Nuk është koha për t’i bërë dhuratë Putinit

December 17, 2016 15:03

Nuk është koha për t’i bërë dhuratë Putinit

Ndryshe nga ç’pritej, mbledhja e kësaj jave e drejtuesve të vendeve të BE-së, nuk shfaqi ambicie në avancimin e axhendës politike evropiane.

Përballë brutalitetit të regjimit sirian dhe mbështetësve të tij, kryesisht Rusia dhe Irani, tashmë Tusk do të konfirmonte se, “Nuk jemi aq efektivë, sa ç’do të donim të ishim.” Të 28 vendet e bllokut, nuk i zgjatën sanksionet e tyre kundër Kremlinit për mbështetjen vendimtare, që Moska po i jep tiranit të Damaskut. Mungesa e unanimitetit bëri që çështja të mos diskutohet. Zgjatja e sanksioneve ekonomike ndaj Moskës edhe për 6 muaj të tjerë, ishte vetëm në kuadrin e çështjes së Ukrainës.

Ndaj çështjes së migrimit, asnjë avancim konkret, as mbi reformën e sistemit të përbashkët të azilit në nivel evropian. Thjesht, qëndrim mbi angazhimin e zbatimit të Deklaratës BE-Turqi dhe premtime për avancime në muajt në vazhdim.

E njëjta situatë edhe në lidhje me çështjen e sigurisë dhe të mbrojtjes. Një angazhim modest mbi rritjen e bashkëpunimit dhe të kontributeve mbi këtë dosje. Edhe dosja e zgjerimit, nuk u shfaq shumë inkurajuese, teksa kërkohej bllokimi i kandidaturës turke. Pavarësisht situatës shumë
të rënduar që shfaq sundimi i ligjit dhe i shtetit të së drejtës në Turqi, mënyra se si BE është sjellë përballë kandidaturës së Turqisë (vend kandidat që prej vitit 1999) me bllokada dhe refuzime të vazhdueshme, apo edhe me “tregtim” të politikave të zgjerimit (marrëveshja BE-Turqi), nuk janë shenja besueshmërie mbi angazhimin serioz të politikave të zgjerimit.

Është pikërisht serioziteti mbi angazhimin e politikave të zgjerimit, që ka futur në një lloj krize së fundmi BE-në, edhe përballë refuzimit që Holanda i bëri ratifikimit të Marrëveshjes së Asocimit me Ukrainën. Mjaftoi organizimi i një referendumi, nga disa shoqata të organizatave civile në vend, dhe qytetarët u ngritën si barrierë, duke bllokuar jo vetëm strategjinë gjeopolitike të BE në rajon, por duke i dhënë një goditje politikave të zgjerimit, nëpërmjet krijimit të një precedenti bllokues popullor.

Ukraina kishte vendosur në shtator të vitit 2014, të depozitonte kandidaturën e saj për anëtarësim në BE, në vitin 2020. Bllokimi i Holandës dhe mos ratifikimi i Marrëveshjes së Asocimit, bllokon jo vetëm perspektivën evropiane të Ukrainës, por dëmton edhe vizionin gjeopolitik të BE-së në rajon, besueshmërinë e tij, si edhe e fut atë në një krizë politike, duke ekspozuar problematikën e mekanizmit të komplikuar të vendimmarrjes brenda bllokut.

Gjithsesi, është e rëndësishme të theksohet se, edhe pse rezultati i referendumit në Holandë ishte negativ, vullneti i qeverisë së kryeministrit Rutte, ka qenë dhe vazhdon të ngelet inkurajues, duke u përpjekur të gjejë një rrugëdalje nga kriza, ku e futi rezultati i referendumit. “Ne nuk jemi në pozicion që t’i bëjmë një dhuratë kaq të madhe z. Putin,”- do të deklaronte së fundmi kryeministri i Holandës, Rutte.

