Novruz Dervishaj, ushtaraku dhe njeriu

March 3, 2018 09:51

Novruz Dervishaj, ushtaraku dhe njeriu

Shpendi Topollaj

Po mbushet një vit qyshkurse u nda nga ne oficeri i shkëlqyer, poeti, prozatori, piktori e skulptori Novruz Dervishaj, njeriu që me vlerat e tij intelektuale dhe shpirtin e tij artistik u bë një nga përfaqësuesit më dinjitozë të gjithë atyre djemve që dolën nga bangat e shkollës së lavdishme “Skënderbej”.

Veç do të ishim të pasaktë, sikur ndajshtimeve të mësipërme të mos i shtonim edhe fjalën plot peshë, strateg. Se të tillë e bënë atë, jo vetëm detyrat e rëndësishme që kreu për vite me radhë, si në Shtatmadhori, ashtu dhe si drejtues i Njësive të mëdha operative, por dhe libri i botuar post mortem me titull “Arti ushtarak dhe arti i të shkruarit”.

Ky libër është rrjedhojë e një pune studimore të gjatë që përfshin vitet 1960 – 1980, dhe kuptohet se fillimisht janë mbajtur në formë shënimesh e konspektesh, pa pasur synimin për t`i botuar.

Megjithëse duhet thënë se në gjithë rutinën e punës së tij, ku i është dashur të ndeshet me probleme e vështirësi nga më të koklaviturat, ai gjithmonë e ka gjetur kohën jo vetëm të lexojë, si literaturë artistike, historike, politike dhe ushtarake por dhe të bëjë studime shkencore në pajtim me detyrat që i dilnin ushtrisë aso kohe dhe të referojë kumtesa apo të botojë artikuj të gjithfarshëm me karakter ushtarak në shtypin e atëhershëm.

Ky nuk ishte thjesht një pasion i tij, por tregues i ndërgjegjes dhe përgjegjësisë që ai kish për kryerjen sa më me efikasitet të detyrave të ngarkuara. Novruz Devishaj i sqaron lexuesit se fillimisht duhet kuptuar se a është art ushtarak vetë lufta. Se me të vërtetë ndodhemi para një paradoksi e mashtrimi të madh. Histori e luftërave duket joshëse kur e lexon dhe sidomos pasi kanë kaluar vite e vite.

Por kur mendon shkatërrimet, gjymtimet, vdekjet, humbjet, dhimbjet, vuajtjet, llahtaret, poshtërimet, dramat e tragjeditë që ajo u shkakton individëve, popujve, qyteteve e qytetërimeve, nuk ka vend për cilësimin e saj art. Ajo me ligësitë, krimet dhe pasojat e pariparueshme që shkakton, në asgjë nuk të kujton artin. Por ja që është një e keqe e pandalshme.

Një bashkudhëtare e gjithë shoqërisë njerëzore që nga lindja e saj dhe që me apo pa dashje do marrë seriozisht në konsideratë. Ky autor shpreh bindjen se përderisa kështu ka qenë gjithmonë, do të ishte gabim të mendohej se tani e tutje burrat e shtetit, pra politikanët e udhëheqësit ushtarakë u bënë më të arsyeshëm dhe se nuk ka më nevojë për ushtri e përgatitje luftarake.

Ai vetë shkruan: “Ç`është lufta? Kjo është më e lashta pyetje e njerëzimit. Para kësaj pyetje ka thyer kokën deri sot e gjithë logjika, e gjithë filozofia, e gjithë shkenca. Dhe lufta shkatërron, rron, ndërsa ne të pafuqishmit, as për ta ndalur e as për ta shpjeguar, vetëm nënshtrohemi, derdhim lot dhe mbledhim produktin e saj mospërfillës ndaj britmës sonë.”

Drejtë e ka thënë dikur  J.F.Kenedi se “Njerëzit duhet t`i japin fund luftës, përndryshe lufta do t`i japë fund njerëzimit.” Se ajo ka reperkursione edhe për vetë fituesin, pasi është pikërisht ashtu sikurse thosh gjenerali Helmuth Von Moltke duke huazuar nga Sharl Monteskieja se“Çfarë fituam me shpatë për gjysmë viti, duhet ta mbrojmë me shpatë për gjysmë shekulli.” Por hajde e gjeje atë gurin filozofik për ta shmangur atë.

