La Repubblica: Të gjitha sekretet e luftës kimike

April 9, 2014 16:16

La Repubblica: Të gjitha sekretet e luftës kimike

“La Repubblica” boton pjesë nga hetimi me titull “Të gjitha sekretet e luftës kimike”, realizuar nga fituesi i çmimit “Pulitzer”, Seymour Hersh 

Pjesë nga hetimi mbi luftën kimike në Siri, zhvilluar nga gazetari investigativ me peshë në shtypin amerikan, Seymour Hersh, u publikuan të mërkurën në të përditshmen italiane “La Repubblica”. Sipas  Hersh, sulmi kimik i ndodhur më 21 gusht të 2013-s, në periferinë e Damaskut nuk u shkaktua nga qeveria siriane, por nga rebelët. 350 litra gaz vdekjeprurës Sarin të infiltruara në raketa vranë më shumë se 1400 civilë atë ditë.

Akuzat ndaj presidentit Asad duhej të shërbenin për të shkaktuar ndërhyrjen amerikane në luftën civile në Siri. Bëhej fjalë për një komplot ku përfshihej edhe Turqia e drejtuar nga Rexhep Tajip Erdogan. Sipas një burimi të rezervuar, të përdorur nga gazetari fitues i çmimit “Pulitzer”, ishte inteligjenca britanike në bashkëpunim me shërbimet sekrete ruse që mblodhën prova se agjentët kimikë të përdorur në shkallë të gjerë kundër civilëve në Ghouta (lagje periferike e kryeqytetit sirian) nuk ishin lëshuar nga regjimi i Asad, por nga vetë rebelët.

Inteligjenca amerikane kishte marrë informacione të sigurta se rebelët e Al Nusrës, të mbështetur nga Turqia po prodhonin armë kimike. Kryeministri turk Erdogan, në atë periudhë kishte absolutisht nevojë që Shtetet e Bashkuara të ndërhynin ushtarakisht në krah të rebelëve, të cilët po e humbisnin luftën.

Më 31 gusht, presidenti Obama pezulloi sulmin ajror ndaj Sirisë, i programuar për në 2 shtator, si dhe kërkoi një votim në Kongres mbi çështjen më të nxehtë të atyre ditëve. Kjo ishte mënyra e vetme për të shmangur ndërhyrjen pa u turpëruar përpara botës, pasi kishte pohuar se armët kimike qenë përdorur nga qeveria siriane. Shtëpia e Bardhë mbështeti atëherë ndërmjetësimin e rusëve për të bindur Bashar al Asad që të hiqte dorë nga armët kimike në rrugë diplomatike.

Në atë kohë, qeveria siriane e etiketoi si “një karvan me gënjeshtra” raportin e Shtëpisë së Bardhë mbi përdorimin e gazit sarin nga forcat e Asad. Ministria e Jashtme e Damaskut deklaroi se vendimi i Uashingtonit për t’i furnizuar me armë rebelët ishte prova më e qartë se SHBA luante me “standard të dyfishtë”.

Sipas Kremlinit, provat e sjella nga ekspertët e Uashingtonit mbi përdorimin “e dyshimtë” të armëve kimike nga lideri sirian nuk ishin aspak bindëse. Presidenti rus Vladimir Putin, deklaroi se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të shtuar ndihmën ndaj rebelëve, i bënte të pamundura përpjekjet për paqe.

Seymour Hersh është një nga dekanët e gazetarisë investigative amerikane dhe bashkëpunon rregullisht me revistën prestigjioze “The New Yorker” mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë. Fitoi çmimin “Pulitzer” në vitin 1970 për reportazhin mbi masakrën e My Lai në mars të 1968-s, gjatë luftës në Vietnam, ku forcat e armatosura amerikane ekzekutuan qëllimisht 109 civilë. Ndër hetimet të tij më të njohura janë shërbimet investigative mbi torturat në burgun iraken Abu Ghraib, në vitin 2004./Dorina Gjuzi

April 9, 2014 16:16
Komento

1 Koment

  1. Eri April 9, 22:40

    Nga kjo Turqi, me kete kryeminister diktator islamik qe ka, mund te presesh gjithçka.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*