Nuk ia dhuruan, por ua rrëmbeu titullin Hero

February 7, 2019 13:04

Nuk ia dhuruan, por ua rrëmbeu titullin Hero

Shefqet Çela jetën e maste jo nga numri i frymëmarrjeve, por nga çastet që e linin pa frymë

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Ndërsa bisedoja me një mikun tim të hershëm për të ndjerin Shefqet Çela nga fshati Krutje e Poshtme e rrethit të Lushnjes – Hero i Punës Socialiste, dëgjoj të më thotë:

– Se mos ka qënë i dalluar vetëm Shefqeti në atë familje! Të gjashtë djemtë e Sali Çelës kanë qënë shoferë e mekanizatorë të bujqësisë. Të gjashtë, njëri më i shquar se tjetri.

Detyra ma donte të mësoja diçka më të hollësishme lidhur me këtë fakt vërtet interesant, prandaj bisedova me djalin e mrekullueshëm të Shefqetit, Ibrahimin, teknik rajonal i kompanive celulare Vodafon e AMC.

Dhe mësova:

Djali i madh i Sali Çelës – Fejziu, ka pas punuar shofer. Është ndër të parët shofera të njohur të rrethit të Lushnjes.

Djali i dytë është Nuriu, traktorist i mirënjohur i Myzeqesë. Fotografia e tij qendronte rregullisht në tabelat e emulacionit. Herë – herë Nuriun e shikoje edhe nëpër presidiume mbledhjesh, si njëri që rrezatonte përvojë.

Djali i tretë është personazhi i shkrimit tonë, Shefqeti, me shumë emër në SMT – në e Kolonjës e në atë të Lushnjes për rezultatet e tij shumë të larta në punë.

Djali i katërt është Elmazi, së pari traktorist e, më pas, zetorist. Kudo që i shkeli rrota e zetorit la punë të ndershme dhe arriti rezultate të larta.

I pesti djalë i Sali Çelës është Veliu, i cili arriti drejtues i brigadës traktoriste.

Dhe i fundt djalë është Shemja, shofer i dalluar mes shokëve të vetë.

Shkurt, një familje e tërë e veshur me kominoshe gjatë punës.

Arratisur nga arat e kooperativës, shkoi ndihmëstraktorist

Le të ndalemi te njëri nga djemtë e Sali Çelës, te Shefqeti, që arriti të ngrihej në lartësinë e Heroit të Punës Socialiste.

I lindur në vitin 1935, mbas mbarimit të shkollës shtatëvjeçare Shefqetit i kërkohej të punonte në arat e kooperativës bujqësore të Krutjes së Poshtme. Dhe në fakt, me hir apo me pahir, ia filloi punës arave të kësaj kooperative, por…

– Jo, baba, – i qe drejtuar një mbrëmje. – Nuk shkoi më në brigadë. Do të bëhem si Fejziu. Si Nuriu…

I ati ishte ndodhur mes presionit të brigadierit të arave, që e kërkonte Shefqetin me kazmë në dorë, dhe dëshirës së djalit. S’dinte se si të vepronte.

– Je i vogël, or bir, – i qe drejtuar një ditë i ati. – Ti akoma s’ke marrë pashaportën. Mbush një herë gjashtëmbëdhjetë vjeç, pastaj shikojmë e bëjmë…

Mirëpo Shefqeti u afrohej kominosheve të të dy vëllezërve, i merte erë dhe aroma e naftës dhe e benzinës i dukej si të ishte aromë parfumi.

–More, nga rri ai djali yt që nuk vjen në punë! – pat ngritur zërin brigadieri i arave.-  Do të na detyrosh që të marrim masa ndaj teje…

– Nga rri?! Në shtëpi rri. Tërë ditën mbyllur! – i qe kthyer Saliu.

– Kam përshtypjen se po më gënjen, – ia pat kthyer brigadieri. – Djalin tënd e kanë parë se shkon prapa Sand Allkanjarit… Si duket po përgatitet për t’u bërë traktorist.

Në fakt, thoshte të vërtetën brigadieri. Edhe pse gjatëmbëdhjetë vjeç, Shefqeti rrinte mbi plugun e traktorit të Sandit. Herë – herë hipte edhe mbi traktor e, tërë vëmendje, ndiqte me sy duart e ustait të vetë teksa lëvizte levat e traktorit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Shefqeti, edhe pse ndihmëstraktorist, nisi të punojë si i rritur. Sakaq, u bë i njohur si ndihmëstraktorist edhe nga kuadrot e kooperativës, kështu që nuk po e kërkonin më në apelin e brigadës së arave.

