Nuk e kam provuar kurrë LSD-në, drogën që zbuloi babai im

Zulfikar Abbany (DW) April 19, 2013 09:06

Nuk e kam provuar kurrë LSD-në, drogën që zbuloi babai im

70 vite më parë, më 16 prill 1943, kimisti zvicerian Albert Hofmann aksidentalisht zbuloi efektet haluçinogjene të LSD-25. Efektet e drogës kimisti i provoi vetë i pari…

 

Albert Hofmann ishte një kimist 37 vjeçar, i cili punonte për kompaninë farmaceutike Sandoz kur zbuloi LSD-25. Ai punonte me substancën që prej vitit 1938 kur sintetizoi acidin natyral që gjendet në kërpudhat e bimëve medicinale. Qëllimi i tij ishte të studionte vetitë medicinale të bimëve dhe të krijonte një ilaç për të ulur tensionin e gjakut tek femrat shtatzëna. Por më 16 prill 1943, ai hyri në një botë tjetër. Djali i tij Andreas Hofmann, tregon për DW historinë e LSD.

DW: Si e zbuloi babai juaj LSD?

Andreas Hofmann: Ai ishte duke punuar mbi një substancë, që njihej prej pak vitesh dhe nuk po jepte asnjë rezultat pozitiv, por ai ishte i bindur se ajo mund të kishte diçka ndaj vazhdoi kërkimet. Ndërkohë që ishte duke punuar; pak nga kjo substancë ra në trupin e tij dhe kur ishte duke ardhur në shtëpi me biçikletën e tij, droga filloi të shkaktojë efektet që ne të gjithë i njohim tashmë.

Ai filloi të kishte haluçinacione

Po, por në atë kohë nuk njiheshin. Ai thjesht nuk ndihej mirë. Sapo erdhi në shtëpi u shtri dhe filloi të shihte imazhe të çuditshme. Gjithçka rreth tij ishte e frikshme. Pas pak haluçinacionet ndaluan, por u rikthyen sërish. Prandaj im atë mendoi se ndosha ishte efekt i substancës.

Babai juaj më pas një eksperiencë të tillë nuk e mbajti për vete, por e bëri publike. Pse?

Qëllimi i tij ishte pozitiv. LSD për një kohë të gjatë është parë si pozitive, por kthesa u mor në kohën që ajo pushtoi rrugët. Në SHBA iu bë reklamë si substanca që të fut në një botë tjetër. Më pas pjesëtarë të shoqërisë së lartë dhe të rinjtë në festa ishin përdoruesit kryesorë. Kështu LSD u fut në një rrugë që nuk ishte parashikuar në fillim. Substanca u ndalua për përdorim në SHBA dhe Zvicër, për rrjedhojë edhe studimet e mëtejshme mbi të. Studiuesit në fillim shpresonin të përdorinin efektet pozitive të LSD për të trajtuar sëmundjet psikiatrike, por gjithçka u ndalua.

Ju personalisht e keni prvouar ndonjëherë LSD?

Kurrë!

Keni dashur ta bëni një gjë të tillë?

Unë e dija shumë mirë se çfarë ndodhte në SHBA në vitet 60′ dhe pashë që droga shkaktonte edhe shumë efekte negative. Kjo më bëri të jem më i kujdesshëm. Por babai më thoshte se është e rëndësishme të jesh i përgatitur për eksperimente dhe eksperienca të tilla, sepse nëse nuk ishe gati mund ta pësoje keq. Unë i kam patur shumë frikë eksperiencat e këqia. Nga ana tjetër kam patur miq në SHBA që nuk kanë patur patjetër eksperienca të këqia, por ajo eksperincë ka lanë shenjë në jetët e tyre. Pra shkurtimisht unë nuk doja një eksperincë të keqe që të më mbetej në mendje gjatë gjithë jetës.

Çfarë mendoni se është e rëndësishme në historinë e krijimit të drogës?

Sigurisht historia ka anët e saj të ndryshme. Për shembull për Novartis (grupi farmaceutik ku bën pjesë kompania Sandoz), LSD praktikisht nuk ka asnjë vlerë financiare për kompaninë, natyrisht në krahasim me medikamentet e tjerë që im atë ka krijuar tek Sandoz, që mbeten të rëndësishme edhe sot. Gjithashtu mendoj se zoti Vasella (ish-drejtori i Novartis) nuk kishte asnjë interes të fliste për LSD, të rishikonte çështjen apo ta mbështeste siç bënë të tjerët. Prandaj në këtë kompani tani nuk ka më asnjë gjurmë të LSD apo të babait tim.

Dhe babai juaj, i cili jetoi deri në moshën 102 vjeçare, për një kohë të gjatë ishte aktiv dhe i interesuar për të nxjerrë në pah anët pozitive të drogës?

Sigurisht që po, ai ishte gjithmonë aktiv. Ai kërkonte të mirëkuptohej. Ai nuk prezantonte vetëm anët pozitive të LSD. Pjesë e rëndësishme e prezantimeve të tij ishin edhe anët negative, madje edhe me efektet që shkaktonte tek ata që abuzonin me eksperimentimin e kësaj droge. Ai gjithmonë sigurohej të thoshte edhe anët negative, ashtu siç e kërkojnë standardet shkencore.

Kjo është diçka që kompanitë farmaceutike mund të mësojnë edhe sot, sepse shumë prej tyre kritikohen sepse nuk japin efektet anësore të një mediakmenti.

Po, por për babain tim ishte një çështje morali dhe për të gjithë situatë që krijoi më pas LSD, ai ndihej përgjegjës për gjithçka që kishte ndodhur dhe po ndodhte.

 

**Andreas Hofmann është një nga katër fëmijët e Albert Hofmann. Albert Hofmann punoi si kimist për kompaninë farmaceutike zviceriane Sandoz që nga viti 1927 deri në 1971. Ai zbuloi efeketete haluçinogjene të LSD-25 më 16 prill 1943. Albert Hofmann vdiq në vitin 2008.

 

Zulfikar Abbany (DW) April 19, 2013 09:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*