për të bërë dashuri me të. Thelbi i dashurisë së çuditshme, shpesh kundërthënëse e Kemalit shpjegohet me brendinë metaforike të sentencave të tilla që Pamuku vendos në gojën e personazheve të tjerë të këtij romani: “Trëndafili i dashurisë nuk kundërmon, po nuk pati gjemba”, “Problemi i Kemalit është të qenit i pasur në një vend të varfër”…
Ndarja përfundimtare me Sibelin, edhe pse e trondit, ia rrit shpresën se një ditë do të takohet me Fysunin, për të cilën çdo ditë e më shumë i shtohet dashuria. Ai mendonte se këtë ditë magjike do t’ia afronte ndarja me Sibelin dhe gjetja e unazës që i pat premtuar Fysunit. Por, shpresa filloi t’i venitej përsëri, kur mori vesh se Fysuni ishte martuar me Feridunin. Për të ringjallur shpresat, ai përgatit një takim të befasishëm me të, ku i dhuron një tufë me trëndafila, të cilën Fysuni e pranon me kënaqësi. Në faqet e saj të skuqura dhe buzët ndjellëse, Kemali vuri re se dashuria mes tyre ende nuk kishte vdekur (293). Ishte koha kur Fysuni ishte bërë një artiste e famshme filmash. Luhatjet e dallgëve shpirtërore, në vend që t’i largonin, po i afronin më pranë. Kur qëndronte afër Fysunit, ai harronte çdo dhimbje dhe fshinte si me magji ëndrrën e keqe, e cila dukej sikur e nxiste që dashurinë “ta martonte me vetëvrasjen”.
Për Kemalin nuk ka rëndësi të jesh i pasur. Jeta për të nuk është një fushë me lule, por një luftë e mbushur me përpjekje lojcake, në një skenë “plot hakmarrje dhe gënjeshtra”(388). Kur Kemali i dhuron Fysunit vathët e shumëpritur, në mendje sjell dashurinë, në shpirt shqetësimin dhe në zemër therjen (341). Me propozimin e z. Tarek, Fysuni ishte martuar me Feridunin, me të cilin ishte njohur që kur ishte 14 vjeç. Me këtë martesë gati të detyruar, Fysuni ka përjetuar mungesën e dashurisë së lirë. Kemali, i vetëdijshëm për plagët që i ka shkaktuar Fysunit, bën gjithçka për të shuar zemërimin e saj të ligjshëm. I bindur se ka humbur shumë kohë, lufton të kujtojë dhe të bashkojë çastet e lumturisë së tij. Për të ruajtur çastet e tij më të lumtura, fillon të mbledhë sendet, që kishte përdorur Fysuni, me të cilat do të krijonte kultin e dashurisë së tij, që do ta quante “Muzeu i pafajësisë”. Çdo send dhe objekt i saj, Kemalit i dhuronte çaste të rralla lumturie. Fysuni, e lidhur me Feridunin vetëm për t’u bërë artiste filmash, duke u tjetërsuar në një “kavje” e shoqërisë filmike “Limoni”, kishte humbur dashurinë e saj të vërtetë. Prandaj Kemali i kërkon të largohen së bashku nga kjo botë e mërzitshme, për të jetuar lumturinë e tyre të vërtetë. Për Kemalin, Fysuni kishte mbetur një vajzë e bukur, e ëmbël dhe shumë e dashur. Edhe pse ajo kishte kaluar një jetë të vështirë, plot ecejake, kishte pasur edhe suksese. Kishte fituar çmimin e bukurisë, ishte bërë aktore e famshme dhe dallohej edhe për pikturat e saj të bukura. Prandaj meshkujt e kohës e shihnin jo vetëm si gjuetarë, por dhe si burim parash. Ngaqë e dashuronte marrëzisht, Kemali luftonte që ajo të mos binte pre e elozheve të revistave vulgare të kohës dhe urisë seksuale të meshkujve, që synonin ta tjetërsonin, në “mall” që prodhon para apo kënaqësi seksuale.