Në vazhdën e kësaj logjike, si çdo popull edhe ne shqiptarët, nuk duhet të tregohemi naivë e të besojmë verbërisht te paqja dhe te shpëtimi nga të tjerët dhe këtë lë të nënkuptojmë edhe gjenerali ynë Novruz Dervishaj i cili shkruan me doza ironie: “Aty, në atë fushë ku plumbi vërshëllen dhe të kërkon jetën, veprimi, guximi, taktika e vogël e jotja si ushtar, deri edhe zvarritjet dhe kërcimet, dredhat në fushën e luftimit, të duhen se të shpëtojnë kokën, nuk të duhen as filozofia e Senekës dhe e Sokratit, dhe as një koncert violine i Shumanit.”

Dhe domosdoshmërinë e përgatitjes për luftë e ka vërtetuar historia e cila gjithashtu ka kodifikuar dhe rregullat e zhvillimit të saj të nxjerra nga përvoja dhe eksperienca të vyera, formuluar nga mendje të ndritura, duke filluar te Sun Xuja, Nikolo Makiaveli e deri te Klauzeviçi. Ata janë marrë gjerë e gjatë me zhvillimet e luftrave të udhëhequra nga kapedanë të mëdhenj, kanë analizuar fitoret dhe humbjet e tyre, prandaj dhe i ndeshim herë pas here në faqet e këtij libri.

Ashtu sikurse autori ndalet më hollësisht tek ato që pohojnë vetë, burra të shquar si Epaminonda, Leka i Maqedonisë, Jul Çezari, Gjergj Kastrioti ynë, Frederiku i Madh, Napoleoni, Kutuzovi, Zhukovi etj. dhe ka shkëputur pasazhe të tëra nga përshkrimet e betejave të tyre nga shkrimtarë dhe historianë si Leon Tolstoi etj.

Po t`u shtojmë këtyre dhe kapitujt mbi armët e luftës, fortifikimet, terrenin, psikologjinë e ushtarit etj. të shoqëruara me ndodhi mjaft interesante, kuptohet se ndodhemi para një enciklopedie ushtarake që mund të na e përmbledhë vetëm një erudit si Novruz Dervishaj i cili për të mbërritur deri këtu i është dashur të shfletojë një pafundësi botimesh. Ajo që bije në sy në këtë libër është dashuria e madhe që ky autor ruan të pa prekur për ushtrinë dhe vlerësimi që ai i bën njeriut – ushtar i thjeshtë i cili sipas tij mban gjithë peshën kryesore të luftës, në një kohë që lavdia ndahet mes atyre që nuk ja kanë bërë një herë bam. Ai e quan ushtarin që sulmon përballë plumbave me shokun në kurriz, hero të vërtetë, nga trimëria e të cilit në fund të fundit varet suksesi i luftimit.

Novruz Dervishaj e ka të qartë se taktikat e zhvillimit të luftës, kanë ndryshuar. Por ai ka ditur të zgjedhë ato veçori të tyre që mbeten të përhershme. Si përfundim, mund të themi se pasi e lexon këtë libër interesant, tani që Novruz Dervishaj, ai ushtarak dhe njeri i mrekullueshëm nuk është më midis nesh, në veshë të ushtojnë si porosi fjalët e Gjergj Uashingtonit “Metoda më e mirë për të mbrojtur paqen është të përgatitesh për luftë.”

March 3, 2018 09:51
Komento

3 Komente

  1. Ethem March 3, 18:32

    Te lumt Topollai qe po shkruan per Nevrus Dervishaj Komandant dhe njeri i mire.E njoha si komandant i DK-Fier.I paharruar kujtimi tij,ngushellime familjes per humbjen e njeriut me te dashur,por mesadi edhe te humbjes se djalit te vetem ne aksident ne Greqi.

    Reply to this comment
  2. Gjirokastriti March 3, 18:52

    I nderuar E. Topollaj: Ju pergezoj per shkrimin! Shqiperia ka patur nje armate me oficere te afte, me kulture te gjere ushtarake bashkekohore! Nje vend te merituar ne kete plejade ze padyshim dhe ish Komandanti i Divuzionit te Gjirokastres dhe te Fierit, Novruz Dervishi. I paharuar Komandant Novruzi! Ngushellime bashkeshortes se tij te nderuar dhe femijeve te tij te mrekullushem.

    Reply to this comment
  3. Kris 1 March 4, 14:27

    Nje epror,shok dhe familjar i mire.Me jeten dhe thjeshtesine e vet i ben nder Vlores dhe vendit.Nje shembull qe duhet ndjekur nga kuadrot e reja te FA

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*