Në vitin 1953, kur kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, shkoi për të kryer shërbimin ushtarak.

“E gëzofsh patentën, Shefqet!”

Me t’u kthyer nga shërbimi i detyruar ushtarak, Shefqeti u paraqit në SMT – në e Kolonjës për të filluar punë.

– Qënkeni me fat, – i thanë këtu, – sepse sapo na kanë ardhur disa “Zetorë”, kështu që mund të marrësh njërin prej tyre, por… ta mbash mirë ama!

E mori “Zetorin” dhe, sipas detyrës që iu dha, shkoi drejt e në kooperativën bujqësore të Këmishtajt. Tashmë ishte vetëm njëzetë e një vjeç. Shumë i ri për një mjet të tillë. Ca më tepër, edhe i papërvojë në punë.

– Nesër do të kultivosh në një arë me misër në Goriçaj, – i pat thënë drejtuesi i brigadës traktoriste, por… të tregosh shumë kujdes.

Ato ditë Shefqeti pat dëgjuar, se një traktorist me përvojë e kishin paralajmëruar se mund t’i hiqnin traktorin nga që kishte bërë më shumë dëm sesa punë gjatë kultivimit.

Me të marrë detyrën, traktoristi i ri nuk kish pritur më, por pat nxituar në këmbë për te ara e mbjellë me misër. I kishte ardhur rrotull asaj ngastre, duke mësuar drejtimin e rreshtave, si dhe ngarkesën e parcelës me barishte të këqija.

Kur kishte shkuar në shtëpi, në mbrëmje e kishte biseduar detyrën që i qe dhënë me të vëllain, Nuriun. Dhe, sigurisht, kishte marrë mjaft këshilla.

Të nesërmen, që në mëngjes herët, Shefqeti ishte paraqitur në ngastrën ku do të kryhej kultivimi i misrit. Kishte ardhur aty edhe brigadieri i arave, si dhe një agronom i kooperativës. Pasi kishte kolauduar kultivatorin, mekanizatori i ri kishte filluar punën. Aty nga dreka kish mbaruar punë.

Agronomi pat shikuar në sy brigadierin e arave, duke i dhënë të kuptonte, se aty kishin parë një mekanizator të ri në moshë, por mjaft të kujdesshëm. Dhe i qe drejtuar Shefqetit:

– E gëzofsh patentën!

Ndaj motorrit, si ndaj një njëriu: me intuitë prej mjeku

Në qoftë se disa traktoristë të tjerë ftonin t’u vinin mekanikë nga SMT – ja për të kryer në arë qoftë edhe ndonjë riparim të thjeshtë të mjetit, Shefqeti s’e ndjente këtë nevojë. I mënjanonte vet defektet e thjeshta. Kishte një intiutë të habitshme.

Ndërsa riparimin e mesëm, si dhe shokët, e bënte në ofiçinën e SMT – së.

– Shko bëj lejen e zakonshme, se e riparojmë vet zetorin, – i pat thënë një herë Shefqetit mekaniku duarartë Llazar Çapo. – Ne punojmë këtu, ju pushoni diku.

Mirëpo mekanizatorit Shefqet Çela i qe bërë mikrob meraku për t’i qendruar përherë pranë mjetit. U bëhej ortak mekanikëve.

Dëshira për t’í qendruar pranë mjetit të vetë kishte çuar deri në bezdisje të mekanikëve, sa që në një rast përgjegjësi i ofiçinës i kishte thënë të mos dukej më aty, se ndryshe do t’i mbyllej dera që në hyrje të ofiçinës.

Ditën që e kishte nxjerë “Zetorin” nga parku i ofiçinës, Shefqeti e kishte ndaluar diku më tej dhe pat zbritur nga kabina për të qendruar me shikim nga mjeti i porsariparuar.

– Çfarë po bën aty?! – i qe drejtuar një i njohur nga Kolonja teksa e kish parë ashtu me pamje të heshtur. – Përse nuk vazhdon rrugën?

