Notat e maturës së vjeshtës, si të shihni rezultatet në 3 provimet e detyruara  

September 8, 2017 12:01

Notat e maturës së vjeshtës, si të shihni rezultatet në 3 provimet e detyruara  

Pranvera Kola – DITA

Ka përfunduar tashmë korrigjimi i tre provimeve të detyruara për maturantët e vjeshtës. Qendra e Shërbimeve të Arsimit, ka detajuar gjatë ditës së djeshme notat e marra në tre provimet e detyruara të Maturës 2017 të sezonit të vjeshtës, në të cilat morën pjesë rreth 6576 maturantë.

Këto nota, së bashku me rezultatet e dy provimeve me zgjedhje që do të dalin pas pak ditësh, janë vendimtare për kandidatët që duan të vijojnë garën për të fituar studimet e larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit, përgjatë aplikimeve të raundit të dytë të pranimeve që do të zhvillohet në mbyllje të javës së ardhshme.

Rezultatet e plota të arritura nga secili maturant në provimin e matematikës, gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe gjuhës së huaj, do t’i gjeni të detajuara online në faqen e gazetës “Dita”, www.gazetadita.al, si dhe ne faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit (ish-AKP).

Konkretisht, mund t’i gjeni notat që keni marrë duke kërkuar në listë ID-në tuaj, përbri të cilës janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar, si dhe nota përfundimtare me të cilën jeni vlerësuar në  secilin prej tre provimeve të detyruara. Sipas të dhënave të zbardhura nga QSHA, në provimin e gjuhës dhe letërsisë për sezonin e vjeshtës janë testuar 1472 maturantë që ishin mbetës në sezonin e testimeve të qershorit, në testin e matematikës numri i mbetësve ka qenë edhe më i lartë, pasi në vjeshtë kanë dhënë këtë provim 3680 kandidatë, ndërsa në testin e gjuhës së huaj janë testuar rreth 1424 kandidatë.

I lartë rezulton të jetë edhe numri i të testuarve në 2 provimet me zgjedhje të zhvilluara në datën 6 shtator, rezultatet e të cilave do të bëhen publike brenda pak ditësh. Autoritetet e kësaj qendre theksojnë se ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë. Kjo për shkak të faktit se testet e tyre janë klasifikuar si të dyshuara për kopje, dhe do t’u nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh.

Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do t’i njihet rezultati i provimit, ose jo. Autoritetet e QSHA-së, theksojnë se pavarësisht pretendimeve që mund të kenë maturantët mbi vlerësimet e shpallura, ata nuk do të mund të ankimojnë rezultatin e provimeve të maturës. Por, ndërkohë kanë të drejtë të kërkojnë tërheqjen e kopjes së korrigjuar të testeve, por pa pasur mundësi që të ndryshojnë rezultatin. Bazuar në kushtet e vendosura në rregulloren e provimeve të maturës për këtë vit, autoritetet e MAS sqarojnë se vlerësimi i testeve edhe për sezonin e vjeshtës ka kaluar në disa duar, çka do të thotë se mundësia për të bërë vlerësime të gabuara është e pamundur.

Sipas tyre, çdo test ka kaluar minimalisht në duart e dy korrigjuesve, dhe në rastet kur mes tyre ka pasur diferenca në vendosjen e pikëve, testi është korrigjuar nga një vlerësues i tretë. Dalja edhe e rezultateve të provimeve me zgjedhje do t’i lejojë maturantët që të vijojnë më tej procedurat e aplikimit për studimet në universitete, pasi do të kenë në duar të gjithë elementët e duhur për të vlerësuar mundësitë reale që kanë për vijimin e studimeve të larta në degët që do të kenë kuota të lira pranimi në aplikimet që do të zhvillohen për fazën e dytë të pranimeve.

Edhe në garën e raundit të dytë do të zbatohen të njëjtat kritere pranimi, sikundër ndodhi në garën e zhvilluar përgjatë muajit korrik. Rregullorja e provimeve të maturës përcakton se të drejtën për të vijuar plotësimin e formularit të preferencave përgjatë raundit të dytë të pranimeve që do të nisë me 15 shtator do ta  gëzojnë vetëm maturantët që kanë kaluar në të pesë provimet e maturës së 2017-ës dhe që kanë mesatare të përgjithshme të shkollës së mesme mbi notën 6.

Ndërsa mbetësit janë të përjashtuar nga kjo garë. Kjo kategori maturantësh duhet të presë sezonin e testimeve të maturës së 2018-ës, për të dhënë sërish provimet e mbetura dhe vetëm më pas do mund të aplikojnë për të vijuar studimet në universitetet nëse sigurojnë mesataren e duhur, si dhe në programet e universitare, ashtu edhe në ato dy vjeçare profesionale.

 

Plotësimi i formularit të preferencave për raundin e dytë

  • Gara për fituesit e raundit të dytë të pranimeve në universitetet publike, apo private të vendit do të zhvillohet ndërmjet datave 15-22 shtator. Në këtë raund do të aplikohet për vendet mbetura bosh nga mbyllja e regjistrimeve të listës së fituesve të fazës së parë. Çka do të thotë se maturantët në këtë raund do të jenë më të kufizuar në përzgjedhjen e degëve më të preferuara.
  • Në udhëzimin e MAS përcaktohet se shansin e dytë për të konkurruar për universitetin në këto data e kanë:

-Të gjithë kandidatët që nuk arritën të shpallen fitues gjatë fazës së parë.

-Ttë gjithë kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen në afatet e caktuara, edhe pse ishin pjesë e listës së fituesve.

-Kandidatët e çregjistruar sipas procedurave të përcaktuara, e që duan të ndërrojnë degën e studimeve.

-Maturantët që për arsye të ndryshme nuk aplikuan dot në raundin e parë.

-Maturantët e vjeshtës që morën vlerësime kaluese në provimet e detyruara dhe me zgjedhje.

  • Kandidatët që do të aplikojnë për herë të parë në formularin e preferencave gjatë raundit të dytë, duhet të shlyejnë më parë në një nga pikat e bankave të nivelit të dytë, apo zyrave të postës tarifën prej 2000 lekësh për zgjedhjen e 10 preferencave për universitetin. Ndërsa kandidatët të cilët kanë aplikuar në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues, nuk do të paguajnë më tarifë, por do të bëjnë direkt plotësimin e këtij formulari online.
  • Përzgjedhja online e degëve do të bëhet sipas kalendarit të datave të miratuara për secilin rreth. Kandidatët kanë të drejtë që të përzgjedhin deri në 10 preferenca me të cilat do të konkurrojnë për të fituar studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik, qofshin këto degë të universiteteve publike, apo private.

Kliko me poshte: 

GJUHE E HUAJ

GJUHE – LETERSI

MATEMATIKE

 

September 8, 2017 12:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*