Nyja e zgjidhjes së trafikut në Tiranë dhe paralajmërimi i Veliajt për nesër

January 5, 2016 16:54

Nyja e zgjidhjes së trafikut në Tiranë dhe paralajmërimi i Veliajt për nesër

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, inspektuan sot punimet që po kryhen aktualisht për ndërtimin e mbikalimit në kryqëzimin e Unazës së Re dhe Rrugës së Kavajës. Kryebashkiaku Veliaj tha për median se Bashkia e Tiranës do të punojë për zhbllokimin e punimeve për ndërtimin e Unazës së Madhe, duke ecur më shpejt edhe me çështjen e shpronësimeve.

“Ky është një projekt i cili zgjidh një ndër nyjet kryesore të trafikut dhe transportit në Tiranë. Kjo është arsyeja pse po e nisim vitin duke i qëndruar te koka këtij projekti. Falenderoj ministrin dhe përmes tij qeverinë shqiptare, që në aktin normativ të fundvitit akordoi edhe 4 milionë dollarë të tjerë për këtë projekt”, u shpreh Veliaj. Ai tha se do të bashkohet me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për të lobuar në qeverinë shqiptare, për të shtuar financimin për këto tre lote.

“Kjo është pjesa më kritike, nyja që lidh kryqëzimin më të rëndësishëm ndoshta sot në Tiranë, dhe besoj se do të marrim një përgjigje pozitive nga qeveria në momentin e parë kur të ndodhë rishikimi i buxhetit, për të devijuar fonde në këtë projekt”, theksoi Veliaj. Sipas tij, Tirana meriton të ketë prioritet dhe një trajtim të veçantë, kur vjen puna për financimet ekstra që i duhen për vijimin e projekteve të mëdha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se në disa segmente të rrugës duhet të shpronësohen familje të cilat kanë legalizuar ndërtime mbi kolektorë ku kalojnë ujërat, në mënyrë që rrugë të mos përmbytet dhe investimi i ri të mos shkojë dëm. “Më vjen mirë që pas dy vitesh mungesë bashkëpunimi nga Bashkia e Tiranës, i jemi rikthyer bashkëpunimit serioz. Kemi bashkëpunuar për njohjen e statusit të këtyre banesave dhe risistemim të banorëve, të cilët nuk kanë pasur asnjë dokumentacion dhe kanë ndërtuar pa leje mbi një trase e cila dihej që do të ishte traseja e kësaj rruge”, deklaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka përcaktuar edhe grupin e shtëpive, të cilat plotësojnë kushtet për shpronësim dhe që do të përfitojnë nga fondi i shpronësimeve. “Ne kemi përcaktuar fondin e shpronësimeve, është një grup shtëpish mbi kolektorë të cilat kanë marrë status të legalizimit dhe hipotekimit, çka është absurde, por për sa kohë që e kanë këtë status, ne do t’i shpronësojmë. Edhe Bashkia, edhe ministria, kanë buxhetuar një fond të caktuar për shpronësimet, ndaj këtë vit do ecim më shpejt në këtë pikë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se nga mbyllja brenda afatit e punimeve do të përfitojnë rreth 100 mijë banorë të njësive administrative nr.5 dhe 7. “Edhe pse parashikimi është që projekti të përfudojë në fund të vitit, garancia që morëm sot nga firma është se ata do e përfundojnë ndoshta edhe tre muaj para afatit”, tha Veliaj.

Nisur nga fakti se nesër mund të ketë shira të dendura në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj paralajmëroi të gjithë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm.

“Parashikimet janë për shira tej normales, nga ora 14:00 deri në 19:00 të darkës. Edhe vende shumë më të zhvilluara se ne kanë probleme me përmbytjet, ndaj nesër parashikojmë se reshjet do të sjellin problematika. Qytetarët duhet të shmangin maksimalisht udhëtimin në orën 14.00 deri në 19.00. Sa më pak trafik të ketë, aq më shumë mundësi ka që punëtorët tanë të jenë të dobishëm në terren”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se janë mobilizuar vetëm rreth 800 punëtorë, kryesisht të UKT, por edhe nga Policia Bashkiake dhe ndërmarrjet e pastrimit apo shërbimit zjarrfikës. Ai ftoi qytetarët që të telefonojnë në numri 128 për situata emergjente.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, tha se kryqëzimi i Rrugës së Kavajës dhe i Unazës së Re ku po punohet aktualisht ndikon në lehtësimin të fluksit të hyrjes në Tiranë dhe devijimit në një kah tjetër.

Gjatë këtij viti do të shikojmë mundësinë që ta trajtojmë në mënyrë prioritare përsa i takon financimeve, pasi ka një plan dhe buxhet të caktuar që shpërndahet në mënyrë proporcionale për projektet prioritare që ka vendi. Këto ndërhyrje janë të domosdoshme për rrjetin tonë rrugor dhe për rrjedhjen e trafikut në Tiranë”, tha Haxhinasto. /Dita/

January 5, 2016 16:54
Komento

1 Koment

  1. Andi January 5, 21:50

    S’e marr vesh pse s’dalin komentet, por gazetarja duket qarte qe flet serbisht.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*