Ëndrra më e madhe e Kemalit në atë kohë ishte martesa me Fysunin, por ajo ende ndiente një shpirt të trazuar. Kemalin e kishte prekur aq thellë marrëzia e dashurisë, saqë e kishte dëmtuar si njeri. Ai nuk donte që Fysunin ta puthte njeri tjetër, as nëpër filma.Të dy vuanin ankthin e dashurisë së parealizuar. Për ta zbehur këtë ankth, Kemali vazhdonte të mblidhte sa më shumë sende dhe objekte të përdorura nga e dashura e tij në shtëpinë e Keskinëve. Ishte mbyllur ne vetvete për të gjetur brenda tij Fysunin. Në puthjet e Fysunit ai ndiente veten të zhytur në angështi, brenda një dhome që ngushtohej e ngushtohej, si një ëndërr e keqe, nga e cila mundohej të shpëtonte, por nuk shpëtonte dot. Ja këtë angështi sa mbytëse, aq dhe të bukur, ai kërkon ta përjetësojë në “Muzeun e pafajësisë”. Kjo ndjesi e çuditshme është produkt i bashkëjetesës mes anës shpirtërore dhe asaj iluzore të botës. Me objektet e këtij muzeu ai kërkon të përjetojë çastet më të bukura të jetës. Pas shumë mundimesh, Kemali iu drejtua Fysunit me guxim: “Ka ardhur koha, që së bashku të shkojmë diku tjetër për të jetuar të lumtur. Mjaft me kryeneçësinë që kemi treguar ndaj njëri-tjetrit deri tani” (512). Në takimin e parë, pas këtij vendimi të përbashkët, Kemalit iu duk sikur takohej për herë të parë me një vajzë të re. Fysuni, e shkëputur nga lidhja formale me Feridunin, me të cilin nuk pati asnjë marrëdhënie si burrë e grua, i deklaron Kemalit se për të, i vetmi burrë ka qenë dhe mbetet vetëm ai. Në këto çaste, thotë Kemali, e ndjeva veten si ata djemtë e pafat, që edhe pse dashurinë e kanë shumë pranë, përsëri u duket sikur nuk do t’u ulet kurrë në shtratin e lumturisë ( 579). Fysuni në thelb ishte një vajzë e emancipuar, me ide e mentalitet modern. Ajo e qorton hapur Kemalin dhe Feridunin, kur ata mundohen ta mbajnë mbyllur, nga frika se mos ajo bëhej aktore e famshme dhe i braktiste. Por dhe ajo nuk mundi të gjente dot rrugën e suksesit, pa mbështetjen e meshkujve të suksesshëm. Në kohën kur çifti Fysun-Kemal mendonin se kishin arritur majat e lumturisë së shumëpritur, bien në grackën e një aksidenti fatal. Këtë “grackë”, fatkeqësisht, e pat ngritur me duart e saj Fysuni, me shpejtësinë marramendëse të makinës që ajo drejtonte në një turne, bashkë me Kemalin.
– Kudo që na shpinte ajo rrugë vrastare, – thotë Kemali, – ne ishim të lumtur, se ishim bashkë. Për të, edhe pse Fysuni kishte ndërruar jetë, kishte mbetur po aq e bukur. “Me sy të trishtë e buzë të mrekullueshme, me faqe të kadifenjta dhe lëkurë të mëndafshtë…” (591). Për ta përjetësuar të gjallë kujtimin e saj, Kemali vendosi të krijojë “Muzeun e pafajësisë”, nga i cili ka marrë edhe titullin ky roman. Për ta bërë këtë muze sa më të bukur, Kemali vizitoi shumë muzeume të tillë nëpër botë, mblodhi, studioi dhe seleksionoi shumë objekte e kujtime të tjera të përdorura nga Fysuni. Tashmë lumturia dhe gëzimi i vetëm i Kemalit ishte krijimi i këtij muzeu kuptimplotë. As vetë Kemali nuk po e kuptonte se ç’ishte ajo ndjesi, që e mbante të lidhur me këto sende e objekte. Brenda këtyre orendive ai ndiente dashurinë e tij të ëmbël, që i dukej sikur buronte nga mbretëria e engjëjve. Kemalit i dukej sikur ai jetonte në një kohë e hapësirë tjetër, të ndryshme nga ajo që jetonin njerëzit e tjerë. Për të, të jetuarit me kujtimet e të vdekurve, nuk do të thoë të varrosësh të gjallët me të vdekurit, por të ngjallësh të vdekurit, për t’u mrekulluar me lumturinë e përjetshme të të gjallëve. As vetë shkrimtari nuk e kupton se ç’ishte ky pasion i madh që e kishte mbërthyer për mbledhjen dhe ruajtjen e këtyre objekteve të vjetra. Ndoshta ishte lëmshi i pazgjidhur i brengave të tij shpirtërore, që kërkonte shërim. Dhe për ilaç shërimi, ai pati zgjedhur këtë muze të çuditshëm, që do të fiksonte kohën. Sepse, siç thotë Aristoteli: “Koha është linja, që bashkon çastet”.
Aq e mirë ishe Fysuni, sa me të, në një mbrëmje vallëzimi ishte dashuruar edhe autori i romanit, Orhan Pamuk.
“Binim marrëzisht në dashuri me njëri-tjetrin, shkruan ai, dhe më dukej sikur putheshim poshtë pemëve e martoheshim së bashku…” (626). Për Fysunin, brenga më e madhe ishte mungesa e lirisë për t’u dashuruar dhe guximi për të promovuar talentin e saj të rrallë, pa ndihmën e meshkujve të fortë. “Muzeu i pafajësisë” mban brenda jo vetëm tragjizmin dhe pafajësinë e një dashurie të parealizuar, por dhe pavdekësinë e saj të përjetshme. Ai ruan të gjalla brengat dhe kënaqësitë që përjetojnë njerëzit e thjeshtë dhe të ndershëm e jo ëndrrat e shthurura pseudo-evropiane, që ushqenin të pasurit e Turqisë së viteve ‘70-të. Simbolika e vdekjes së Kemal Basmaxhiut, protagonistit kryesor të këtij romani, është sa metaforike, aq dhe kuptimplote. Ai ndërroi jetë pas një krize të rëndë, ditën e 50-vjetorit të lindjes së Fysunit, teksa flinte në një hotel, ku shkonte shpesh. Fjalët e tij të fundit ishin: “Le ta dinë të gjithë, unë kam jetuar një jetë të lumtur!”