Ne nuk i rrëzojmë udhëheqësit të gjallë, por të vdekur të bërë monumente…

November 27, 2017 11:21

Ne nuk i rrëzojmë udhëheqësit të gjallë, por të vdekur të bërë monumente…

Entela Resuli – DITA

“Bufi që vjen nga Europa në Shqipëri, shpesh, na duket skifter”

Këtë të diel nuk preferova ta kaloja vrenjtur, ashtu si vetë koha, por vendosa të vizitoja Panairin “Klik Ekspo Group”, në Pallatin e Kongreseve.

Jo se kam ndonjë kuriozitet për bizneset që ekspozohen aty, dhe mesa u informova, kjo pjesë ka qenë me shumë interes për të pranishmit dhe këtë vit kishte patur mjaft vizitorë, por personalisht u ndala në stendën e Dritëro Agollit, e cila ka vendin e vet në këtë panair qysh në lindjen e tij.

Ky është një vit i veçantë, pasi këtë herë, stenda është aty, veprat po ashtu, por fizikisht mungon Dritëro Agolli.

Ai u nda nga kjo jetë në 3 shkurt të këtij viti. Teksa shfletoj disa nga veprat e tij, në sfond dëgjoj zërin e poetit.

Organizatorja dhe themeluesja e Klikut, Elona Agolli, vajza e Dritëroit është kujdesur që ta pasurojë këtë stendë edhe me incizime audio në të cilat dëgjohet zëri i babait të saj teksa reciton disa nga poezitë e tij.

Jehona e zërit të jep ndjesinë sikur poeti është aty, duke bashkëbiseduar me vizitorët.

U takova me Elonën e cila ka hijen e të atit, humbjen e të cilit nuk e ka pranuar ende.

Nuk e kam patur të lehtë; në këtë ndërtesë kam më tepër se dy dekada që organizoj panaire, kam 24 vjet që zëri dhe veprat e tim eti kanë pasur hapësirën e tyre në mes të stendave të shumta të panairit, dy dekada plot është ndjerë edhe hapi dhe prania e babait tim në katet e kësaj ndërtese që neve na ka shërbyer si godina e eventeve ndërkombëtare të Klik Ekspo Group.

Ai ka qenë përherë vizitori më i veçantë, ai i pari vizitor që mua më jepte kurajën dhe e ndjeja që ai vinte për të më dhënë zemër, për të vlerësuar punën e lodhjen time dhe të Luanit.

E kisha shumë të vështirë këtë edicion të panairit pasi përgjatë muajve të përgatitjes lotët nuk m’u ndanë asnjë çast, kujtimet me përmbytnin shpirtin dhe shpirti i mekur me zor mundte t’ia dilte mbanë: nuk ka sesi ta kisha të lehtë këtë panair pasi në këtë ndërtesë kam përcjellë atin tim ditën e ndarjes nga jeta, kam parë në sy lugatën vdekje, (siç e quante ai ) kur më ndau nga më i shtrenjti im.

Gjatë tërë këtyre ditëve kam menduar veçse për të, duke e ndjerë që ai më bekonte dhe gjithçka vijoi mbarë.

Dje pata një kënaqësi të papërshkruar kur takova miq të babait tim në një promovim të librit “105 vite sulm e lot “, botim i Arbëria Design, përmbledhje me poezi për Atdheun që aq fort e donte dhe Dritëroi.

Miku dhe luftëtari i kauzës shqiptare z Fazli Veliu, me zërin që i dridhej më dorëzoi edhe një Letër Mirënjohje për vazhdimësinë e veprimtarisë atdhetare mbarëkombëtare, duke më përcjellë në një farë mënyre përgjegjësinë morale te asaj çfarë ka qenë motivi i pandashëm i veprës së tim eti, atdhedashuria – shprehet për Dita-n, Elona Agolli.

Libri

Këtë tetor (13) në ditën e lindjes së Dritëro Agollit u botuan dy libra të tij, “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe një libër me Aforizma të titulluar në latinisht “Nulla dies sine linea” e cila shqipërohet  “Asnjë ditë pa një vijë”. Kjo ishte motoja e Dritëro Agollit, i cili deri në çastin e fundit të jetës, shkroi sa mundi. U ndalëm te aforizmat pasi gjithmonë na është dukur sikur çdo thënie apo  batutë e tij  ka qenë një aforizëm më vete. Kjo ndoshta shpjegon edhe faktin se pse njerëzit e donin aq shumë dhe bisedat me të ishin gjithnjë të këndshme e të mirëpritura.