Shefqeti nuk ia pat kthyer përgjigjen. I kishte buzëqeshur dhe pat hipur mbi “Zetor”. Me sa nuk ishte e vështirë të merrej vesh, atyre çasteve që pat qendruar i heshtur ai kishte dëgjuar ritmin e punës së motorrit.

– Mjeku dëgjon pulsin e zemrës, ndërsa ne, shoferët e mjeteve motorrike, – i pat thënë një shoku Shefqeti, – duhet të dëgjojmë të rrahurat e zemrës së mjeteve tona.

I qartë në mendime, i guximshëm në sugjerime

Kaluan vite dhe rezultatet e punës së Shefqetit ishin jo të zakonshme. Më sakt: ishin të jashtëzakonshme. Brenda vitit arrinte rezultatet e dy viteve, madje në ndonjë vit – edhe ato të tre viteve pasardhës. I kishte futur në sedër mjaft nga shokët e vetë.

Në një ditë të shtunë në brigadën traktoriste të Këmishtajt kishte ardhur nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, Agim Gjermeni së bashku me kryeagronomin e mirënjohur të SMT – së së Lushnjes, Adriatik Skënderi. Organizohej një mbledhje, ku do të diskutoheshin projektshifrat e planit të ardhshëm pesëvjeçarë.

– Shyqyr që na mungon Shefqeti! – qe dëgjuar të thoshte dikush me zë të ulët.

– Përse e thoni këtë?! – i qe drejtuar tjetri.

– Përse?! Sepse me atë shpirt që punon Shefqeti ynë, ka rrezik të na marrë në qafë duke sugjeruar tregues që s’mund t’i arrijmë dot!

Filloi e vazhdoi mbledhja dhe diskutimet, kuptohet, rrihnin drejt ngritjes progresive të treguesve tekniko – ekonomikë. Ishte fjala për ngritje të disa treguesve që kishin të bënin për unitet hamullor, për kursim karburantesh, gomash etj.

Aty në të mbaruar të mbledhjes vjen Shefqeti. Merrë leje dhe ulet mes shokëve. Aty mëson për rritjen e treguesve dhe gjen rast të ndërhyjë.

– Me leje, shoku Agim; ka mundësi të them edhe unë nja dy fjalë?

– Posi; fol, – i qe drejtuar i deleguari.

– Dëgjoj këtu se u dashka kursyer karburant, se u dashka rritur jetëgjatësia e agregatëve, se… mirëpo ç’të them! Dihet që mjetet tona vijnë duke u vjetruar. Dhe kur vjetrohet mjeti, dihet që rritet edhe kostoja e çdo gjëje. Unë mendoj që kujdesi ynë të jetë për këto që janë thënë këtu, por më shumë se për këto, ai duhet rritur për cilësinë e punës. Këtu mbetet, besoj, rezerva kryesore për rritjen e efektivitetit të punës së mjeteve tona…

Ndërsa Shefqeti fliste, shokët e vetë ndiheshin më të çliruar.

Kur mbaroi mbledhja, ai që qe shprehur dyshues në fillim të mbledhjes për praninë e Shefqetit, i pat shkuar menjëherë pranë.

– Po përse, more shok, nuk na erdhi që në fillim të mbledhjes?!

Në vitin 1979 punonte për llogari të vitit 1996

Aty nga korriku i vitit 1979 Shefqet Çelën, anëtar i Presidiumit të Bashkimeve Profesionale të rrethit të Lushnjes, e dërguan në Durrës që të vazhdonte një kurs njëmujor në Shkollën e Bashkimeve Profesionale.

– Ju kërkonin në një kurs tremujor, por nuk qe dakort drejtoria e SMT – së, – i pat thënë kryetari i Këshillit të Bashkimeve Profesionale të rrethit, Sotir Mita.

Shkoi Shefqet Çela në atë kurs, por, siç pat treguar vet kohë më pas, nuk ndihej rehat. E vriste qetësia. I ishin mësuar veshët me zhurmë motorri. Lexonte sistematikisht dhe konspektonte të gjitha materialet teorike që i jepeshin për të studiuar.

Një mbasdite e thërret në zyrë drejtori i Shkollës, Ilo Themeli.

– Shoku Shefqet, – i qe drejtuar, – ju jeni kuadër i hershëm i Organizatës së Bashkimeve Profesionale, jeni anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë dhe, mbi të gjitha, Hero i Punës Socialiste.

