Obsesioni nuk të lejon…

September 24, 2019 13:22

Obsesioni nuk të lejon…

 

Nuk më pëlqen të punoj me pacientë të dashuruar.

Ndoshta ngaqë dashuria dhe psikoterapia janë në thelb të papajtueshme. Terapisti i mirë e lufton errësirën dhe kërkon ndriçimin, kurse dashuria romantike mbahet nga misteri dhe shkërmoqet kur e hetojmë.

E urrej të qenit xhelat i dashurisë.

Telma, që në minutat e para të intervistës sonë të parë, më tregoi se ishte e dashuruar në mënyrë tragjike dhe të pashpresë.

Unë nuk hezitova as për një çast ta pranoja për terapi.

Çdo gjë që pashë kur i hodha atë vështrimin e parë, fytyra e saj e rrudhosur prej 70-vjeçareje me atë dridhjen moshore të mjekrës, flokët e saj të rralluar e të pambajtur, një e verdheme e zbërdhylët, dora e saj e rreshkët me damarë blu… Gjithçka më thoshte që ajo gabohej, nuk mund të ishte e dashuruar. Si mundej që dashuria të zgjidhte këtë trup të plakur, të drobitur, të paqëndrueshëm, apo të banonte në atë kostum poliestre tutash pa formë?

Mbi të gjitha, ku ishte aureola e lumturisë së dashurisë?

Vuajtja e Telmës nuk më habiti, meqenëse dashuria gjithnjë ndotet nga dhimbja. Por dashuria e saj ishte e çekuilibruar në mënyrë të përbindshme dhe nuk përmbante fare kënaqësi; jeta e saj ishte e tëra një mundim.

Kështu që vendosa ta pranoj në terapi, sepse isha i bindur që ajo vuante jo nga dashuria, por nga diçka të cilën ajo e ngatërronte me dashurinë. Jo vetëm që besoja se mund ta ndihmoja Telmën, por isha i intriguar nga ideja që kjo gjoja dashuri mund të ishte një fanar që hidhte pak dritë te një pjesë e misterit të thellë të dashurisë.

Në takimin tonë të parë, Telma ishte e ftohtë dhe e ngrirë. Ajo nuk ma ktheu buzëqeshjen kur e përshëndeta në dhomën e pritjes dhe më ndoqi një ose dy hapa larg, teksa e shoqëroja poshtë korridorit. Kur hymë në zyrën time, ajo nuk ia hodhi sytë ambientit që e rrethonte, por u ul menjëherë. Pastaj, pa pritur për ndonjë koment nga unë dhe pa shkopsitur xhaketën e trashë që e kishte veshur mbi kostumin e tutave, mori frymë thellë dhe ia filloi:

-Tetë vjet të shkuara pata një lidhje dashurie me terapistin tim. Qysh atëherë, ai nuk më shqitet nga mendja. Kam qenë në prag të vetëvrasjes një herë dhe besoj që herën tjetër, kur ta provoj, do t’ia dal. Ju jeni shpresa ime e fundit.

Unë gjithmonë i dëgjoj me kujdes fjalitë e para. Ato shpesh në mënyrë të mbinatyrshme zbulojnë dhe kumtojnë llojin e marrëdhënies që do të jem në gjendje të vendos me pacientin. Fjalët e lejojnë njeriun që të kapërcejë në jetën e tjetrit, por toni i zërit të Telmës nuk përmbante një ftesë për t’u afruar.

Ajo vazhdoi: – Në rast se e keni të vështirë të më besoni, ndoshta këto do ju ndihmojnë!

Ajo u zgjat te një çantë e vjetër e kuqe me ushkurë dhe më dha dy fotografi të vjetra. Fotografia e parë ishte e një valltareje të re bukuroshe që kishte veshur një badi të zi puthitur pas trupit. U befasova kur pashë fytyrën e asaj valltareje dhe ndesha sytë e Telmës që më këqyrnin nga shumë dekada të shkuara.

– Kjo tjetra, – tha Telma, kur pa që iu ktheva fotos së dytë, fotos së një gruaje rreth 60-vjeçare të pashme por flegmatike, – është bërë tetë vite të shkuara. Siç mund ta shihni, – ajo çoi gishtat nëpër flokët e saj të pakrehur, – unë nuk kujdesem më për paraqitjen time.

Megjithëse e kisha të vështirë ta imagjinoja që kjo grua e rrëgjuar kishte pasur një lidhje me terapistin e saj të ri, nuk i thashë që nuk i besoja. Në fakt, nuk fola fare. Isha përpjekur që të ruaja objektivitet të plotë, por ajo duhet të ketë vënë re njëlloj shenje mosbesimi, një sinjal të vogël, ndoshta një zgjerim shumë të vogël të syve të mi.

Vendosa të mos protestoja ndaj akuzës së saj që nuk e besoja. Ky nuk ishte çasti për t’u treguar galant dhe kishte diçka të papërshtatshme në idenë e një gruaje shtatëdhjetëvjeçare të çrregullt që vuante nga dashuria.

*****

Në një konferencë rreth dy vite para se të takohesha me Telmën, kisha ndeshur një grua që më pas pushtoi mendjen time, mendimet e mia, ëndrrat e mia. Imazhi i saj zuri vend në mendjen time dhe sfidoi të gjitha përpjekjet e mia për ta hequr që aty.

Për një farë kohe, nuk ishte problem për mua: më pëlqente obsesioni dhe e shijoja atë sërish dhe sërish. Disa javë më vonë, shkova me pushime për një javë me familjen time në një ishull të bukur të Karaibeve. Vetëm pas disa ditësh, kuptova që nuk po shijoja asgjë në atë udhëtim, bukurinë e plazhit, bimësinë e pasur dhe ekzotike, madje as emocionin e zhytjes dhe hyrjes në botën nënujore.

I gjithë ky realitet i pasur ishte njollosur nga obsesioni im. Mungova kur e gjithë kjo ndodhte. Isha mbështjellë në mendjen time, duke luajtur pa pushim atë fantazinë pa kuptim. Kalova në ankth dhe më vinte në majë të hundës me veten, Fillova terapinë dhe pas disa muajsh të vështirë mendja ishte sërish e imja. Isha në gjendje t’i kthehesha ngazëllimit të përjetimit të jetës sime teksa ajo ndodhte.

Për të mirën e Telmës, dashuria apo obsesioni duheshin çrrënjosur.

Sepse një obsesion dashurie e shteron jetën nga realiteti i saj, duke fshirë përvojat e reja, si të mirat ashtu dhe ato të këqijat, sikurse e di dhe vetë nga përvoja ime…

 

*****

Pjesë e shkëputur nga “Xhelati i dashurisë” me autor Irvin D. Yalom, psikiatër dhe profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Stanfordit.

o.p / dita

September 24, 2019 13:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*