Nostalgjia dhe të fshehtat e saj, pse ndiejmë dëshirë për të kaluarën?

November 7, 2019 10:41

Nostalgjia dhe të fshehtat e saj, pse ndiejmë dëshirë për të kaluarën?

A duhet të ndalemi te e kaluara? Psikologët zakonisht rekomandojnë të mos ndalemi tek ajo e ta hedhim pas.

Sidoqoftë, kohët e fundit është zbuluar se dëshira për të kaluarën, e njohur ndryshe si nostalgji, mund të përdoret si një mjet të dobishëm për njerëzit që vuajnë nga ankthi dhe depresioni.

Për pasojë, nostalgjia është bërë një subjekt në rritje i kërkimeve në fushën e psikologjisë.

Po çfarë është nostalgjia? Fjalori britanik i Oksfordit, e përkufizon si “një ndjenjë trishtimi, të përzier me kënaqësi dhe përzemërsi, kur mendohet për periudha të lumtura të së kaluarës”.

I shpikur si term nga një mjek zviceran në shekullin XVII, vetë nostalgjia e ka origjinën nga fjalët greke ‘nostos’ (dëshirë për t’u rikthyer në shtëpi) dhe algos (dhimbje që lidhet me këtë dëshirë të madhe).

Në librin e tij “Nostalgjia: Një shpjegim neuropsikiatrik”, psikologu Alan Hirsh e lidh nostalgjinë me një dëshirë të madhe për të kaluarën.

Por e kaluara e dëshiruar, është një version i idealizuar i vetvetes, me emocione pozitive që ekzistojnë në kujtesën tuaj, shoqëruar me “filtrimin e emocioneve negative”.

Gjithsesi, studimet e fundit kanë treguar se nostalgjia mund të ofrojë këndvështrime të reja mbi gjendjen tonë aktuale.

Në fakt një studim i gjerë në 18 vende dhe 5 kontinente mbi “nostalgjinë pankulturore”, zbuloi se nostalgjia inkurajonte ndjenjat e empatisë dhe lidhjes shoqërore, e madje funksiononte si një ilaç kundër ndjenjave të vetmisë dhe depresionit.

Po çfarë e shkakton nostalgjinë sipas psikologjisë?

Pavarësisht nëse jemi duke kaluar kohë të vështira, apo thjesht disa gjëra po ndryshojnë në jetën tonë personale, kujtimet e kohërave kur gjërat ishin më të thjeshta, janë “streha” e zakonshme që mund të na garantojë qetësi.

Për më tepër, studimi tregoi se nostalgjia është një përgjigje e zakonshme ndaj ndryshimit.

Si e tillë, kur ne jemi duke përjetuar një tranzicion në jetën tonë, qoftë kur kalojmë nga adoleshenca në moshën e rritur, apo kur arrijmë moshën e daljes në pension, kur zhvendosemi për të banuar dikur tjetër, apo edhe kur përpiqemi të përballemi me përparimet teknologjike, ne shtyhemi në çdo rast drejt nostalgjisë.

Është interesant fakti që nostalgjia shkaktohet në mënyrë tipike nga emocionet negative.

Por po ashtu, ajo nxit një gjendje shpirtërore të përmirësuar dhe shton emocionet pozitive.

Studiuesit mbi psikologjinë e nostalgjisë në Universitetin e Sauthemptonit në Britaninë e Madhe, kanë zbuluar se nostalgjia mund të veprojë si një sistem mbrojtës neurologjik, që na ndihmon të kapërcejmë mendimet ose përvojat negative.

Ajo e arrin këtë, duke i ndihmuar njerëzit të arrijnë të kenë një ndryshim të përkohshëm, në mënyrën se si e perceptojnë gjendjen e tyre aktuale.

Dhe kjo u jep njerëzve forcën për të ecur përpara, gjatë periudhave të vështira.

Për më tepër, lidhja e njerëzve me të kaluarën e tyre u kujton se gjendja aktuale është e përkohshme. Pra, edhe nëse ata janë duke u ndjerë aktualisht të izoluar, nostalgjia u kujton atyre atë që kanë arritur në të kaluarën dhe faktin që periudha të tjera pozitive mund ta presin në të ardhmen.

Në të njëjtin studim, njerëzit në gjendje nostalgjike, kishin më shumë të ngjarë të shfaqnin tipare altruiste, dhe të angazhoheshin në punë vullnetare.

Po ashtu, fëmijët që u inkurajuan të mendojnë më shumë mbi të kaluarën, u zbulua se kishin më pak të ngjarë të shfaqnin tipare egoiste në sjelljen e tyre.

Nostalgjia ka ndërkohë edhe efekte fiziologjike, dhe jo vetëm psikologjike. Për shembull, një studim në vitin 2012, zbuloi se pjesëmarrësit që kishin qëndruar në një dhomë të ftohtë, kishin më shumë të ngjarë të përjetonin ndjenjën e nostalgjisë.

Studiuesit zbuluan se ata që përjetonin nostalgji, e perceptonin temperaturën e ambientit si më të lartë, dhe mund të toleronin temperatura më të ftohta, sesa pjesëmarrësit që nuk raportonin ndjenja të nostalgjisë.

Learning Mind

j.l./ dita

November 7, 2019 10:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*