Ai është konsideruar ndryshe si shkrimtari i popullit, pasi ishte një njeri që më shumë se askush tjetër e njihte psikologjinë e njerëzve në vendin ku jetonte dhe komunikimi ishte arma e tij më e fort.

Për këto aforizma, të cilat i ka shkruar çdo ditë e nga pak, ai ka një shpjegim dhe bën një krahasim më autor të tjerë në botë. Ndër të tjera përmend Fransua de La Roshfuko, filozof francez i shekullit të 17-të, i cili shkruan “Në botë ka shumë bizele, që i lejojnë vetes të tallen me bathët”. Vetëm në folklorin tonë mund të gjenden disa fjalë të urta të ngjashme, si “u tall dhia me delen, se ia pa bishtin përpjetë”.

Agolli kishte një mendim të lartë për aforizmat, duke e ilustruar këtë me një thënie të A. Çehovit  i cili ka thënë “Shkurtësia është motra e talentit”. Është fjala për konçizitetin në një vepër letrare.

Për Agollin aforizmat janë gjuha e shpirtit dhe kur ato mungonin, mbusheshin me citate shabllone të politikanëve.

“Një autor i huaj, që nuk më kujtohet emri, thotë se aforizma është një ushqim shpirtëror me dy fjalë në koncentrat. Ky përkufizim diçka i lirë na ndihmon për të dalluar teoremën nga aforizma. Teorema është ushqim mendor, aforizma është ushqim shpirtëror. Si e tillë ajo kërkon hapësirë të gjerë të lirisë së mendimit. Në një shoqëri ku mendimi është i ngurtë brenda kornizave, aforizma me larminë e saj, e ka të vështirë zhvillimin. Atëherë ajo zëvendësohet me citatet parafabrikate të udhëheqësve”, thoshte Dritëroi, i cili duket se në këtë libër ka përshkruar shkurt dhe mençur jetën e shqiptarëve në të gjitha nivelet.

Shaban Sinani, i cili ka shkruar parathënien pohon se “Ky është një libër i pangjashëm me të tjerë jo vetëm në kornizë të veprës së Dritëro Agollit, por në gjithë letërsinë shqipe fund e krye”.

Sipas tij thuajse në të gjitha tregimet dhe novelat e Dritëro Agollit një nga karakteret flet me aforizma. Kështu ndodh te “Kalorësi lakuriq”, kështu tek “Dështaku”, kalimthi edhe tek “Trëndafili në gotë” .

 

“Aforizma shkruajnë ose pleqtë, ose të lajthiturit. Unë jam mesi i tyre”

Elona  na shpjegon se, aforizmat që përmban ky libër janë shkruar përgjatë më tepër se dy dekadave, nga viti 1994 e në vijim. Janë shkruar në tryezën  e parlamentit, në tryeza miqsh, në kafene , në kohën e pushimeve në Tushemisht e madje vitet e fundit edhe në tavolinën e madhe të sallonit, ku Dritëroi kalonte një kohë të gjatë duke shfletuar libra, duke shkruar apo edhe duke parë televizor. Më poshtë po ndajmë me ju disa aforizma të përzgjedhura nga libri…:

“Aforizma shkruajnë ose pleqtë, ose të lajthiturit. Unë jam mesi i tyre”- shkruan Agolli, ku nuk i mungon autoironia.

Në këtë libër, aforizmat janë ndarë në disa kategori, sipas tematikave. Në po ndajmë me ju disa prej tyre që i kemi përzgjedhur rastësisht në këtë libër.

-Kur kthehesh në atdhe, edhe era e tymit të oxhakut të bëhet më e këndshme se parfumi në vendin e huaj.

-Përveç shqiponjës  së flamurit, të gjitha shqiponjat bëjnë glasa.

-Themi se Amerika ka armë atomike, por nuk mund të themi se nuk ka morra.

– U grindën tre analistë të pavarur, pasi ishin të varur nga tre parti.

-Ai që i bie fyellit në një vrimë, nuk e njeh instrumentin.

