Norvegjia i jep një leksion futbolli Panuçit

March 26, 2018 21:07

Norvegjia i jep një leksion futbolli Panuçit

Shqipëria humbi me rezultatin 0-1 kundër Norvegjisë.

Të besuarit e trajnerit Kristian Panuçi nuk dhuruan asgjë të bukur në këtë sfidë dhe morën një humbje të merituar.

Ndryshe ndodh me norvegjezët që duken një kombëtare simpatike dhe në rritje. Fizikisht më lart dhe të qartë teknikisht.

Pjesa e parë nuk ishte aspak e mirë për ne, pasi skuadra mike dominoi lojën. Norvegjezët ishin më lart se ne dhe u shfaqën më rrezikshëm në portën e portierit Thomas Strakosha.

Mesfusha jonë nuk funksionoi si duhet dhe nuk arriti t’i jepte shtysë ekipit për të dalë përpara. Sulmuesi Armando Sadiku qëndroi i izoluar në repartin e sulmit, pasi nuk mori shumë topa.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime te lojtarët në fushë, por nuk ndryshoi asgjë në ritmin e lojës. Ishin miqtë që kontrollonin topin dhe ishin “zotër” të fushës. Ekipi ynë u mundua, por nuk shfaqi shumë egërsi dhe siguri.

Trajneri Panuçi ndryshoi shumë te lojtarët, por nuk ia doli mbanë të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes.

Në minutën e 65-të ka ardhur lajmi i parë i keq për Shqipërinë (dhe Napolin), me Hysajn që ka lënë lojën për shkak dëmtimi dhe është zëvendësuar nga Lika.

Lajmi i dytë i keq ka ardhur pesë minuta më pas, kur Rosted ka kaluar në avantazh norvegjezët me një goditje me kokë pas zhvillimit të një goditje nga këndi.

Norvegjezi ka dalë fitimtar në dyluftimin me Ajetin dhe ka devijuar sferën aq sa duhej për të nxjerrë jashtë loje Strakoshën dhe për ta dërguar në rrjetë.

Në minutat e fundi, Norvegjia ka pasur një rast të pastër për të shënuar golin e dytë, por ka qenë përsëri Thomas Strakosha ai që i ka mohuar një tjetër gol bardhekuqve.

Një sfidë për t’u harruar për djemtë e Panuçit, që pas fitores me Turqinë “shpërfytyrohen” në lojë nga Norvegjia.

a.s/dita

March 26, 2018 21:07
Komento

1 Koment

  1. JFK March 26, 21:15

    avash me kete epitetin”shperfyterim” i nderuari as i dites.

    Kennedi ka thene:

    “Humbja ngelet jetime ,kurse fitorja ka shume baballare”

    .Rendesi ka te kuptohen dhe riparohen difektet ne betejen e ardheshme se sa nje rezultat me humbje

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*