Shefqeti e kishte dëgjuar me vëmendje, duke pritur se ku do të dilte drejtori i Shkollës.

– Kam menduar që nesër ta drejtoni ju Kursin mësimor të ditës, ndërsa unë me shokët lektorë do t’ju dëgjojmë. Dakort?

– Unë të drejtoj Kursin e nesërm?! … Nuk e bëj dot.

– E bën ti, e bën, madje shumë më mirë nga ne të Shkollës.

Atë mbasdite, deri në orët e vona të mbrëmjes, i gjori Shefqet nisi e vazhdoi të konspektonte faqe të tëra librash, të cilat kish menduar t’ua lexonte kursantëve.  Vonë në mbrëmje i kishte shkuar pranë drejtor Iloja për të shkëmbyer ndonjë mendim, kur Shefqetin e gjen përmbys mbi libra e fletore!

– Nuk do të thuash asnjërën nga këto që keni konspektuar, i dashur shoku Shefqet, – i kishte thënë Iloja. – Shokëve e shoqeve të Kursit do t’u shpjegosh se si keni vepruar ju që qysh sot, në vitin 1979, punoni për vitin 1996.

– Posi, këtë gjë edhe mund ta bëj, – i ishte përgjigjur Shefqeti.

Dhe ashtu pat vepruar.

Vazhdimisht me frymën e antikonformistit

I heshtur, por aktiv, veprues, por tepër i ndërgjegjshëm, Shefqet Çela kudo që  vinte dorë linte gjurmë dhe rregjistronte rezultate.

Si edhe në disa raste të tjera, e thirrën në Komitetin e Partisë të rrethit që të ishte përgjegjës i një Grupi të Kontrollit Punëtor. Në zyrën e instruktorit të Komitetit të Partisë, Muke Manka, shokët e këtij Grupi morën udhëzimet e rastit: Do të shkonin që para orës shtatë në zyrat e Ndërmarrjes Ushqimore, do të vëzhgonin orarin e ardhjes së kuadrove dhe të punëtorëve në punë, do të vëzhgonin fillimin e procesit të punës, do të verifikonin rregullsinë e zyrave, atë të magazinave, gjëndjen e lëndës së parë, shfrytëzimin e mjeteve teknologjike të ndërmarrjes etj.

Shkoi Grupi i Kontrollit Punëtor në atë ndërmarrje, zbuloi disa parregullsi e probleme dhe, mbasdite, u mblodh sërish në zyrën e instruktorit për të pasqyruar punën e bërë. Mungonte vetëm Shefqeti, sepse në mesditë kish pasur një takim në drejtorinë e SMT – së.

– I hidhni një sy materialit që është bërë, – i drejtohet instruktori Shefqetit, që sapo ishte kthyer nga ai takimi i organizuar në drejtorinë e SMT – së.

Pasi e lexoi me shumë vëmendje, Shefqeti u qe drejtuar shokëve të vetë në Grupin e Kontroll Punëtor:

– Jam dakort me të gjitha ato çka pasqyrohen, se i pash edhe vet me sytë e mi, ndërsa për masat disiplinore që sugjeroni kam vërejtje.

– Vërejtje?! E ç’vërejtje keni?! –  qe hedhur një nga ata që ishte marrë me përpilimin e materialit të shkruar.

– Si mund të sugjerosh masë disiplinore për drejtorin dhe kryeinxhinierin e ndërmarrjes, kur s’di se për ç’arsye mungon njëri apo tjetri?! – ngriti zërin përgjegjësi i Grupit.

– Atëhere… është e kotë! Neve na zbehet e tërë puna e kontrollit, – foli dikush.

– Mos u dashka të ndëshkojmë së koti disa kuadro që të dukemi të rëndësishëm?! –  i qe drejtuar Shefqeti me një farë nervoziteti.

Dhe u bë ashtu siç sugjeroi Heroi.

Vetëm përmes punës, Shefqet Çela u printe viteve

I zakonshëm mes të zakonshmëve, Shefqet Çela mundohej të mos binte në sy te të tjerët. Nuk dëshironte të dukej se çoç ishte mes atyre me të cilët punonte.