Ky vullnet qeveritar, për të përputhur vullnetin e qytetarëve të Holandës me vizionin gjeopolitik të BE-së në rajon, solli edhe hapjen e portës për të dalë nga kjo krizë. Gjatë Samitit të krerëve të vendeve të BE-së, u gjet një zgjidhje, që mund të ndihmojë Holandën të ratifikojë Marrëveshjen e Asocimit me Ukrainën. U përpilua një vendim që harmonizon tre elementë: uljen e tensionit dhe anktheve të qytetarëve holandezë ndaj zgjerimit; vullnetin e qeverisë holandeze për ratifikimin e Marrëveshjes dhe vullnetin evropian për të përmbyllur fazën e ratifikimit.

Ky vendim me karakter ligjor detyrues, specifikon në mënyrë të veçantë, jo vetëm se çfarë është marrëveshja e BE-së me Ukrainën, por mbi të gjitha ai thekson se, çfarë nuk është kjo marrëveshje: “Marrëveshja, nuk i jep automatikisht Ukrainës statusin e vendit kandidat për aderim në Union, dhe se nuk përbën një angazhim, për t’i akorduar Ukrainës një status të tillë në të ardhmen; Marrëveshja nuk përfshin detyrimin për Unionin, apo për vendet e tij anëtare të ofrojnë garanci të sigurisë kolektive, apo çfarë do lloj tjetër ndihme, apo asistence ushtarake në Ukrainë; Marrëveshja nuk prek të drejtën e shteteve anëtare të fiksojnë volumin e hyrjes së shtetasve ukrainas mbi territorin e tyre, me qëllim kërkimin e punës; Marrëveshja nuk i imponon vendeve anëtare të ofrojnë një mbështetje financiare shtesë Ukrainës dhe nuk modifikon të drejtën ekskluzive që ka çdo vend anëtar të përcaktojë natyrën dhe volumin e mbështetjes së tij financiare dypalëshe.”

Domethënë, presioni që shkaktoi kriza e referendumit holandez, dhe vullneti i qeverisë për të dalë nga kjo krizë, hapi shtegun në BE për krijimin e një marrëveshje me karakter ligjor detyrues, ku nga njëra anë, synohet të ulet ankthi dhe tensioni i qytetarëve holandezë, mbi një zgjerim të mundshëm drejt Ukrainës, dhe nga ana tjetër, të hiqet barriera ndaj vizionit gjeopolitik të BE-së në rajon. Por, gjithçka varet nga vullneti i parlamentit holandez, nëse do të jetë dakord me diapozitivin e miratuar gjatë Samitit evropian, për të ratifikuar më në fund traktatin.

Sigurisht që formulimi i vendimit specifik për Holandën, në pamje të parë duket se ofron garanci që Ukraina nuk mund të ofrohet më shumë me BE, por çdo frazë e formuluar nuk frenon juridikisht dhe politikisht në asnjë moment të tij, progresin e Ukrainës drejt BE-së. Problematika e vetme shfaqet në fuqinë që mbart ky tekst, duke dekurajuar vullnetin e qytetarëve të Ukrainës për përafrim me Bashkimin Evropian. Pa neglizhuar këtu edhe vlerën e krijimit të një precedenti, ndaj referendumeve të ngjashme në Union, në rast të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.

Vlen për t’u theksuar gjithashtu se, kjo lloj zgjidhje e ofruar në nivel evropian, është e dyta për nga natyra e saj, pasi po në të njëjtin format kemi edhe zgjidhjen e ofruar për Belgjikën, teksa një prej rajoneve të saj (Valonia) do të refuzonte ratifikimin e marrëveshjes tregtare, BE-Kanada. Në të dy rastet, kemi vullnet qeveritar për dalje nga kriza dhe vendime në nivel evropian, që ofrojnë garanci ndaj forcave refuzuese në nivel politik apo popullor.

Im.Ta.

DITA

December 17, 2016 15:03