-Kush i bën përditë reklamë mendjes së vet, ka mungesë blerjeje të saj.

-Fjalimet e një pijaneci kundër pijes janë të pabesueshme.

-Sa më shpesh ta lavdërosh veten, aq më lehtë e ke të shash tjetrin.

-Një djalë i ri shau rënd një plak.

Plaku i tha:

-Më vjen keq që po shan të ardhmen tënde more djalë.

-Shqipëria sot është vendi i parë në botë ku bëhet trafik deputetësh, trafik partish dhe trafik prostitutash. Komanda që lëviz këtë trafik është paraja.

Një drejtor i një supermarketi në Tiranë më tha: -Pordhi kali në derë të hanit.

Unë i thash: -Mund të pjerdhë edhe në derën e marketit.

– Zoti të gjitha kafshëve ua la bishtin, disa më të ngritur lartë, disave të ulur poshtë. Vetëm njerëzve ua preu për të mos u bërë bishtpërdredhur, por gaboi.

-Jeta është e ndërlikuar, po ta thjeshtëzojmë e shëmtojmë.

-Kush rreh gruan, fsheh para saj frikën ndaj burrave të tjerë.

-Leku na bën trima, skamja na hap vrima.

-Çdo njeri ka të drejtë të jetë budalla, të drejtat dhe liritë e budallenjve mbrohen me ligj,

-Toka vërtitet rreth vetes dhe rreth diellit, ne vërtitemi rreth lëmshit të thashethemeve dhe rreth vetes.

-Lumturia kur vjen përnjëherësh të sëmur, ashtu si frika e papritur.

-Kush ka një lopë dhe një vresht jeton një shekull.

-Vera kur hynë të bën luan, kur del të bën maçok.

-Moj rakia me zinxhir, kush të pi bëhet Shekspir.

-Burri që pi verë, gruan s’e lë me të tjerë.

-Puna e përditshme e gazetarit: qimja të bëhet tra, trari të bëhet qime.

-Përtaci pret sa të thahet deti  për të kaluar në këmbë.

-Në demokraci ka një ligj të pa shkruar: po vodhe, ia hodhe.

-Shqiptarët nuk i rrëzojnë udhëheqësit e tyre kur janë të gjallë, por kur janë të vdekur, të kthyer në monumente.

-Bufi që vjen nga Europa në Shqipëri, shpesh, na duket skifter.

Klik Ekspo Group, katër ditë Panair

Për katër ditë me radhë, në Pallatin e Kongreseve u mbajt, panairi i 24-t ndërkombëtar i “Klik Ekspo Group”.  24 shtete u përfaqësuan në stendat e panairit përmes 263 markave ndërkombëtare, të cilat i janë shtuar me shumë se 150 kompani lokale të pranishme. Harta e vendeve pjesëmarrëse përfshiu jo vetëm të gjithë rajonin, një pjesë të konsiderueshme të Europës, SHBA-në, Kinën, e deri në Zelandën e Re. Panairi u mbyll këtë të diel ku ashtu si çdo vit shënoi një numër të lartë vizitorësh.

 

November 27, 2017 11:21
Komento

6 Komente

  1. L.H November 27, 12:32

    NJE BRAVO SHQIPETARIZME E MADHE!!!!

    Reply to this comment
  2. Dritëro=Kadare=Göbels November 27, 17:49

    Dritëroi la gruan ruse me gjithë djalë, se i tha Partia….
    Kaq karakter pati…
    Qe bashkë me Kadarenë, shkrimtarët e pallatit të PPSh!

    Reply to this comment
  3. Alphade November 27, 18:17

    Tangoqeduhettedishtakercesh…….!!!!

    Reply to this comment
  4. Plaku Xhuxhumaku November 27, 18:27

    E para, edhe shqiponja e flamurit ka bere glasa para se ta vinin ne flamur,

    E dyta, vetem nje udheheqes kemi rrezuar si monument, ate me te dashurin e Dritero Agollit (nqs mund ta quajme udheheqes dhe jo kriminel).

    Reply to this comment
  5. Haka tek i zoti... November 27, 19:10

    Udheheqesit dhe monumentet e tyre eshte mekat t’i rrezosh!

    Ndryshe eshte nese fjala eshte per… udhedhjeres. Keta i kemi patur me bollek cerekshekullin e fundit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*