Bënte ditë që sekretari i Byrosë së Partisë të SMT – së, Edip Hajdari, njëri me shumë miq dhe shokë në rrethin e Lushnjes e më gjërë, i kishte dërguar fjalë Shefqetit që të sillte një fotografi. Mendohej të vihej në stendën e emulacionit socialist me rastin e Një Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Me sot e me nesër, Shefqeti nuk po ia dërgonte! Sepse duhej shkuar në Lushnje te fotografi i talentuar Aqif Kajrani. Mirëpo Shefqeti ishte i lidhur vazhdimisht me punën. Mbillte misër, në ditë të tjera kultivonte, ndërsa herë – herë transportonte me rimorkio pleh deri edhe fuçi me naftë për t’úa dërguar traktoristëve.

– More çfarë bën! Përse nuk sjell fotografinë në Këndin e Kuq të SMT – së , sepse është vendosur stenda e të dalluarëve dhe mungon vetëm fotografia jote sipër emrit të shkruar, – i dërgohej njoftim herë mbas here Shefqetit.

Bëri si bëri dhe e gjeti rastin të pozohej dhe fotografinë ia dorëzoi sekretarit të Byrosë së Partisë.

– Shyqyr që ma solle pikërisht sot, – i qe drejtuar Edipi, – sepse isha bërë gati të vendosja në stendë sipër emrit tuaj një tjetër fotografi tjetër.

– Çfarë fotografie do të vendosje? –  kishte pyetur tërë kërshëri Shefqeti.

Dhe Edipi, tepër i njohur për humorin e tij të shkëlqyer, ia kishte kthyer:

– Prerë nga një revistë e huaj, do të vendosja fotografinë e një kinezi…

Kishte thënë këtë dhe të dy ia kishin dhënë të qeshurit.

*     *     *

Heroi i Punës Socialiste Shefqet Çela është ndarë nga jeta në dhjetor të vitit 2012. Familjarët, fisi, banorët e Krutjes së Poshtme, por edhe shumë e shumë të tjerë e kujtojnë atë si njëri që vetëm me punë të ndershme u parapriu viteve.

Rezultatet e vitit 1979 ishin të atilla, që mjaft prej shokëve të vetë do t’i arrinin në vitin 1996.

Treguesit e arritjeve të tij të vitit 1990 me siguri që do të mund të kenë qënë nga ato të përtej vitit 2010.

Shefqeti e kishte shndërruar jetën e vetë në sakrificë. Sepse jetën e maste jo nga numri i frymëmarrjeve, por nga çastet që e linin pa frymë.

February 7, 2019 13:04
Komento

4 Komente

  1. Fidel Kastro February 7, 18:00

    Pune Lej-Fenesh, me duket si ajo historia me Fuat Çelen qe punonte dhe i verber e me pas na doli agjent i huaj qe donte te helmonte udheheqesin!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
  2. demo February 7, 19:11

    Shoku Dhimiter!Kontrolli Punetor nuk ben leshime.
    Te tund Dacibaon.Si ka thene shoku enver,kuadrot duhet te japin shembullin personal,jo me te vijne me vonese ne pune.Jo vetem duhet te shkojne para punetoreve,por te bejne edhe gjimnastiken e mengjesit.Me vonese ne pune shkojne kuadrot borgjeze,si keta te sotmit,qe shkojne ne pune vetem per te vjedhur.Shefqetin e paskan rekrutuar Liberalet borgjeze.

    Reply to this comment
  3. DhShtembari February 7, 19:37

    I dashur Demo! Mbi te gjitha, te falenderoj qe m’i lexon me vemendje shkrimet. Dhe kjo nuk eshte pak per mua. Sa per opinionet, kjo nuk eshte e thene qe te jemi te gjithe te nje mendimi. Sinqerisht, te falenderoj. Nderime!

    Reply to this comment
  4. Dashamiresi D. February 7, 22:35

    Modestia i dallonte te tillet,si Shefqet Cela.
    Nderim figures atij- Heroi te PUNES.

    Me behet qefi qe ‘demo”n/kampion e komemteve, pas nje kampioni me mijera komante,, i drehtohet Dhimiter Shtembarit, me ‘shoku” ..qe vetem me te,nuk mund te jete,”shok” i mendimin,(sa kam lexuar komentet etij..).
    Faleminderit i nderuar Dhimiter Shtembari,une,ate njeri “HERO i Punes”,njohur ne vite,qe sa ushtar neVAIN–te Lushnjes. Ju falenderoj,ruajtur ate konsiderate sa kujtimet ne vite.
    Dashamiresi. D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*